Pasojë e punës pa përgjegjësi të Naim Ballës, njërit prej autorëve, dhe Viola Grillos, (diplomuar për rusisht në UT), me grupin e korrektoreve letrare
Së pari, siç dëshmohet dhe në foton e ballinës së këtij fjalori me vlera të mëdha, po i sqaroj lexuesit se autorët e tjerw, veç Naim Ballës, janë Irena Ndoci, (Lama), pedagoge e letërsisë italiane ne UT, dhe Eshref Ymeri. Ky i fundi, së bashku me Ali Dhrimon dhe Edmond Tupen, është autor i ” Fjalorit sinonimik të gjuhës shqipe”, autor i “Fjalorit të madh frazeologjik rusisht-shqip”, i veprës shkencore “Përkthimi, histori pasioni “… si dhe publicist i njohur, ve$anërisht për problemet e mprehta bashkëkohore shqiptaro-ruse, që lidhen me pavarësinë e së Kosovës.
Mirëpo, u habita së tepërmi, kur, duke kërkuar një material në google, hasa në një intervistë të gazetarit Albet Xholi, në nëntitullin e së cilës vihej në dukje se autori vetëm i këtij fjalori na qenkësh vetëm …Naim Balla!?
Pandeha së mos ishte një lajthitje e gazetarit, por habia ime u bë edhe më e madhe, kur gjatë asaj goxha interviste, i intervistuari, domethënë, Balla, sakën se përmendte kolegët e tij, emrat e të cilëve, pra, të Eshref Ymerit dhe Irena (Ndoci) Lamës, bien në sy kaq ashiqare në ballinën e fjalorit. (Po të niseshim nga renditja, sipas alfabetit, duhej që, së pari, në krye të fjalorit të vihej emri i Eshref Ymerit, pastaj i Irena Lamës dhe më pas i Naim Ballës. Kurse ai në krye vë emrin e tij si autor… kryesor. Tjetër mungesë modestie).
Por kjo dukuri është e keqja më e vogël dhe nuk do të kishte fare rëndësi. E keqja më e madhe janë gabimet e gjuhësore, madje dhe logjike që hasen vetëm në zërat e këtij fjalori, përgatitur nga Naim Balla, që janë 5000 dhe të cilët habitërisht nuk u janë dhënë për shqyrtim bashkautorëve Ymeri dhe Lama, dhe, për më tepër, redaktorit të fjalorit, pr. dr. Rami Memushajt, specialist i shquar i gjuhës shqipe, fakt skandaloz, Logjikisht këto gabime, veç Ballës, i takojnë korrektores Viola Grillo, e cila, e diplomuar për gjuhë ruse në UT, me sa duket, për bujari të ndonjë drejtuesi të Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor të viteve 1990, gjeti atje strehë si… korrektore letrare e gjuhës shqipe, sepse, sipas tyre , na qenkej punë e lehtë që u bëka fët e fët dhe në faqe të vendit tonë nuk u gjendkan korrektorë ose korrektore më të mira se ajo, ndonëse të diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqiptare.
Si pasojë, ky fjalor, e përsëris, është botuar me gabime gjuhësore, krejtësisht të mënjanueshme, madje dhe nga një nxënës i zakonshëm i viteve të fundit të një shkolle të mesme, disa prej të cilave vë në dukje më poshtë, dhe që gjenden pra tërësisht në zërat e përgatitur nga N.Balla:
Faqe, 45, zëri “Essere un arlechino”:
Në fjalor shpjegohet:”Arlechino është një personazh….që mishëron tipin e vegjëlisë teveqele dhe injorante…përherë të uritur, të paaftë të mendojë…”.
Emri “vegjëli” , sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1980), nuk përdoret kurrë në kuptimin përbuzës – teveqele e injorante…por : “Vegjëli: Shtresat e gjera e të varfra të popullit, njerëzit e thjeshtë dhe të varfër…Vegjëlia shqiptare… Lufta e vegjëlisë… Shtypet vegjëlia… Ngriti krye vegjëlia”. (“Fjalori…”, faqe 2123).
Faqe 151-52, zëri :”Far venire i capelli bianchi”(« Të bësh të të bien flokët e bardhë »):
Në këtë zë ka gabime në përdorimin e kohëve te foljeve: ”Tavi…vjen t’i bëjë një vizitë. Pasi hyri dhe vuri re se ajo ishte e ftohtë…”. Përderisa ky rrëfim fillon në kohën e tashme, foljet në fjalinë që vijon, duhej të ishin po në kohën e tashme. Pra: “Pasi hyn në shtëpi, vë re se ajo ishte e ftohtë… »..Ose duhej bërë e kundërta: të gjitha foljet të përdoreshin në kohën e kryer e thjeshtë:’”…erdhi t’i bënte një vizitë…”
Në faqen 566, për shpjegimin e shprehjes së zërit: “Cadere dalla padella..,”, ( «Të biesh nga tigani »), autori Balla shkruan :
“…Fillesën, e ka nga një peshkuc mjeran, i cili, duke qenë ende i gjallë, pasi e vunë për t’u fërguar me peshq të tjerë…”.
Prapashtesa -“uc” tregon përçmin: laluc, njeruc, shkrimtaruc dhe nuk mund të përdoret në këtë rast. Në vend te fjalës peshkuc, duhej të përdorej fjala cironkë, ose peshk vogël.
Gjithashtu, mbiemri infelice, që përdoret në në këtë zë, nuk ka kuptimin e mbiemrit “mjeran”. Më saktë do të ishte:…cironkë e palume, fatkeqe….Mbiemri mjeran tregon cilësi të përhershme: ”Ky njeri është mjeran…i mjerë…”.Por peshkuci , para se të vihej në tigan, nuk ishte mjeran.
