Gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, Lasgush Poradeci përmendej në libra si poet i viteve ’30-të. Mes tij dhe regjimit ekzistonte një marrdhënie e çuditshme që prodhonte në jetën e poetit, persekutim deri në sfilitje. Në dukje ai ishte lënë në harresë, një i vdekur për së gjalli, duke i përmendur vetëm veprën e viteve të paraluftës. Pas luftës, në vitet 1944- 1947, vitet e zhdukjes në masë të gjithë ajkës intelektuale të Shqipërisë, poeti brilant jetonte në kryeqytet me të shoqen, i papunë.
Për Lasgushin, poetin e përjetësive, shkencëtarin e doktoruar në Graz, regjimi kishte gjetur veç një mundësi punësimi tejejt jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave.
Pas kësaj për t’i ulur qafën e për t’ia mbajtur shpirtin ndër dhëmbë, e punësuan si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri”, ku punoi deri në vitin 1974, vit kur edhe doli në pension.
Por edhe pas daljes në pension Lasgushi nuk mund të tërhiqej i qetë në jetën dhe krijimtarinë e tij. Ai nuk mund të bënte jetë poeti. Regjimi do të gjente dhjetra dredhi për t’ia nxirë jetën, deri ditën e 12 nëntorit 1987, kur Lasgushi, i mbylli sytë përgjithmonë në varfëri të plotë e i përndjekur.
Gjatë viteve të pleqërisë, nga 1974-deri në 1987, vit kur Lasgushi mbylli sytë, regjimi komunist do ta shtonte survejimin ndaj tij. Përballë këtij survejimi, poeti kishte armët e tij të pazakonta, por gjithësesi lëndimet në shpirtin e tij do të ishin të papërshkrueshme. Disa episode të jetës së poetit rrefyer nga e bija, Marie Poradeci na dëshmojnë një persekutim të pangjashëm e të pandërprerë, me të cilin ai u përball gjatë gjithë kësaj klime armiqësore me regjimin.
Maria thotë: “Duke lexuar ditaret e tij kam parë se ai gjatë gjithë kohës ka qenë në oponencë me regjimin sepse një njeri me kulturë nuk mund të mos ishte në oponencë me atë regjim që e urrente kulturën. Lasgushi e dinte dhe e thoshte shpesh: Armiku i komunizmit është njeriu që mendon…”
Sipas saj, ora e Lasgushit nuk kishte të njëjtin ritëm me orën e shqiptarëve të tjerë, aq më pak me orën e regjimit komunist. Maria e shpjegon bukur këtë kufi të çuditshëm kohor që ai kishte ngritur mes tij dhe regjimit e krejt shoqërisë shqiptare të atyre viteve.
“Kur ne ishim në Pogradec, babi e kishte zakon që gjithmonë dilte mbrapa kalasë. Mbrapa kalasë është një bukuri e madhe dhe një pamje e mahnitshme e liqenit. Dhe babi i shijonte këto bukuri dhe thoshte: “Dua të rri sa më larg njerëzve sepse unë atje flas me Perëndinë”. Ne, edhe kur laheshim në liqen, në periudhën e verës kur ishte edhe mami, sepse ajo kthehej pastaj në Tiranë sepse fillonte shkolla, ne shkonim dhe laheshim larg, laheshim poshtë te lumi i Trahanit, siç i thonë në Pogradec. Atje babi kishte bërë një si zgavër te shelgjishtet dhe ne futeshim dhe rrinim gjithë ditën. Unë dhe Nina ishim të vogla dhe i thoshim: “Po ne baba, pse nuk lahemi me kalamajtë e tjerë?”. “Sepse atje është më mirë bijë e babkës, se ne atje flasim me Perëndinë. Sa më larg njerëzve, bijë e babkës, më mirë është”.
Dhe kështu u mësuam dhe kështu neve kishim jetën tonë. Jeta jonë nuk ngjante me atë të asnjë prej familjeve të tjera dhe këtë jetë e diktonte babai ynë. E diktonte babai ynë sepse atë që nuk mundi dot regjimi komunist të kuptonte me injorancën e vet te babai ynë, ishte se ora biologjike e Lasgushit ishte ndryshe nga ajo e gjithë shqiptarëve të tjerë. I gjithë ritmi i jetës së Lasgushit ishte ndryshe nga ritmi i gjithë shqiptarëve të tjerë. Ai ndryshe zgjohej, ndryshe ushqehej, ndryshe flinte, edhe kur dilte ishte ndryshe. Dhe në këtë jetë të tij, thellësisht shpirtërore që ai bënte, për ta mundur të gjithë budallallëkun dhe të gjithë injorancën që e rrethonte, ai dilte mbrapa kalasë ose dilte nga kroi i Stregës në Pogradec, ose dilte nga qoshku. Edhe neve na merrte dhe ishte e çuditshme se, edhe kur ishte bari i lartë unë i thosha: “Baba, kam frikë se mos ka gjarpër”, ai më përgjigjej: “Nuk ka gjarpër, të them unë që nuk ka. Kalo”. Dhe atë që ta thoshte babi, ashtu ishte.
Nën survejimin e njerëzve të Sigurimit
Është gati komike marrëdhënia e Lasgushit me njerëzit e Sigurimit që e ndiqnin hap pas hapi. Në mendjen e tyre, kushedi çfarë bluanin për këtë poet të çuditshëm, i cili sa here shkonte në Pogradec, me konkën e vogël për dore, merrte rrugicat e ngushta mes shkurreve dhe ngjitej pothuajse çdo ditë në kala. Çfarë bënte ai burrë me qenin e tij çdo ditë atje lart? Për njerëzit e Sigurimit, ky rast ngjallte dyshime të mëdha! Ata, sipas mendjes së tyre, e ndiqnin në fshehtësi të plotë. Por poeti i kishte pikasur me kohë dhe vazhdimisht i vinte në lojë…
“Babi ishte magjistar i madh, magjistar në kuptimin që zotëronte gjithçka, çfarë e rrethonte. Dhe babi thoshte: “Kur shikoj, unë shikoj edhe nga mbrapa”. Dhe kjo ishte e vërtetë…”
“…Babi ishte një qenie e jashtëzakonshme. Kur shkonte mbrapa kalasë, thoshte: “Unë e shikoj që ata më gjurmojnë. Po le të gjurmojnë. Ngaqë futem nëpër shkurreta, ata nuk më ndjekin dot, atje ku futem unë..”, sepse ata rrëzoheshin…
Në vitin 1974 ne morëm edhe qenin, Cucin. Babi e merrte edhe Cucin me vete dhe Cuci ndonjëherë edhe u lëshohej atyre, lehte sepse Cuci nuk e dinte që ata ishin njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Por babi sigurisht që e dinte.. Por kjo ishte edhe një farë loje, sepse babi gëzohej që ata s’kishin për të zbuluar ndonjë gjë dhe ai ishte mësuar me injorancën e tyre. Ai donte të bënte punën e vet, të shikonte liqenin që atje ku ishte”.
Sidoqoftë ata burra misteriozë, të kamufluar në mënyra nga më të çuditshmet nuk do t’i shqiteshin poetit. Ata do të gjenin mënyrën ti hynin deri në shtëpi, madje edhe në bodrum, por edhe në bibliotekën e tij, ku ai ruante një arkivë të pasur me dorëshkrime, foto e dokumente të shumta. Çfarë shkruhej vallë në ato dorëshkrime në gjuhë të huaja? Rreth kësaj pyetje silleshin dyshimet dhe planet e survejimit në zyrat e Sigurimit të Shtetit.
“Asgjë nuk i shpëtonte Sigurimit të Shtetit në atë kohë. Të dukej sikur gjërat ecnin normal dhe sikur ishin të qeta, por Sigurimi i Shtetit absolutisht donte të dinte se çfarë ndodhte në shtëpinë e këtij njeriu. Dhe kishte dëgjuar se ky njeri paska një arkiv, por sinqerisht, ata as që e dinin se çfarë ishte ky arkiv. Sikurse ka çdo njeri i kulturuar, sikurse kanë pasur edhe shumë njerëz të tjerë të kulturuar në Shqipëri, arkivin e vet, ashtu sikurse ka çdo familje, ato ishin dokumente, fotografi, të mbledhura gjatë gjithë viteve të jetës së babit, të cilat ishin pasuri kombëtare, nuk hidhnin dritë vetëm mbi jetën e babit.
Sigurimit të Shtetit i erdhi “zogu në dorë” kur u rritëm ne. Kur ne do të shkonim nëpër shkolla, dhe pastaj, pasi mbaruam shkollat, kur do të emëroheshim në punë. Sigurimi i Shtetit bëri edhe një hap të madh këtu, sepse Lasgushi që kishte vuajtur tërë jetën për të bërë shkolla nëpër të gjitha vendet e Evropës, nuk mund ta mendonte kurrë që fëmijët e tij të rrinin pa shkollë. Dhe që fëmijët e tij nuk do të bënin shkollë, ai e ndiente që ishte vetëm hakmarrje kundër këtij njeriu, sepse fëmijët nuk kishin faj. “Fëmijët e mi”, – thoshte ai, – “nëse do të ishin fëmijët e ndonjë komunisti apo të një drejtori drejtorie, sigurisht që do të shkonin të studionin atje ku të kishin qejf, por ata duan të hakmerren me mua, se është më mirë kafshimi i një qeni të fortë e të fuqishëm, sesa të të pickojnë përditë qindra mushkonja”. Kështu ishte e ndërtuar jeta jonë nga mërzitjet e këtyre njerëzve, që na e nxinin e na e bënin ferr”
Miqtë e dyshimtë, që na hynin në shtëpi…
“Sigurimi i Shtetit ishte shumë vigjilent dhe ata njerëz që i fuste në shtëpinë tonë, i fuste gjoja si miq, sikur na donin, sikur donin poezitë e babit tim, kur ishin femra i fuste gjoja si shoqet tona, për të ditur se çfarë bëhej në shtëpinë tonë. Këta njerëz, pasi mbaruan misionet e tyre, u larguan, ikën sapo vdiq babi sepse nuk kishin më se çfarë t’i tregonin Sigurimit të Shtetit. E mbaruan misionin e tyre dhe u larguan duke nxjerrë pretendime të ndryshme. Njëra nga ato femrat që hynte në shtëpinë tonë, arriti të hynte deri tek arkivi i babit tim. Vazhdimisht natën merrte letra dhe dokumente nga arkivi, me arsyen se do t’i kopjonte, dhe me siguri i çonte në degë. Se duhej ta dinin patjetër injorantët e degës se çfarë shkruhej aty edhe pse ishin në gjermanisht dhe në 17 gjuhë të tjera. Edhe ajo që i merrte nuk ishte më e zgjuar se ata. Ku shkuan ata njerëz, pse u zhdukën?
Pas viteve ’90, pasi kishte vdekur babi, një person nga këta që na vinin në shtëpi, vjen dhe na thotë: “Unë kam qenë i Sigurimit të Shtetit”. “Po si e thua kështu?”, – i thashë unë. “Po ja, po e them tani se kanë ndryshuar kohërat dhe unë në shtëpinë tuaj kam ardhur me mision dhe prandaj kam kontrolluar bodrumin sepse më thanë se në zonën ku ishte shtëpia juaj dëgjohej një radio transmetuese. Dhe unë kontrollova se mos e kishit futur ju te bodrumi juaj dhe raportova në degë që nuk kishte gjë”.
