Çështja e rrënjëve tona ose prejardhja e kombit shqiptar, është një nga çështjet më të ndjeshme për shqiptarët, sepse ato lidhen fort me një nga shtyllat ku mbështetet identiteti kombëtar shqiptar. Ndërgjegja e popullit i ka mitizuar tiparet kryesore të identitetit të tij kombëtar sipas renditjes së më poshtme: lashtësia e historisë së kombit, qëndresa e përjetshme ndaj pushtuesve, gjuha shqipe, territori ku banojnë shqiptarët dhe harmonia fetare.
Përveç çështjes së prejardhjes së kombit shqiptar, miti i lashtësisë së shqiptarëve lidhet në mënyrë të detyrueshme edhe me çështjen e autoktonisë së tyre, sepse mund të jesh i lashtë, por ta kesh prejardhjen nga një popull tjetër i lashtë, i ndryshëm nga ilirët. Por, shqiptarizmi nënkupton jo vetëm prejardhjen nga ilirët, por edhe autoktoninë, pra jetesën e shqiptarëve në këto troje qysh nga kohët më të lashta.
Në vitin 1846, Naum Bredhi Veqilharxhi, shkroi tek “Letra”, se “Kombi shqiptar i krijuar në të njëjtë kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë dhe ka tipare të veçanta të gjuhës, dokeve dhe zakoneve….”. Më tej Naumi vazhdon: “Kombi shqiptar me tre fe është një trup homogjen, është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë të esencës dhe si të tilla ato janë të ndryshueshme”. Në këtë mënyrë Naumi del i pari që shtroi konceptin e përparësisë së kombit shqiptar mbi fetë, koncept që qëndron në themel të fenomenit specifik shqiptar të harmonisë fetare ose bashkëjetesës shqiptare.
Në vitin 1856, miku i madh i shqiptarëve Johan Hahn, botoi në Jenë të Gjermanisë “librin bibliotekë” “Studime Shqiptare”. Në këtë libër, përmenden edhe “mësuesit” që i mësuan gjuhën shqipe në dy dialektet kryesore (toskërisht dhe gegërisht), gjimnazistët Apostol Meksi dhe Kostandin Kristoforidhi. Duke njohur shqipen dhe pasi gjeti shkrimet ilire në varre, Hahni konkludoi se: “Ilirishtja mund të kuptohet vetëm duke ditur gjuhën shqipe”. Në këtë mënyrë Hahn-i vërtetoi vijushmërinë iliro-shqiptare, argument që u përdor nga Rilindasit tanë kundër pretendimeve për origjinën jo europiane të shqiptarëve.
I përgatitur si etnograf nga Hahn-i, gjimnazisti Apostol Meksi mblodhi doket dhe zakonet e Rrëzës, krahinë e pastër nga ana etnografike, të cilat Hahn-i i përfshiu në kapitullin me titull “Zakonet familjare në Rrëzë”. Bazuar mbi përshkrimet e Apostolit, Hahn-i kreu një studim shkencor krahasimor dhe argumentoi përfundimisht se në botën e lashtë nuk kishte vetëm grekë dhe romakë, por edhe ilirë. Ai theksoi gjithashtu se materialin që i dorëzoi Apostol Meksi, e përktheu në gjermanisht pa i bërë ndryshime të rrëndësishme.
Por, gjatë një shekulli emri i A. Meksit u zhduk, madje` në vitin 1980, në revistën “Kultura popullore” nr.2, botohet kapitulli “Zakonet familjare në Rrëzë” me autor vetëm Hahn-in dhe jo me bashkëautorin e tij, A. Meksin, bashkëautotësinë me të cilin e pranon edhe vetë Hahn-i. Për më tepër, në të gjitha librat e botuara për Hahn-in, si mësues i shqipes, përmëndet vetëm K. Kristoforidhi.
Pra, ishte kryer një krim. Ishte prerë një rrënjë nga lisi kombëtar shqiptar.
Veçse pas botimit në shqip të librit të Hahn-it, bashkia dhe këshilli bashkiak i Gjirokastrës, me kërkesën tonë, vendosën që biblioteka e qytetit të quhet “Dr. Apostol Meksi”, ndërkohë iu dha edhe titulli “Mirënjohja e qytetit”, kurse “Dr Apostol Meksi, tashmë, njihet si studiuesi i parë shqiptar në fushën e etnografisë”.
