-Kujtesë historike për sanxhakët e Pazarit të Ri dhe Nishit.
-Dy treva të lashta të Qytetërimit Iliro-Dardan që nuk shuhen.
-Pushtuesit barbarë nuk mundën ta ndryshojnë ADN Arbërore e ta zvogëlojnë gravitetin shqiptar.
-Sanxhaku i Pazarit të Ri- Sebrenica e Parë.
Sanxhakët e Pazarit të Ri dhe Nishit provinca Iliro-dardane në epokën e mbretërive, në arealin e trojeve etnike shqiptare, që u ngritën 4-5 shekuj para epokës sonë, ishin jo vetëm qendra të fuqishme në aspektin politik, ekonomik, ushtarak e kulturor, të cilat mbronin vulën dhe identitetin e qytetërimit tonë të lashtë, por dhe rajone ku elementi iliro-dardan, thënë ndryshe struktura etnike e banorëve përbëhej nga një mazhorancë absolute shqiptare. Elementi i popullsisë së huaj ishte kaq i papërfillshëm sa nuk përmendet fare në analet e historisë së ankititetit të hershëm dhe atij të vonë.
Me pushtimin romak të Ballkanit, që u pasua me rënien e mbretërive Ilire-Dardane e asaj Maqedone, Nishi e Pazari i Ri u shndërruan në provinca romake.
Struktura e fortë etnike, historia e lashtë dhe madhështore e Qytetërimit Pellazgo-Ilir dhe kryengritjet e fuqishme ndaj Romës Perandorake e bënë të pamundur romanizimin e trojeve tona etnike.
Përballë fuqisë së kësaj Perandorie, me kapacitete kolosale ushtarake, teknike e ideologjiko-kulturore, ilirët rezistuan heroikisht duke ruajtur gjuhën, doket dhe zakonet e mënyrën e jetesës. E kunderta ndodhi me dakët (rumunët) e sotëm, u romanizuan apo Kartagjena e fuqishme e Hanibalit të madh u shemb me themele e toka e saj u lërua me parmendë.
Nishi është toka që e rriti Konstandinin e Madh, themeluesin e Konstadinopojës, Perandorin e ndritur, i cili i dha jetë 1.000-vjeçare “Rajhut” bizantin duke e shndërruar në perandorinë më jetëgjatë e më të lulëzuar europiane të të gjitha kohërave.
Dardania, pjesë e Ilirikut, u kthye në faktor në kohën e Bizantit.
Këtu janë rrënjët e tre identiteteve, administrativ me Dioklecianin, kishtar me Konstandinin e Madh, politik me Justinianin.
I theksova këto fakte për të treguar fuqinë kolosale që mbart në vetëvehte Geni Iliro-Arbëror, fuqi e cila demonstrohet në mënyrë gjeniale sa herë e kërkojnë kohërat e vështira dhe udhëkryqet e mëdha të historisë së njerëzimit. Dyndjet sllave në Ballkan të shekujve V-VI-VII ishin një termet shkatërrimtar për banorët e lashtë të gadishullit. Ilirët u gjendën në epiqendër të ciklonit.
Kujtesa historike është çertifikata e shpirtit dhe Identitetit të një populli.
Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe ai i Nishit kanë pësuar nëpër shekuj reprezalje, genocid shfarosës, shpërngulje masive etnike, por njëkohësisht kanë lanë aty vulën e pashlyeshme të Identitetit dhe qytetërimit të tyre.
Aty akoma flet shqip toka e qielli, guri dhe druri, përmes rrënojave të kështjellave, të tempujve, përmes varreve të Ankititetit dhe të Mesjetës, përmes tokës së tyre që fsheh e ruan me fanatizëm në gjirin e saj margaritarë të shumtë që i deshmojnë Botës një kulturë e qytetërim tě nivelit botëror, produkt i shekujve e mijëvjeçarëve të banorëve autoktonë, të cilët Bota Perëndimore i quan Albanezë dhe vendin e tyre Albani.
Kur u erdhën hordhitë sllave në këto zona mes lumenjëve Ibër, Rashka, Lim, në shekujt Vl-VII pas Krishtit shkatërruan gjithçka. Ata ishin konglomerat popujsh barbarë që sulmuan Ilirikun dhe Dardaninë. Ishin njerëz barbarë të egër dhe pa besim. Përqafimi i kristanizmit nga ana e tyre ka ndodhur rreth viteve Nëntëqind.
