Po e hap këtë opinion me një thënie të kryeministres konservatore të Britanisë së Madhe Margret Thatcher që duhet të jetë si një ferman orientues për çdo politikan shqiptar në një fillim të ri të sistemit demokratik që duhet të ngrihet nga niveli zero: “Nuk kam qënë me fat. E kam merituar gjithçka. Votat nuk janë kumbulla të pjekura që bien nga pemët; ato duhen fituar.”
Në këta 32 vjet tranzicion në Shqipëri kemi një dështim të sistemit, produkt i këtij establishmenti që vjen si trashëgimi edhe e superstrukturës së diktaturës komuniste. Futjet e reja janë seleksionuar që të përshtaten, duke u konformuar për hir të privilegjeve me kastën, kupola e së cilës është ricikluar brënda tre partive.
Prej një dekade kjo kupolë ka mbetur në dorën e një njeriu të vetëm që e bën ligjin me standart mafioz i mbështetur nga enturazhi i tij thuajse intim, si një bashkësi e ndërlidhur nepotikisht me ish bashkëshortë e ish bashkëshorte, vëllezër e motra, me dashnore e konkubina si një Famiglia Alargata me nëntokën e saj. PS me në krye Edvin Ramën në çdo qelizë është një kalbësirë pa asnjë shpresë. Kjo situatë i jep alarmit ngjyrë portokalli.
Sa për opozitën, ka mbetur e paralizuar de jure prej marrëveshjes se 17 majit 2017 midis Edvin Ramës dhe Lulzim Bashës por de facto sistemi ka marrë tatëpjetën pas deal-it midis dy armiqve, Berishës dhe Ramës më 2008 e cila sanksionoi me kushtetutë paprekshmërinë e institucionit të establishmentit. Njëshat katapultojne në lista, institucione, media – deputetë, zyrtarë, opinioniste e gazetarë që në shkëmbim për hir të lluksit shërbejnë skllevërisht. Dhe kjo ka sjellë definitivisht kapjen e sistemit dhe rënien e shtetit.
Establishmenti është një ngrehinë e formuar prej tre partive kryesore, ku kryetarët e partive janë pronarë të “grigjës”, plus në torishtën e tyre ndërzehen me disa kryetarë partiçkash pa anëtarësi, për shembull Fatmir Mehdiu, aleat i PD të Berishës i cili jo për për koinçidencë ka kunat kryetarin e KQZ, Ilirjan Celibashin, që e la pa vulë e damkë partinë kryesore të opozitës. Hakë pa marrë nuk mbetet thotë populli. PD u jep kolltukë deputetesh qyl Mehdiut & Co, Celibashi e ndëshkon.
Vitet e fundit për efekte propagande dhe mbështetje elektorale direkte për Edvin Ramës janë eksperimentuar partiza të reja me fytyra të vjetra apo edhe me fytyra të reja edhe këto pa elektorat. Qëllimi për të krijuar zhurumues demagogjik dhe bashkë me grupthin e Lulzim Bashës për nxjerrë definitivisht jashtë skenës politike Sali Berishën, që Edvin Rama ta kthejë edhe de jure Shqipërinë një Republikë moniste mafioze me lidhje të ngushtë me Vuçiçin dhe atë që Vuçiçi ka pas.
Mund të them me plot gojën se megjithë fajet e tij enorme dhe përgjegjësitë, Sali Berisha non-grata, është i vetmi aleat i vërtetë i SHBA, politikan që kryesisht ka mbrojtur interesin kombëtar dhe për rrjedhojë edhe interesin amerikan dhe të Perëndimit. Arritja e tij është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Por një vend anëtar i NATO-s duhet të ketë standartet e një vendi me sistem demokratik, me shtet të së drejtës, me treg të lirë, konkurencë të pastër, integritet e meritokraci të cilat i përjashton establishmenti dhe kreu i kupolës Edvin Rama, që e ka shtrirë rrjetin e tij me ish eksponentë të famëkeqit ish Sigurim të Shtetit deri Perëndim, SHBA. Afera McGonigall është vetëm simbolika, si “qershia mbi tortë”.
Si një vend anëtar i NATO-s, së pari Shqipërisë i duhet të largojë establishmentin duke e zëvendësuar me një klasë të re politike, që i jep fund katapultimeve të profileve të llojit të Lulzim Bashës apo deputetëve të listave që Shqipërisë ia kanë varrosur sistemin demokratik. Shikoni akrobacitë që bën grupi Basha-Alibeaj me shokë e shoqe deputetë e deputete, rrëmbyen 1 milionë Euro për zgjedhjet lokale, ndërsa mbajtën peng PD, duke manipuluar në dritën e diellit, manipulim që mund të vërtetohet në çdo kohë mjafton një grup gazetarësh investigativë.
Edhe fytyrat e reja që shohim sot nëpër ekranët zgjyrë të televizioneve të Tiranës, 90 % janë në shërbimin e Edvin Ramës. Është e mjerueshme se nga këto fytyra të reja ka plot prej tyre që janë edukuar në Perëndim por duan të hyjnë në politikë me sustë, duke shkelur me këmbë librat që kanë studjuar.
