Voal – “Jam përndjekur nga Sigurimi që kur isha 17 vjeç”. Pohimi befasues i regjisorit të famshëm në reagimin e tij për shkrimin “Pse duhen ndaluar dramat e Pëllumb Kullës”, botuar para disa ditësh te “Panorama”, zbulon një histori interesante që hedh dritë mbi disa aspekte të panjohura për mënyrën e sjelljes së regjimit me njerëzit e artit, veçmas me ata me biografi të papërshtatshme politikisht.
Në shpluhurosjen e dokumenteve të hershme, Kulla përpiqet të ndriçojë misteret e labirintheve, siç pohon ai, ku gatuheshin fatkeqësitë e artistëve të rinj. Përtej vështrimit bardhë e zi, në rrëfimin e tij vijnë ngjarje e ndodhi ku përshkruhet me një qasje interesante natyra represive e regjimit dhe diferencat e karaktereve të zyrtarëve të nomenklaturës, si një bashkësi besnikësh të verbër që kapërcejnë madje edhe limitet e kohës në përballjen me viktimat e tyre dhe një pjese tjetër, që rriskon nga vetja për të lehtësuar sa të mundet grupin e të pambrojturve.
Më poshtë botojmë pjesën e parë të kujtimeve të Kullës, që zbulojnë rrethanat e panjohura të largimit të dhunshëm nga skena e teatrit në guroren e Kaninës…
NGA PELLUMB KULLA
Kur përshkruajmë dhe pikturojmë një diktaturë, qoftë kjo hitleriane, staliniane, apo enveriane, ne mundohemi të sjellim me vërtetësi gjendjen e rëndë, terrorin, spiunimin, internimet, burgimet, hetuesitë, dhe është e ligjshme që ato të jenë mbizotëruese në përshkrimet tona. Por ka edhe një rrugë tjetër për të treguar diktaturën.
Është një rrugë e kundërt: ajo kur ne shquajmë njerëzit e mirë, elementët humanë, frymëzues dhe shpresëdhënës, të cilët patën role kyçe në jetët dhe punët tona. Vështirësia e veprës së tyre, sjellja jashtë normave, rreziqet tepër të mundshme dhe me kosto të lartë për ta në ambientet e ngurta të kohës, sjellin dhe ato një pikturë të saktë të diktaturës.
Dhe këtë rrugë dëshmimi nuk po e shpikim ne. Ne vetëm sa ecim në të me kënaqësi. Askush, për shembull, nuk do të mendonte dot një gjerman të fuqishëm të kohës së Hitlerit që të shpëtonte mijëra e mijëra hebrenj, teksa tipikja, e zakonshmja, ishte që gjermanët e indoktrinuar ishin të angazhuar në shfarosjen e hebrenjve. Por nuk ishte si këta Schindleri, që frymëzoi filmin e famshëm të Shpilbergut “Listat e Schindlerit”.
Ky qëmtim kundër rrymës i bën mirë historisë shekullore të kombit tonë, ruajtjes së vlerave të padjegura, kur çdo gjë ishte në flakë. Këta individë, të ndritshëm në një sfond errësire, ndihmojnë të kuptojmë errësirën, ashtu sikurse në botën e ngjyrave, e bardha thekson të zezën. Dhe ajo kohë pati njerëz të tillë, që u munduan të mbeteshin njerëzorë dhe mirëbërës.
Unë vetë, në një jetë me vështirësira tipike, njoha disa të tillë. Kam njohur disa, por sot do të ndalem në takimin me njërin prej tyre, një njeri që nuk kam pasur rast ta takoj kurrë më parë dhe jam parë me të sy më sy, rreth gjysmëshekulli pas gjestit të tij në favorin tim, gjest që, po të mos ishte bërë atëherë, sot, mbase… unë, njerëzit e mi të afërm, fëmijët…
Krahasimi me Schindlerin mund të ngjajë i tepruar, por vetëm të tjerëve mund t’u duket ashtu. Me nazistët ishin në valle jetët e mijëra hebrenjve, furrat e gazit… Unë me njerëzit e mi jemi një numër më i vogël, por do të më falni t’ju them se… më duken mijëra, gjithashtu! Engjëjt mbrojtës është e padrejtë të maten me numra. Ata janë njësoj.
Nuk do të ulesha të shkruaja këtë ngjarje, sikur një ditë prej ditësh, nga një shpluhurosje dokumentesh, në gazetën “Panorama” të mos përjetoja ca ditë të vështira në qytetin e bukur të Vlorës. Këtë histori do të nis ta tregoj që nga fundi i saj… Kisha kaluar ca ditë në Kosovë, pastaj në Greqi dhe isha kthyer në Tiranë, ku isha ftuar për një intervistë televizive, për të marrë më pas fluturimin për në Nju Jork.
