Dritëro Agolli, shkrimtari i njohur, ish-anëtar i KQ të PPSH-së, ish-deputet i PPSH-së dhe i PS-së, ka hedhur dritë mbi kohën e PSSH 31 vite më parë.
Në një intervistë të dhënë më 12.06.2009, botuar te libri “Trashëgimtarët”, i shtëpisë botuese “Ideart”, botimi II “UET press”, Agolli ka folur për situatën në të cilën ndodhej PPSH gjatë periudhës së lëvizjes demokratike të ‘90-ës, problemet e brendshme të partisë dhe si ajo ndryshoi emrin nga PPSH në PSSH. Sipas Agollit, PSSH nuk ka themelues për shkak se vetëm u ndryshua emri i partisë. Dritëro Agolli tregon detaje nga përgatitjet e Kongresit të parë të partisë dhe rolin e ish-Presidentit Ramiz Alia. Ish-anëtari i Komitetit Qendror zbardh debate të forta për ideimin e luftës së klasave.
“Pati vërejtje, sepse bëhej fjalë për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj figurës kryesore të PPSH-së dhe të kaluarës së kësaj partie”, shprehet Dritëro Agolli. Ai kujton se një ditë para se të bëhej Kongresi, nga presioni i jashtëm u përjashtuan të gjithë anëtarët e Byrosë, përveç Ramiz Alisë. Dritëro Agolli tregon se si Fatos Nano hezitoi të bëhej kryetari i PSSH-së dhe çfarë kërkoi ai para se të merrte drejtimin e PSSH-së. Ai zbardh kritikat e tij ndaj Enver Hoxhës, revoltën me ulërima të sallës deri te kërcënimet me jetë…
INTERVISTA
Z. Agolli, si kaloi PPSH-ja nga parti komuniste në parti pluraliste?
Para se të vinte pluralizmi, ishte vendosur që të bëhej Kongresi X i PPSH, sepse kishin kaluar katër vjet. Zakonisht kongreset e PPSH-së fillonin më 1 nëntor, me qëllim që më 8 nëntor, që ishte edhe themelimi i partisë, të mbaronte kongresi. Në çdo katërpesë vjet bëhej Kongresi i radhës dhe binte në nëntor të vitit 1991, përvjetori i PPSH-së, prandaj kongresi duhej të bëhej në nëntor të ‘91-shit. Ndodhën ato ngjarje që ndodhën, prandaj Kongresi u bë më përpara. Dy kongrese kanë ndërruar datë dhe s’janë kryer në nëntor, sipas planifikimit.
I pari, me sa mbaj mend, por duhet saktësuar, është ndryshuar më 1956, u zhvillua në një muaj tjetër dhe jo në nëntor, por ishte edhe ai i vitit 1948, sepse ishte prishja me Jugosllavinë. Ndërsa në vitin 1956 kishin dalë disa probleme të luftës brenda PPSH-së. Por e kam fjalën që ky kongres u bë më shpejt, sepse kishin lindur probleme, që erdhi pluralizmi. U bënë zgjedhjet e marsit ‘91, zgjedhjet ku u bë President Ramiz Alia. Emri i partisë ishte PPSH dhe ajo fitoi në këto zgjedhje. Atëherë Parlamenti ishte i përbërë nga 250 deputetë dhe vetëm 70 deputetë mori PD-ja. Të tjerët i mori PPSH-ja. Partitë e tjera nuk arritën dot të merrnin asnjë deputet. Ato partitë e vogla ekzistonin, por ende nuk kishin mbërritur të bënin aleanca me partitë e mëdha dhe s’mundën të fitojnë asgjë nga këto zgjedhje. Se kuptohet që partitë e vogla gjithnjë përfitojnë nga partitë e mëdha. Partitë e vogla s’fitojnë dot vetëm, pa aleancë me partitë e mëdha. Pra, duhej bërë ky kongres në pranverë.
