Më parë i ka dëgjuar emrin, e më pas një miqësi e ngushtë që zgjati për vite me radhë. Ish kryeministri Aleksandër Meksi ka mjaft kujtime me Maks Velon, ku në një intervistë për tirananews na rrëfen detaje nga jeta e Maksit, intelektualit të pavarur që nuk përzihej, por kishte opinionet e tij të cilat i thoshte dhe publikisht.
“Qëndrimi i tij ndaj rastit të teatrit tregoi sheshit që nuk ishte nga ata që blihet, as shitet dhe nuk bën kompromise. Ishte një mendje e vyer dhe e veçantë e kulturës shqiptare”, thotë z. Meksi.
Ish-kryeministri Meksi rrëfen edhe një ngjarje të patreguar më parë, se si Velo përkundër tentativës së Sigurimit të Shtetit të asaj kohe për ta përdorur kundër tij, refuzoi duke marrë përsipër edhe koston në kalvarin e vuajtjeve të tij të pafundme në burgun e Spaçit.
Dje është ndarë nga jeta z. Velo. Nisur dhe nga statusi juaj i djeshëm, duket që keni pasur një njohje të hershme. Mund të na tregoni diçka se si e keni dëgjuar për herë të parë emrin e tij dhe raportet më pas?
Maksi është një personalitet i kulturës shqiptare dhe vlerësimi për të duhet bërë pikërisht për veprimtarinë e tij dhe sjelljen e tij në përgjithësi në fushat në të cilat lëvronte. E bëra këtë hyrje sepse shoh që ka persona të veçantë të cilët nuk e kanë atë mënyrë gjykimi që individin ta ndajnë nga opinionet e tyre kur e vlerësojnë. Çdo njeri ka të drejtën që të ketë opinione të ndryshme për gjëra të ndryshme, për mënyrën e gjykimit, për veprimtari, për fusha etj., etj. Pra nuk është një arsye për të denigruar aq më tepër kur njerëzit vdesin.
Unë Maks Velon e kam njohur së pari si emër, atë dhe vëllain e tij Pirro Velon, vëlla më i madh mjek, sepse kanë qenë nxënës të gjimnazit të Tiranës ku jepte mësimin e Historisë në vitet ‘50 edhe im atë. Në atë kohë kuptohet që kishte mundësi të pakta për regjistra suplementarë dhe pedagogët mbanin një fletore ku shkruanin listën e plotë të nxënësve dhe unë meqenëse shkruaja mirë me penë, im atë më jepte që të kopjoja nga regjistri tërë emrat që ai vinte notat siç vinte në regjistër. Kështu që shumë prej atyre emrave në atë kohë më ngelën në mendje.
Po më pas në Universitet e keni parë?
Unë në vitin 1955 kam filluar studimet në Institutin e Lartë Politeknik në degën e Ndërtimit. Isha fare i ri, 16 vjeç e gjysmë dhe për shumë nga nxënësit e vjetër të gjimnazit, por edhe të tjerë që mund të kisha mënyra të ndryshme njohjeje, isha sit ë thuash i përkëdheluri, apo i mirëtrajtuari kur bëheshim grumbull apo nëpër korridore etj. Një ditë bëhet mbledhja e Rinisë së Institutit, aty në sallën e madhe te ndërtesa ku sot është gjimnazi “Qemal Stafa”, sot në fund të rrugës së Durrësit. Unë isha bashkë me disa të tjerë të rinj fare. Duhet kuptohet që në atë kohë në shkollat e larta hynë ata të cilët e kishin filluar në moshë të madhe shkollën, patën ndërprerje nga lufta. Dhe vitet e sipërme qenë me diferencë të madhe moshe nga ne. Qëndruam në rreshtin e fundit duke ngacmuar dhe mos dëgjuar se çfarë po thuhej. U mbajt Raporti nga Nuredin Pumo, Sekretar i Rinisë i Institutit dhe u përmendën gjëra, vërejtje dhe vetëm një emër, emri i Maksit. Filluam diskutimet dhe një djalë përpara nesh, një rresht përpara nesh, u ngrit dhe bëri disa vërejtje . Bëri vërejtje që aty u përmend vetëm një emër, emri i Maks Velos. Dhe ashtu siç ishte tha: -“Maks Velo jam unë”.