2 prill 1975. Lasgushi pikëllohet: “Do të më pushkatojnë Cucin”
Një prej dashurive të mëdha të Lasgushit ishte qeni i tij Cuci, të cilin e kishte marrë në vitin 1974. Kjo kone e bukur e bardhë, i kishte rrëmbyer atij zemrën. Ishin bërë miq të pandarë. Ai i besonte Cucit gjithçka që i trazonte shpirtin. Në shëtitjet e pazakonte në kalanë e Pogdracit, në prehjen e orëve të vona, buzë liqenit, në çdo fragment jete, dhe në çdo histori…Cuci kishte vendin e tij. Ai ishte me të vërtetë shumë i vyer për të!
Por një ditë një njeri zemërkeq me kostum partiak shoqëruar me policë të armatosur, kishte organizuar një aksion në shtëpinë e poetit për ti rrëmbyer qenin e për tia pushkatuar si “qen pa leje”!!
Ishte 2 prill 1975. Ajo ditë dhe dy ditët që e pasojnë kanë qenë shkatërruese për Lasgushin. Në ditarin e tij zbulohen gjithë përpjekjet e poetit plak e të sëmurë, duke rendur zyrave të regjimit, dëshpërimisht, në përpjekje për të shpëtur konkën e tij….
“Babi ishte në kuzhinë, me rrobat e shtëpisë. Ata erdhën, ishin 4-5 burra, unë i mbaj mend. Ne Cucin e mbanim poshtë te shkallët. Cuci ishte rreth 1 vjeç. Dhe çfarë skene ishte aty, kur babi i lutej dhe qante duke u thënë: “Mos ma merrni”. U lutej 5 gomarëve që erdhën aty me pushkë, që as e dinin se kush ishte ky. Babi i thoshte: “Mos ma merr se unë do të marr letër ku të duash ti. Mos ma merr se unë e mbaj të lidhur. Ky është 1 vjeç. Shiko sa i vogël është”. Por ata e zgjidhën Cucin dhe ai kërcente se kujtonte se do ta nxirrnin jashtë. Cuci nuk e dinte që do ta pushkatonin. Ata e futën te makina e qenve, te një karrocë qensh, d.m.th. Cuci ishte njerëzori aty se qentë ishin ata. E futën Cucin aty dhe e morën bashkë me qentë e tjerë që i kishin pushkatuar. Aty pastaj fillon i gjithë kalvari i ngjarjes që ka përshkruar babi. Por skena kur ai i lutej, kur qante para tyre, plak, me flokë të bardhë, ishte e tmerrshme. Unë, motra, mami, qanim të gjitha. Ata gëzoheshin.”
Maria lexon disda fragmente nga ditari që na ka lënë Lasgushi mbi këtë ngjarje që e ka tronditur deri në caqet e fundit të qenies.
“Ishte sekretari i Këshillit të Lagjes nr 1 me një polic dhe dy të tjerë me pushkë. Thanë: “Kemi urdhër t’i vrasim qentë!” Unë ju luta me 1000 të lutura të m’a lënë 2-3 ditë, të marr lejë të mos m’a vrasin. Ata nuk pranuan në asnjë mënyrë. E mbanja Cucin siç ish i lidhur, me rrypin e tij poshtë shkallëve, m’a rrëmbyen egërsisht. Megjithqë polici i tha sekretarit të m’a lenë këto 2-3 ditë, sekretari një individ zemër ashpër, dha urdhër të m’a marrin. Zbriti polici poshtë ne “Cuci” m’a mori megjith rryp dhe me gjith hallkën e rrypit prej së cilës i vinja rrypin “Cuci-t” kur e shëtisnja nga pak në mëngjes dhe më darke… Passi m’a rrëmbyen “Cuci-n” në këtë mënyrë kaq të egër, zura të qaj, sbrita poshtë shkallëve ku e mbanja lidhur me rrypkën e tij elegante…dhe m’u shkreh zemra dhe zura të qaj me lot për “Cuci-n”, puthnja peronën ku kapnja rrypin, puthnja safkën e ujit ku i shtinja ujë të freskët, putha 2-3 herë dhe shumë herë enën ku i shtinja të hajë “Cucit” dhe qanja me psherëtimë. Kaq shumë m’u dhemb “Cuci”. Passi m’a muarr Cucin dhe e vunë në karrocë dhe u larguan 60-70 hapa prej meje, u vesha shpejt dhe ju vajta pas dhe i gjeta në një rrugicë pranë shtëpisë s’ime, i-u luta me shumë të lutura përsëri, të m’a lenë pa e vrarë, i-u thashë të vete ne Sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit Manush Myftiu, do vete ne Sekretari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, do vete në Seksionin e Shëndetsisë të marr leje për konkën, por ata nuk m’a pranuan lutjen… Ardha menjëherë në shtëpi, dhe megjithqë jam i sëmurë prej 17 Janarit gjer më sot i shtrirë në shtrat, u vesha dhe shpejt mora Marien me mua, vajta me autobus gjer në Komitetin ekzekutiv…
Në ditarine tij, Lasgushi përshkruan gjithë ankthin e asaj dite e të ditëve në vijim për të gjetur një shpëtim për konkën e tij në zyrat e regjimit. Ai shpjegon se kishte shkuar në Komitetin e Partisë, por s’kish gjetur zgjidhje. Të nesërmen kishte shkuar në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi i ishte lutur Dritëro Agollit në Lidhjen e Shkrimtarëve. Sipas rregullave Cuci kishte vetëm 3 ditë kohë. Dita e parë kishte ikur, e dita vijonte me përpjekje. Në Minsitrinë e Shëndetësisë ishin gati tia jepnin lejen për qenin. Ajo leje do ta shpëtonte cucin nga pushkatimi. Por duhej dhënë një firmë nga vetereneri, e ai nuk ishte. Lasgushit I duhej të shkonte ti lutej sërish sekretarit të këshillit të lagjes, atij që ia kish behur me armë në shtëpi, për ti rrëmbyer qenin. Ti lutej sërish sa të merrte lejën e nënshkruar nga veterineri. E kjo kish gjasë të ndodhte vetëm të nesërmen ditën e fundit të jetës së Cucit. A do të arrinte vallë në kohë ta ndalonte pushkatimin? Historia në zyrat e regjimit do vijonte njësoj edhe ditën e tretë, por në një çast do të shquante një zgjidhje…
“Thashë t’i them Kryetarit të Kom. Ekz., Kryetari s’ish. Komiteti ka 4 zëvëndës-kryetarë. Trokita te njëri, s’isht. Trokita në derë të tjetrit, tha “hyrë”. Ky quheshe Hektor Konomi. J’u luta t’i thotë veterinerit të urdhërojë mospushkatimin e qenit. Hektor Konomi passi më pranoj dhe më dëgjoi me shumë kujdes, u ngrit, vajti vetë në katin poshtë ku është zyra e doktorit veterinar dhe ardhi më tha: “ecni poshtë të merrni Lejen prej veterinerit që të mos ekzekutojnë konen tuaj.
Vajta mora Lejën, që atje vajta në Repartin e Komunales së Tiranës, mora prej përgjegjësit të Repartit, njoftimin me shkrim që i bënte përgjegjësi mbajtësit të qenve të kapur: “Shoku Riza jepi Profesorit qenin e tij mbasi ka marrë lejë nga Komiteti Ekzekutiv” Në kulmin e gëzimit vajta mora “Cucin”… Cuci sapo më pa i-u shkëput jevgut prej krahëve dhe u vërsul drejt meje, si e përkëdhela 2-3 sekonda, i dhashë 1 qofte t’a hajë, Cuci, prej gëzimit, nuk e hante qoften, pastaj, si i dhashë prapë, e hëngri, i dhashë edhe qoften e dytë, s’desh t’a hajë prej gëzimit që më pa përsëri, pas disa sekondash përkëdheljeje, i dhashë prapë t’a hajë, i dhashë edhe të tretën, të tretën s’e hëngri nga gëzimi, e mora qoften në letër dhe u nisa me “Cucin” për në shtëpi. Isha i lodhur, i këputur…. “
Maria kujton se kur u kthye në shtypi e gjetën të atin me gjithë qenin. Ishte I lumtur. Kishte trguar se I kishin dhënë një leje. Por edhe leja ishte vetëm për nëj vit.
“Komunizmi ishte sistemi i pikatoreve. Lejen ia kishin dhënë për një vit. Dhe pastaj filloi një tmerr tjetër se mbaroi leja dhe kishim frikë se mos na e merrnin prapë. D.m.th. vazhdimisht e mbanin në ankth, vazhdimisht i shqetësuar. E për çfarë?”
“Enver Hoxha ka ditëlindjen, shkruaj një vjershë për të!”
A mund të shkruante Lasgush Poradeci poezi për Enver Hoxhën? Diktatori nuk meritonte as të artikulohej si emër në gojën e këtij poetit. Maria thotë se Lasgushi nuk ia përmendi kurrë, asnjëherë emrin Enver Hoxhës. E quante thjeshtë “Ay”. Por drejtuesit e regjimit kishin pritur me durim. Ishte koha kur dy vajzat e poetit ishin rritur e do të kërkonin të shkolloheshin e më vonë edhe të punësoheshin. Ata e dinin që vajzat ishin pika e dobët e këtij babai që e vlerësonte shkollimin si rrallë kush në Shqipëri. Dhe e dinin sa zemërbutë qe ai, kur bëhej fjalë që regjimi të ndëshkonte të bijat, vetëm e vetëm, për tu hakmarrë ndaj tij.
“Më kujtohet një herë, kanë qenë vitet 1978-1979, me duket se ishte muaji gusht, erdhën në shtëpinë tonë njerëz nga Komiteti i Partisë. Pasi ndenjën pak, i thanë babit që “tani po vjen 16 tetori, që është festa e shokut Enver, datëlindja, dhe ju do të bëni një poezi për shokun Enver”. Pastaj ata u larguan. Atë natë babi ishte shumë i shqetësuar. Hynte, dilte, nervozohej, bërtiste, dhe unë me motrën që ishim të dyja në Pogradec sepse mami ishte në Tiranë, nuk e kuptonim se çfarë kishte”.
Një pistoletë poshtë jastëkut…
Askush nuk mund të dijë ekzaktësisht se çfarë kaloi atë natë nëpër mend poeti. Lasgush Poradeci ishte urdhëruar në njëfarë mënyre të bënte një poezi për diktatorin. Donte apo nuk donte ai, së shpejti do t’i kërkonte regjimit shkollë për vajzat e tij. Por a mund të çeleshin kanatet e botës së tij magjike, për një figurë që ai e refuzonte, e mbante larg gjithë mendimeve të tij. Atë natë me ç’duket poeti kishte çuar ndër mend edhe vetvrasjen. Dhe kjo gjë nuk i kishte shpëtuar Sigurimit të Shtetit.
“Në mëngjes kur u ngrit babi, unë shkova për t’i rregulluar krevatin dhe kur ngrita jastëkun, pashë një pistoletë. Të dyja me motrën u tmerruam dhe e ruajtëm këtë ngjarje të trishtuar në shpirtin tonë sepse nuk kuptonim asgjë.
Kostandina e pyeti: “Baba çfarë është kjo?”. Dhe ai u justifikua duke i thënë: “Më dukej sikur do të vinin për të na vjedhur. Dhe unë e mbajta për t’u ruajtur nga hajdutët”.
Por pas ca kohësh, njëra që na hiqej si mikeshë dhe që futej në shtëpinë tonë, na tha që “Lasgushi atë natë ka dashur të vrasë veten.
Ku e dinte ajo? Pra, ai ruhej dhe të gjithë njerëzit që vinin në shtëpinë tonë jepnin informacione në degë.
