Këtë esse e kam shkruar e botuar në dhjetor të 2013, dmth 11 vite të shkuara, por mjerisht në Tiranë është e njëjta status quo. Po afrojnë zgjedhjet dhe kasta me sy të skuqur nga pangopësia synon të rreshtohet në listën e deputetëve pa garë që do t’i përpilojë lideri i PD. Janë të njëjtat fytyra si më 2013, vetëm tani kanë ndryshuar make up-in. Shqiptarët dhe Shqipëria kërkojnë tjetër gjë, kërkojnë garë të ndershme, meritokraci, vyrtyte, vlera, transparencë dhe integritet. Mos bëni më kot pyetjen retorike se përse nuk dalin shqiptarët në protesta, kur situata në vend kërkon që protestat të mos ndalen as ditën dhe as natën dhe kur varfëria e padrejtësia janë dy rreziqet kryesore të shkombëtarizimit.
———————–
Dhjetor 2013
Në Tiranë nuk ka elitë. Si përkufizim, elita është ai grup apo kategori sociale që ka vendin më të lartë në hierarkinë e vendit. E shprehur metaforikisht, elita është ajka e shoqërisë, aristrokracia, fisnikëria, bujaria. Në origjinë, statusi i elitës nuk është i veshur me pushtet, por ai njihet si autoriteti apo integriteti moral i padiskutueshëm. Ka elitë dhe elita.
Në Tiranë nuk ka elitë ka pseudoelitë, që përfiton privilegje jo për shkak të arritjeve të saj në të mirë të vendit dhe shoqërisë, por për shkak të simbiozës me politikën e krimbur nga korrupsioni dhe të qelbur nga injoranca. Servilizmi si definicion vjen nga latinishtja dhe lidhet me shtresën më të ulët dhe fundin e shoqërisë, të skllavit me shërbimin e bindur e të verbër ndaj skllavopronarit.
Këtë pozicion ndan sot elita e Tiranës me politikën. Kur do të duhej që elita të ishte në shërbim të vendit dhe rimëkëmbjes fizike e shpirtërore të tij pas 70 vitesh diktaturë e tranzicion.
Nëse degradimin gjysmë shekullor i dedikohet diktaturës. Degradimi 23 vjeçar i tranzicionit i dedikohet edhe elitës së degraduar.
Ismail Kadare është shembulli në kushte të jashtëzakonshme i përfaqësuesit të elitës së një vendi pasi veprën e krijoi në një sistem që e përjashtonte dhe ekskomunikonte elitën. Vepra e Kadaresë i shërbeu afirmimit të identitetit kulturor kur kombi po kalonte një krizë të thellë identiteti, pasi regjimi totalitarist iu mohoi shqiptarëve të drejtat elementare të njeriut siç ishte fjala e lirë, mendimi i lirë, lëvizja e lirë. Kadare i sfidoi këto barriera. E sfidoi metodën e realizmit socialist që ishte mënyra më efikase për të lejfenizuar shqiptarët. Shkrimtarët që përqafuan këtë rrymë, apo u detyruan ta bëjnë, i takojnë elitës së diktaturës jo të një shteti të lirë dhe demokratik. Vepra dhe arti i asaj kohe duhet të merret në analizë historike, si produkt i së keqes dhe jo si shembull e vlerë. Kadare i bashkangjitet elitës së Kombit, sepse, përmes veprës së tij, pati ndikim tek publiku i gjerë shqiptar dhe botëror. Tek shqiptarët ndikoi për të mbajtur zgjuar koshiencën e lirisë përmes një arti të kulluar; tek lexuesi botëror për t’i treguar publikut dhe elitës botërore se shqiptarët janë komb i civilizuar dhe europian. Kadare është maja e elitës shqiptare dhe pjesë e elitës europiane për rolin që pati për të ndikuar në të mirë të fatit të kombit të tij në momente shumë dramatike, siç ishte periudha e rrëzimit të diktaturës dhe Lufta në Kosovë.