Tek po dilja nga një librari afër selisë së Presidencës, pashë që një burrë shtatlartë, i thinjur, i veshur me një pallto të rëndë. Po më priste jashtë portës së dyqanit. “Më falni, më tha, por dua t’jua shtrëngoj dorën për ca shkrime tuajat, që më kanë pëlqyer. Desha njëherë t’ju dërgoja edhe një përshëndetje nëpërmjet e-mailit, por nuk jua gjeta dot adresën”.
Dhe, ndërsa po shtrëngonim duart, më dha më shumë njohje: “Kam qenë dikur kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Vlorë…”. Unë u gjallërova menjëherë pa ia lëshuar dorën: “Zoti… Perlat Çaushi?!”, e pyeta. “Po”, ma ktheu. Atëherë unë u hodha ta përqafoja. E shtrëngova fort në krahët e mi dhe, duke e ndier se ai po e shikonte të papritur këtë shtrëngim, e pyeta përsëri, këtë herë me pëshpërimë: “E dini përse po ju përqafoj kështu?” “Jo”, më tha ai sinqerisht. Dhe dukej që e pa disi të çuditshëm përqafimin. “A mund ta pimë një kafe?”, e luta unë.
* * *
Dhjetëra vjet më parë, unë vetë nuk e dija përse-në e këtij përqafimi që do të bëja te pragu i një librarie. Përgatitesha të shkoja në Gjermani. Isha caktuar të punoja në strukturat diplomatike, i ngarkuar të mbuloja kulturën dhe shtypin, në ambasadën tonë pranë Republikës Federale Gjermane. Ato kohëra shteti ynë i ri demokratik po ndërronte njerëzit që patën shërbyer gjatë izolimit të vendit, me ne, me ca njerëz të rinj, edhe pse pa përvojë në fushën e diplomacisë.
Ishin ditë të ethshme ndryshimesh, dhe po aq pa përvojë caktoheshin njerëz në detyra edhe më të rëndësishme se ajo e imja. Ndodhte që mjekë, arkeologë dhe profesorë universiteti, zgjidheshin presidentë dhe emëroheshin ministra, ambasadorë… Ky fenomen shfaqej në tërë vendet e Europës Lindore.
Në një nga këto ditët e përgatitjes sime, një shoqe e ngushtë i pat rrëfyer sime motre se si një ditë qe gjendur me një kushëririn e saj, pensionist, që pat punuar dikur në organet e Punëve të Brendshme. Po shikonin një komedinë time, që jepej në ekranin e televizionit shtetëror.
Duke shkëmbyer përshtypjet mbi komedinë dhe autorin e saj, kushëriri pensionist pat nxjerrë me zhurmë një psherëtimë të thellë. “Si është fati i njeriut!”, pat thënë ai. “E kam fjalën për autorin që ka shkruar këtë që pamë. Mund të ishte ndryshe fati i tij sot. Dhe komedinë që u shfaq, me siguri nuk do ta kishim parë dot sot, sikur… U ndodha një ditë, këtu e afro 30 vjet të shkuar në zyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës.
Atëherë ky djali i komedisë qe dërguar në mes të shkëmbinjve, në një gurore, kurse kryetari kishte pak muaj që kishte ardhur në krye të Degës. U fut në zyrë njëri nga punonjësit e atyshëm dhe e pyeti kryetarin nëse mund ta merrte të firmosur raport-propozimin për arrest, që do t’i dërgohej Aparatit Qendror dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Kështu quhej, por praktikisht ishte një urdhër arresti që kryetari i ri e kishte mbi tavolinë.
“Nuk e kam firmosur akoma”, i tha kryetari i porsaemëruar. “Por, më thoni, përse duhet arrestuar ky njeri? Çfarë ka bërë?”. “Unë di që jua kanë thënë”, tha ai që do të merrte shkresën e firmosur. “Po ja, ky ka një gjysh të pushkatuar më 1945-n. Ka dhe disa pjesëtarë të familjes nëpër burgje. Ka ca të arratisur…”. “Vetë, çfarë pisllëku ka bërë?”, pyeti kryetari. Ai tjetri duket nuk ishte i përgatitur ta fajësonte më tej këtë, Kullën. Kryetari ia grisi propozimin e arrestit përpara syve.