Babi gjithmonë thoshte: “Një vdekje ka, dhe unë do të vdes atëherë kur nuk e shikoj më se mund të vazhdoj. Unë nuk mund të shkoj në burg, që të më poshtërojnë ata, se ata të gjithë të burgosurit i kanë poshtëruar, i kanë pështyrë, i kanë rrahur. Dhe më e mira është që unë të vras veten”.
Pas viteve ’90, vjen një person, që edhe ky hiqej si mik i shtëpisë, dhe thotë që: “Atë pistoletën që ka Lasgushi e dua unë sepse është armë e vjetër, dekorative”. Ku e dinte ai që babi im kishte pistoletë? Ku e dinte? Pra ata dinin gjithçka që bëhej në shtëpinë tonë. Nuk di pse u larguan dhe nuk erdhën më për ta kërkuar atë vjershën për Enver Hoxhën, që ishte kot. A ndoshta se do ta bënin më shumë mit Lasgushin, a ndoshta se shkuan e i thanë që ai po vret veten, a ndoshta një fuqi tjetër që nuk di ta shpjegoj, por ata nuk erdhën më dhe nuk e kërkuan. Por, ditari e tregon qartë se çfarë nxirje jete i bënin ata…”
“Nuk shkruaj për atë, unë jam poeti i përjetësisë…”
Maria e tregon me pasazhe mjaft domethënëse raportin e poetit me diktatorin, gjë që shpjegon se bota e tij prej gjeniu ishte vite dritë larg botës së këtij diktatori vdekatar, që s’linte asgjë pas në këtë botë veç krimeve dhe ligësive.
“Babai na thoshte: “Unë e kuptoj që shumë gjëra juve nuk ju ecin, prej meje, se ju nuk keni faj, por tani jeni të vogla dhe nuk e kuptoni, por ju do ta kuptoni më vonë se çfarë babai keni dhe ju nuk duhet ta harroni kurrë që jeni vajzat e Lasgush Poradecit. Unë nuk bëhem dot baba tjetër. Unë nuk shkruaj për atë dhe as fëmijët e mi nuk ia jap atij, por, në qoftë se unë shkruaj për atë, do të thotë që kur të ngordhë ai, do të ngordhë dhe vepra ime. E unë jam poeti i përjetësisë”.
Kurrë s’ia ka përmendur. Kurrë. Emri i Enver Hoxhës nuk është përmendur kurrë në shtëpinë tonë. Kur ishte ndonjë rast që duhej të fliste, thoshte “ay”. Edhe kur vdiq, ai e harroi. Sapo i thamë ne që “baba, ai vdiq”, pas gjysmë ore e harroi. Na shikonte mua dhe motrën që po shihnim televizor dhe na pyeste: “Po çfarë po bëni?”. Ne i thoshim: “Po ka vdekur ay, baba, ka vdekur”. U përgjigj: “Aa, nuk e dija, e kisha harruar”. Atij nuk i interesonte fare ai njeri. Fare.”
Babi thoshte gjithmonë: “Unë jam i pavdekshëm. Këta do të ikin, do shkojnë, kurse unë jam i përjetshëm. Unë do rroj, jam i pavdekshëm”. Ashtu sikurse në një letër që i shkruan Asdrenit ku i thotë: “Vjershëtori nuk rron jetën e vet të vdekur, rron jetën e pavdekur të kombit të vet”.
Ditë të vështira deri në fund të jetës…
Është e trishtë të përfytyrosh si ishin ditët e fundit të jetës së Lasgush Poradecit. Poeti i poetëve, magjistari i fjalës, njeriu prej drite, që fliste me zotin, një fat i rrallë për një komb, që troket njëherë në 1000 vjet, lëngoi në varfëri, i sëmurë, i lënë mënjanë deri ditën e fundit të jetës së tij.
“Babi kishte shumë dëshirë që edhe unë të vazhdoja për letërsi. Por, atë vit që unë mbarova gjimnazin, nuk kishte të drejtë letërsie Tirana, vetëm një e drejtë studimi ishte dhe kjo iu dha Ardian Klosit, djalit të Bilbil Klosit. Me zor, mua më çuan për veterinari dhe pastaj e ndryshuan, më çuan për ekonomik. Ishte një tmerr i madh. Ne në familje nuk e dinim se kujt i thoshin ekonomik. Dhe babi më tha: “Do të shkosh Mari, se pastaj do të punosh në fermë. Do ta bësh. Ata e bëjnë kastile. Çupa e Lasgush Poradecit nuk mund të studiojë dot gjuhë-letërsi”. Dhe unë u regjistrova në ekonomik dhe e bëra. Kur mbarova shkollën e lartë, gjoja se mami im ishte e sëmurë dhe unë kisha një raport, ata më mbajtën në Tiranë, por atje ku punoja unë nuk ishte Tirana, atje ishte një internim. Unë punoja te ndërmarrja e asfaltimit të rrugëve me të gjithë punëtorët e asfaltit. Ishim në rrëzë të Dajtit, në disa ndërtesa me pupulit. Më mirë të rrije në burg se sa atje. Ndërkohë vdiq edhe mami, Kostandina nuk ishte transferuar nga Pogradeci dhe unë kur shkoja e gjeja babin të ngrirë. Nga puna nuk më jepnin leje që të ikja. Ishte dimër. I thosha: “Baba mbulohu, mos e ndiz sobën”. Kisha frikë se digjej. Kur vija e gjeja të mbuluar me jorgan. Kujdesesha për të, ndizja sobën, i jepja drekën, d.m.th. e harroja veten time, jo më të mendoja për martesë, të gëzoja edhe unë rininë e jetën. Ishte e pamundur. Dhe njerëzit gëzoheshin se injorantët kështu janë, i gëzojnë vuajtjet e të tjerëve.
Nuk mund të merrje asnjë grua apo infermiere për t’i shërbyer se ishin shfaqje të huaja. Atëherë jetonim me tallona. Atij i duhej pak mish. Tallonin që merrnim ia raciononim atij. Ai nuk e kuptonte se s’kishte bukë të bardhë në dyqan, na thoshte: “Ju nuk doni të më blini”. Shkoja nëpër restorante, ku mund të kishte ndonjë panine. Një tmerr. Kemi jetuar në Tiranë, por njëlloj sikur të ishim të internuar. Sigurimi i Shtetit, që na kishte në sy, këtë bëri, që të dukeshim që ishim aty, që nuk ishin hakmarrë me Lasgushin, por ama, na e kishin nxirë jetën aty ku ishim…”.
Lasgush Poradeci i mbylli sytë me 12 nëntor 1987. Por e dhe pse ai u nda nga jeta, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, pas gati gjysmëshekulli që regjimi e kishte shpallur të vdekur si poet, sërish një djallëzi e çuditshme do të zotëronte edhe në përcjelljen e fundit.
Maria na tregon njoftimin e vdekjes së poetit vendosur nga Lidhja e Shkrimtarëve. Në të shkruhet:
Lajmërim
Me hidhërim të madh lajmërojmë vdekjen e babait tonë të dashur LAZGUSH PORADECI, vjeç 88. Homazhet bëhen pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ora 12.
Nisja për në Poradec ora…
KOMISIONI.
Ç’ishte ky lajmërim? A thua se Lasgushi ishte babai i Komisionit? Madje edhe emrin ia kane shkruar me Z jo me S. Maria thotë se e gjitha ishte një farsë. Askush nga Lidhja e Shkrimtarëve nuk shkeli në shtëpinë e Lasgushit për ngushëllim. As edhe një telegram ngushëllimi nuk ju dërgua dy vajzave të poetit. Madje para ceremonisë administratori i Lidhjes kishte shkuar të merrte dekoratat e poetit, sipas rregullave të ceremonialit, dhe kur e bija i kishte thënë se Lasgushi nuk ksihte asnjë dekoratë për be, i çuditur ai kishte thënë: “Si nuk ka asnje dekoratë? Po, çfare është kjo, që po bëjnë këta? Kush është ky?
Ditën e hënë, më 17 dhjetor 2012, u nda nga jeta Prof. Gëzim Uruçi.
Ka qenë vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër. Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili konsiderohet si eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. 62-vjeçari është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike. Ndonëse 12 vjet më parë një sëmundje e la invalid, ai me një përpjekje mbinjerëzore e mposhti atë. Edhe pse me paterica, Uruçi është pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre është Gëzim Uruçi. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor; Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje; më 1994, në Spanjë iu dha çmimi “Juri Gagarin”.
Ndërsa më 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Uruçi është përfshirë në 8 enciklopedi ndërkombëtare, ku e fundit është ajo e vitit 2006 (enciklopedia e speleologjisë së Bullgarisë). Aktualisht, 62-vjeçari që nderoi e nderon qytetin e tij të lindjes dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, merr pjesë çdo vit ne konferenca ndërkombëtarePasioni për Speleologjinë
Gëzim Uruçi, pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. Ky i fundit, i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë “Vllaznimi”. Po nga babai, Gëzimi trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Kelmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike “Drini” në Shkodër.
Rreziqet
Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e Majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. “Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë”, – tregon 62-vjeçari. Ai thotë se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. “Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm si dhe faqet gominash të makinave Çentauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje”, – rrëfen Uruçi. Sipas tij, disa prej këtyre mjeteve ruhen dhe sot në muzeun e tij privat. Gëzim Uruçi tregon se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të tyre (speleologëve).
Apartamenti Muzé
Shtëpia ku jeton Gëzim Uruçi së bashku me familjen e tij ndodhet në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, por ajo mund të quhet mjaft mirë një muze i arkeologjisë e speleologjisë, një qendër studimore ku arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikon të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Ai ruan në arkivin e punës së tij (fototekë) filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor sipas sistemit të fototekës ‘Marubi’. Thuajse gjysma e tyre i përket studimeve speleologjike, me foto bardh e zi dhe kolor, ndërsa ka dhe mjaft diapozitiva. Edhe biblioteka e tij personale është ndër më të mëdha të biblioteka private, ku përfshihen mjaft literature për gjeografinë dhe speleologjinë. Lidhur me bibliotekën e tij personale, Uruçi sqaron se në vitin 1990 ka pasur oferta nga shteti i atëhershëm për t’ia dhuruar atij, kundrejt një këmbimi qesharak (do e dërgonin të punonte mësues në një fshat afër Shkodrës). Madje pas 1990-ës nuk i kanë munguar dhe interesimi për arkivin e tij nga universitete të huaja që kanë afruar çmime të pëlqyeshme, por që janë refuzuar, pasi dorëzimi i kësaj pasurie për Uruçin do të thotë të tradhtojë pasionin e jetës së tij si dhe traditën e familjes. Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për të sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.
VOAL – Grigorij Efimovič Novy, i njohur si Rasputin ka lindur në Pokrovskoe, një fshat i largët në Siberi, i vendosur në provincën e Tobolsk pranë maleve Ural. Data e lindjes ka qenë gjithmonë objekt debati; ishte vetë Rasputin me vullnetin e tij që krijoi konfuzion rreth datës së lindjes së tij. Murgu e plaku veten para kohe për ta mbajtur të besueshme figurën e tij të Starec, një fjalë ruse që do të thotë “i vjetër” dhe që identifikon prestigjin e veçantë të disa murgjve. Në kohën e Rasputin emërtimi ishte gjithashtu i ngarkuar me kuptime mistike, aq sa starecët konsideroheshin të zgjedhur nga Zoti, të aftë për fuqi profetike dhe shëruese, në fakt ata konsideroheshin si udhërrëfyes shpirtërorë të nderuar dhe shumë të ndjekur.
Midis regjistrave të humbur dhe kërkimeve në të dhënat e regjistrimit, data e lindjes së Rasputin u përcaktua më 10 janar 1869.