Në çdo shtet demokratik, që garanton tregun e lirë dhe liritë e njeriut, elitat i krijon vetë sistemi, të cilat bazohen në meritokracinë dhe vlerat.
Elitat dallohen nga turmat pasi jetën dhe veprën e tyre e venë në shërbim të shoqërisë. Pra, elitat sakrifikojnë, nuk janë përfitues privilegjesh kur vendi mbytet në mjerim dhe dekadencë.
Sot, po ashtu jemi më të çoroditur se kurrë nga inflacioni i fjalës “intelektual” ku me këtë etiketë konsiderohet çdokush që ka mbaruar universitetin, ka marrë tituj e grada dhe ka siguruar një jetë të suksesshme profesionale personale. Pra, arritjet personale i kanë siguruar një jetë të lumtur e pa telashe. Profesionalizmi është i dobishëm dhe i domosdoshëm, është themel për të krijuar intelektualin por prapë është pak. Intelektualët krijojnë vlerë dhe dallohen me përkushtimin, talentin, aktivitetin, kontributin e ndikimin në të mirë të shoqërisë, të komunitetit apo vendit. Domosdo që intelektualët më të shquar janë pjesë apo kontigjent i elitës. Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe kjo kategori brilante artistësh shqiptarë në Perëndim, që me emrin e tyre të mirë, jo vetëm përfaqesojnë majat e artit, por i shërbejnë përmirësimit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë padyshim pjesë e elitës së re shqiptare.
Në Shqipëri nuk kemi elitë. Kemi satelitë të politikës. Janë në shërbim të tyre, janë servitorë, skllevër, të pafytyrë, maskarenj, dallkaukë, sharllatanë sepse satelitizmi i tyre është koshient, e bëjnë me ndërgjegje, pasi ata janë të vaksinuar prej kohësh dhe e dinë se çfarë është mirë dhe keq.
Në diktaturë satelitizmi të imponohej, sot në Tiranë satelitët bëhen të tillë për arsye utilitare, sepse duan një jetë personale me privilegje e me luks. Kjo e deelitizon ose e çelitizon elitën. Dhe këtu fillon korrupsioni i elitës. Sepse ata e dinë të vërtetën dhe e përçudnojnë atë.
Si përçudnues të elitës, ata janë pa publik, nuk kanë simpatizantë, as adhurues. Ata nuk dinë as të flasin. Nuk dinë të bëjnë për vete as gruan e tyre, e cila adulteron me të parin që beson se nuk është rrenacak si bashkëshorti.
Ata shkruajnë libra pa idé dhe pa shpirt. Ata botojnë e promovojnë vepra që i bëjnë doktorë, por që nuk lexohen. Ata nuk thonë asgjë, ose thonë të kundërtën e asaj që duhet, por ata përbëjnë katastrofën natyrore ndaj shoqërisë, shumë më zi se cunamët, sepse e detyrojnë audiencën, publikumin që t’i ndjekë në të gjithë pushtetin multimedial, të cilin e kanë shpërblim për shërbimin që i bëjnë politikës. Pra, ata e ushqejnë popullin me të pallavra, me të pavërtetën.
Në Shqipëri nuk ka elitë ka vetëm satelitë faqezinj, që dhjamosen për të prodhurar fabrikate mashtrimesh në dëm të shoqërisë, në dëm të vendit, duke e shndërruar demokracinë shqiptare në gogol dhe duke e përdhosur të vërtetën. Kjo është drama kombëtare shqiptare. Sepse e ashtuquajtura elitë, shumica bijtë e bijat e ish-nomenklaturës të kuqe e kanë monopolizuar rolin e elitës.