Ne e shihnin nga mbrapa po si fytyrë e kishim parë korridoreve. Dhe ne si më të vegjël që ishim filluam të qeshim. Ktheu kokën na pa. Më vonë me Maksin sigurisht kam pasur rastin të njihen gjatë atyre viteve se ai ishte në vitin e katërt, ne në vitin e parë dhe atë vit nga 4 vjeçar u bë 5 –vjeçar Instituti. Më vonë me Maksin jam njohur kur ai punonte si arkitekt. Kam qenë gjer në vitin 1962, ku punova dhe jam kthyer në Tiranë dhe kam patur rastin që të njihem me të, nga miqësitë e përbashkëta, arkitektë, ku ai punojë Instituti etj dhe më vonë në zyrën e projektimit të Tiranës. Kemi pasur rastin të bisedojmë sepse dhe ai kishte interesa për fusha të ndryshe dhe në fushën e historisë së artit, kishte miqësi me ata të sektorit të artit , të restaurimit me të cilët punoja unë në Universitet, aty ku është Muzeu Arkeologjik dhe kemi pasur rastin të njihemi dhe kjo miqësi ka vijuar për vite me radhë. Flisnin për libra, për muhabete të ndryshme siç i takonte rasti.
Z. Velo gjithnjë është dukur një person debatues?
Është e vërtetë që Maksi ishte pak i ndryshëm nga të tjerët, në kuptimin që shumë vetave mund t’u dukej i çuditshëm, por mua nuk më është dukur i tillë.
Ishte pak i shoqërueshëm me njerëz, kishte interesa që përgjithësisht pakica i kanë, interesa për artin për të bukurën për librat dhe bota e tij ishin pikërisht këto.
Më vonë Maksi projektoi dhe u bë i njohur me lulishtet dhe më pas projektoi dhe pallatin e famshëm pas pallatit të kulturës dhe pati një goditje në vitin ‘74. E larguan nga Instituti, nga projekti dhe zyra e Tiranës dhe të punonte në zonën e Ndroqit. Dhe për Ndroqin pati kryer disa punime, studime arkeologjike dhe arkitekture dhe me ne pati kontakte më të shumta dhe e patëm ndihmuar që të mund të botonte artikuj, sepse dihej që atëherë të botoje botime në revista zyrtare edhe mund të kishte vështirësi. Por duke qenë se drejtori që kishim ne Gani Strazimiri ishte tolerant dhe kishte njëfarë peshe në strukturat e shtetit për njohjet e tij, Maksit i botuam disa herë.
Mbaj mend një ditë isha në autobus duke udhëtuar dhe siç ishim duke u mbajtur, dikush më godet në sup pas. Nuk e njoha kurrë atë person, nuk pata mundësi që ta kthej kokën se kështu më kërkoi, duhet të ishte ndonjë i njohuri im dhe më thotë me zë të ulët: Leka kujdes se mbrëmë kanë arrestuar Maks Velon. Se dihej që kishim një miqësi, flisnim me njëri-tjetrin kur Maksi dilte për xhiro i vetmuar gjithnjë para Dajtit. Ne ecnim në trotuar, ndonjëherë dhe në mes siç të qëllonte me shokët, ishte një ritual i përhershëm në Tiranë.
Dihet që ishin vitet 77-79 ku pati realisht një terror të vërtetë ndaj intelektualëve.
Diheshin si u dënua sepse njerëzit flisnin, kishim miq të përbashkët. Kur doli nga burgu Maksi unë e pata takuar dhe e pata ndihmuar që të fillonte punë tek Fabrika e Abrazivit që ishte një punë pak e vështirë për arsye të pluhurit që thithje. E pati ndihmuar Ali Oseku dhe në burg dhe përtej.
Vijuat të takoheshit edhe pas burgut që ai kreu?