Grisha – siç e thërrisnin në familje – fëmijërinë dhe adoleshencën e kaloi në botën e tij të vogël fshatare pa arsim, duke punuar në arë me vëllain e tij Mishën. Pas një sëmundje të gjatë vëllai vdes; Rasputin ende një adoleshent gjatë një sulmi me ethe ka një vizion: ai do të tregojë se ka parë Madonën, e cila duke folur me të do ta kishte shëruar. Nga ky episod ai fillon t’i qaset fesë dhe Starecëve.
Ai martohet në moshën njëzet vjeçare. Pas vdekjes së djalit, vetëm disa muajsh, ai bie në depresion. Ai shërohet falë një shfaqjeje tjetër të Madonës, e cila e shtyn të lërë gjithçka dhe të largohet. Ai nis udhëtimet e gjata që e vënë në kontakt me anëtarët e Chlisty, një sekt i konsideruar i paligjshëm, por shumë i popullarizuar në Rusi. Klistitë kritikojnë ashpër Kishën Ortodokse, të cilën ata e akuzojnë për korrupsion dhe dekadencë. Fizikaliteti dhe religjioziteti janë të përziera në mënyrë të paqartë në këtë doktrinë heretike: riti erotik dhe lidhjet trupore – madje edhe të grupit – janë një nga karakteristikat e tij themelore të besimit.
Rasputin, pasi ka kaluar një vit në manastirin Verchoturje, udhëton në të mëdhenjtë si Moska, Kievi dhe Kazani. Ai kthehet në fshatin e tij të lindjes ku ngre një kishë personale. Forca e Rasputinit qëndron në vështrimin e tij magnetik, intensiv dhe halucinativ, i aftë për t’i kontrolluar njerëzit; fjalët e tij janë të thjeshta, të afta për të bindur: fama e tij u përhap shpejt, duke tërhequr në kishën e tij shumë njerëz që vijnë nga i gjithë rajoni.
Ai u zhvendos në Shën Petersburg në vitin 1905 dhe mbërriti në oborrin e Carit Nikolla II të Rusisë. I shoqëruar nga fama e tij si shërues, ai thirret nga njerëz shumë të afërt me familjen Romanov: shpresa e tyre është që Rasputin të mund të përmbajë hemofilinë e pashërueshme të Alexeit, djalit të carit. Tashmë në takimin e parë Rasputin arrin të marrë disa efekte të dobishme për të voglin. Ekziston një teori sipas së cilës Rasputin ishte në gjendje të ndalonte krizat e gjakut të Alexeit duke përdorur një lloj hipnoze që ngadalësonte rrahjet e zemrës së foshnjës, duke ulur kështu shpejtësinë e qarkullimit të gjakut. Një hipotezë tjetër do të ishte se thjesht duke ndaluar marrjen e aspirinës, të cilën mjekët e gjykatës e administruan për të qetësuar dhimbjet e kyçeve, shëndeti i Alexeit u përmirësua për shkak të uljes së gjakderdhjes që rezultoi, dhe merita i atribuohej Rasputinit.
Megjithatë, ekziston edhe një fakt i pashpjegueshëm shkencërisht. Më 12 tetor 1912, murgu mori një telegram nga familja mbretërore që e informonte për një krizë të rëndë në Alexeit: “Mjekët janë në dëshpërim. Lutjet tuaja janë shpresa jonë e fundit”. Rasputin, i cili ndodhet në vendlindjen e tij, pasi është zhytur në një gjendje transi për disa orë në lutje, i dërgon një telegram familjes mbretërore me të cilin siguron shërimin e vogëlushit, gjë që ndodhi menjëherë brenda pak orësh.
Karizma mistike e murgut ka një ndikim të fortë në veçanti te Carina Alessandra, aq sa marrëdhënia me të shkakton shpifje të shfrenuara. Të gjitha raportet e policisë sekrete dhe deputetëve të Dumës për sjelljen e Rasputin që arritën te Cari konsideroheshin gjithmonë si rezultat i shpifjeve të kurdisura nga inteligjenca liberale dhe të mohuara nga çifti mbretërues.
Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, biznesi i Rasputinit kalon nga privat në atë politik.
Një pacifist i bindur, ai përpiqet të kundërvihet me të gjitha mënyrat: ndërsa Car Nikolla është në front, ai përpiqet të manipulojë Carina Alessandra (me origjinë gjermane), për ta sjellë Rusinë në pozicione pacifiste.
Me lojërat e tij të pushtetit murgu krijon shumë armiq duke përfshirë kastën ushtarake, aristokracinë nacionaliste, të djathtën dhe madje edhe opozitën liberale. Rusia po kalonte një kohë të vështirë, ushtria pësoi humbje të shumta, qeveria u nda brenda dhe Rasputin vazhdoi të komplotonte për të arritur paqen e menjëhershme. Kryeministri Trepov përpiqet të largojë Rasputin duke i ofruar një shumë të madhe parash, por Rasputin gjithashtu e kthen këtë rrethanë në favor të tij, duke informuar Carinën: pas këtij demonstrimi të ri të besnikërisë ndaj Kurorës, ai sheh që prestigji i tij të rritet aq shumë sa konsiderohet “miku i vetëm i familjes perandorake”.
I akuzuar për korrupsion, Rasputin arrin të dëbohet nga shtëpia e Romanovëve, por me përkeqësimin e kushteve të Aleksisit të vogël, mbretëresha kthehet për të kërkuar mistikun. Ai përgjigjet se kushtet e djalit do të ishin përmirësuar edhe në mungesë të tij dhe ashtu në një kohë të shkurtër ndodh.
Është një komplot i disa fisnikëve që dekretuan fundin e Rasputin: i tërhequr në një kurth, në natën midis 16 dhe 17 dhjetor 1916 ai fillimisht u helmua me cianid, pastaj – duke pasur parasysh rezistencën e tij ndaj helmit – u vra me një armë zjarri në zemër. Pavarësisht helmimit dhe goditjes me armë, Rasputin arrin të shërohet për të tentuar një arratisje, por kapet. Trupi i tij drobitet nga goditjet e shumta dhe, më në fund, hidhet në kanalin Fontanka në Shën Petersburg.
Trupi rishfaqet dy ditë më vonë; i nënshtruar autopsisë, nuk do të gjendet asnjë gjurmë e helmit dhe do të konstatohet se ai ishte ende gjallë kur u hodh në ujë.
Trupi fillimisht varroset, por më pas do të nxirret për t’u djegur në buzë të një rruge.
Caresha Aleksandra e merr lajmin me dëshpërim të dukshëm, ndërsa Car Nikolla, i shqetësuar për rolin gjithnjë e më të rëndë që Rasputin po merrte në gjykatë, do të mbajë një qëndrim të qetë; do të ketë parasysh edhe faktin se mes pjesëmarrësve në konspiracion kishte fisnikë të lidhur me të, aq sa askush nuk u ndëshkua për krimin.
Festimet e mëdha që pasojnë përhapjen e lajmit të vdekjes së Rasputin i shohin vrasësit si heronj, të aftë për të shpëtuar Rusinë nga ndikimi i rrezikshëm i gjermanikes Alexandra dhe mikut të saj të çmendur, murgut Rasputin./Elida Buçpapaj
E ardhmja e ish-diktatorit të Sirisë nuk dihet, pasi pas arratisjes së tij nga vendi, ai dhe familja e tij tani e gjejnë veten duke marrë azil politik në Rusi. Megjithatë, me interes është rasti i gruas së Bashar al-Assad, Asma, e cila nga arsimimi me karrierë në sistemin bankar u bë zonja e parë e Sirisë për më shumë se dy dekada.
Asma Al-Assad dikur ishte një simbol i çlirimit dhe modernizimit në Lindjen e Mesme, por sot ajo është sinonim i shtypjes dhe rënies së dinastisë së burrit të saj. Me origjinë nga Londra dhe me një karrierë në sektorin bankar, Asma e gjeti veten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare përpara se zhvillimet e përgjakshme në Siri ta kthenin imazhin e saj në një figurë urrejtjeje dhe zemërimi.
Asma lindi në 1975 në Londër, vajza e kardiologut të suksesshëm Fawaz Ahras dhe diplomates Sahar Ahras.
Pas studimeve në Queen’s College dhe diplomimit në King’s College në vitin 1996 me një diplomë në shkenca kompjuterike dhe letërsi franceze, ajo filloi një karrierë të shkëlqyer në investime, duke punuar me kompani si Deutsche Bank dhe JPMorgan.
Në vitin 2000, ajo u martua me Bashar Al-Assad, i cili mori pushtetin në Siri pas vdekjes së babait të tij, Hafez Al-Assad. Prania e saj pa shami, stili i saj i sofistikuar dhe paraqitjet e saj ndërkombëtare e bënë atë një simbol të fuqizimit të femrës në botën arabe.
Në vitin 2010, revista Vogue e përshkroi atë si një “Trëndafil në shkretëtirë”, duke nënvizuar imazhin e saj si një Zonjë e Parë në modë dhe e sofistikuar.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi në vitin 2011, kur Siria u zhyt në një luftë civile që ekspozoi shtypjen brutale të regjimit të Asadit.
Asma, e konsideruar fillimisht një “modernizuese”, shpejt u lidh ngushtë me diktaturën dhe mizoritë e saj. Lufta ka lënë qindra mijëra të vdekur dhe miliona të zhvendosur, duke shkatërruar imazhin e Sirisë si një vend i hapur dhe progresiv.
Gjatë konfliktit, Asma mori një rol aktiv në ekonominë e regjimit, duke organizuar rrjete kontrolli që përfshinin shpërndarjen e ndihmave humanitare, aksesin në internet dhe subvencionet ushqimore. Kritikët e saj e quajtën atë “Zonja Makbeth”, pasi ajo e përdori rolin e saj për të forcuar pozitën e regjimit dhe për të siguruar mbajtjen e tij të pushtetit.
Një diagnozë e kancerit të gjirit në 2018 dhe vdekja e vjehrrës së saj në 2016 e sollën atë përsëri në qendër të vëmendjes, por përfshirja e saj në administrimin e regjimit tani kishte gërryer çdo imazh pozitiv që ajo kishte krijuar. Në të njëjtën kohë, protestat për veprimet e regjimit çuan në tërheqjen e intervistës së saj nga Vogue në 2012. Me afrimin e 24 vjetorit të martesës, çifti ka të ngjarë të festojë në rrethana larg luksit të pallatit në Damask. Rënia e Asma Al-Assad pasqyron tragjedinë e Sirisë, e cila është kthyer nga një vend shprese dhe përparimi në një fushë vuajtjesh të patreguara. E ardhmja e familjes Assad mbetet e pasigurt, ndërsa vetë Asma mbetet një figurë që do të ndjekë historinë e vendit të saj. bw
Manfred Weber pa shumë zhurmë është shndërruar në një nga njerëzit më të fuqishëm në skenën politike evropiane.
Pavarësisht se nuk është i njohur shumë nga publiku, politikani gjerman ka një kohë të gjatë që udhëheq subjektin e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (PPE), që është grupi më i madh politik në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ai nuk është aq i panjohur në korridoret e Parlamentit Evropian, ku edhe rivalët që e akuzojnë atë se flirton me ekstremin e djathtë, e pranojnë se ai është “një person me ndikim të madh sa u përket vendimeve”.
Kjo pritet pasi “kam shansin të jem sot” presidenti i partisë më të madhe në Evropë, tha Weberr në një intervistë për AFP.
Ai e shënoi fitoren e fundit të mërkurën e 27 nëntorit, teksa ligjvënësit miratuan Komisionin e ri Evropian të udhëhequr nga Ursula von der Leyen, e cila mori mandatin e dytë në krye të këtij institucioni.