Të gjitha të dhanat historike flasin së Lugina e Lumit Rashka ishte e banuar nga Ilirët dhe se sllavët janë përballur me banorët autoktonë aty.
Këtu u krijua Mbretëria e Rashkës nga një fis tribal pellazg i lidhur me dardanët, ku sundoi Dinastia e Nemanjiqëve në shekujt XII-XIV-të. Ata janë me origjinë shqiptare dhe i takojnë fisit Nimani. Nimanjiqët ishin katolikë, pastaj ortodoksë, pas Skizmës – ndarjes së kishave në vitin 1054. Me pushtimin turk janë muslimanizuar.
Mbretëria e Rashkës nuk është Serbe, por e krijuar nga feudalë shqiptarë të ortodoksizuar pas Skizmës, në vitin 1165-1195, Shtjefën Nimani (Stefan Nemanja) Zhupani.
Historiagrafia serbe shtrembëron të vertetën edhe për Car Dushanin dhe krajl Milutinin. Të dy ishin feudalë ortodoksë arbëror.
Por të analizosh në dritën e historisë genocidin e Perandorisë, që mori emrin serb të Stefan Dushanit, të Mbretërisë së Karagjergjoviçëve, Obrenoviçëve, të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, e të Jugosllavisë Titiste, mbi Shqiptarët duhen volume të tëra.E shoh të arsyeshme ti referohem periudhës nga Kongresi i Berlinit në luftrat ballkanike, shpërbërjen e Jugosllavisë dhe kapitullimin e regjimit gjakatar të Millosheviçit.
Krijimi i provincës serbe pas kryengritjes së parë 1804-1813, udhëhequr nga Karagjorgji (Gjergji i Zi), shqiptar me origjinë nga Kelmendi, ishte produkt i mbështetjes së Rusisë Cariste, që kishte filluar që në kohën e Katerinës së Madhe, me mbështetjen e lëvizjes ortodokse në Ballkan, e cila synonte të shkatërronte Perandorisë Otomane, me qëllimin final për të futur Ballkanin nën protektoratin e saj, sipas modelit të Fuqive të Mëdha koloniale të kohës: Francës, Anglisë, Spanjës e Portugalisë. Rusia Cariste tërhoqi mbështetjen për rebelët serbë pas Traktatit të Bukureshtit: maj 1812, dhe pushtimit të territorit të saj: qershor 1812, nga Franca. Mbi 100.000 kryengritjes së bashku me Gjergjin e Zi u internuan në Perandorinë e Habsburgëve. Turqit e ripushtuan Beogradin në vitin 1813 duke kryer masakra të mëdha.
Në prill 1815 Millosh Obrenoviçi u zgjodh udhëheqës i Kryengritjes së Dytë dhe udhëheqës suprem i Revolucionit.
Periudha 1817-1835 dëshmoi një konsolidim paqësor të fuqisë politike të një Serbie autonome, e cila fitoi të drejtën e trashëgueshme të pushtetit të princërve serbë në vitin 1830 dhe zgjerimin territorial të monarkisë së re në vitin 1833.
Rusia filloi në Frontin Lindor beteja të përgjakshme kundër turqëve.
Në vitet 1877-1878 Perandoria Otomane pësoi disfatë të të rëndë në të gjitha frontet.
Në organizimin e Ri të vitit 1864 Perandoria Otomane Nishin e kishte kaluar në Vilajetin e Kosovës, kurse Sanxhakun e Pazarit të Ri me Pashallekun e Bosnjes.
Pas Luftës Ruso-Turke Nishi e rrethinat përjetuan një pushtim të egër e një barbarizëm të tillë nga serbo-sllavët të panjohur kurrë më parë në Historinë e Europës.
Gjatë Krizës së Madhe Lindore të viteve 1875-1878 Sanxhaku i Pazarit të Ri mori rëndësi, sepse zgjoi interesin e Austro-Hungarisë. Ajo donte të mbante të ndarë Serbinë dhe Malin e Zi dhe të mbante të okupuar Bosnjen.
Duhet të theksojmë faktin se Shqiptarët përbënin shumicën në Sanxhak.
Shqiptarët e Pazarit të Ri kanë kundërshtuar me forcë vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, që kërcënonte trojet shqiptare dhe Sanxhakun synonte ta ndanin mes Serbisë dhe Malit të Zi.
