ENVER KUSHI/ Mund të ketë qenë fundviti 1983 ose ndoshta edhe fillimi i vitit 1984, kur Rikard Larja, një nga njerëzit më fisnikë që kam njohur, por edhe aktori dhe regjisori i mirënjohur i filmit shqiptar, më ftoi për kafe. Nuk kisha shumë kohë që kisha filluar punën si skenarist në redaksinë e filmit artistik të Kinostudios “Shqipëria e Re”. E pranova me kënaqësi ftesën e tij, por edhe me një farë ndroje, sepse isha i ri në atë institucion të madh të filmit shqiptar, i rrethuar me emra të njohur regjisorësh, skenaristësh, piktorësh etj..
Nga ana tjetër, nuk bëja pjesë në rrethin shoqëror të tij, me gjithë respektin që kisha për të. Mbaj mend se që nga dalja nga porta e madhe e Kinostudios e deri në lokalin e vogël, brenda territorit të këtij institucioni, folëm shumë pak me njeri-tjetrin, se nëse isha lidhur me ndonjë regjisor apo paraqitur ndonjë bocet për skenar. Ti je me origjinë nga Çamëria, më pyeti Rikardi, teksa porositëm kafenë e çikores. Po, i thashë. Atje i kam rrënjët e mia. Të parët e t’u janë nga qytetet e zonës bregdetare Parga, Preveza apo Arta? I thashë se ata janë nga një fshat që quhet Spatar, shumë afër qytetit të Filatit dhe se si më ka treguar nëna ime, nga lagjja e saj, që quhet ‘Breg’, duket si në pëllëmbë të dorës deti Jon dhe qyteti i Korfuzit. Ai pastaj heshti dhe pasi rrufiti kafenë e çikores tha: “Ti e di që unë jam dhëndër Pogradeci dhe shkoj shpesh atje…”.
“Ç’lidhje ka Pogradeci me Çamërinë, mendova teksa vështroja portretin e tij, aq të njohur dhe të dashur për shqiptarët. Timbri i zërit të tij ishte i butë dhe shkodranishtja, nuk e di pse në të folurën e Rikardit, kishte një kolor tjetër, diçka si prej erërave të qytetit verior, përzier me aromat e veçanta të liqenit dhe ujërave të Drinit e Bunës. Me Marjetën kam shkuar në shtëpinë e Mitrush Kutelit në Pogradec, ku banojnë të afërmit e tij… Dhe pas një heshtje të shkurtër, shtoi: “Kutelët janë me origjinë nga Arta… Besoj se ke dëgjuar për Artën… Sa emër të bukur ka”. Pastaj përmendi emrin e një zonje të moshuar, ( emrin e të cilës nuk e mbaj mend). Atje kam dëgjuar zërin drithërues të saj kur përmend Artën, qytetin e rrënjëve të Kutelëve. Pastaj zëri i zonjës nga drithërues e i përmallshëm bëhet befas i egër, kur thotë: “Ah! Ai qeni, Ali Pashai, na përzuri me dhunë nga Arta. Prej atij qeni lamë Artën tonë të bukur”.
Këto më rrëfeu fisniku Rikard Larja, në lokalin e vogël të Kinostudios, 40 vite më parë. Ishte hera e parë që e dëgjoja këtë fakt, pra që të parët e shkrimtarit tonë të madh, Mitrush Kuteli ishin me origjinë nga Çamëria ime e bukur. U gëzova si fëmijë nga rrëfimi i bukur i Rikard Larjes. Për Idromenot kisha lexuar një libër të vogël, ku shkruhej se të parët e Kol Idromenos ishin nga Parga, se kishin shkuar në Korfuz e që andej, vendosur në Shkodër, ku kishte lindur një nga personalitetet e shquara të këtij qyteti, Kol Idromeno.