Sargent Shriver, një burrështeti amerikan dhe aktivist i shquar, kunat i vëllezërve Kennedy – themeluesi i “Peace Corps” Trupave të Paqes e përkufizonte elitën si një kategori e pastër e përbërë nga ata burra e gra që sakrifikonin jetën e tyre për hir të drejtësisë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Kam parë burra e gra që pretendojnë e krenohen se janë elita shqiptare ndërsa nuk guxojnë të shqiptojnë as minimumin e mundshëm të së vërtetës. Këta në fakt janë njerëzit më të rëndomtë të shoqërisë. Sepse, duke u nisur prej interesave personale ata e çorodisin shoqërinë, e intimidojnë atë, ia fusin frikën, sepse krijojnë tema taboo, diçka e pafalshme kjo për një vend si Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, që do të thotë pak a shumë një demokraci që aspiron të jetë si motrat e saj Perëndimore.
Përkufizimi që ia bën elitës Sargent Shriver është ai i shqiptuari më shqip. Sot në Shqipëri nuk ka luftë midis qytetërimesh, as midis feve apo ideologjive. Në Shqipëri ka antishtet. Dhe antishtetin e mban në pushtet pseudoelita, antielita, njerëz surrogato, shumë më të rrezikshme se rreziku i armëve kimike, sepse disorientojnë shoqërinë, duke e deformuar ndërgjegjen njerëzore dhe konceptet themelore me të cilat krenohet me të drejtë një shoqëri demokratike, që janë vlerat dhe morali.
Pseudoelita shqiptare nuk dallohet as për veprat, as për vlerat dhe as për talentin e saj. Ajo nuk dëshmon virtuozitet as në fjalë, as në shkrim dhe askund. A dini ndonjë oratori të shqiptuar prej tyre që ka prekur mendjen dhe shpirtin e popullit shqiptar këta 23 vjet tranzicion. Mjerisht nuk ka. Sepse elitat e vërteta lindin nga një motivacion i madh, për të ndryshuar për të mirë vendin dhe jetën e popullit. Ndërsa pseudoelita shqiptare është produkt i tregut të zi, korrupsionit, i shoqërisë së padekomunistizuar, i pisllikut dhe llumit të njerëzve me dosje dhe me skeletë nga diktatura.
E mira e kësaj të keqe madornale është se ky llum nuk ka dishepuj. Nuk kanë popull që u shkon pas. Nuk kanë ndjekës. Followers. Në dallim nga elita e vërtetë, e cila krijon shkollën, filozofinë,vijimësinë me qëllim mbarëvajtjen e shoqërisë duke respektuar të vërtetën. Por megjithatë përmes pushtetit medial ata e manipulojnë turmën.
Filozofi i antikitetit grek Sokrati, babai i filozofisë së etikës së jetës, që njihet si një nga mësuesit më të mëdhenj të Perëndimit, shoqërisë së cilivilizuar perëndimore, endej rrugëve të Athinës duke inkurajuar dialogun dhe komunikimin e duke i fokusuar qytetarët në zbulimin e së vërtetës. Sokrati kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek elita e rinisë dhe u arrestua me akuzën se “po korruptonte mendjet e rinisë duke i larguar nga rruga e Zotave”.
Sokrati nuk kërkoi as falje dhe as mëshirë por reagoi përmes “Apologjisë”, sipas së cilës janë Zotat ata që i kanë bërë thirrje Sokratit të kërkonte të vërtetën dhe drejtësinë. Kaq sublime është ajo në jetën e një shoqërie dhe kombi.
Sot Sokrati është një nga përfaqësuesit më të denjë të elitës në historinë e njerëzimit. Ai konsiderohet babai i mendimit të lirë, frut i dijeve. Një nga paradokset e Sokratit ishte se ai e barazonte virtytin me dijet. Dmth kush është i dijshëm duhet të jetë patjetër i moralshëm, njeri i vlerave dhe me integritet.