Në këtë mënyrë u identifikua si i prerë një nga rrënjët e lisit tonë kombëtar, të cilën e vaditëm dhe e ringjallëm.
Por Naumit dhe Hahn-it i u vërsulën me egërsi mitomanët shqipfolës, të cilët penguan që emrat e tyre të hyjnë në Tiranë, për t’u vendosur në pllakën e një rruge, por kursesi jo të një rrugice, ose mbi portën e një shkolle. Sigurisht nuk bëhet fjalë që busti i tyre në një lulishte ose një basoreliev në qëndër të Tiranës, t’i përjetësojë ata. “Faji” i tyre i vetëm është, se ata kanë vërtetuar shkencërisht lashtësinë dhe autoktoninë e kombit shqiptar
- Mëkati i antishqiptarizmit
Duke shfletuar librat që trajtojnë historinë e Shqipërisë gjatë shek. XVIII-XIX, hasa në një fakt të habitshëm, por të vërtetë. Të gjithë veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, edhe kur i kanë vrarë ose helmuar, për ta është thurur dhe vazhdon të thuret edhe sot, një propagandë e hapur me shpifje dhe trillime. Duket se është e njëjta strukturë e specializuar me mëkatin e antishqiptarizmit, që dje i vriste veprimtarët shqiptarë, kurse sot i baltos ata ose ia fal haresës.
Sipas Skënder Luarasit, gjatë shek. XIX numërohen 18 mësues ose lëvrues të gjuhës shqipe të vrarë dhe 4 të helmuar. Veçse, Naum Veqilharxhi, vërtetë është helmuar në vitin 1846, por ai është vrarë edhe një herë në vitin 2007, kur në një libër të shkruar shqip dhe të botuar në Shqipëri, trillohet se “Naumi i krahasonte shqiptarët me një larvë”. Është dhunuar e vërteta. Në të vërtetë në letrën që i drejtonte nipit plangëprishës që kishte mohuar atdheun, Naumi i shkruante ndër të tjera: “Por ti u besove trashë e trashë mësuesve të tu, të cilët thonë se kombi shqiptar është një larvë insektesh”. A nuk është hequr me qëllim fjalia “Por u besove mësuesve të tu..”.
Qëllimi i këtij shkrimi, siç e shikoni, është që të evidentojë dhe të demaskojë shpifjet dhe trillimet ndaj veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vite.
- Nacionalizmi shqiptar lindi demokratik në Shkodrën e Mehmet e Mahmud pashë Bushatit dhe në Janinën e Ali pashë Tepelenës.
- Mehmet Bushati, si i pari i Shkodrës, shpalli në vitin1756 se “Të krishterët do të gëzojnë lirinë e fesë së tyre barabar me myslimanët”. Vetëm pas 33 vitesh, fjalët simbolike liri e barazi , që u ndigjuan për herë të parë në Shkodër, shpërthyen edhe në barikadat e Parizit gjatë Revolucionit Francez të vitit 1789. Shqiptarët e sotëm, veçanërisht të rinjtë, duhet ta njohin këtë eveniment me rëndësi të veçantë për Shkodrën, shkodranët dhe për gjithë popullin tonë dhe të jenë krenar për të.
- Por edhe Ali pashë Tepelena në vitin 1791 do të njoftonte se: “Shtetasit e tij pavarësisht nga feja e kombësia, do të mund të merrnin të gjitha detyrat politike dhe ushtarake me gradat përkatëse, me kusht të vetëm aftësitë e tyre” (meritokracia).
Duket se në këtë periudhë, ka lindur nacionalizmi shqiptar, që vazhdon të jetë edhe sot ashtu si lindi: “ Demokratik, përtej feve dhe europianist”. Kurse nacionalizmat e kombeve fqinjë, janë nacional çlirimtar por jo demokratik. Ato janë fetar e mesianik.
Disa nga historianët e sotëm e konsiderojnë kombin shqiptar si “bashkësi linguistike”, kurse shtetet e Shkodrës dhe të Janinës i quajnë vetëm si shtete të pavarura, por jo si shtete shqiptare të pavarura. Kurse për Vangjel Meksin, Ligor Milen dhe Stavri Naçin, nacionalizmi shqiptar u bë i rëndësishëm, i formëzuar dhe i konsoliduar gjatë qeverisjes së shtetit shqiptar të Shkodrës dhe Janinës në fund të shek. XVIII, ndërkohë që serbët do të kishin shtetin e tyre autonom vetëm pas vitit 1815, kurse grekët në vitin 1830 do të fitonin pavarësinë dhe do të krijonin shtetin e tyre.