Me të njëjtën forcë kundërshtuan Kongresin e Berlinit. Edhe pse morën Pavarësinë në Kongresin e Berlinit Serbia dhe Mali i Zi, serbët dhe malazezët, ishin pakicë në këto vende, shumicën e bënin shqiptarët dhe vllehët, sipas burimeve austro-hungareze dhe osmane.
Habsburgët nuk kundërshtuan në Kongresin e Berlinit mbetjen e Pazarit të Ri nën Perandorinë Osmane, por në Vilajetin e Kosovës. Për ta kishte rëndësi të mos i përkiste Serbisë.
Shqiptarët e Sanxhaut të Pazarit të Ri u shquan për trimëri të pashoqe në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Betejën e Nokshiqit të udhëhequr nga Jakup Ferri e Ali Pashë Gucia për mbrojtjen e Plavë- Gucisë 140 vjet më parë 1879-1880. Aq të tmerrshme e të përgjakshme ishin betejat sa Lumi Lim u skuq nga gjaku e krenat e të vrarëve rrokulliseshin si gurë nëpër ujë.
Është fakt i pamohueshëm, i pranuar edhe nga historianët sllavë se në vitet 1877-1884 nga rajonet e Nishit, Prokopljes, Kurshumelisë, Vranjës, Toplicës, Jabllanicës, veç vrasjes barbare të mijëra shqiptarëve, të pambrojtur e të pafajshëm shqiptarë, burra dhe gra, pleq e fëmijë janë shpërngulur nga vatrat e shtëpitë e tyre 170.000 shqiptarë, janë zbrazur 800 fshatra, të pastra etnike duke i zëvendësuar me kolonë serbë.
Ideologjia kriminale e Ilia Garashaninit për shfarosjen e shqiptarëve si popull, apo teza e Vuk Karaxhiçit:- “Deri aty ku është qoftë një serb i vetëm quhet Serbi”, dhe “Të zhdukim çdo qënie njerëzore që në damarë nuk ka gjak serb” u vunë kështu me ngut në jetë.
Kundër kësaj ideologjie e platformë, e cila u ripërsërit vetëm nga Hitleri e Gebëlsi në Luftën e Dytë Botërore ndaj Popullit Hebre, shqiptarët reaguan si Komb i bashkuar.
Mijëra muhaxhirë të dëbuar nga pushtuesi i ri u pritën nga vëllezërit e Kosovës e u vendosën aty.
Vala e kësaj shpërngulje biblike, ashtu si e asaj të Millosheviçit në vitin 1999 mbërriti deri në brigjet e Adriatikut e të Jonit.
Kundër kësaj politike genocidale të Serbisë nga njëra anë e synimeve grabitqare të Malit të Zi nga ana tjetër, kundër Perandorisë Obskurantiste Osmane, e cila e konsideronte Shqipërinë si plaçkë tregu në prag të shembjes së saj, u ngritën shqiptarët të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku shqiptarët startuan për herë të parë me platformë të qartë politike që nga Epoka e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut):
“Bashkimin e të gjitha vilajeteve në një vilajet të vetëm dhe mëvehtësimin, pra pavarësinë dhe krijimin e Shtetit Komb të Shqiptarëve”.
Në betejat e Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare luftuan me trimëri jo vetëm qindra luftëtarë nga Sanxhaku i Pazarit të Ri, por dhe muhaxhirë të ardhur nga Nishi dhe rrethinat e tij.
Luftërat shkatërrimtare ballkanike, Lufta e Parë Botërore, ku trojet shqiptare u shndërruan në fushë-betejë, rënia e Perandorisë Austro-Hungareze, e cila ishte aleate e garante e të drejtave të shqiptarëve sollën tragjedi të reja për Popullin Shqiptar.
Konferenca e Londrës 1913 dhe ajo e Versajës në Paris, 100 vjet më parë, lanë më shumë së gjysëm e trojeve tona jashtë kufijëve të Shqipërisë Londineze.
Konferenca e Versajës krjoi Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, e cila goditi pamëshirshëm shqiptarët.
Nishit dhe rrethinave ia ndryshuan strukturën e popullsisë.