Kështu duhet të jetë, por në Shqipëri nuk është kështu. Sepse pseudoelita e Tiranës me pretendimet se është e dijshme, i ka kthyer kokëposhtë deduksionin e Sokratit, që për ta do të thotë se kush është i dijshëm, është i lirë të bëjë çfarë të dojë dhe të jetë kush të dojë, të jetë edhe i pamoralshëm, i pavirtytshëm dhe i korruptushëm.
Këta janë sofistët e tranzicionit shqiptar, pseudoelita, produkt i së cilës është edhe lejimi i degradimit të shtetit demokratik fraxhil. Sepse elitat në shtetet demokratike i shpëtojnë dhe i nxjerrin kombet nga tunelet dhe qorrsokakët, ndërsa këta të Tiranës i mbajnë në tunele dhe në terr.
Siç është rasti më i fundit rreth shfaqjes së portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare shtetërore. Apo imponimi i 29 nëntorit nga një segmenti ekstremist i politikës si dita e çlirimit të Shqipërisë, kur kjo datë, edhe nëse përkon me largimin e gjermanit të fundit, po ashtu shënon fillimin e kalvarit më tragjik të shqiptarëve.
Po të ishte elita, po të mos ishte kjo faqezeza, do t’i ofronte një pyetje retorike si presidentit të Republikës, ashtu kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. “Zotërinj a do të lejonte shteti gjerman në një protokoll zyrtar, siç është ai bashkimit të Gjermanisë, që, bashkë me Angela Merkel dhe Presidentin Gauck, të shfaqej në sfond fotografia e Hitlerit?”
Kjo është e vërteta. Sa më tepër ta zbulosh, aq më mirë është. Nëse Edi Rama, Ilir Meta dhe Bujar Nishani do t’i referoheshin të vërtetës, se çfarë u ndodhi shqiptarëve prej 29 nëntorit 1944 deri në rrëzimin e diktaturës, që të tre do të përgjigjeshin: “Jo” Atëherë ata më së paku do t’iu kërkonin ndjesë shqiptarëve! Dhe nëse në Tiranë nuk e mbron askush të vërteten, dmth nuk ka elitë, ka vetëm antielitë, prandaj them ka satelitë, ka shërbyes, shërbëtorë, skllevër të skllavopronares politikë.
Por megjithatë e vërteta ekziston, pavarësisht plehut, kënetës dhe moçalit intelektual që ka pushtuar Tiranën, që jeton nën diktatin dhe diktaturën e deformimit të së vërtetës.
E vërteta po ashtu ka gojë dhe flet, ashtu si thotë Sokrati në një nga fjalimet më të bukura të historisë së oratorisë botërore, një pjesë të cilës po jua përcjell me qëllim që t’i thërrasim mendjes, sepse po marrim në qafë brezat që vijnë: “Dikush nga ju mund të thotë: Sokrat, po ti a nuk mund ta mbash pak gjuhën, e pastaj mund të shkosh në një qytet të huaj, ku nuk të njeh kush e ku pastaj askush nuk do të merret më me ty? Mesa po shoh, unë e kam të vështirë që t’ju bind me përgjigjen time në këtë pikë. Nëse unë do t’ju thosha se, po të bëja si më thoni ju, kjo do të jetë një mosbindje ndaj Zotit dhe, prandaj, unë nuk e mbaj dot gjuhën, ju prapë nuk do të më besonit; dhe nëse unë prapë do t’ju thosha se fjalimi për virtytin që më dëgjoni të shqiptoj, duke ekzaminuar veten dhe të tjerët, është e mira më gjigande e njeriut, dhe se jeta e paanalizuar nuk ia vlen të jetohet, ju prapë nuk do të më besoni”.
Por siç e thashë, shkolla e Sokratit është një nga filozofitë në themel të civilizimit Perëndimor. Dhe ky sistem është i krijuar. Elitat e një vendi veç i mbrojnë këto vlera në vendin e tyre! Jo si vepron pseudeelita e Tiranës, që jo vetëm nuk po lejon të mbillen vlerat e civilizimit Perëndimor, por po çrrënjos edhe vlerat e konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve, falë të cilave u kemi mbijetuar tallazeve dhe të gjithë të këqiave.