Javë të tëra të kompromiseve politike rezultuan me 27 komisionarët – shumica nga PPE-ja – të kalojnë pa problem në seancat për konfirmimin e tyre.
Kjo u bë pavarësisht kundërshtimit të madh nga e majta dhe qendra për Raffaele Fitton, e partisë së ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë – partia e kryeministres italiane, Giorgia Meloni – të cilit iu besua posti i zëvendëspresidentit të KE-së.
“Për mua kjo është një ditë e mirë”, u tha Weber gazetarëve para votimit në Strasburg.
Fitto argumentoi se ai përfaqëson një krah më të moderuar të së djathtës, e cila kërkon më shumë ballafaqim sesa shmangie.
“Dua që t’i ndaj ata, dua të bëj ndarjen ndërmjet ekstremit të vërtetë të djathtë” gjerman të Alternativës për Gjermaninë (AfD), “konservatorëve të vërtetë” të Marine Le Pen të Francës dhe Viktor Orbanit të Hungarisë, tha ai për AFP-në.
Futja e Melonit dhe AfD-së “në të njëjtin thes, është gabim i madh”, tha ai.
Kjo qasje nuk ka bërë që ai të krijojë shumë miq në mesin e së majtës dhe qendrës, pasi ligjvënësit e kanë akuzuar atë se qëllimshëm përdor gjuhë me dy kuptime ndaj ekstremit të djathtë për përfitime politike.
“Manfred Weber po argëtohet shumë”, tha Manon Aubry nga Franca, bashkëudhëheqëse e të ashtuquajturit Grupi i së Majtës në Parlamentin Evropian, e cila tha se kolegu i saj gjerman po kërkon aleanca nga e majta në të djathtë, varësisht se çfarë interesi ka në ditë të caktuara.
Një ligjvënës në BE që nga viti 2004 dhe udhëheqës i PPE-së që nga viti 2014, Weber për një kohë të gjatë ka punuar për të pasur nivelin e ndikimit që ka tani.
Më 2019, ai tentoi të bëhej president i KE-së, por humbi kundrejt Von der Leyen. Për këtë humbje, disa besojnë se ai ende ka hatërmbetje.
“Ti nuk ulesh këtu… prandaj je i zemëruar”, e talli Orbani atë gjatë një sesioni plenar të mbajtur gjatë këtij viti, duke bërë me gisht drejt karriges së Leyenit.
Por, Weber insiston se kjo humbje i përket së shkuarës.
“Viti 2019 është shumë kohë më parë”, tha Weber, i cili asnjëherë nuk ka mbajtur ndonjë post ministror në Gjermani, por është shprehur se është i lumtur ku është sot.
“Vendimet më të rëndësishme në Evropë sot nuk merren më në kryeqendrat evropiane, por në Bruksel dhe Strasburg”, tha ai.
PPE-ja ka konfirmuar statusin e tij si grupi më i fuqishëm parlamentar pas zgjedhjeve evropiane në qershor, duke fituar 188 nga 720 ulëset – disa ulëse më pak se më 2019.
Por, ndikimi i tij është rritur teksa ekstremi i djathtë dhe e majta kanë humbur, që i kanë lejuar atij të luajë në këta dy krahë politikë.
Inxhinier me profesion, që e paraqet veten si mbrojtës të fermerëve dhe kundërshtar të burokracisë, Weber e rizgjodhi Von der Leyenin në korrik, me mbështetjen e Socialistëve dhe Demokratës, dhe grupit të qendrës, Rilindja.
Por, që atëherë ai është lidhur me grupet e ekstremit të djathtë për të frenuar, mes tjerash, disa politika ambicioze mjedisore të BE-së.
“Ai është personi që ka ndikim në marrjen e vendimeve, është ai që e thotë fjalën e fundit”, tha Marie Toussaint nga të Gjelbrit.
Përbërja e re e plotë e Komisionit u zgjodh edhe me votat nga e majta, qendra dhe e djathta, përfshirë edhe votat e grupit të Melonit.
Weber ishte personi i parë që e përqafoi Von der Leyenin pas votimit.
Weber shpesh preferon që t’i informojë gazetarët përmes takimeve joformale dhe nuk preferon që ata të citojnë deklaratat e tij.
Weber është proevropian, proukrainas dhe e përkrahë sundimin e ligjit. Ai shpesh shihet si “pak liberal” në Bavari, rajonin prej nga vjen, sipas homologut të tij gjerman, Daniel Freund.
“Këtu në Bruksel, ai bën pak të kundërtën e gjithë kësaj”, duke u afruar me ekstremin e djathtë, tha Freund.
Megjithatë, Weber shpërfill kritikat.
Një i krishterë i devotshëm, ai tha se gjen qetësi te feja dhe te bota jashtë institucioneve të BE-së.
“Shkuarja të dielave në kishë, bisedat me miqtë e mi që janë fermerë, që janë zejtarë, që janë njerëz normalë, janë shumë të rëndësishme sepse Brukseli nganjëherë është shumë si një ‘flluskë’”, tha ai.
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel nxori sot në shitje librin me titull “Freiheit. Memories 1954 – 2021” (”Liria. Kujtime 1954-2021”).
Ish-liderja e Unionit Kristian-demokrat (CDU) gjerman do ta prezantojë sot librin në teatrin ”Deutsches”.
Aktiviteti do të jetë i hapur për publikun dhe do të moderohet nga gazetarja Anne Will.
Merkel shkroi kujtimet e saj politike së bashku me këshilltaren e saj politike historike, Beate Baumann.
Sipas botuesit ”Kiepenheuer & Witsch”, libri është afërsisht 700 faqe dhe do të botohet në mbi 30 vende.
Merkel, 70 vjeçe, nuk kandidoi në zgjedhjet federale të vitit 2021 pasi shërbeu si kancelare për 16 vite.
E lindur në qytetin verior gjerman të Hamburgut, ajo u rrit në ish-Gjermaninë Lindore, studioi fizikë dhe u bë politikisht aktive gjatë periudhës së trazirave politike pas rënies së Murit të Berlinit.
Ajo u zgjodh në Bundestag në vitin 1990 dhe shërbeu si ministre për Gratë dhe më vonë si ministre për Mjedisin. bw
Hasan Masurica, kreu shkollën e lartë Pedagogjike në Shkup . Punoi gjithë jetën si Mësues i fesë islame në Mejtepin e Zarbicës dhe si Imam i po ksaj gjamie. Qysh si fëmij, në ndeja odash në Zarbicë, Malësi të Bujanocit e më gjërë është dëgjuar rrëfime për imamin, Mësuesin dhe shkenctarin që e konstruktoi ,,Ballanin “,si që e quanin në atë kohë, me të cilin djali i tij, Muharremi fluturoi lart në qiell.
Në vitin 1899 Hasan Masurica, duke punuar ditë e natë, me ndihmën e farkatarit të fshatit Zarbicë, ndërtoi aeroplanin e parë pa motor,me të cilin i biri, Muharremi, fluturoi 50 deri në 70 metra. Ai e realizoi këtë projekt 4 vjet para vëllezërve vright (Vilber adhe Orvil Rajt), të cilët e ndërtuan aeroplanin me motor dhe fluturuan në qiell në vitin 1903 nga një kodër e Zarbicës në drejtim fshatit Suharrën e Novosellë.
Muharremi djali i tij u tmerrua nga fluturimi dhe se theu këmbën në atë fluturim,pasi i ati e futi aty dhe litari mbajtës ju lëshua pa kuptuar dhe ballani u ngrit në erë. Fatmirësisht ai ra mbi disa pemë dhe aty e gjetën Muharremin e vogël me këmbë të thyer, dhe tregohet se si i ati megjithëse i dëshpëruar nga gjendja shëndetësore e të birit ,të cilit i lidhi këmbën me këmishën e tij që shqeu atë moment, nga suksesi i shpikjes të tij. Materiali ishte i zgjedhur që u përdore për ndërtimin e këtij avioni nga Hasan Masurica.
Ai ka ndërtuar një Mulli në fshatin e Zarbicë dhe me ndihmën e bashkëfshatarëve ka ndërruar drejtimin e përroit, duke ditur pozicionin e përshtatshëm dhe ky mulli bluante rreth 1000 kg drithë në ditë.
Babëgjyshi im Miftari ka treguar se Hasan Masurica ishte i papërtuar, tepër inteligjent, respektohej dhe i dëgjohej fjala. Ai kishte një qoshe pune, një vend në plevicën e shtëpisë së tij, ku ai punonte me vegla primitive. Faktet janë mbledhur nga të dhëna gojore, nga dëshmi okulare dhe nga disa dokumente origjinale të pakta që kanë mbetur nëpër arkiva. Zarbicasit e vjetër tregojn dhe vërtetojn se Hasan Masurica ka jetuar e punuar në Mejtepin e Zarbicës.
Ja se çka zbuloi Hasan Masurica!:
– Ai ka hartuar kalendarin me të cilin përcakton pozitën dhe rrugën e planeteve në gjithësi që nga viti ‘52 deri në vitin 1952 të erës sonë. Kalendarët e tij kanë impresionuar disa njerëz profesionistë të asaj kohe.
– Që prej vitit 1901 e deri në vitin 1905 Mulla Hasan Masurica konstruktoi pushkët me një, pesë dhe njëzet e pesë fishekë dhe demonstroi funksionimin e tyre para Sulltan Abdyl Hamidit në Stamboll në vitin 1905.
Hasan Masurica që përveq që ishte Imam deri në vdekje për Zarbicë dhe Malësi, posedonte edhe një punëtori të vetën, duke ju ndihmuar fshatarëve të Malësisë, kryente edhe punën Mësuesit të fesë në Mejtepin e Zarbicës. Për në fund të këtij shkrimi fare të shkurtër, për inovatorin dhe shkenctarin që dy gjëra i bëri, se mbronte shqiptarizmin e mbajti me epitet mbiemrin Masurica e Sangjakut të Nishit prej nga ishte edhe i lindur i ati i tij dhe nuk dëshiroi që patenta e tij përë zbulimin e pushkës me një, pesë dhe njëzetë e pesë fishek ti jepet ushtrisë së Perandorisë Osmane për vrasjen e shqiptarëve.
*Autori është Refik Hasani,nga Zarbica e Bujanocit.
VOAL- I lindur në Edinburg, Skoci, më 13 nëntor 1850, pas një rinie rebele dhe në polemika me të atin dhe me puritanizmin borgjez të mjedisit të tij, ai studioi drejtësi, u bë avokat, por nuk e ushtroi kurrë këtë profesion. Më 1874 simptomat e sëmundjes së mushkërive që e kishin prekur gjatë fëmijërisë u bënë më serioze; fillon një seri qëndrimesh shëruese në Francë. Këtu Stevenson takohet me Fanny Osbourne, amerikane, dhjetë vjet më e madhe se ai, e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve. Lindja e marrëdhënies së tij me Fanny-n përkon me fillimin e angazhimit të tij me kohë të plotë si shkrimtar. Nuk kalon shumë kohë dhe Stevenson ka mundësinë të publikojë tregimet e tij të para.
Krahas tregimeve të ndryshme filloi të shkruajë edhe ese dhe poezi për periodikë të ndryshëm. Ai boton libra të zhanreve të ndryshme, duke përfshirë “Një udhëtim në brendësi, 1878) dhe “Udhëtim me një gomar në Cevennes, 1879), koleksionin e artikujve filozofikë dhe letrarë ” Për vajzat dhe djemtë” (Virginibus puerisque, 1881) dhe përmbledhja me tregime “Netët e reja arabe” (1882). Në 1879 ai arriti Fanny në Kaliforni, ku ajo ishte kthyer për të marrë një divorc. Të dy martohen dhe kthehen së bashku në Edinburg.