U vendos të caktoheshin komisionet për përgatitjen e kongresit. Ishin disa komisione. Një komision nga ekonomia, një nga ideologjia, një nga kultura e arsimi etj. Këto komisione drejtoheshin nga Ramiz Alia dhe nisën punën për përgatitjen e Kongresit. Ata përgatitën raportin për Kongresin dhe u paraqit varianti i parë. Ai variant u hodh poshtë, jo në kuptimin e votave, por u paraqit në sekretariatin e Komitetit Qendror dhe pati vërejtje. Pati vërejtje, sepse bëhej fjalë për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj figurës kryesore të PPSH-së dhe të kaluarës së kësaj partie.
Cilat do të ishin kritikat, qoftë ndaj Enver Hoxhës, qoftë ndaj KQ të PPSH-së? A do të kishte kritika për luftën e klasave, e cila ishte një ndër gabimet e mëdha të PPSH-së? Ishte një luftë klase e fortë, e tërbuar, e pashpjegueshme. Bashkë me luftën e klasave, çfarë vërejtjeje i duhej bërë Sekretarit të Parë të PPSH-së, që ishte Enver Hoxha?
Dhe këtu kishim probleme, se mirë për luftën e klasave mund të bëheshin kritika dhe mbyllej lehtë si debat, por kush ishte ai që e ideoi këtë luftë klasash dhe ç’rol kishte Enveri atje? Pra, këtu ishin polemikat. Sa të meta do t’i vëmë Enver Hoxhës. Kur ne kritikojmë një njeri edhe në kushtet aktuale, marrim shembull një analizë në PD, në Këshillin Kombëtar të saj, çfarë kritike mund t’i bëjnë ata Sali Berishës? Do t’i thonë se është pak gjaknxehtë, shpejtohet etj. si kjo? Por këto nuk janë kritika të forta, sepse edhe mua mund të më thuash dhe s’më mbetet hatri që filani është i ngadaltë, i merr zvarrë punët etj.
Ndonjëherë inatoset, por mua nga kjo nuk më vjen ndonjë zor i madh. Po të më thonë se ky ka bërë gjëra të këqija me qëllim, se është kriminel, se ka vrarë këta njerëz, ka bërë këtë apo atë, atëherë një individ tërbohet dhe reagon keq. Pra, në këtë kontekst, bëhej fjalë për figurën kryesore dhe vërejtjet ndaj tij. Në raportin e parë që u paraqit, vërejtja ndaj Enverit ishte se ai duhej të mendohej më shumë, të bënte një punë më kolegjiale, që të mos ndodhnin këto gjëra. Në raport nuk flitej për kritikë serioze ndaj kësaj figure. Pra, nuk kishte thelb të çështjes. Prandaj raporti nuk u pranua dhe filloi të punohej varianti i dytë. U krijuan tri-katër grupe të tjera për të punuar bashkërisht dhe për të vendosur për raportin, i cili përsëri i paraqitej sekretariatit të Komitetit Qendror.
U hartua varianti i dytë dhe përsëri kishte vërejtje dhe nuk u ra dakord. Pastaj u bë varianti i tretë. Varianti i tretë paraqitej si një kritikë më e fortë për Enverin, por përsëri e sipërfaqshme dhe jo thelbësore. Nuk bëhej fjalë për kritikën reale, se cilat ishin arsyet që ky sistem arriti deri në këtë pikë? Ishte një sistem që kishte shkatërruar gjithçka. S’kishte pronë private, s’kishte liri fjale, s’kishte ekonomi, s’kishte asgjë. Pse u ashpërsua kaq shumë lufta e klasave? Sepse po të ishte lënë e lirë popullsia, të thoshte atë që mendonte dhe të zbutej lufta e klasave, atëherë kishte rrezik që të rrëzohej udhëheqja, sepse kritikat do të ishin më të hapura dhe për pasojë, nuk do të drejtonte dot një njeri.