Nuk dua të zgjatem në librin e Ibrahim Manzur Efendi “Kujtime për Ali Pashën”, që ishte mik dhe armik i Pashait të Janinës, ku flet me realizëm tronditës për 10 majin e vitit 1819: “Pargonjotët të indinjuar, morën vesh se po afroheshin trupat e Pashait, ndërsa anglezët i kishin braktisur… Parganjotët të pikëlluar, shkuan grumbull në qimitrio dhe duke rënkuar nxorën nga varret eshtrat e gjysheve të tyre dhe me nxitim formuan një turrë të madhe me dru, mbi të cilën dogjën arkivolet dhe trupat e atyre që ishin të lumtur se nuk do të përjetonin rënien e atdheut. Shumë parganjotë, përpara se t’i hidhnin në flakë mbetjet e pajeta të paraardhësve të tyre, hoqën nga ato disa relike, për t’i marrë me vete në tokën e huaj, e cila këtej e tutje do t’u afronte një strehë, një pjesë nga ajo çfarë ata kishin me të shtrenjtë. Shumë morën disa grushte nga hiri i zjarreve që digjeshin, të tjerë një dorë dhe nga kopshtet, fushat që kishin qenë të tyret…
Largimi nga Parga përfundoi në maj të vitit 1819, ndërsa zjarri i eshtrave të gjyshërve të tyre, që vazhdonte të digjej, lëshonte dritën e fundit të flakëve funerale. Kur u largova nga Janina, në korrik 1819, e dija se parganjotët ndodheshin në Korfuz, akoma pa strehë e jetonin nëpër ullishte…” (Shih “Kujtime për Ali Pashën” botuar nga “Globus R”,botues Petraq Risto. Tiranë, 2003, fq.145, 147). Në shtëpinë time kam riprodhuar tablonë e piktorit Francisco Hayez(1791-1882), ku ka fiksuar atë që përshkruan më lart Ibrahim Manzur Efendi, studiuesi i mirënjohur dhe punëshumë e i palodhur, Prof. Ferit Hudhri, ka shkruar edhe për këtë tablo të piktorit venecian. Në këtë shkrim, qëllimi im nuk është të analizoj Ali Pashë Tepelenën, që sipas Sami Frashërit “Ka qenë shumë i zgjuar dhe i zoti. Në vendet që ka qeverisur, ai ka siguruar qetësinë, ka përmirësuar rrugët dhe ka ndërtuar shumë fortesa, ura dhe godina të mëdha e të forta. Por ka qenë deri në gradën e fundit keqbërës, i egër, gjakpirës dhe intrigant”. Edhe letra që po publikojmë për herë të parë dhe është shkruar nga Pandeli Pasko, djali i Mitrushi Kutelit, më sjell ndërmend rrëfimin e Rikard Larjes.
NJË LETËR NGA SARAGOZA
Ishte prilli i vitit 1991. Ministria e Kulturës, ku unë punoja, ishte në Rrugën e Durrësit, në katin e tretë, ku sot është Ministria e Arsimit. Kishte kaluar ora 9 e mëngjesit, kur më telefonoi Abaz Dojaka, që më tha se më priste në zyrë. Zbrita me nxitim shkallët dhe pas pak trokita në zyrën e tij, që ishte në katin e parë të Institutit të Kulturës Popullore, godina e së cilës dikur ishte e Radio Tiranës. Kam një lajm të gëzuar, tha ai. Sapo më erdhi një letër. Nga Filati, pyeta unë. Abazi ishte nga Filati dhe me krijimin e Shoqërisë Politiko-Atdhetare “Çamëria”, ishte zgjedhur kryetar i kësaj shoqërie. Ishte ngjarje që në janarin e vitit 1991 u krijua Shoqëria “Çamëria” dhe fati madh që atë e drejtonte një nga njerëzit më të kulturuar që kam njohur dhe personalitet në fushën e etnografisë shqiptare. Letra nga ardhur nga Spanja e largët – tha ai. M’u duk si varg i baladës së famshme të Ago Ymerit. Nga Saragoza, shtoi Abazi.
Emri i këtij qyteti, që ndodhet në rajonin verilindor të Spanjës dhe ndërtuar në brigjet e lumit Ebro, më tingëllon i njohur, ndoshta nga romani i Petro Markos “Hasta La Vista”, por edhe nga një libër për Luftën e Spanjës (1936-1939) dhe një poemë e shkruar nga ish-Kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Pastaj befas më erdhi ndërmend emri i Thimjo Gogozotos nga Rrapëza e Pargës. Ai ka qenë nxënës në Shkollën Normale të Elbasanit. Në Spanjë ka shkuar në vitin 1938, ky çam trim “ra në Frontin e Ebros, në shtator të vitit 1938” (sipas prof. Bernard Zotaj). Djaloshi nga Çamëria ishte 24 vjeç dhe është shpallur “Hero i Popullit”.