—
Eshte nje gjykim i plote, une jam ne ne mendje dhe shprehem se te semuret nga politizimi i tepruar ne interes te luftes per pushtet ne interes te njeres a tjetres parti dhe qe i kundervihen moralit tradicional shqiptar a interesit te forcimit te shtetit nuk duhet te gjejne hapsira te tepruara ne medja a te ikin pa argumente te ballafaquara. Respekte.
I nderuar Martin, ju flm shume.
Ju pershendes
Elida Buçpapaj
Mirënjohje per komentin tuaj zonja Buçpapaj.
Ju flm shumë i nderuar Qerimaj.
Ju përshëndes,
Elida Buçpapaj
Shumë e saktë Elida, e gjithë ajo që ke shkruar. Por më shumë desha të ve theksin tek një fjali e shkurtër afër fundit: “Prandaj Shqipëria ka nevojë për reformë zgjedhore, por kjo është temë tjetër!” Kjo vërtet është një temë tjetër, veçse është temë urgjente! Sepse PS&PD, pavarësisht nga “konfliktet” që sajojnë (dhe të gjithë e dijmë që fjala “sajojnë” është më e sakta fjalë për të cilësuar sjelljen e tyre), e pra, me gjithë këto gjasme konflikte për to, të dyja këto parti janë në marrëveshje të pa tradhtuar kurrë për të mos lejuar asnjë alternativë tjetër të dalë në skenën politike shqiptare. Siguria për t’u alternuar vetëm me njëra-tjetrën, i bën ato edhe më arrogante, edhe më të pacipa në qeverisje. Prandaj, reforma me ndryshimin e sistemit zgjedhor, pra një proporcional kombëtar me lista të hapura, është hapi më urgjent që duhen detyruar të miratojnë. Të përgëzoj për analizën tënde.
Ju flm shumë,
Po duhet reformë zgjedhore, që këta burra e gra të arrijnë të bëjnë garë, as të mos jenë të zgjedhur nga njëshi në lista emërore.
Edhe ramiz alia që ishte i plotfuqishëm humbi në zgjedhjet parlamentare të 1991.
Ju përshëndes
Elida
Shume e sakte ne analizen tuaj, pergezime dhe respekt.
Ju flm i nderuar Selam,
Përshëndetje
Elida
Gjenersl Sander Lleshin nuk e njohim mbasi nuk ka qene njeri shume publik.Ama Bujar Nishani ,nihet per ate çfar beri ne krye te Shtetit Shqpetar per 5vjet .Ashtu si u be President ashtu doli.
Tani po qendron ne hije .Gjeneralit i urojme suksese ne punen e tije ne krye te MB.
Po kemi i nderuar Islam, parë se gjatë dy mandateve të PD, gjenerali u vlerësua maksimalisht. E shkarkuan muajin e fundit, pas tetë vitesh vlerësimi. I urojmë punë të mbarë, por që do ta ketë shumë të vështirë . Sa për nishanin, s’ka bërë emër asnjëherë! Ju përshëndes, Elida
100% OK me ju! Ai Jari eshte vertete Nishan, jo thjeshte si puthadores… mua me kujton ameben qe s’ka nje forme te caktuar, perjashto mustaqet kur s’i kishte hequr… nje klloun me marrezine e madheshtise qe e vinte ne siklet ate vete pike se pari… meshiroje, o zot!
Amin!
Ju përshendes
100% OK me ju! Ai Jari eshte vertete Nishan, jo thjeshte si puthadores… mua me kujton ameben qe s’ka nje forme te caktuar, perjashto mustaqet kur s’i kishte hequr… nje klloun me marrezine e madheshtise qe e vinte ne siklet ate vete pike se pari… meshiroje, o zot!
Ju flm Fatmir,
Amin!