Të gjitha këto që thashë nuk ishin në raport, as në të fundit. Tashti, ka plot nga ata që thonë se unë punova për këtë raport dhe për atë raport. Hiç fare. Me raportet e para që do të bëheshin kritika e më the e të thashë, edhe ai që u mbajt në Kongres, nuk ishte ndonjë gjë e madhe, ishte raporti që mbajti Xhelil Gjoni. Pra, ata që dalin dhe thonë sot se kam punuar për këtë raport dhe kam bërë këtë kritikë, thonë gjepura. Nuk është e vërtetë.
Si ndodhi?
Një ditë para se të bëhej kongresi apo dy-tri ditë, u ngrit në KQ, edhe nga presioni i jashtëm, edhe nga presioni i disa anëtarëve të KQ-së, që duheshin përjashtuar të gjithë anëtarët e Byrosë, që të mos vinin në Kongres. Një natë para se të bëhej Kongresi, ata u përjashtuan. Në Kongres nuk kishte asnjë anëtar të Byrosë Politike. Aty ishte veç Ramiz Alia, i cili ishte President në atë kohë dhe rrinte në lozhë bashkë me personalitetet e tjera të vendit. Të tjerët, që nuk ishin anëtarë të Byrosë, si Nexhmije Hoxha e të tjerë, që ishin anëtarë të KQ dhe jo anëtarë Byroje.
Në seancat e para, por edhe para Kongresit, ishte menduar që të bëheshin diskutime, që do të mbetej emri i kësaj partie, që ishte në Parlament dhe që kishte shumicën. Do të mbetej PPSH apo do të ndryshonte? Disa thanë që ky është emër shumë i bukur dhe s’ka pse të ndryshohet. Të tjerët thoshin se duhej ndërruar, se e ka namin jo dhe aq të mirë. Në vendet e tjera të Lindjes, partitë e kësaj natyre ndërruan emrat, si në Bullgari, Hungari, Rumani etj. Më fanatikët ishim ne dhe Bullgaria, Rumania etj., ndërsa vendet e tjera, si Hungaria, Polonia etj., ishin në një sistem më të butë socialist se ne.
Pra, u ngrit debati për ndryshimin e emrit dhe filluan të diskutoheshin disa emra. Disa propozuan një emër, Parti Progresiste, Partia e Re, disa propozime të tjera etj. Por para Kongresit nuk u arrit në asnjë vendim. Aty nga fundi i kongresit, u vendos që t’i lihej emri Partia Socialiste. Një ditë apo dy ditë para Kongresit u vendos për këtë çështje. Me sa mbaj mend, një grup nga ata që nuk kishin shumë përgjegjësi, nuk drejtonin asgjë në Kongres, si p.sh. Servet Pëllumbi, propozuan që t’ia vendosin emrin pikërisht PS. Pra, në këtë grupim u vendos për emrin, por pasi ishte diskutuar gjerësisht me të gjithë, përfshirë këtu edhe Ramiz Alinë.
Edhe pse Ramizi ishte President, ai kishte ende influencë të fortë në parti, deri në atë pikë, sa pa fjalën e tij s’mund të bëhej asgjë. Po atje u zgjodh edhe Komiteti Drejtues i PS-së. U mblodh Komiteti Drejtues i PS-së dhe do të zgjidhej Kryesia e partisë dhe kryetari i saj. Kjo ishte praktika e atëhershme, pra zgjidhej Komiteti Drejtues, më pas Kryesia dhe kryetari. Pra, nuk ishte Kongresi drejtpërdrejt që zgjidhte krye- tarin, ishin forumet që dilnin nga Kongresi ato që e zgjidhnin kryetarin. Më vonë u praktikua zgjedhja e kryetarit direkt nga Kongresi.
Si u zgjodh kryetari i PS-së dhe kush e propozoi atë?