Duke dëshmuar për rolin e dy Bushatllijve të mëdhej dhe të Ali Pashës, për bashkimin e trojeve shqiptare dhe formimin e shteteve shqiptare, për konsolidimin e procesit të formimit të shqiptarëve si komb, por edhe për rolin e tyre në zhvillimin dhe përparimin ekonomiko-shoqëror, politik dhe kulturor të Shqipërisë, mendoj se duhet të shtyhet disa dekada më thellë në histori caku i fillimeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ku të përfshihen edhe Mehmet e Mahmud pashë Bushati me Ali pashë Tepelenën.
III. Harta e parë e Shqipërisë
Në fillim të shek. XIX britanikët, të bindur për shpërbërjen e shpejtë të Perandorisë Otomane, i kishin premtuar Ali pashë Tepelenës postin e Princit të shtetit që do të formohej brenda kufijve etnikë Shqiptar. Me këtë rast ata dërguan me mision në Shqipëri Hobhauzin, për të përcaktuar territoret ku banonin shqiptarët si shumicë. Shqiptarët identifikoheshin duke iu përgjegjur Hobhauzit: ne jemi shqiptarë, kurse grekët, vllehët dhe turqit përgjigjeshin: jemi të krishterë ose jemi muhamedanë. Në bazë të të dhënave të mbledhura nga ky “regjistrim i popullsisë”, institucionet përkatëse britanike përpiluan hartën e parë të Shqipërisë, në legjendën e së cilës lexohet “Albania – 1813”. Veçse, harta e parë e Shqipërisë, me dimensione 50 x 35cm, u mbajt e fshehur deri në vitin 2015, kur u botua nga historianët amatorë. Pse? Kujt nuk i intereson publikimi i hartës së parë të Shqipërisë ?
Harta e Shqipërisë “Albania 1813”
- Ali Pashë Tepelena nxitës i lëvrimit të gjuhës shqipe, si gjuha zyrtare e shtetit shqiptar të ardhshëm
Edhe pse për nga numri, librat që janë shkruar për Ali Pashën janë të shumta, në to nuk është pasqyruar në masën e duhur përkushtimi i tij ndaj gjuhës shqipe. Në të vërtetë, Ali Pasha e çmonte rolin e rëndësishëm të gjuhës amtare në konsolidimin e kombit dhe formimin shtetit shqiptar. Për lëvrimin e saj ai dha gjithë energjitë e tij të pashterueshme, në mënyrë që edhe shqipja të qëndronte krahas gjuhëve të tjera të popujve fqinjë.
Detyra për të krijuar një alfabet me shkronja të veçanta që të mos ishin turke, greke ose sllave, duket se iu ngarkua Jan Vellarait, student në Itali (1801). Veprimtarinë e vet krijuese, J. Vellarai e vazhdoi me “Gramatikën” dhe “Çelsin e alfabetit të veçantë për gjuhën shqipe”, që do të përdoreshin si metoda për mësimin e gjuhës shqipe pa nevojën e mësuesve, që mungonin në atë kohë.
Në shkurt të vitit 1802 Ali Pasha thiri oficerin e ri Vangjel Meksin dhe i bëri të ditur se do të ndronte profesionin. Pasi u diplomua në Fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Napolit, Vangjeli fillimisht punoi si mjek pranë Pashait. I përgatitur teorikisht dhe i ndezur nga dashuria për kombin dhe gjuhën amtare, me shtysën e Pashait, V. Meksi nisi menjëherë punën për lëvrimin e gjuhës shqipe. Janina e Ali Pashës ishte një kopsht pjellor i gramatikave, fjalorëve dhe alfabeteve të gjuhës shqipe, kurse Dr. V. Meksi jetoi, punoi dhe u ushqye në këtë kopsht. Vepra e parë e Meksit është “Gramatika”, e para e hartuar vetëm nga një studjues shqiptar (1819). Ai përpiloi edhe alfabetin e veçantë si edhe drejtëshkrimin e gjuhës shqipe. Por puna madhore e V. Meksit ishte shqipërimi i “Dhjatës së Re” (1821), sipas një marrëveshje me Shoqërinë biblike britanike. Kjo vepër dëshmoi se gjuha shqipe ishte e aftë për tu zhvilluar edhe si gjuhë shkrimi. Kurse me “Dhjatën” në shqip V. Meksi bëri një hap me rëndësi për lëvrimin e shqipes letrare.