Të vimë te zëri ”Essere a specio di un fiume”, (« Të jesh pasqyrë e një lumi):
Për fat të keq, ky zë është krejt pa vend në këtë fjalor frazeologjik italisht -shqip dhe jo shqip-italisht. Pra, duhej gjetur një rrëfim për ndonjë lumë që rrjedh në Itali dhe jo…në Shqipëri. Por, edhe po të pranojmë këtë fakt, rrëfimi në fjalë, ka gabime shumë të rënda gjuhësore, artistike dhe logjike, të cilat po i rendis më poshtë:
Sëpari, autori gabon kur shkruan”sprovë prozaike”. Ai ka dashur të thotë “prozë poetike” dhe kësisoj, pohon se ky rrëfim është njëmend… sprovë prozaike, siç do të provoj më poshtë:
Kuptimin e fjalës “prozaik” e shpjegon mirëfilli edhe “Fjalori i gjuhës shqipe”:”Prozaik – që i ngjan tepër prozës,së cilës i mungon fryma poetike, që përmban prozaizma,…i rëndomte, i mërzitshëm”, (faqe 1561).
Më pas në këtë zë janë përdorur një mori fjalësh radhazi me prapashtesen -ar: qytetarë, bashkatdhetarë, kurreshtarë, përkëdhelar… besatar, shpëtimtar, duke krijuar kakofoni : ”Po, po, të dashur qytetarë, a bashkatdhetarë, që fati përkëdhelar ju ofron shikimin tuaj…”.
Më tutje:
“Kur retë e zeza dimrash të egër suleshin mb Tiranë, gjiganti i joshte, i përthithte e pastaj mbi kurrizin e tij të lashtë ndër shekuj të lakuar, i flakëronte.” (duhej shkruar:”i flakte, sepse folja flakëroj ka kuptim tjetër –përshkëndit…).
Së pari, duhej shkruar “re të zeza”, pra, në trajtën e pashquar, sepse “retë e zeza” nënkuptojnë të gjitha retë e zeza kudo që të jenë…Këtë e përforcon dhe shprehja që pason:”dimrash të egër..”, si$ shihet në trajtën e pashqur dhe jo “dimrave të egër”, në trajtën e shquar.
Pastaj, nuk duhet thënë :”…mbi kurrizin e tij …i flakëronte…( flakte), por :”..nga kurrrizi…”, sepse pyetja bëhet:”Nga ku…?…”, pra në rasën emërore.
Së dyti , ashtu siç shkruan autori , del sikur gjiganti paska kurrizin të lashtë dhe ai vetë qenkej i ri, (!?).
Pastaj, ç’kuptim kanë fjalët që pasojnë”…ndër shekuj të lakuar…”.C’janë këta shekuj të lakuar?
Përsëri më tutje:” E kur më pas ato në shi shërrekësh të lemerisur nëpër guvat parahistorike, të jehueshme anekënd, të mbushulluara me stalaktite e stalakmite majëmrehta, me rropama te zhurmshme, i davariste dhe i përhapte në gjirin e vet.”
E tëra kjo është një periudhë me fjali të nënrenditura, pa kuptim:
Të analizojmë fjalinë e parë:”…shi rrëshekësh,( duhej shkruar: “…shi rreshiqësh”, trajta më e drejtë që gjejmë edhe në “Fjalorin e gjuhës shqipe”. Emri rrëshek mund të jetë dialektor.
Në qoftë se shkruhet rropama, është i tepërt mbiemri “të zhurmshme”, sepse rropamat janë vetë të tilla. (Rropamë -zhurmë e madhe me krismë, që vjen nga diçka që përplaset…(“Fjalor i gjuhës shqipe…” faqe 1713). Mund të shkruhej:” …me rropame të frikshme, të llahtarshme, rrëqethëse…”
Nuk kam marrë përsipër të bëj analizën e redaktimit dhe korrektimit të këtij fjalori të vëllimshëm, e përsëris, me vlera të mëdha. Shembujt e mësipërm janë shkëputur duke shfletuar kalimthi faqet e tij. Dhe, megjithatë, sa gabime gjuhësore, drejtshkrimore dhe logjike, ka në zërat që analizova më sipër dhe të tjera si këta në faqet e fjalorit të mësipërm frazeologjik…”, autorë i të cilave është N.Balla !..
Sikur këta zëra, t’i ishin nënshtruar redaktimit gjuhësor, pra, po t’i ishin dhënë redaktorit të përgjithshëm pr.dr.Memushajt, nuk do të botoheshin kurrë me gabime të tilla, të cilat i kanë kaluar korrektores letrare, Viola Grillo dhe shoqeve të saj. Mirëpo Grillo nuk është në gjendje të bëjë më shumë në këtë drejtim, përderisa, po e theksoj edhe një herë, ajo ka studiuar për rusisht dhe jo për gjuhë shqipe në UT dhe prej vitesh ka punuar korrektore letrare për tekste në një shtëpi botuese të librit shkollor, ku është më se e domosdoshme që korrektorët dhe redaktorët gjuhësorë të jenë nga më ta aftët dhe të kenë mbaruar me nota shumë të mira lëndët e gjuhës shqipe…. Dhe do të ishte çudi që Viola Grillo të punonte ende në atë shtëpi botuese
E them me bindjen më të madhe se qysh nga botimi i “Fjalorit latinisht-shqip” të Frank Bardhit më 1635, i pari në gjuhën shqipe, nuk është botuar kurrë ndonjë fjalor tjetër me gabime të tilla gjuhësore.
Komentet