Për 32 vjet kjo politikëbërje nuk ka nxjerrë dot asnjë lider dhe e ka mbyllur me kryeuzurpatorin, Edvin Rama i cili ështē ekzekutori morboz i rënies së shtetit!
E megjithatë shpresë ka, sepse ka burime njerëzore dhe prandaj duhet me çdo kusht, për sigurinë e rajonit dhe më gjërë, që Shqipëria të arrijë standartet e një shteti perëndimor anëtar të NATO-s.
Kjo lyp largimin emergjent të Edvin Ramës dhe shpërbërjen e establishmentit politik. Jo me dhunë. Me votë.
Shikoja tek Syri.TV se si një zonjë zyrtare e PD komentonte në mënyrë folklorizante gjykimin e katër liderëve të UÇK-së në Specialen e Hagës dhe të vinte turp të thoshe se kjo zonjë ka qenë zvministre e jashtme e Shqipërisë.
Shpërbërja e establishment është emergjencë kombëtare dhe arrihet veç duke nxjerrë jashtë loje sistemin elektoral që ka dalë nga marrëveshja e 2008 dhe e ka betonizuar të keqen.
Natyrisht, në Shqipëri ka shqiptarë të aftë e të ndershëm që të shpëtojnë vendin.
Perpara pak ditësh DASH kishte ftuar avokatin dhe pedagogun e së drejtës Adriatik Lapaj. Adriatik Lapaj dha një intervistë edhe për ZiA, Zërin e Amerikës.
Si provë për të vërtetuar rrënimin e plotë të pushtetit të katërt në Shqipëri është se intervista e Adriatik Lapaj u censurua edhe nga mediumet e opozitës si SyriTV, Syri.net, ashtu edhe natyrisht nga 90 % e televizioneve dhe portaleve megafonë të Edvin Ramës dhe Erion Veliajt.
Intervista e Adriatik Lapajt ishte e shkëlqyer. S’kishte asnjë lloj militantizmi partiak. Ishte zgjidhje për të ngritur shtetin nga rënia, për të ndërtuar sistemin dhe ndalur për konseguencë shpopullimin.
Adriatiku Lapaj foli tek ZiA për ngërçin në sistemin e drejtësisë. Shkaqet e fenomenit të shpopullimit dhe të brain drain ai i gjeti tek mungesa e garës në tregun e punës, tek mungesa e meritokracisë dhe drejtësisë. Pra tek katapultimet. Tek tekat dhe interesat e Njëshave dhe të atyre që u fshihen pas, që Njëshat pastaj i detyrojnë të firmosin vkm-të.
Adriatik Lapaj, tha se nëse politika do të kalonte në një veting, 90% e saj do të largohej. 90% është pikërisht establishmenti që e ka çuar në katastrofë vendin që ka kapur 100% të çdo qelize të shtetit nga maja e piramidës deri tek baza, nga strukturat politike deri tek superstruktura, tipike si në diktaturë.
Mungesa e garës, hierarkisë, profesionistëve, mungesa e meritokracisë, e zëvendësuar me nepotizëm, klientelizëm, korrupsion, militantizëm, me metresa që kompromentojnë ambasadorë, e nga ish Sigurimsa që korruptojne e kompromentojnë zyrtarë të lartë Perëndimorë. Plus moskryerja e dekomunistizimit, mos hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, mos deklarimi i ish efektivave të Sigurimit të Shtetit, që mjerisht kanë qënë të parët që kanë zbarkuar edhe në Perëndim edhe SHBA.
Adriatik Lapaj shqiptoi “formulën e pagëzimit” shpëtimtare për Shqipërinë, që është ndryshimi i sistemit elektoral. “Hapja e garës do të zgjidhte të gjitha kyçet”, tha Adriatik Lapaj tek intervista në VOA- ZiA, programi shqip, “të gjitha problemet që janë në sektorë të ndryshëm të Shqipërisë, në ekonomi, në jurisprudencë e me radhë, sepse kjo do të thyente ato lidhjet tradicionale që ekzistojnë mes grupeve të caktuara të cilat po e mbajnë peng sot shoqërinë shqiptare. Hapja e garës do të mundësonte që në art më të mirët të na udhëhiqnin, në drejtësi më të mirët të spikasnin dhe të dilnin në majë, në gazetari më të mirët të ishin ata të cilët të na informonin, në politikë më të mirët të shkonin në parlament dhe të bënin ligjet në cilësinë e duhur, pa influenca të caktuara të cilat i shërbejnë një grupi të vogël njerëzish. Dhe këto do të krijonin kushtet e nevojshme për investitorë të brendshëm dhe të huaj, për rikthimin e shumë shqiptarëve të cilët nuk e shohin më jetën aktualisht në Shqipëri dhe për frymëzimin e çdo të riu që ulet në bankat e universitetit për ta parë të ardhmen në Republikën e Shqipërisë”.
Pra një sistem i ri elektoral, si në Kosovë përshembull e delegjitimon me garë dhe votë establishmentin, çmonton sistemin mafioz, e shpëton Shqipërinë dhe i kthen shqiptarët në Atdhe.
Si mbyllje do të risjell rishtas sentencën e Margaret Thatcher:”Nuk kam qenë me fat. E kam merituar gjithçka. Votat nuk janë kumbulla të pjekura që bien nga pemët. Ato duhen fituar.”