Kryetar i PS-së u zgjodh Fatos Nano. Ai hezitoi në fillim. Por pati propozime të ndryshme. Dikush propozoi Gramoz Ruçin, duke ditur se ai ishte organizator i mirë dhe është edhe sot organizator i mirë për partinë, por problemi qe se ai kishte qenë ministër i Brendshëm dhe nuk mund të zgjidhej kryetar i PS-së. Unë propozova Servet Pëllumbin. Edhe ai nuk donte. U diskutua rreth zgjedhjes së Nanos dhe ai, pasi kundërshtoi me pretekstin se ishte Kryeministër dhe kishte ngarkesa të tjera, e pranoi postin e kryetarit të PS-së. Por tha: “Unë pranoj kryetar, po të kem si zëvendëskryetar Servet Pëllumbin dhe Spiro Deden”. Spiro kishte qenë anëtar i KQ të PPSH-së dhe kur e mori ferra uratën, u zgjodh në Byronë Politike. Dede u zgjodh nënkryetar i PS-së, por qëndroi pak muaj, sepse u largua fare nga PS-ja. Iku nga Kryesia e të gjitha forumet drejtuese, sepse nuk donte të ishte më në drejtim.
A e vlerësoni ju 12 qershorin si themelim të PS-së?
Për sa i përket kësaj çështjes së ndryshimit, dua të them se disa thonë që unë jam themelues i PS-së. Në fakt, Partia Socialiste nuk ka themelues, sepse ka vetëm ndryshim emri. Sa për themelimin dhe ndryshimet thelbësore, ato i bëri koha. I bëri koha, sepse me ndryshimin në vitin 1991 e në vazhdim, dalëngadalë, PS-ja po ndryshonte dhe po largonte pak nga pak mbeturinat e PPSH-së. E largoi ideologjinë e PPSH-së dhe psikologjia e PPSH-së erdhi duke u shuar.
Është gabim të thuash themelues, sepse nuk ka themelues. Kishte në PD, PSD e PR. Ajo që nuk është thënë për PS-në, është ideja që të shpërndahej PPSH-ja dhe prej saj të formoheshin disa parti të majta. Por shumica ishte që të kalonim në krijimin e një partie me emrin socialdemokrate. Mirëpo, po të ndodhte që të shpërndahej PPSH-ja, atëherë do të mund të krijoheshin disa parti të vogla brenda saj dhe PS-ja nuk do të ishte kurrë faktor, pasi elektorati i PPSH-së do të shpërndahej në disa parti, të cilat do të kishin fatin e partive të sotshme të vogla, si PSD-ja, PR-ja e të tjera.
Ishte një grup në PPSH që e bëri këtë propozim dhe më pas ata kaluan në PSD. Mirëpo, shumë shpejt ata e panë që nuk kishte terren të përshtatshëm për të pasur karrierë të mirë politike, pasi nuk u zgjodhën si drejtues dhe u kthyen përsëri në PS. Edhe mua, kur fola në kongres, kur kritikova Enverin, ata më thanë që më mirë të mos kisha folur, sepse ata kishin mendimin se duke realizuar atë ide, do të bëheshin gjërat më mirë dhe në kohë.
Kur ju përfunduat fjalën, thuhet se për disa minuta keni qëndruar vetëm dhe askush nuk ju përkrahu, në shenjë distancimi se ju kritikuat figurën e Enver Hoxhës. Si është e vërteta?
Salla u revoltua shumë nga fjalët që thashë, sepse ata nuk e prisnin që unë të kritikoja Enverin. Ata kundërshtuan me britma e ulërima, më dërguan pusullka, që më shanin dhe më kërcënonin me jetë. Dikush më thoshte se unë kisha qenë i përkëdhelur i sistemit dhe se unë kisha pasur shumë poste në parti, se unë kisha pasur edhe një grua ruse etj. Salla ulërinte me të madhe “Enver Hoxha, Enver Hoxha”.
Disa u ngritën dhe ikën të inatosur, kryesisht anëtarë të KQ. Kur mbarova fjalën, unë nuk shkova në karrigen që kisha lënë bosh në sallë, por vendosa të qëndroj pranë gazetarëve, afër tribunës ku ishte presidiumi. Gazetarët po qëndronin në anë të sallës dhe unë u kërkova të më lironin një copë vend të rrija atje. Ju thashë, se po të vete atje, ata do më rrahin dhe them të rri më mirë këtu me ju, se jam më i sigurt.