Diku pasi Maksi ka dalë nga burgu jemi takuar me Maksin. E mori vesh se ku banoja, ka ardhur dhe për vizitë disa herë në shtëpi ku bisedonim e dëgjonim dhe muzikë në magnetofon. Një ditë i them Maksit, sepse më duhej që ta njoftoja: -“Shiko Maks se unë ndiqem. Kështu që ki kujdes se mund të kesh pasojë jam i detyruar që të them”.
Maksi më përgjigjet: -“E di unë këtë”.
“Si e di ti?”-i them.
Dhe më tregoi historinë. –“Një ditë më thirrën në komandën e Kampit në Spaç dhe më thanë që shiko se nesër vjen një njeri i madh nga Tirana dhe ji serioz. Të nesërmen erdhi Zef Loka, shef i Sigurimit për Tiranën, kandidat i Komitetit Qendror dhe ndër të tjera më pyeti: -Si e njeh Aleksandër Meksin? Dhe ai thotë:- Nuk e njoh.
“Si nuk e njeh”,- i thotë, Aleksandër Meksin, në Institutin e Monumenteve.
-O Leka, ne e njohim me emrin Leka atë, nuk kam ndonjë miqësi me të. Unë kam qenë nxënës i të atit, njoh të vëllanë e tij sepse kemi qenë dhe me diferencë moshe në shkollë etj.
Me një fjalë Maksi, kuptohet se nuk e thirrën për të më bërë biografinë mua, por që ta përdornin siç janë thirrur dhe të tjerë. Kështu që Maksi u soll burrërisht dhe bëri gjithë ato. Më vonë unë pata mundësinë që ta shoh këtë fakt që më pati thënë Maksi, në të cilën shkruhej për Maksin që mbajti një qëndrim të keq, pra ishte një minus për të që nuk pranoi të dëshmonte, të spiunonte, të shante etj. Në atë kohë gjithmonë kërkoheshin dëshmitarë të rastit, persona që mund të kenë njohje etj.
Po pas viteve ’90 keni pasur njohje?
Më vonë, Maksi iku në Francë pas ‘90 dhe u kthye në vitin 1992. Mbaj mend që i pata thënë drejtorit të atëhershëm të Institutit të Projektimit Petraq Kolevica që ishte gjithashtu një mik i joni, që merre Maksin në punë. Ai e thirri, por Maksi do të ikte jashtë dhe nuk pranoi.
Që atëherë Maksi ishte një intelektual i pavarur në kuptimin që nuk përzihej, por si gjithë intelektualët kishte opinionet e tij të cilat i thoshte dhe publikisht. Jo siç shohim sot ndonjë që fillon e shan dhe bën vërejtje me atë urrejtje ndaj çdo gjëje, ndaj çdokujt që nuk i pëlqen që është i ndryshëm nga ai. Maksi nuk qe një person që qe i veshur me pushtet, bënte vërejtje siç është zakoni t’i bëjnë të gjithë, po nuk i bënte nëpër kafene, por i bënte publike nëpër televizione dhe meqenëse vërejtjet e tij mund të ishin të dobishme, kjo është një karakteristikë pozitive.
Sigurisht kishte temperamentin e tij që mund të mos i pëlqente ndokujt, por Maksi ishte një intelektual në kuptimin e plotë të fjalës, njihte disa gjuhë të huaja, kishte interesa të shumta, interesohej për artin mesjetar, për pikturë si studiues dhe me botime në ato fusha. Ishte vetë krijues si piktor dhe gdhendës’ punime në dru ka pas bërë. Vazhdoi të punojë dhe të krijojë, ka bërë një sërë librash, shumicën e tij unë i kam, janë libra, gjykime të asaj që ka ndjerë në burg dhe pas. Sigurisht që Maksi ishte një figurë poliedrike, që u mundua të kontribuonte për aq sa ishin aftësitë e tij, për atë dhunti që kishte në drejtim të artit dhe të arkitekturës në mënyrë fare normale, njerëzore. Nuk para shante njeri, sigurisht që bënte kritika për njerëz dhe veprimtari të caktuara, por duhet të mësohemi që njerëzit nuk janë të tërë njëlloj. Në atë diversitet të njerëzve është forca shtytëse e përparimit të njerëzimit. Sigurisht që ka njerëz që mund të kenë opinione negative për diçka, opinion pozitive për diçka.