Fama e tij erdhi papritur me “Ishullin e thesarit” (1883), libri i tij më i popullarizuar edhe sot: në njëfarë kuptimi, me romanin e tij Stevenson i dha jetë një rinovimi të vërtetë të traditës së romanit aventuresk. Stevenson konsiderohet si një nga eksponentët kryesorë të asaj lëvizjeje komplekse letrare që reagoi ndaj natyralizmit dhe pozitivizmit. Origjinalitetin e rrëfimit të tij e jep ekuilibri mes fantazisë dhe stilit të qartë, preciz, nervoz.
Më 1886 u botua “Rasti i çuditshëm i Dr Jekyll dhe zotit Hyde”. Edhe ky titull kontribuon – dhe jo pak – për të ngulitur emrin e Robert Louis Stevenson në historinë e trillimeve të mëdha botërore të shekullit të 18.
Rrëfimi i një rasti të personalitetit të ndarë merr një vlerë të fuqishme alegorike, duke ndriçuar forcat e së mirës dhe të së keqes të pranishme në natyrën njerëzore. Historia është shumë e famshme, objekt i një numri të konsiderueshëm adaptimesh dhe zhvillimesh filmike.
Në të njëjtin vit, Stevenson botoi “Kid napped”, të cilin autori e ndoqi në 1893 me “Catriona” (1893).
“Shigjeta e zezë” është e vitit 1888. Në “Mjeshtri i Ballantrae” (1889) tema e tërheqjes fatale të së keqes përfaqësohet me mjeshtëri në historinë e urrejtjes midis dy vëllezërve skocezë.
Ai arriti një mirëqenie të arsyeshme ekonomike, megjithatë shëndeti i tij i dobët dhe tërheqja ndaj aventurave e shtynë atë të largohej përgjithmonë nga Evropa në kërkim të një klime më të butë. Në vitin 1888, pas një ndalese të shkurtër në Nju Jork, ai u nis për në Perëndim dhe më pas, së bashku me familjen e tij, drejt Paqësorit Jugor. Ai u vendos në ishujt Samoa duke filluar nga viti 1891. Këtu ai kaloi një jetë të qetë, duke punuar deri në ditën e vdekjes, i rrethuar nga dashuria dhe respekti i vendasve, të cilët në disa raste pati mundësinë t’i mbronte nga ngacmimet e të bardhëve. .
Tregimet “Argëtimet e netëve të ishullit” (1893) dhe “Nei seas del Sud” (Në detet e jugut, 1896) janë të një mjedisi polinezian. Dy romane të papërfunduara u botuan pas vdekjes, “Weir of Hermiston” (1896), një nga veprat e tij më të vlefshme dhe “Saint Yves” (1898).
Një artist jashtëzakonisht i gjithanshëm, në karrierën e tij Stevenson trajtoi zhanret letrare më të ndryshme, nga poezia në një lloj romani detektiv, nga romani historik te përralla ekzotike. Thelbi i punës së tij është morali. Duke shfrytëzuar lirinë narrative të lejuar nga tregimi fantazi dhe romani aventure, Stevenson shpreh ide, probleme dhe konflikte me një formë shumë sugjestive mitiko-simbolike, duke i projektuar personazhet, ashtu si lexuesi, në rrethanat më të pazakonta dhe të papritura.
Robert Louis Stevenson vdiq në Upolu, Samoa, më 3 dhjetor 1894./Elida Buçpapaj
“Armenia e re, nuk mundi ta harronte Shemsedin Samiun, duke u kthyer kështu në Stamboll, më 1882 dhe duke iu dorëzuar në duart e tij e, do të priste një fëmijë nga kjo lidhje, por…”! –
******
Shemsedin Samiu apo Sami Frasheri, siç rendomë, njihet ndër shqiptarë, ishte figura qendrore e Rilindjes Kombëtare, dhe nga shumëkush merret edhe si babai dhe ideologu i nacionalizmit shqiptar! Duke jetuar dhe vepruar në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, me veprën dhe te bëmat e tij, dimensioni i Samiut tejkalon atë shqiptar, duke marrë kështu përmasa perandorake.
Si një poliglot i vërtet që ishte, botoi e përktheu shume vepra në gjuhë të ndryshme, duke lënë kështu gjurmë të pashlyera në historinë e dy popujve, shqiptar dhe atij turk. Me përmasat e një alimi, Samiu do të zinte një vend qendror në mesin e modernistëve myslimanë të shekullit XIX.
Edhe pse një figure shumëdimensionale, për lexuesin shqiptar Shemsedin Samiu, ende mbetet i pa eksploruar ne tërësinë e tij, duke u njohur vetëm në konturat e ideologjisë së nacionalizmit. Përmes arkivave dhe bibliotekave të Stambollit, bëhet i mundur një udhëtim në kohë, në Stambollin e asaj kohe, në gjurmët e Samiut, në përditshmërinë dhe botën e tij të brendshme…! gsh
Nuk është titulli ynë. Është ndjesia që shprehin pacientët që janë mjekuar nga doktor Hektori dhe studentët e mjekësisë që e kanë pedagog. Më shumë se ata dy numra lakmitarë me nga 40 e ca vite për secilin pozicion, kanë qenë virtytet e karakterit të tij të përsosur që e kanë renditur në emrat më të shquar të historisë së mjekësisë shqiptare. Mjafton të kujtojmë se mbi 30 vjet, ka qenë krahu i djathtë i “babait të pneumologjisë shqiptare”, të madhit Prof.dr. Shefqet Ndroqi. Të rrije pranë atij njeriu vetëm mirësi do të ndieje dhe përfitoje. Një mjek që shënoi epokë në fushën e tij, në saj të përkushtimit dhe aftësive profesionale. Po aq i madhërishëm doktor Ndroqi edhe si njeri me shpirt të madh dhe të ndjeshëm. Edhe ditën e dasmës, iku në sanatorium për t’i ardhur në ndihmë pacientit që kishte ardhur në urgjencë. E nëse atë ditë të shënuar la nusen, pas disa vitesh do të linte dy gishtërinjtë e tij, pasojë e dëmtimit nga rrezet rengen prej radioskopive të pafundme në luftë me turbekulozin dhe tifon. Pas këtyre humbjeve fitoi madhështinë e emrin që nuk do të harrohet, por dhe një brez mjekësh të denjë për ta prezantuar veten si punonjës të Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Më i spikaturi mes tyre është doktor Hektori. Dhe kush ecën në gjurmët e më të mirit, mirësia ka për ta ndjekur. Bëri çmos të merrte sa më shumë nga doktor Ndroqi, në aspektin profesional dhe shpirtëror. Nuk ishte e lehtë të zëvendësoje atë njeri dhe mjek të madh. Ky institucion mjekësor ishte bërë shumë i rëndësishëm dhe i njohur. Vetë përhapja dhe pasojat e sëmundjeve të mushkërive kërkonte disiplinë dhe aftësi profesionale. E kush më shumë se Hektori duhej të ndiente peshën e kësaj përgjegjësie dhe besimi. Gjithçka në shërbim të shëndetit të njerëzve të prekur nga këto sëmundje. Një staf i përgatitur dhe i pasionuar për pofilaksinë, diagnostifikimin dhe trajtimin e turbekulozit. Doktor Hektorit i duhej të bënte mjekun, por edhe drejtuesin e këtij stafi mjekësor. Të gjithë ata që kanë punuar me të, kujtojnë komunikimin e ngrohtë dhe thjeshtësinë e shefit të tyre. Por nuk harrojnë as ashpërsinë dhe qëndrimin e tij të prerë nëse vërente dobësi dhe gabime në punë. Në një rast që ai na i kujton vetë, edhe pse kanë kaluar vite, përsëri nuk ndien pishman për masën ndëshkuese që i dha një infermiereje.
Kishte tre-katër ditë që një pacient ishte në gjendje të rënduar dhe me temperaturë të lartë. Edhe me mjekimet e dhëna akoma nuk po dominohej situata. Netë pa gjumë të mjekëve në ato konsulta të gjata ku kërkoheshin arsyet e keqësimit. Lodhje dhe stërmundim kur shkaku ishte shumë i thjeshtë. Infermierja nuk i kishte dhënë pacientit antibiotikun kryesor që i kishin caktuar mjekët. Kjo për arsyen se ai medikament mungonte ato ditë në farmacinë e spitalit. Edhe pse detyra e infermieres ishte që ta ndiqte dhe jo ta gjente atë ilaç, ajo heshti. Heshtje që vuri në tension gjithë stafin e mjekëve dhe mbi të gjitha, në rrezik jetën e pacientit. Nuk u mendua dy herë shefi i shërbimit, doktor Hektori, që të propozonte largimin nga puna të infermieres. Pas këtij rasti, në stafin e shërbimit u shtua edhe më shumë përkushtimi dhe përgjegjësia. Jo rrallë, ndodh që nuk ke mundësi të shpëtosh një jetë njeriu, por ama kur është mundësia nuk të falet të bëhesh aleat me vdekjen. Por jo se i ka shpëtuar edhe këtij emocioni të padëshirueshëm. Çdo rast të humbjes së jetës, edhe pse nuk është për faj të tij, quhet dështim. Por doktor Hektori i ka ndierë më shumë se sa duhet. Madje, kjo është edhe pika më e dobët e tij. Një mjek nuk duhet të përjetojë, por të jetojë me diagnozën e të sëmurit. Por ja që ai në këtë ndjeshmëri, mbase shkon edhe më tej se ata. Kanë kaluar mbi dhjetë vjet dhe ende përjeton me emocion të fuqishëm një rast tragjik. E kuptoi diagnozën e atij djaloshi 20-vjeçar fatkeq, por nuk gjente forca t’i përgjigjej asaj nëne që në përlotjet e çdo dite, i lutej:
-Aman doktor! Më thuaj çdo gjë, vetëm mos më thuaj se ka sëmundje të keqe, se e kam djalë të vetëm!
Më e vështirë se sa ajo luftë që bënte me sëmundjen, i dukej përgjigjja e kësaj lutje nëne.
– Sëmundja është e rëndë, por ne do të bëjmë të pamundurën…, – mezi shqiptonte doktor Hektori.
U përkushtuan dhe u angazhuan natë e ditë i gjithë stafi në atë betejë që e dinin se e kishin të humbur. Një kujdes mjekësor që nuk u zvenit në shpirtin e asaj nëne të plagosur aq rëndë. Kështu, një ditë ndërsa kthehej nga puna, edhe pse u mundua t’i shmangej, ajo nënë dëshironte të takohej me doktor Hektorin. I shprehu mirënjohjen për atë çka kishin bërë për djalin e saj fatkeq. E sikur të çmallej me një relike të djalit të vet, puth duart e doktorit. I prekur tej mase, doktori e fton të ulen dhe të pijnë një kafe. Më tepër edhe për të ngushëlluar zemrën e asaj nëne. Por u çua nga ajo kafe edhe më i dëshpëruar, kur mësoi se para dy vjetësh ajo kishte humbur edhe bashkëshortin. Burrë e grua ishin rritur në shtëpinë e fëmijës dhe gëzimin më të madh në jetë kishin atë djalë… Me ditë të tëra përjetoi doktor Hektori shqetësimet e asaj fatkeqësie. Diçka jo e mirë, për një mjek që duhet të jetësa më i qetë dhe i ftohtë përballë të tilla emocionesh. Ndryshe, do të jetë më i dobët në përballjen me betejën e radhës… Por ama, edhe kjo e keqe dëshmon për karakterin dhe virtytet e larta njerëzore të doktor Hektorit, jo vetëm si mjek, por edhe si pedagog. Janë me dhjetëra studentët që kanë përfituar maksimumin e lëndës së sëmundjeve të mushkërive. I veçantë ky mjek i shquar edhe në mësimdhënie. Nuk kanë për të harruar studentët ditët e para të komunikimit me të. Pasionant, i rrjedhshëm dhe i qartë në ligjëratë e nis leksionin me postulatin: “Asgjë nuk kushton aq pak dhe nuk çmohet aq shumë sa sjellja e mirë!”, sepse mjeku nuk i takon vetes, por të tjerëve. Kush nuk mund të realizojë këtë kusht, është në kohën e duhur për t’i dhënë jetës një drejtim tjetër. Pasi u ka bërë testimin e parë shpirtëror, nuk vonon dhe u citon katër vargjet e popullit që i shërbejnë po shëndetit të popullit.
