Afërdita Havari*
E mbaj mend me hollësinë më të madhe se çfarë ndodhi atë ditë. Ishin dhjetëra mijë qytetarë të Tiranës, burra e gra, nëna, motra, vëllezër, të rinj e të reja që mbushnin mjediset e kinoklubit “Studenti”, ku bëhej greva e tyre. Ne i mbështesnim studentët me fjalime, thirrje, këngë patriotike. Atë ditë, masës së banorëve të Tiranës iu bashkuan edhe qytetarë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, me mesazhin: “Duam paqe, jo luftë”.
Ne, nënat e disa prej studentëve, ishim tek shkallët e kinoklubit. I ndiqnim me shumë vëmendje lëvizjet e mjekëve që shërbenin në salla, sepse disa prej studentëve shfaqnin shqetësime shëndetësore. Djali i Mano Gogut, njërës prej nënave që ishte me ne, kaloi në një gjendje të rëndë. E shqetësuar, ajo bërtiti: “Po na vdesin djemtë!”
Të revoltuara për qëndrimin e qeverisë dhe të Ramiz Alisë në lidhje me grevën dhe sidomos me lajmin që u përhap se do t’i nxirrnin me forcën e armëve studentët nga greva e urisë, ne, një grup prej 15 grash, vendosëm së bashku dhe me qytetare të tjera të shkonim tek Ramiz Alia si president, t’i kërkonim heqjen e emrit të universitetit me normalitet dhe pa dhunë.

Afërdita Havari
Kur u nisëm, mes brohoritjeve të qytetarëve që ishin pranë kinoklubit, ne lamë porosi të mos vepronin pa u kthyer ne nga Presidenca me çfarëdolloj vendimi.
Rreth orës 10.30-11.00, ne mbërritëm tek hyrja e Presidencës nga rruga “Abdyl Frashëri”.
Oficeri përgjegjës i rojeve të Presidencës, “Sotiri”, u përpoq të na largonte. I kemi thënë: “Jemi qytetare, nëna të studentëve; nuk largohemi sepse presidenti duhet të na takojë patjetër.”
Në çastet kur ne po bisedonim, një IFA kamion ndaloi dhe policë të forcave speciale u afruan tek ne. Pati nja dy që goditën disa gra, por urdhri i shefit të tyre e ndaloi dhunën. Kalimtarë filluan të na bashkoheshin. Duke iu frikësuar revoltës, Sotiri na shoqëroi në godinën ngjitur, në një sallë pritjeje në katin e parë.
Aty ne ishim 15 gra:
1. Afërdita Havari 2. Loreta Plumbi 3. Xhixhi Batku 4. Fatime Alla 5. Yllka Hida 6. Natasha Aliu 7. Flutura Baleta 8. Ariana Dule 9. Mirela Pollozi 10. Mano Gogu 11. Zhaneta Zari 12. Feride Topulli 13. Liri Hafizi 14. Zhuljana Shabani 15. Lumturi Muça. Na shoqëruan, por nuk u regjistruan për takim: Jorgjie Sulaj dhe Ylli Sulaj.
Aty patëm përsëri presion për të hequr dorë nga kërkesa jonë për të takuar Ramiz Alinë, por ne këmbëngulëm ta takonim, bile ata na thirrën një e nga një për të na mbushur mendjen. Ramiz Alia nuk erdhi, por rreth orës 12.30-13.00 dërgoi për të na takuar ne Lumturi Rexhën, Eleni Selenicën dhe Sihat Tozajin, të cilët ne refuzuam t’i takonim.
Lumturi Rexhës i thamë që ti në këtë rast duhej të ishe me ne si nënë. Ajo nuk u përgjigj. U larguam nga Presidenca të revoltuara dhe u nisëm drejt qytetit “Studenti”. Kur mbërritëm tek sheshi i universitetit, të kapura krah më krah me thirrje kundër qeverisë, kanë dalë për të na parë ne tek shkallët e Muzeut Arkeologjik Neritan Ceka dhe dy punonjëse të veshura me grykëset e punës.
Morëm drejtimin nga stadiumi “Qemal Stafa”, tek rruga “Dervish Hima”. Një punonjës i Presidencës, ai që mori emrat tanë shënim, na arriti me vrap dhe shumë i shqetësuar kërkoi që njëra prej nesh të kthehej dhe të takohej me Ramiz Alinë, pra vetëm një. Ne refuzuam sepse e pritëm që të ballafaqohej me kërkesën tonë pothuajse tri orë. Ai nuk përfilli as kërkesat tona dhe as të studentëve, prandaj nuk kishte pse të shkonte njëra dhe të bisedonte me të, sepse aty duhej të ishte dhe zëri i studentëve të tjerë dhe nënave te tyre.
Rrugën “Dervish Hima” pranë ambasadës franceze na i bllokuan forcat policore dhe ushtarët, bile ata ushtruan dhunë ndaj nesh. U kthyem për të marrë rrugën e ambasadave çeke dhe gjermane. Tamam tek vila dy katëshe përballë stadiumit, u ndeshëm përballë me Napoleon Roshin dhe Arben Xhixhon. Iu dhamë intervistë për atë çfarë na kishte ndodhur në Presidencë dhe pas kësaj u futëm në rrugën e ambasadave.
Ishim jashtë çfarëdolloj ngjarjeje që ndodhte tek studentët. Po na pengonin për të shkuar. Tamam në këto çaste, përballë ambasadës çeke, Fiqiri Sejdiaj, telekronisti i TVSH-së sëbashku me një operator, po ktheheshin nga studentët me vrap në drejtim të Televizionit. I kërkuam të na intervistonte. U tregua i gatshëm. I shpjeguam përpjekjen tonë për të takuar Ramiz Alinë dhe se si ai nuk na priti. I shpjeguam që ne ishim krenare për veprimet e fëmijëve tanë, sepse ata bënë atë të cilën ne nuk e arritëm dot.
Tek jepnim ne intervistën, u dëgjuan të shtëna armësh. U shqetësuam shumë. Aty morëm vesh që masa e qytetarëve ishte nisur drejt sheshit “Skënderbej”.
Me vështirësi u kthyem tek studentët. Aty kishin mbetur disa qytetarë në krah të studentëve dhe ne u bashkuam me ta.
Pas mbërritjes sonë aty, erdhën edhe Leka Meksi me Arben Imamin. Ne, komunikonim ndërkohë shumë me studentët, i jepnim zemër njëri-tjetrit.
Lajmin e heqjes së shtatores e solli tek studentët një djalë me motor, i veshur me një xhup të zi. Na tha se populli shtatoren po e tërhiqte zvarrë nëpër rrugët e Tiranës. Atë do ta sillnin tek studentët, sepse ata ishin prurësit e një sistemi të ri.
Shpërtheu një gëzim i paparë dhe brohoritje tek studentët. Ishte fitorja e madhe e një brezi të ri mbi diktaturën.
Ne na habiti fakti që pse nuk na priti Ramiz Alia. Nuk e kuptuam qëndrimin e tij për këtë problem në atë kohë.
Nuk u kuptua kurrë se ku përfunduan ato intervista që u regjistruan dhe pse nuk u transmetuan kurrë. Kush i pengoi ato intervista të mos jepeshin? E bëra këtë shkrim sepse prej kohësh kam vënë re që të paktën për këtë problem janë bërë interpretime të ndryshme nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këtë ngjarje.
*Ish-mësuese e letërsisë në gjimnazin ‘Partizani’
Komentet