Ju përshëndes,
Elida
Kisha kohë që nuk kisha dëgjuar nga kjo frymorja Buçpapaj, por siç duket vitet ikin tutje, truri po ashtu
Hajro çini po unë jam këtu, sa të dojë Zoti, prej 27 vitesh që shkruaj, kam botuar libra me publicistikë, libra me poezi, jam bashkëbotuese e voal.ch,. portali më i klikuar i diasporës, të bëj thirrje që të komunikosh njerëzisht. Këtu vetëm komunikimi qytetar lejohet, komunikimin antiqytetar e kemi në parlament, atje ku shahen e pështyhen prostitutat e politikës shqiptare duke e lënë popullin në degradë. S’ka burrë nëne që mund të vlerësojë kapter nishanin! Firmosi dekretet për ambasador të të dhëndrit të lenka çukos e kusure, ndërsa nuk e firmosi dekretin për Visar Zhitin.
Lida,
Jo vetem shume e zonja si gazetare por jeni edhe shume trime dhe cka eshte me shume rendesi per kredibilitetin e publicistit jeni shume e drejte.
Urime te sinqerta.
Shume i nderuar Lexues i Voal.ch,
Shume falenderime dhe mirënjohje!
Respektet e te falat tona!
Elida
Pergezimet me te sinqerta publicistes se mirenjohur, Elida Buçpapaj, qe shquhet per ndershmerine intelektuale, e cila karakterizon njerezit me nje formim moral te shendoshe e me nje gjykim vetiak te matur, qe nuk kushtezohen nga asnje lloj interesi lendor apo varesie mjedisi shoqeror, por i mbeten besnike gjithmone bindjeve te tyre te pavarura dhe parimeve me percaktuese te vlerave madhore te qyteterimit.
Shkrimi i mesiperm eshte nder me cilesoret e zonjes Buçpapaj, sa i sakte nga argumentet po aq i perpikte nga logjika e arsyetimit, sa i guximshem ne shpalljen e te vertetave te jetes politike shqiptare, po aq qytetar ne frymen atdhetare qe e pershkon. Jam plotesisht ne nje mendje me analizen qe shtjellohet persa i perket dy personazheve te marre ne shqyrtim nga autorja, Bujar Nishanit dhe Sander Lleshit, personazhe larg njeri tjetrit, persa i perket vlerave te verteta morale e intelektuale.
Me shume te drejte gazetarja i kujton ish Kryetarit te Shtetit episodin skandaloz te jetes se tij politike, ate te mos emerimit te Visar Zhitit si ambasador ne Vatikan. Mjafton vetem ai veprim per te shumezuar me zero çdo lloj opinioni qe ai mund te shfaqe per probleme te ndryshme te politikes e te shtetit. Madje dhe ato fjale qe ai shqiptoi n’adrese te gjeneral Lleshit ne emisionin televiziv mendoj se shkojne ne te njejten hulli me veprimin per diplomatin Zhiti, gje qe verteton se paragjykimet e tij jane te pandreqeshme e teper te demshme.
Sa i perket gjeneral Lleshit kam bindjen se do te jete njeri nder pushtetaret me shembullore te gjithe eres pas komuniste dhe i uroj sukses te plote ne detyren e re e te veshtire te ministrit te Brendshem ne Shqiperine e problemeve aq te shumta, sidomos t’asaj fushe.
Urimet me te mira zonjes Elida per angazhimin e saj profesional ne kapjen dhe trajtimin e problemeve me te mprehta te jetes shqiptare e suksese gjithenje e me te medha ne rrugen e saj te vyer ne dobi te publicistikes shqiptare te pavarur e objektive.