O more njeri me mend!
Mos e kërko në çdo vend,
Provoje në trupin tënd,
Si të dhemb, ashtu më dhemb!
E ku ka më mirë se të përdorësh mençurinë e popullit, në ngulitjen dhe përsosjen e virtyteve humane dhe njerëzore aq të domosdoshme për profesionin e mjekut. Është këndvështrimi dhe metoda që ndjek një pedagog kaq i suksesshëm, siç është doktor Hektori. Ndoshta është momenti për të dëshmuar edhe faktin tjetër, se në bibliotekën e tij prekëm edhe tre libra voluminozë me arritje dhe informacion të mjekësisë botërore për sëmundjet e mushkërive, botime të vitit 2009. Ndryshe nuk do të ishte aq i vlerësuar dhe i dëshiruar nga studentët e mjekësisë. Nuk ndjehet mirë kur shikon se shumica e tyre tymosin cigare, atë armik kryesor që shkakton edhe sëmundjet e mushkërive. Nuk i lodh apo mërzisë, duke u cituar rreshtat që janë shkruar me gërma kapitale edhe në paketat e cigareve. “Humbet” një orë mësimi dhe i shëtit studentët nëpër dhomat e pacientëve, duke i pyetur se sa prej tyre e pijnë duhanin. Vetë llogaria përfundimtare, u jep përgjigjen tronditëse se mesatarisht në 100 veta të prekur nga kjo sëmundjet e mushkërive, 97 pinë cigare.
Një llogari që na kujton një debat të zhvilluar mes mjekësh të shquar në Edinburg të Skocisë. Me siguri që të gjithë studentët e doktor Hektorit do të ndjeheshin krenar për pedagogun e tyre. Këtë kongres botëror mbi “Kontrollin e turbekulozit në shekullin XXI” e drejtonte doktori i shquar John Crofton, personaliteti më i shquar botëror në fushën e sëmundjeve të turbekulozit. Sapo kishte referuar doktor Hektori studimin me temë: “Gjendja epidemologjike aktuale për turbekulozin në Shqipëri”. Për të përgatitur këtë material ishte bërë një punë parapërgatitore voluminoze. Një grup mjekësh kishte bërë depistimin në gjithë vendin tonë. Ishin vizituar mijëra njerëz, prej të cilëve u gjetën 700 të sëmurë me turbekuloz. Ende pa u larguar nga podiumi doktor Hektori, çohet nga salla një mjek zviceran që kishte referuar pak orë më parë për modelet matematikore që mund të përdoren për vlerësimin e gjendjes me një numër më të vogël pacientësh. Çka do të thoshte kohë më e shkurtër pa e cënuar saktësinë e studimit. Me sa duket, emri pak i njohur i Shqipërisë, serioziteti dhe personaliteti i shfaqur nga mjeku shqiptar, kishte ngacmuar egon e sëmurë të kolegut, për të bërë pyetjen:
-Ku e bazoni ju saktësinë e të dhënave për të cilat ju referuat?
Pa humbur qetësinë dhe pa u menduar, doktor Hektori edhe pse kishte ndier ligësinë e pyetjes, përgjigjet:
-Duke mos vënë në dyshim saktësinë e përdorimit të modeleve matematikore për studimin që ju referuat, të dhënat e studimit tim saktësinë e bazojnë në ekzaminimin mjekësor të të gjithë pacientëve…
E si për të mos mjaftuar kjo shuplakë ndërhyn edhe drejtuesi i Kongresit, sër Crofton, duke e bërë të pavlefshme pyetjen e mjekut zviceran:
– Doktor Hektori nga Shqipëria, ka të drejtë!
Para disa muajsh, doktor Hektori, u shpall “Qytetar Nderi i Tropojës”. Nuk janë pak vlerësimet dhe titujt që atij i janë akorduar, por ky i fundit i ngjalli emocion të fuqishëm. Një mirënjohje e merituar që i rrizgjoi kujtimet e viteve 1960-1965 kur shërbeu si mjek në Tropojë. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Mjekësisë, shpresonte se do të emërohej në kryeqytet. Nuk u dëshpërua që iku në veriun ekstrem të Shqipërisë, por edhe të lehtë nuk e pati. Përfytyroni një djalosh 21-vjeçar që del për herë të parë nga Tirana dhe përfundon në Tropojë. Sapo kishte mbaruar specializimin njëvjeçar me doktor Ndroqin. Zonat veriore ishin më të prekura me sëmundjet e mushkërive, për arsye edhe të temperaturave të ulëta. Vetëm një mjek gjeti në Bajram Curr. Detyrimisht që nevoja e bëri të shërbente edhe si patollog, gjinekollog, pediatër etj. Çmon faktin që atje gjeti një personel mjekësor të përgatitur dhe të përkushtuar për punën. Akoma më me fat e quan veten që njohu një njeri të mrekullueshëm, të lindur për humor, siç është mjeshtri Ali Mula. Njohja me të ia bëri edhe më të lehtë kryerjen e detyrës së mjekut, por edhe të përshtatjes me banorët mikpritës dhe shumë të kulturuar. Kjo mirënjohje e veçantë që shkon për mikun e tij të respektuar bën që t’ja falë edhe atë “prezantim” torturues si mjek….
I vendosur përballë një aparati të vjetër skopie, fton pacientin e parë. Shikon që zemra e tij ishte në krahun e djathtë. I bën përshtypje, por jo se befasohet, pasi e dinte që në 10 000 banorë ndodh një anomali e tillë. Mbaron punë dhe fton para aparatit qytetarin e dytë. Fshin sytë, por nuk i largohet e njëjta pamje. Edhe ky zemrën e kishte në krahun e djathtë. Të paktën dhe për një arsye tjetër kjo që po i ndodhte nuk duhej të ishte e pranueshme. I kishin thënë që rrethi i Tropojës kishte rreth 11 mijë banorë. Kjo anomali që po shikonte në aparatin e skopisë, do të thoshte se numri i banorëve duhej të ishte mbi 20 mijë banorë. Nuk e jep veten dhe vazhdon punën. Para aparatit i shfaqet trupi i pacientit të tretë. Dhe përsëri, zemra në krahun e djathtë. I tronditur, heq këmbën nga pedali i aparatit që mbante dritën fikur dhe çohet menjëherë në këmbë. Shikon qytetarin që ishte vendosur me shpinë dhe jo siç duhej me fytyrë nga aparati. Nuk përmbahet dhe ngre zërin, duke i treguar se si duhej qëndruar. Ndërkohë edhe dy të tjerët që ishin duke u veshur i thonë se edhe ne kështu kemi hyrë aty, o doktor.
-Hyfshi dhe mos dalshi më! – u lëshoi mallkimin pa shpirt, por me zë të lartë dhe doli nga dhoma.
Por ditët, muajt dhe vitet në vazhdim e bënë doktor Hektorin njeriun më të dashur të asaj treve. Me vrullin djaloshar, pasionin për profesionin dhe dëshirën për të ndihmuar këta njerëz të dashur, por të zhytur në varfëri, nuk la fshat e shtëpi pa hyrë. I qëllonte që të ecte në këmbë ditën apo natën edhe 12 orë pa pushim. Nuk e harron atë përkujdesje dhe dashuri që tregonin për të si të ishte i shenjtë. Edhe sot kujton kur lëvizte në ditë me borë, para tij borën e hapnin dy njerëz të tjerë për t’ja bërë sa më të lehtë udhëtimin. E si të mos u shërbeje dhe ndodheshe pranë këtyre njerëzve në raste urgjente. Edhe sot në shtëpinë e doktor Hektorit trokasin miqtë e vjetër tropojanë. Kush për hall e kush për ta përshëndetur për të mirat e bëra në ato vite dhe në vazhdim, sepse doktor Hektori duke zbuluar dhe bllokuar të gjitha vatrat e infeksionit në Tropojë, hapi për gjithë jetën dyert e shpirtit dhe u bë mysafir i përjetshëm dhe i mirëpritur në çdo vatër tropojane…
Shikon këtë fotografi të çiftit Çoçoli dhe kushdo dallon se Lirika është më rinore. Por po të hysh në shpirtin e doktor Hektorit, këtë hijeshi dhe bukuri e gjen të shumëfishuar… Aq sa shpirti i tij, ndjehet disa vjet edhe më i ri se bashkëshortja e tij. Jo më kot e quan si një nga mbështetëset dhe frymëzueset e karrierës së tij të suksesshme. Një jetë e gëzuar mes harmonisë dhe mirëkuptimit, dashurisë dhe bashkëpunimit. Edhe sot janë po aq të dashuruar dhe të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, si dikur në sallën e Bibliotekës Kombëtare. Hektori përgatitej për temën e Doktoraturës, ndërsa Lirika studionte për provimet e sezonit. Më shumë se sa tek studimi, e kishin mendjen kur do të vinte pushimi që i bashkonte te koridori. Vërtetë kishin diferencë në moshë, por humori dhe natyra gazmore e Hektorit e bënë për vete menjëherë atë bukuroshe. Sepse edhe tek dashuria më shpejt dhe më sigurtë se çdo gjë, të çon mençuria. Rrjedhshmëria në të folur, çiltërsia dhe komunikimi elegant ia lehtësuan shumë fitimin e betejës atij djaloshi simpatik. Po me barcaletë e nisi dhe e bitisi propozimin. Ishte duke i treguar historinë e një personi që kishte rënë në dashuri me një studente që ai kishte pranë. Ia tregoi aq bukur sa edhe ajo vetë nuk po kuptonte se për kë po binin ato këmbana… Pas heshtjes së tij që priste reagimin e saj, kuptoi se ajo ishte studentja dhe ai personi i dashuruar. E pse duhej vështirësuar më shumë ai propozim kur përgjigjja e secilit prej tyre ishte dhënë prej kohësh nga zemrat e tyre?
-Tek Hektori gjeta jo vetëm njeriun me humor të veçantë, por njeriun e përkushtuar ndaj familjes së tij. Një admirues i zjarrtë i leximit, historisë, gjeografisë, arkitekturës, pikturës, muzikës, udhëtimeve… Është e lehtë të jetohet me Hektorin si bashkëshort sepse jetën ta bën të bukur jo vetëm duke u përshtatur me dëshirat e mija, por e pasuron me intelektin dhe natyrën e tij gazmore…
Nuk ka ç’i duhen më shumë se sa kaq një femre për ta ndier veten mirë dhe të sigurtë, në një jetë të lumtur bashkëshortore.