E njëjta histori u përsërit pas Luftës së Dytë Botërore ndaj Sanxhakut të Pazarit të Ri megjithëse shqiptarët kishin luftuar me heroizëm të pashoq kundër nazifashistëve.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Sanxhaku i Pazarit të Ri u nda mes tre shteteve.
Nën tutelën fashiste u krijua “Shqipëria e Madhe”, në të cilën u përfshinë Rozhaja dhe Tutini, nën pushtimin gjerman mbeti Pazari i Ri (Novi Pazari), kurse rrethet e Pribojit, Sjenicës, Dezhevës, Zllatarit, Maleshevës, Shtavicës nën Serbi, ndërsa Bolanica, Bjellopolis, Llozani nën Malin e Zi.
Çetnikët serbë të udhëhequr nga Drazha Mihajlloviçi shkretuan vendin si stërgjyshërit e tyre Hunët e Atilës. Masakrat e tyre nuk rrëfehen e s’përshkruhen dot. Në Masakrën e Bihorit në vitin 1943, të ndihmuar dhe nga italianët, vranë afër 10.000 vetë. Ata ndërmorën një ekspeditë rrënuese, rrafshuan 82 fshatra, si Sjenicën, Rozhajën, Tutinin, Baranën, Peshterin, Ribariqin, Kolashinin, vranë mijëra vetë, mes të cilëve gra, vajza e fëmijë, u morën qindra robër dhe u dëbuan mijëra të tjerë përgjithmonë.
Barbarët ishin të frymëzuar nga doktrina e Vasa Çubriolloviçit “Nxjerrja e shqiptarëve jashtë” apo “Spastrimi i pykës shqiptare”, publikuar në vitin 1937, si dhe filozofia e Dobrica Qosiçit: “Të gënjesh për Serbinë është patriotizëm”.
Lumenjtë e Rashkës, Ibrit, Limit u skuqen nga gjaku i shqiptarëve.
Kjo masakër ia kalon përmasave të asaj të Sebrenicës.
Forcat jugosllave pushtuan Sanxhakun në dimrin e vitit 1944-1945. Marrëveshja e fshehtë Rankoviç-Popoviç synonte ndarjen e Sanxhakut mes Serbisë dhe Malit të Zi, taktikë e njëjtë kjo me atë marrveshje që patën bë Ribentropi me Molotovin për ndarjen e Polonisë.
Në mars 1945 Aleksandër Rankoviçi ia arriti qëllimit në bashkëpunim me Gjilasin, si përfaqësues i Malit të Zi.
Pas takimit Tito-Kyprylliu në Split dhe pas Paktit Ballkanik Turqi-Jugosllavi-Greqi në shkurt të vitit 1953 u organizua dëbimin masiv i shqiptarëve.
Gjatë periudhës komuniste Sanxhaku mbeti ekonomisht i pazhvilluar. Në vitin 1960 janë dëbuar 30 mijë banorë muslimanë nga Pazari i Ri për në Turqi.
Në këtë periudhë kemi asimilimin masiv të shqiptarëve.
Të njëjtën politikë kanë zbatuar dhe në Kosovë.
Në vitet 1951-1968 nga Kosova për Turqi janë shpërngulur mbi 400.000 shqiptarë dhe në Kosovë kanë sjellë mbi 60.000 kolonë serbë.
Sot Sanxhaku ka shumicë boshnjake.
Shqiptarët jetojnë në tri fshatra të rrethinës së Rozhajës.
Në vitin 1999 gjatë luftës për çlirimin e Kosovës pritën shumë vëllezër shqiptarë dhe dhanë kontribut për çlirimin e saj.
Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe i Nishit janë pjesë e trojeve tona, historisë, gjuhës, kulturës, së Kombit Shqiptar.
Kush mendon se jemi të vonuar, apo me keq akoma të gabuar në të drejtën tonë historike ju sjell në vëmendje Historinë e Hebrejëve, të cilët pas 2.500 vitesh pa atdhe valvitën flamurin me yllin e Davidit në trojet e tyre biblike, apo spanjollët pas 6-7 shekujsh dëbuan pushtuesit arabë nga atdheu i tyre.
Sanxhaku dhe Nishi, ashtu si Presheva, Ulqini, Plavë-Gucia, Tivari, Shkupi, Tetova, Çamëria, janë sot e përgjithmonë pjesë e pandarë dhe e patjetërsueshme e tokës së shqiponjave, me të drejtën historike e bekimin e vetë Zotit.
Komentet