Po Nexhmije Hoxha si reagoi kur ju kritikuat Enverin?
Ishte e arsyeshme që Nexhmia të mos e pranonte një qëndrim të tillë, ku të shahej i shoqi. Por, në fakt, nuk është se pati ndonjë reagim ndaj meje. Ajo foli në Kongres dhe mbrojti Enver Hoxhën.
…ndërhyn bashkëshortja, Sadije Agolli: Dritëro, ndoshta duhet të kujtosh, që para se të niste Kongresi, Ramiz Alia të ka ftuar në një takim për të folur për ndryshimin, pasi kishte ftuar disa intelektualë për këtë çështje. S’e kam fjalën për takimin me intelektualët, por për takime të Ramiz Alisë me intelektualë veç e veç. Konsulta kryesore ishte për mënyrën se si do të silleshin me figurën e Enver Hoxhës në Kongres.
Dritëroi: E po atëherë ishte çështja e qëndrimit që secili duhet të mbante ndaj figurës së Enverit. Në fakt, në takime të tilla, merrnin pjesë edhe të djathtët. Në një takim isha bashkë me të djathtët dhe ata, as që e kishin guximin ende të flisnin për distancim ndaj figurës së Enverit dhe ta kritikonin atë. Ishte fillimi i pluralizmit dhe gjërat nuk thuheshin aq troç.
Sadija: Kur u kthye Dritëroi nga ai takim, ishte shumë i lodhur. Ishte kohë e ngarkuar, sepse bënin shumë takime e mbledhje. Unë e pyeta Dritëroin për një gjë: kur ti fole i thashë, ishe në tavolinën e rrumbullakët, sepse kishim dëgjuar që në tavolinën e rrumbullakët vendoseshin përgjues dhe më tha se ishte ulur pikërisht aty te tavolina e rrumbullakët. Mirë i thashë, qenke incizuar në të gjitha gjërat që ke thënë. Ne e dinim se incizoheshim, se na e kishte thënë një zyrtar i Ministrisë së Brendshme, që të gjitha bisedimet e tij incizoheshin, sidomos kur fliste me gazetarë të huaj.
Ne e dinim këtë gjë dhe ruheshim gjithnjë. Kur Dritëroi erdhi nga ai takim me Ramizin, ishte shumë i lodhur dhe mbaj mend që tha se dua të qëndroj vetëm, pa asnjë kontakt me njerëzit. Të lutem hiqe prizën e telefonit, sepse s’dua të më ndikojë kurrkush se çfarë do të shkruaj për fjalimin që do të mbaj në Kongres. Dua të shkruaj atë që di dhe ndiej vetë, pa ndikimin e askujt. Po përgatiste diskutimin e Kongresit X të PPSH-së. Fjeti pak orë dhe u ngrit nga ora 10 e darkës.
U ngrit nga gjumi dhe më tha hajde të daktilografojmë fjalimin. Filluam. Ai fliste dhe unë daktilografoja me makinë shkrimi. Mbaj mend që atë natë ka qëndruar gjithë natën pa gjumë. Dhe në seancën ku do të mbante fjalimin, ai ka shkuar i pangrënë dhe i pagjumë. Ai po e përjetonte me shumë dhimbje këtë moment. Për të nuk ishte e thjeshtë. Ishte fundi i një historie ku kishte jetuar, punuar me ndershmëri, kishte shkruar, pra nuk ishte e thjeshtë për të. Të nesërmen mbajti diskutimin në Kongres. Pas asaj dite, ka pasur sulme nga më të ndryshmet ndaj tij dhe familjes.
Po atë ditë në sallë, cili ishte reagimi? A u afruan miqtë e tu të të mbështesin?