E dëshmon këtë vetë jeta e tyre, e dëshmon edhe kjo fotografi që shpalos hijshëm gëzimin dhe buzëqeshjen e tyre të përditshme…
AKTIVITETI I PUNËS:
1960 Diplomohet: “Mjek” nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës.
1980 “Kandidat i Shkencave Mjekësore”, në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë,
1983 “Docent” (titull i barasvlefshëm me Prof.Ass), në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë.
1993 “Doktor i Shkencave Mjekësore”,
1994 “Profesor”, Universiteti i Tiranës,
2007 Profesor, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit privat “KRISTAL”
2008 “Profesor Emeritus”
2009 Përshkruhet biografi e shkurtër në Enciklopedinë Shqiptare, botuar në Tiranë, 2009.
Aktiviteti Shkencor:
Ka marrë pjesë aktive në shumë konferenca, simpoziume, kongrese mjekësore si brenda shtetit ashtu dhe jashtë shtetit.
Jashtë Shqipërisë:
Prishtinë (Kosovë)
Ulqin (Mali i Zi)
Shkup (Maqedoni)
Bukuresht (Rumani)
Constanca ( ” “)
Varna (Bullgari)
Athinë (Greqi)
Janinë ( ” “)
Lubljanë (Slloveni)
Ankara (Turqi)
Budapest (Hungari)
Salzburg (Austria)
Rome (Itali)
Palermo (Itali)
Paris (France)
Nicë ( ” “)
Moskë (Rusi
Mainz (Gjermani
Essen ( ” “)
Fraiburg ( ” “)
Edinburg (Skoci)
Londër (Angli)
Wolfheze (Hollandë)
Seattle (ShBA)
Teheran (Iran)
Tunis (Tunizi)
Lome (Togo)
Ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shkencore të zhvilluara në Shqipëri, për problemet e sëmundjeve të mushkërive dhe sidomos për ato të tuberkulozit, të zhvilluara në Tiranë apo në qytetet e tjera të vendit; në konferencat e organizuara me mjekë të huaj; në konferencat mjekësore te organizuara nga specialitetet e tjera ku ka diskutuar për problemet e sëmundjeve të mushkërive. Ka botuar studime të shumta: monografi, tekste mësimore, libra për probleme të tuberkulozit dhe sëmundjeve të mushkërive, artikuj shkencore etj. Botimet janë bërë në Shqipëri dhe në disa revista të huaja.
Thyerja me Kamalën është shumë e thellë, dhimbshme dhe nis me divorcin nga gruaja e tij. Por tani 85-vjeçari i ka ofruar këshilla vajzës së tij
Në vjeshtën e vitit 1962, Universiteti Kalifornian i Berkeley-t ishte tashmë kryeqyteti i protestave të studentëve për të drejtat civile me demonstrata në sheshin “Sproul”, në zemër të kampusit.
Shyamala Gopalan, një studente indiane e endokrinologjisë, ishte magjepsur nga një fjalim mbi pabarazitë sociale të mbajtur në një takim nga Donald Harris, një ekonomist i ri xhamajkan që ishte gati të merrte doktoraturën.
Të dy diskutuan për një kohë të gjatë dhe u takuan përsëri disa herë. Pasioni civil u bë një lidhje romantike: në vitin 1963 ata u martuan dhe një vit më vonë lindi Kamala.
Në rrëfimet e jetës së saj, kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë, përmend shumë shpesh nënën e saj: një studiuese, e cila u nda nga jeta në vitin 2009, e cila ia kushtoi jetën luftës kundër kancerit.
Megjithatë, figura e babait krejtësisht mungon, me përjashtim të një përmendjeje të shkurtër në fjalimin investitor në konventën e Demokratëve në Çikago, pavarësisht se Donald Harris ka kaluar dekada duke studiuar pabarazitë sociale, një temë qendrore për një udhëheqës politik demokrat.
Dhe megjithëse, siç zbuloi gazeta “New York Times”, 85-vjeçari tashmë ish-mësues, ende me shëndet të shkëlqyer, jeton tre kilometra larg rezidencës së zëvendëspresidentes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që shpesh udhëton rreth Uashingtonit me makinën tip Chevrolet-Corvette të tij të argjendtë, të dy nuk dëgjohen pothuajse kurrë dhe nuk janë takuar kurrë në vitet e fundit.
Përjashtimi i vetëm ishte një darkë në Uashington në vitin 2016, kur Kamala u zgjodh senatore nga Kalifornia.
Është shkruar se Harris e mban të atin në distancë, sepse Donald Trump e përshkruan atë në mitingjet elektorale si një ekonomist marksist që indoktrinoi Kamalën.
Por ai, pavarësisht se kishte kritikuar ekonominë klasike nga e majta dhe kishte studiuar punën e Marksit, si dhe të shumë ekonomistëve të tjerë, nga Keynes te Sraffa, nuk ishte kurrë një marksist.
Historia e ndarjes me Kamalën është shumë më e thellë, më e dhimbshme dhe fillon me divorcin nga Shyamala (mamaja) në vitin 1972. As Kamala në kujtimet e saj nuk shpjegon arsyen e përfundimit të marrëdhënies mes prindërve.
Ai përmend vetëm mosmarrëveshjet në rritje dhe vrazhdësinë midis dy akademikëve, ndërsa Donaldi mori poste profesori në universitete të largëta, fillimisht në Illinois dhe më pas në Wisconsin.
Ndarja kishte ndodhur tashmë në vitin 1969. Kur ekonomisti u kthye në Kaliforni – në vitin 1972, afrikano-amerikani i parë që mori një post profesori në Stanford – beteja e divorcit kishte përfunduar.
Dhe babai i Kamalas shprehu hidhërimin e tij që nuk kishte marrë kujdestarinë e vajzave të tij, Kamala dhe Maya, duke akuzuar shtetin e Kalifornias se kishte vendosur që një baba nuk është në gjendje të kryejë rolin e prindërve, duke shtuar, sipas “Times”, “veçanërisht nëse ai prind është një burrë me ngjyrë që mund të hajë fëmijët e tij për mëngjes…”.
Zemërim, ndoshta, edhe ndaj vajzave që zgjodhën të qëndronin me nënën e tyre: inat që Donaldi e ka mbajtur me vete gjatë gjithë jetës.
Bir i sipërmarrësve të pasur xhamajkanë, ai u kthye në Xhamajka kur doli në pension në Stanford dhe autor i një plani të politikës industriale që i lejoi vendit të Karaibeve të përgjysmonte borxhin e tij publik dhe të reduktonte papunësinë nga 15% 10 vjet më parë, në 5.4% aktuale, në vitin 1978, Harris i dedikoi suksesin më të madh të librit të tij (Akumulimi i kapitalit dhe shpërndarja e të ardhurave) dy vajzave të tij. Por ai kurrë nuk donte t’i takonte.
Ai nuk shkoi në funeralin e Shyamalas në vitin 2009, as në dasmën e Kamalas me Doug Emhoff në vitin 2015. Dhe braktisi ceremoninë inauguruese të presidencës Biden-Harris tre vjet e gjysmë më parë.
Por tani ai duket se ka ofruar t’i japë këshillat e tij të politikës ekonomike vajzës së tij, duke i propozuar një takim publik në Baltimorë, shtëpia e fushatës së Kamalas dhe kompanive për të cilat babai i saj është konsulent.Tema
Një president amerikan që në detyrë konsiderohej i dobët dhe pesimist, por që me kalimin e viteve ka arritur të ripushtojë një pjesë të madhe të vendit.
VOAL- Jimmy Carter mbush 100 vjet, presidenti më jetëgjatë në historinë amerikane, i cili qëndroi në Shtëpinë e Bardhë për vetëm katër vjet. Gjysmën e jetës “si ish”, aq sa arritja sot është befasuese, si kur kandidoi për post më 1975.
Jimmy kush? Guvernatori demokrat i Gjeorgjisë, një fermer kikiriku jugor, luajti efektin surprizë: një njeri i zakonshëm për presidencën e Nixon dhe Johnson. Pas skandalit Watergate dhe gënjeshtrave për Vietnamin, ai i ofroi vendit humanizmin dhe busullën e tij morale. Ai fitoi mbi amerikanët, por iu desh të përballej me një komb të zhgënjyer, të testuar nga kriza energjetike dhe recesioni.
Dhe fronti ndërkombëtar theksoi aftësinë e tij – me marrëveshjen e paqes Nobel midis Izraelit dhe Egjiptit – dhe kufijtë e tij. Kriza e pengjeve në Teheran në vitin 1979, 52 amerikanë të mbajtur të burgosur nga regjimi i Khomeinit për më shumë se një vit, ishte elektoralisht fatale për të.
Reganizmi e dërgoi në papafingo epokën e përkohshme të Carter-it… meritat e të cilit do të njihen larg Shtëpisë së Bardhë: për betejat e tij humanitare dhe mjedisin dhe për ndërmjetësimin e tij në konfliktet në mbarë botën, aq sa iu dha një Nobel.
Një dashuri e rifituar me dëshmi personale, krahas dhe kundër sëmundjes, pas një tumori të parë.
Një dëshmi besimi dhe optimizmi punëtor, gjithmonë përkrah të dashurës së tij Rosalynn pranë tij për 77 vjet. Me rastin e funeralit të saj, nëntorin e kaluar, dalja e fundit publike e Jimmy Carter.
“Ai është shumë i kufizuar në atë që mund të bëjë. Ai nuk mund të flasë në telefon. Ai ndjek lajmet dhe kur e pyetëm nëse ishte i emocionuar për ditëlindjen, ai tha po, por aq më tepër për të votuar për Kamala Harrisin”, thotë Jason Carter, nipi i Jimmy Carter dhe president i Carter Center.
Një të diel të janarit të vitit 1925, gazeta “Indipendenca Shqiptare” lajmëronte në faqen e saj të parë: “Zija Dibra u vra. Ish-kapiten Zija Dibra, ministër tjetër herë në kabinetin e Pandeli Evangjelit, i akuzuar për çështje bolshevike, tek internohej në Berat, duke kaluar katundin Harizaj të Qarkut të Kavajës, u mundua të arratisej e t’ikë prej duarsh nji aspiranti, i cili e shoqnonte deri në Berat. Kështu, duke qenë i hypur në kalë, atë e ngau me gjithë fuqinë, përpara. Aspiranti i bërtiti nja dy herë të qëndronte, por mbasi s’e dëgjoi, e qëlloi në kokë dhe e rrëzoi të vrarë prej kalit”.
Zija Dibra, figurë e njohur e politikës shqiptare të fillim-shekullit XX u vra në të njëjtën ditë kur në Tiranë shpallej republika me president Ahmet Zogun tashmë të kthyer triumfator nga Jugosllavia. Vetëm pakkush e besoi versionin zyrtar të vrasjes. Zija Dibra, njihej si kundërshtar i vendosur i Ahmet Zogut, ai vetë kishte marrë pjesë si ushtarak në kryengritjen e drejtuar nga Hasan Prishtina në 1921.
Në 1923-in, bënte pjesë në një organizatë antizogiste të themeluar në Vjenë, nga Aqif Pashë Elbasani. Në qershor të 1924-ës, kishte luftuar me armë në dorë, në krah të kryengritësve, pastaj ishte vendosur në garnizonin e Shkodrës. Në vitin 1924, Noli e kishte dërguar Zija Dibrën, për t’i mbushur mendjen Elez Isufit, që të mos bashkohej me Zogun.
Dibra ia arriti t’i mbushte mendjen Elez Isufit, duke u kujtuar dibranëve armiqësinë e kahershme me serbët dhe duke përdorur edhe një shumë të majme parash. Njerëzit e Zogut, i kishin të gjitha arsyet për ta hequr qafe, por jo vetëm se ishte fanolist…! gsh
Komentet