Shume i nderuar Z. Eugjen Merlika,
Më emocionuat shumë me komentin tuaj. Kam parasysh Familjen tuaj, gjyshin tuaj, Mustafa Merlikën, njerin nga Firmetaret e Deklarates te Pavaresise, njeri i letrave, dijeve, patriot i madh, kam parasysh kalvarin e Familjes tuaj ne diktature, gjyshen tuaj, Atin tuaj, Nenen tuaj Elena, juve Eugjen qe i provuat te gjitha vuajtjet çnjerezore te kampeve komuniste, perfshi edhe Kampin famekeq te Tepelenes, kam parasysh se si regjimi barbar ju vrau femijerine, adoleshencen, rinine dhe nje pjese te rendesishme te jetes, duke iu mohuar te drejtat universale te njeriut, dhe ju ndihem shume mirenjohese që i marr vleresimet nga Ju.
Kam vuajtur shumë në diktaturë, na internuan ne nje fshat te humbur te Tiranes, na urdheruan te largoheshim brenda 3 javesh dhe nuk dihet si i shpetuam ketij urdheri, tim ate nuk e pranonin të semure ne spitale, mbetur papune, nëna ime qe punonte nate e dite duke u kujdesur per ne, kemi jetuar Spaçin e urrejtjes klasore ne mes te Tiranes, jemi poshtruar ne menyre të perbindeshme; sapo perfundova gjimnazin, kam punuar ne varrezat e Sharres, ne kombinatin Josif Pashko, regjimi i perbindshem ka bere gjithçka të na depersonalizojne, na kane konsideruar të padenje per shoqerine komuniste; jetonim nën terror e frikë, kur i dhane pune tim eti si hamall ne repartin e plehrave ne Shtypshkronjen e poligrafikut, na u duk sikur e emeruan ne nje detyre të lartë sepse mbetem ne Tirane e Familja nuk na u nda dhe nga keto pozita, sikur im atë ashtu edhe unë e kemi krahasuar vuajtjen tone me vuajtjet tuaja e te gjithe shqiptareve dhe bashkemoshatareve te mij qe e kaluan femijerine e rinine neper kampe internimi, duke i patur prinderit neper burgje, dhe në keto raporte me gjithë kalvarin tone, lotët tanë, tmerret që kemi përjetuar, vuajtje tuaja e Kalvari juaj janë të pakrahasueshme, jeta neper baraka të ndyra, internimi, mohimi i te drejtës të jetës, mohimi i te drejtes te shkollimit, mohimi i te drejtes te levizjes, mohimi i te drejtescte fjalës janë krime kunder njerezimi, të cilat diktatura i kreu ndaj familjareve te “Armiqve të partisë”!
Familjaret e viktimave, shtresa më vulnerabel ka provuar tortura në formen e traumave permes mizeries, izolimit, ekskomunikimit, presionit psikologjik, duke u konsideruar dhe u trajtuar si armiq të popullit pa kryer asnje akt qe shkelte kushtetuten e diktatures, duke konsideruar faj lidhjen e gjakut dhe trashegimise.
Ju i nderuar Z.Eugjen i keni përjetuar në lëkurë çka unë përmend me dy fjalë; e keni përjetuar në çdo sekondë të jetës egërsinënë e persekutimit; në çdo periudhe të jetës deri ne 1991. Prej 1991 merrni pjese aktive permes publicistikës dhe librave si dëshmitar i vuajtjeve, pa treguar kurrë dhe asnjehere sensin e hakmarrjes, ndersa trashegimtaret e xhelateve nuk e kane treguar minimalisht sensin e vrasjes te ndergjegjes, permes ndjeses dhe denimit te krimeve të etërve. Mjerisht , bjerres premtimesh u treguan keta 27 vjet edhe ai krah i politikes qe premtoi shtet demokratik dhe drejtesi, ndersa edhe sot e kesaj dite rezultojne 5000 viktima te regjimit qe nuk u dihen varret. Ish presidenti Bujar Nishani e trajtoi Visar Zhitin sikur regjimi kriminal në kushte të tjera, ai nuk e dekretoi si Ambasador në Vatikan, ndersa dekretoi si perfaqedues te Shqipërisë shume bij e trashegimtare te regjimit diktatorial. Prandaj u indinjova rishtas kur Nishani sulmoi per ekstremizëm Sander Lleshin, nga pozitat e nje ekstremisti dhe keqperdoruesi te pushtetit politik. Kur lexova komentin tuaj u preka shume, me shkitën lotët, do te desha ta lexonin edhe Prinderit e mij, ndofta e lexojne prej Qielli.