Në fakt, u afruan të rinjtë dhe më përshëndetën. Edhe më mbështetën. Erdhën edhe gazetarët. Në fakt, më duhet të kujtoj se jam mbështetur edhe nga të vjetër. Mbaj mend që erdhi Misto Treska dhe madje më ftoi për drekë në shtëpi. Niko Nikolla, Sofokli Hafizolli. Madje, ata ishin të vjetër edhe në moshë, rreth të shtatëdhjetave. Më erdhën shumë gazetarë të huaj, nga “Reuters”, “New York Times” etj. Janë shkrime që janë botuar edhe më vonë në shtypin tonë.
Kur ishit në takim me Ramiz Alinë dhe ju kërkuat distancimin ndaj figurës së Enverit, si reagoi ai?
Ramizi ishte i sjellshëm për nga natyra dhe nuk të fyente. Nuk sillej keq. Ai thoshte se është një gjë që duhet menduar mirë, sepse është shumë sensibilizuese për popullin. Ishte fjala më shumë për heqjen e emrit të Enverit në Universitet. U tha se s’kemi ç’bëjmë dhe duhet hequr emri. Kjo duhej bërë pa shkaktuar reagim të ashpër. Kur folëm për heqjen e emrit të Enver Hoxhës, në takim ishte edhe Sali Berisha, Sabri Godo edhe të tjerë.
Situata ishte e rënduar, sepse studentët në fillim e nisën me kërkesa ekonomike, por më pas shkuan në kërkesa politike dhe situata duhej menaxhuar mirë. Filluan edhe protestat. Për të qetësuar këtë situatë, u thirrën në komitetin e partisë disa njerëz të kulturës dhe artit, për të qetësuar studentët. Në fillim studentët kërkuan që të hiqeshin anëtarët e Byrosë Politike, kërkuan heqjen e Lenka Çukos, Simon Stefanit etj. U thirrën shumë njerëz, si Sali Berisha, Skënder Gjinushi, Hamit Beqja, unë edhe të tjerë. Na thërrisnin herë dy nga dy, herë veç e veç. Më thirrën me dikë tjetër, që s’e mbaj mënd dhe më thanë, shko atje se ty të dëgjojnë, sepse të kanë lexuar e kanë simpati.
Unë u thashë nuk shkoj atje, sepse ata kanë kërkesa politike, të cilat nuk ua plotësojmë. Nëse duhet të shkoj atje, unë duhet t’u them se po i plotësojmë kërkesat tuaja. Do të më thonë duam të heqim Lenka Çukon dhe unë duhet t’u them “po”. Mund t’u them unë po? Dhe pastaj ata të komitetit më thanë, jo s’mund të thuash këtë gjë, sepse nuk do të hiqet Lenka Çuko nga Byroja Politike. Epo tungjatjeta! Nuk shkoj unë.
A kishit konstatuar ju më parë reagime kundër sistemit?
Po. Ka qenë viti 1989, kur ishte paralizuar tërësisht ekonomia. Ishte një problem tek uzina “Enver”. Kishin dalë në “tetëdhjetëpërqindësh” shumica e punëtorëve dhe gjendja ekonomike ishte rënduar së tepërmi. Kishin shkuar disa anëtarë të KQ që të qetësonin situatën, por ata i kishin përzënë. Punëtorët e uzinës “Enver” e kishin përzënë Manush Myftiun. E kishin pyetur Manushin për zgjidhjet që do të kishte situata ekonomike. Ai kishte dhënë përgjigje pa vlerë, pa zgjidhje, dhe ata e kishin përzënë.
I kishin thënë dil jashtë, sepse s’kemi ç’të flasim më me ty. Atje më dërguan edhe mua. Asnjë shenjë proteste s’kishte në Tiranë dhe aq më pak në vendet e tjera. Ishte një situatë shumë e rënduar ekonomike. Asnjë vend i botës nuk jepte ndihma për Shqipërinë, ishim prishur me të gjithë: me Rusinë, Kinën e të gjitha vendet e tjera. Ne kishim marrëdhënie tregtare me Bullgarinë dhe atëherë ishte ndaluar edhe ajo. Me Jugosllavinë prapë s’kishim marrëdhënie. Pra, s’kishim me asnjë shtet marrëdhënie ekonomike, sepse ishte bërë embargo. Punëtorët më pyetën shumë për situatën. Ata ishin të përgatitur dhe ishin kompetentë.