M’u kujtu edhe një emër tjetër, ai i Zihni Muratit, djalit të Haxhi Muratit nga Spatari im, që kishte shkuar edhe ai në Spanjë. Ai ishte oficer dhe komandant kompanie. Më 4 tetor 1938, në moshën 29- vjeçare” vritet nga një bombardim pa lënë asnjë gjurmë”(sipas prof. Bernard Zotaj). Në numrin e datës 2 tetor 2023 të gazetës “Dita”, Prof. Bernard Zotaj, botoi shkrimin “Bijtë e Çamërisë, që ranë në Luftën e Spanjës”, dy emrave të mësipërm i shton edhe një të tretë, atë të Xhelal Abaz Çamit, nga fshati Kurtec i Grikohorit, i cili është plagosur katër herë me plagë të rënda, por falë kujdesit të Justin Ashkupit, i shpëtoi jeta. Xhelal Çami u largua nga Franca dhe erdhi në Shqipëri në korrik të vitit 1952. Ai vdiq më 14 prill 1953 në Sanatoriumin e Tiranës.
Mbasi ma zgjati letrën, e lexova ngadalë deri në fund. Pastaj e lexova prapë. Ai i vuri re emocionet e mia, teksa lexoja e lexoja këtë letër, shkruar me makinë shkrimi, ku në krye, lart në të djathtë ishte adresa nga vinte letra: Saragozë, 28.03.1991, ndërsa në të majtë, adresa e marrësit “Doc.Abaz Dojaka. Nismëtar i Shoqërisë Çamëria”. E lexova me zë fillimin e letrës!
“I nderuar docent, lexova me gëzim intervistën tuaj në gazetën “Republika”. Me gëzim dhe me një farë drithërimi, sepse megjithëse lindur në Tiranë prej prindërish lindur në Pogradec e në Korçë, i ndjej rrënjët e mia në tokën çame, në Artë, nga ku të parët tanë, si shumë shqiptarë, u shpërngulën për t’i shpëtuar shtypjes së atij qeni Ali Pasha”. E ndala këtu leximin dhe i fola Abaz Dojakës për rrëfimin e Rikard Larjes, për zonjën nga familja Kuteli, që kujtonte Artën, të parët e saj, larguar për t’i shpëtuar shtypjes së atij qeni Ali Pasha etj., etj..
Do t’ia lë lexuesit t’i bëj komente kësaj letre, dërguar nga djali i Mitrush Kutelit, Pandeli Pasko, shkruar bukur, me shumë informacion dhe emocion për Kutelët e famshëm të Artës, për dokumentet me interes që gjenden në Artë për familjen Kuteli, për motrat e babait dhe xhaxhi Pasko (Pasko Milo Pasko), që vazhdimisht më tregonin për mjegullën e origjinës të fisit tonë, për tregimet e Kutelit, ku flitet me dashuri e dhimbshurin për Çamërinë. Letra mbyllet me këto fjalë. “Në përfundim, pranoni, Profesor kërkesën time për t’u pranuar anëtar i Shoqërisë “Çamëria”.
Me respekt, Pandeli Pasko
Duke botuar këtë letër, pas 33 vitesh, i bëjmë homazh emrit dhe veprës së madhe të prozatorit – shkollë të prozës shqipe, Mitrush Kutelit, si dhe të parëve të Kutelëve, çamëve fisnikë e të kulturuar nga Arta. Është rasti të falënderoj në emër të shpirtit të patjetërsueshëm dhe vital të Çamërisë, Pandeli Paskon, pasardhës i denjë i Kutelëve, që krenohet me rrënjët nga brigjet plot dritë të Artës. Lidhur me atë që shkruan Pasko, për përkrahjen që i ka dhënë Fatos Mero Rrapajt, Mitrush Kuteli, për mbledhjen e folklorit çam, në gazetën “Çamëria të marsit 2002, ku është botuar intervista e Fatos Mero Rrrapajt, ky i fundit pohon: “Një nxitje për të mbledhur më mirë folklorin çam kam pasur edhe nga miku im Dhimitër Pasko dhe i nderuari prof. Eqerem Çabej”.
NË VEND TË MBYLLJES: URA E ARTËS
Disa vite më parë, në janarin e vitit 2013, teksa kaloja mbi Urën e Artës, befas ndala në mesin e saj. Mbaj mend që regjisori Kujtim Gjonaj, më pyeti se përse qëndroja si i ngrirë atje. Ndjej dridhjet e Urës, i thashë Kujtimit. E ke lexuar baladën greke “Ura e Artës”? Dhe pa pritur përgjigjen e tij, citova vargjet:
Siç dridhet zemra ime
U dridhtë edhe kjo urë.
Dëgjoj edhe amanetin e saj, si në baladën çame:
“Do të mbijë kutu nji fik i bardhë,
Kur të pjekë aj kokrrën e parë,
Ju t’ia ipi djalit tim të hajë”
Dëgjoj edhe rënkimin e gruas së murosur. Edhe pëllitjen e një demi dhe të një dashi që bërtet. Edhe zërin e nuses së re çame e murosur në këmbët e kësaj ure: “Oh medet”! Medet”!