Ju shpreh mirenjohjen e thellë. Sot më teper se kurre duhet te jemi bashke, kush ndihet shqiptar, ky eshte emeruesi i përbashkët, si kushtrim per shpetimin e Shqiperise dhe sistemit, per shtetin e se drejtes, shtetin e vlerave, duke filluar tek themeli i shendoshe, denimi i krimeve te diktatures, si krime kunder njerezimit, qendrimi human ndaj viktimave qe edhe sot e kesaj dite kane mbetur viktima si nga historiografet e diktatures ashtu edhe nga papergjegjshmeria e elites politike.
Viktimat kërkojnë drejtësi, shtet të se drejtës. E përsëris, nuk kemi lexuar në shkrimet tuaja kurre asnje fjale, rrokje a germe qe te jete jehone hakmarrje e Kalvarit dhe ferrit te diktaturës, por si deshmitar i gjallë, deshmoni të vërtetën, dëshmoni me trimeri si perfaqesues i familjeve dhe brazave te tërë të pafajshem që u denuan pa kryer asnje faj; që u ďënuan qe ne barkun e nenave, qe u internuan kur ishin nje apo dy-tre-katër vjeçarë si ju apo kur sapo e kishin nisur adoleshencen, duke u privuar nga e drejta e enderrave. T’i privosh femijeve jeten normale dhe adoleshenteve te drejten per te enderruar te behen kengetare, inxhinuere, gazetare dmth te kryesh krim kunder njerezimit.
Prandaj ju shpreh falenderimet dhe mirenjohjen për kontributin tuaj, që merr vlere te veçante, kur klasa politike keta 27 vjet permes straregjisë diabolike të heshtjes, amnezisë e ka rehabilituar diktaturen dhe i ka kthyer ne pushtet trashegimtaret e nomenklatures ndersa vijon e mban qendrime mohimi, poshtruese, injoruese ndaj viktimave të regjimit kriminal.
Prandaj kontributi juaj merr vlere historike, ju flisni me zerin a atyre qe nuk jane me, por ju flisni efhe me zerin e shumicës e shqiptareve te ndershem, që ndajnë me ju të njëjtat qendrime per shtet ligjor e te drejte, alfa e te cilit nis duke sheruar plaget e se shkuares, ku perjashtohen skalionet profitere te politikes që e kanë lene vendin ne degraden e apokalipsit antishtet dhe antidrejtesi.
Me nderime
Elida Buçpapaj
PS
I nderuar Z.Eugjen Merlika, nese na lejoni, do te desha ta botojmë veçan tek voal.ch komentin tuaj dhe timin.
Ti nuk je ELIDA,por HANKOELIDA! Je aq e përpiktë:si sahat”Omega” për këtë nishanin(enkas po e shkruaj me të vogël) që nuk ka fare integritet.Ngeli miturak që e bëri beli:shkoi e protestoi kundër parkut të lodrave tek liqeni dhe jo vetëm aq:”do protestonte dhe në botë” për këtë ” kimate” sipas tij. Me VISARIN e tregoi që ishte një kone që lihte pas dikujt që e kurdiste në surdinë a pas kuintave. Të përhsëndes me gjithë SKËNDERIN dhe t’u bëftë dritë kudo që shkel e shkruan. Sa për gjeneralin,u duket si gogoli që do t’i hajë:që nga presidentit,tek nishani e diku më tutje.Plevita e vjetër të shkaktoin kollë të rëndë.