Thuhet se ishte vetë Ali Pasha që e ka njohur Evstrat Vithkuqarin, këtë personalitet të spikatur të kulturës dhe të arsimit shqiptar, me Likun, konsulli i Britanisë, për të qënë mësuesi i tij i gjuhës shqipe. Të dy bashkë ata përpiluan “Skicë gramatikore e gjuhës shqipe” dhe “Fjalorin anglisht-shqip-greqisht” (1814).
Marko Boçari, kreshniku shqiptar nga Suli, ishte edhe gjuhëtar. Ai përpiloi fjalorin greqisht-shqip.
Në një periudhë 20 vjeçare janë paraqitur 5 gramatika, 4 alfabete dhe 4 fjalorë.
- “Zbrazëtira 20 vjeçare” për të prerë tre rrënjë njëherësh
Veçse, kulmi arrin me shpikjen dashakeqe: “Zbrazëtira 20 vjeçare”, sipas së cilës gjatë viteve 1846-1866 ka pasur “zbrazëtirë” për sa i përket veprimtarisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. “Zbrazëtira 20 vjeçare” u paraqit në një shkrim që u botua dhe më pas u referua në formë kumtese. Në të vërtetë kjo “zbrazëtirë” nuk ka ekzistuar. Ajo është vetëm një sajesë për të groposur Vangjel Zhapën, Apostol Meksin dhe Anastas Bykun, që janë disa nga rrënjët tona që kanë pasur aktivitetin e tyre patriotik gjatë kësaj periudhe 20 vjeçare.
Në të vërtetë gjatë të ashtuquajturës periudhë të “Zbrazëtirës 20 vjeçare”, u organizua: Kuvendi i Mesaplikiut-Kuvendi i Bashkimit Kombëtar (1847), u bë e njohur shkencërisht lashtësia dhe autoktonia e shqiptarëve (Hahni- 1854), V. Zhapa dhe A. Byku botuan gazetën “Pellazgu” në mbështetje të RKSH (1859), u ngrit Shkolla e Labovës me foshnjore, fillore qytetse dhe dy klasë gjimnaz ku mësohej edhe shqip me Abetaren “Gramm për Shqiptarët”(1861).
“ Gramm për shqiptarët” me autor Anastas Byku (1861)
VII. Fati i “Mësonjëtores së Labovës së Madhe – Monument Kulture”
Në vitin 1991 kjo shkollë ku mësohej gjuha shqipe qysh prej vitit 1861 është shitur dhe çelsat e saj “ruhen” në Greqi. Por shkolla e Vangjel Zhapës qoftë edhe si muzeum, duhet të rrojë në kujtesën historike të kombit shqiptar si një përmendore e ndritur e vullnetit të tij të palëkundur, për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën shqiptare, por edhe si vend pelegrinazhi për të evokuar ata që e ngritën dhe e mbrojtën në ato kohë të vështira.
Shkolla e Labovës së Madhe (1861)
Gjergj K. Skënderbeu, pa dyshim është më i madhi ndër shqiptarët e djeshëm dhe të sotëm. Por të rinjtë e sotëm, që siç duket i kanë “ftohur” me atdheun e tyre dhe po emigrojnë masivisht, mund të zgjedhnin për të pasur si model edhe një tjetër në krah të tij, ndoshta edhe njërin nga ata që përmenda më sipër, që janë rrënjë të sistemit rrënjor shqiptar.
Por, Historia e Shqipërisë dhe patriotët shqiptarë ndër shekuj do të njihen nga të rinjtë e sotëm, vetëm kur tekstet e historisë të arsimit parauniversitar të shkruhen jo me stil të ftohët gazetaresk, por në mënyrë të tillë që të ndjehet nëmes rreshtave dashuria, respekti dhe mirënjohja e shqiptarëve të sotëm ndaj tyre. Veçse është e domosdoshme që këto tekste të korigjohen paraprakisht, të plotësohen dhe të vendosen në to disa raporte të tjera midis kapitujve, ndoshta edhe të shtohen disa kapituj të tjerë për periudha të veçanta me aktivitet të dëndur patriotik.
Veçse sa më shpejt. Pa u vonuar.