Pastaj bëra tutje nëpër urë, duke përsëritur fjalët e baladës çame: “Oh medet”! Medet!” Nga vinin këto fjalë, këtu në mesin e Urës së Artës? Nga themelet e saj, ujërat e lumit të turbullt të Artës, harqeve apo ishin zërat e shpirtrave të Kutelëve, paraardhësve të Mitrush Kutelit tonë të madh? Ata me siguri kur janë larguar nga qyteti i Artës, kanë qëndruar në mesin e kësaj ure, pastaj kanë kthyer kokat pas për të vështruar për herë të fundit qytetin e tyre të bukur, me kodrat e buta, ullinjtë, limonët e portokajt, erërat dhe aromat e detit. Dhe ndoshta ashtu si unë kanë dëgjuar për të fundit herë rënkimin “Ah medet! Medet!”. Pas linin jo vetëm shtëpitë, varret e të parëve, por edhe përrallat, mitet, legjendat, këngët dhe vallet e bukura çame. Kronika shkruan, se ishte viti 1810, kur kapërcyen Urën e Artës dhe morën “dhromin”, rrugën drejt verilindjes, për t’u vendosur në ca brigje te tjera shqiptare dhe pranë një qyteti, që quhej Poradec dhe një liqeni lirik e të bukur, që ishte larg, shumë larg rrënjëve të tyre.
Atje, do të lindnin pasardhësit e Kutelëve, nga Arta e Çamërisë, që siç shkruan në letrën e tij, Pandei Pasko: “I ndjejnë rrënjët në Tokën Çame”.
Saragozë, 28.03.1991
Doc. Abaz Dojaka
Nismëtar i Shoqërisë “Çamëria”
i nderuar docent,
Lexova me gëzim intervistën tuaj në gazetën “Republika”. Me gëzim dhe me një farë drithërimi, sepse megjithëse lindur në Tiranë, prej prindërish lindur në Pogradec e në Korçë, i ndjej rrënjët e mia në tokën çame, në Artë, nga ku të parët tanë, si shumë shqiptarë, u shpërngulën për ti shpëtuar shtypjes të atij qeni Ali Pasha. Jam i sigurt, se një ditë atje në Artë, do të gjenden dokumente me interes për familjen tonë Kuteli, për breza e breza priftërinjsh e detarësh. Sot jemi të shpërndarë në Tiranë, Pogradec e Durrës. Vitin e kaluar kreva një specializim në Francë, në INRA të Avinjonit, ku më vështruan me kuriozitetin e shqiptarit të parë që shihnin. Kohë më kohë më flisnin me admirim për profesorin turk Qazim Abak, i cili kishte kryer studime me interes e sot është nga më të njohurit në rrethet bujqësore turke.
Aty kishin kaluar edhe studiues të tjerë, po mua për Qazimin më flisnin. Fati më solli të takoi Prof. Abakun nga Universiteti i Adanasë. Pasi shkëmbyem përshëndetjet e njohjes Qazimi më drejtohet: “Si i thonë shqip feu – a i thonë zjarr? Po pain – a i thonë bukë? Mbeta i habitur, po Qazimi vazhdoi: “ Mos u habit. Jam gjysmë turk, gjysmë shqiptar. Shqiptar nga kjo pjesa këtu (dhe më tregoi anën e zemrës). Këto fjalë mi ka mësuar gjyshja nga Çamëria”. Me Qazimin u përqafuam shqiptarçe, kurse miqve francezë u thashë se nuk kam nderin të jem shqiptar i parë në Montjavet, sepse i pari kish qenë prof. Qazim Abak. Megjithëse kanë kaluar disa breza, motrat e babait dhe xhaxhi Pasko (Pasko Milo Pasko) vazhdimisht na tregonin për mjegullën e origjinës të fisit tonë. Ndjenjën e afërsisë me këtë vend origjinë ma kanë shtuar edhe ato pjesë të tregimeve të babait (Mitrush Kuteli), ku flitet me dashuri e dhimbshuri për Çamërinë. Për këtë dëshmon edhe nxitja që jepte dikur babai Fatos Rapajt, mbledhësit atdhetar të folklorit çam. Në përfundim, pranoni, Profesor kërkesën time për t’u pranuar anëtar i shoqërisë “Çamëria”.
Me respekt Pandeli Pasko
Panorama