Ata kërkonin liberalizim dhe ishin të përgatitur. Unë u thashë se duhet liberalizuar dhe isha dakord me ta. Unë u thashë se duhet bërë, por u duhet mbushur mendja edhe KQ. Punëtorët thanë se po nuk iu mbush mendja KQ, atëherë do t’i rrëzojmë, sepse nuk mund të ecet më përpara në këtë situatë. Është e pamundur. Ata ishin të irrituar, se këta drejtuesit e mëdhenj u flisnin me gjuhë burokratike dhe punëtorët irritoheshin. Por unë mund të them se qysh pas vdekjes së Enver Hoxhës, situata kishte nisur të përgatitej dhe gjithçka ishte në funksion të rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri. Mirëpo, pati pengesa, sepse po të kishte filluar gradualisht, që menjëherë pas vdekjes së Enverit, por të ishin veprime të studiuara mirë, atëherë nuk do të ndodhte djegia e Shqipërisë, siç ndodhi më ’90-ën. Duhej të fillonte me lëvizje ekonomike, me liberalizim dhe gjithçka do të shkonte më mirë.
Po Ramiz Alia, çfarë roli kishte në këtë situatë?
Ramiz Alia bëri përpjekje të mëdha, por kishte pengesë të madhe Byronë Politike dhe KQ, të cilët ishin të betuar pas figurës së Enverit. Megjithatë, filloi më ’89-ën. Në mbledhjen e KQ-së u ngrit ideja e hapjes së tregtisë me disa vende, më pas u ngrit ideja e krijimit të disa arëzave e tufëzave. Pra, t’u lejoheshin fshatarëve dy dhi, ose dy keca, ose dy shqerra, por të jenë të të njëjtit seks, që të mos shumëzohen. (Qesh) Duhet të ishin ose dy kecka femra, ose dy kecka meshkuj, me qëllim që të mos shumoheshin. U bë një rregullore me 50 faqe, e cila u shtyp në rreth 30 mijë kopje dhe ishte një shpenzim i madh.
U shpërnda në të gjithë vendin. Aty paraqitej rregullorja se si të ngriheshin këto tufëzat e arëzat. Unë e ngrita si problem, që ishte një shpenzim i madh të botoje një libër në kaq shumë kopje, ndërkohë që situata ekonomike ishte e rënduar. Çfarë vlere kishte ai libër dhe përse nuk duheshin lejuar fshatarët të kishin më shumë kecka dhe të sekseve të ndryshme. Si mund të ndalojmë edhe martesat e kafshëve? Ishte një marrëzi. Situata u kthye në komike, sepse disa filluan të qeshnin, kur unë thashë se nuk është normale të lësh dy keca meshkuj e t’u ndalosh martesën kafshëve etj.
Në këtë bisedë, Pali Miska tha: “Rregulloren s’e kam bërë unë bre”. Dhe unë i thashë, po s’po them se e ke bërë ti bre, po rregullorja është e tepruar. Kishte filluar të lëkundej PPSH-ja. Më pas u tentua të bëhej një lloj pluralizmi mendimesh, po jo politik, dhe u tentua të bëhej njëfarë pluralizmi, ku të merrnin pjesë në zgjedhje edhe disa organizata, si Organizata e Rinisë, e Frontit, e Lidhjes së Shkrimtarëve etj. Megjithatë, kjo nuk funksionoi dhe u hodh poshtë si variant. Pra, u bënë përpjekje të tilla që të mbetej brenda sistemit. Që të mund të shmangej pluralizmi politik që është sot. Marrë me shkurtime nga intervista e 12.06.2009 – botuar tek libri “Trashëgimtarët”.
Komentet