Maks Velo është realisht një person që do t’i mungojë jetës kulturore të Tiranës. Njohjet e tij me persona të lidhur me pushtet shpesh herë interpretoheshin sikur i shërbente sepse qëndrimet në raste të caktuara mund të kenë qenë në përputhje me një politikë të caktuar.. Qëndrimi i tij ndaj rastit të teatrit tregoi sheshit që nuk ishte nga ata që blihet, as shitet dhe nuk bën kompromise. Ishte një mendje e vyer dhe e veçantë e kulturës shqiptare.
A ka pasur ndonjë histori të veçantë nga jeta e Maks Velos që mund të na rrëfeni?
Do të shtoj dhe diçka të veçantë. Njëherë hyra në një kafe Kursali, në vitet 72-74 dhe e pashë ulur pranë murit ne një tavolinë mbështetur te muri bashkë me një grua, një vajzë, bionde me flokë të shkurtra. Shkoj dhe i dhashë dorën Maksit dhe kësaj zonjushës. Ajo mu përgjigj në frëngjisht dhe unë u përgjigja dhe mora vesh që ishte Odile Daniel, një studiuese që kishte ardhur në Shqipëri, një studiuese për kulturën shqiptare për etnografinë shqiptare që pati folur dhe më vonë, që kishte pasur dashuri me Maksin dhe deshën të martoheshin dhe kjo sigurisht edhe e rëndoi me sa di unë Maksin. Maksi duhet vlerësuar për punën e tij. Pati punuar me ekipin bullgar në fillim për lulishtet, për parkun e madh të Tiranës, pati krijuar mjaft gjëra interesante. Pati punuar me arkitekturën. Mbaj mend kinemaja në Laprakë ishte vepër e Maksit dhe plot punë të tjera. Ka shkruar për historinë artit, për periudhën e socializmit, ka shkruar libra për jetën në burg, për probleme të ndryshme dhe për këtë është një personalitet i kulturës shqiptare. Sigurisht që humbja e tij, për ata të cilët e njihnin Maksin, që kishin miqësi me të, është një rast për të ndjerë dhembshuri për të, keqardhje aq më tepër që iku pa u ndjerë si u thonë.
Keni biseduar me Maksin në atë kohë kur ju ishit kryeministër? Si e shikonte Maksi Shqipërinë në ato vite duke pasur parasysh shpirtin tij kritik, ashtu sikurse ndodhi në fakt edhe me Ramën kur erdhi në pushtet?
Maksi ishte një person që bënte vërejtje, që kishte mendimet e tija, një mendimtar i lirë. Njerëz të tillë i duhen bashkësisë. E nuk ka pse të jenë subjekt denigrimi, fyerjesh, shpifjes e subjekte për “urrejtësit”. Ne asnjë vend të botës më shumë se 50- për qind nuk janë me qeverinë kurrë… e as me ty. Vërejtje do ketë gjithnjë, rëndësi ka si i mbron ata qeveria për këto kritika ndaj njerëzve të veshur me pushtet. A janë hakmarrës ndaj atyre që bëjnë vërejtje etj. Nuk di të thotë dikush që kam bërë ndonjë rast të tillë. Me Maksin nuk kam patur kontakte në atë periudhë, por përmenda rastin e mikut të përbashkët Kolevicën dhe duke e ditur se Maksi mund të kishte nevojë. Por në fakt ai shkoi jashtë dhe bëri një jetë të pavarur. Jam takuar gjithnjë më vonë nëpër promovime librash.. ndonjë konferencë, në rrugë në zonën ku shëtiste, zonën e bllokut e këtej. Kur jemi parë i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit dhe kemi bërë muhabet.
Largimi i pa pritur nga kjo botë është një humbje për të tijtë, për miqtë e bashkësinë….RIP/ tirananews.al
Intervistoi: L. Tanushi
Komentet