“Mos më sillni më shkresa të tilla, pa u dalë zot atyre!” Dhe ia flaku shkresën e shqyer në kosh. Kushëriri i shoqes së sime motre pat mbyllur tregimin, duke thënë: “Ai operativi nuk e kish kopsitur si duhet. Se, të themi atë që është, atëherë kishte edhe raste që të arrestonin një herë, pastaj e vrisnin mendjen përse! Sidoqoftë, ky që kishte shkruar këtë komedinë, duhet t’ia dijë për nder atij. Se të kish qenë ndonjë tjetër në vend të atij burri, në vend të Perlat Çaushit, sot ky…”.
Historia që më përcolli ime motër më robëroi me përfytyrimet e një zhvillimi tjetër, nëse ai, mirëbërësi i panjohur, nuk do ta kishte grisur urdhrin e arrestit dhe do të kish lënë mekanizmin e tmerrshëm të punonte automatikisht. Më kujtohej që ato kohëra, atje në guroren e Kaninës, unë e ndieja që isha shumë afër derës së burgut. Ruhesha nga provokimet dhe evitoja mundësinë që të jepja shkaqe.
E ndieja se një i madh i Partisë së Vlorës kish nevojën e prangosjes sime për të shpëtuar nga ca situata të sikletshme ku e kishin vënë veten me dëbimin tim të nxituar nga teatri. Vetëm me pushkatimet dhe arratisjet e dikurshme të njerëzve të mi të afërt, burokratët partiakë e kishin vështirë të arrinin një arrestim. Dhe ky kryetari i ri u pat dalë pengesë e papritur. Perlat Çaushi!… Mua më kujtohej emri i tij, por unë nuk isha gjendur as edhe rastësisht ndonjëherë pranë tij, edhe pse të dyve na kaluan disa vite atje, pas kësaj ngjarjeje.
Por ishim dy njerëz që nuk na bashkonte asgjë. Dija vetëm që Perlat Çaushi kishte ardhur tok me nusen e tij të bukur nga një ambasadë e jona në vendet perëndimore, dhe se ishte vëllai i profesor Tefik Çaushit, që bënte pjesë në rrethet e dramaturgëve, dhe kaq. Përgatitjet për në Gjermani nuk më lanë kohë të ndalesha më gjatë me këtë vepër që sillte një aromë burrërie, fisnikërie dhe mendimi të kthjelltë.
Në vigjilje të largimit nga Shqipëria, megjithatë, i dërgova zotit Çaushi një mesazh mirënjohjeje të ndrojtur, pa e ditur ku ndodhej ai. Këtë e bëra nëpërmjet profesor Tefikut, i cili kish marrë vesh emërimin tim në Bonn, më uroi rrugën e mbarë dhe më dha të falat për time shoqe, studenten e tij, dikur në Institut. “Edhe ju do të më bëni një nder”, i thashë zotit Tefik.
“Ma përqafoni vëllain tuaj, Perlatin, dhe i thoni se i jam mirënjohës! Nuk jam njohur kurrë me të. Nuk ju them dot më shumë, nuk di a është ende nevoja të jetë i mbuluar veprimi, të cilit i shkon mirënjohja ime.” Nuk dija në ia përcolli të vëllait të falat e mia i ndjeri profesor, që na la, dhe pas asaj dite nuk e pashë dot më, por di që historia, që atëherë pat ardhur tek unë shoqe pas shoqesh, më rikthehej shpesh në mend.
Njeriun që përqafova, kur dola nga dyqani, Perlat Çaushin, po e shihja vërtet për herë të parë, paçka se tashmë isha miqësuar ngushtësisht me përfytyrimin e tij. Për një takim me të, edhe pse e dëshiroja, ndieja ende drojën që me një njeri të tillë, sado qe treguar ndryshe nga lloji, unë nuk ndihesha rehat. Ndaj mjaftohesha me përcjellje të falash.
* * *
Atij nuk i kujtohej nëse i vëllai ma kishte kryer porosinë. Megjithatë, kjo nuk kishte rëndësi përpara faktit që ai ndaj meje shfaqte thjesht simpatinë e një lexuesi dhe një shijuesi të humorit tim të ndjekur në televizion. Kur u rehatuam në kafene, unë, tashmë i çliruar nga droja e fshehtësive profesionale, i tregova ngjarjen, kur me një firmë të tij unë mund të kisha përfunduar në burg, mund të isha ngatërruar në ngjarje të papritura, mund të isha pa familje dhe fëmijë, mund të isha sëmurur, ridënuar, pushkatuar, varrosur nën mineralet që të burgosurit nxirrnin nga minierat e vendit, fundosur në kënetat që u nënshtroheshin bonifikimeve…
Shkurt, mund ta kisha pësuar në secilën nga mynxyrat e dëgjuara dhe të fantazuara nga historitë pa fund të burgjeve enveriane. “Sinqerisht, këtë nderin që të paskam bërë ty, nuk e mbaj mend!”, tha duke vënë re njëfarë zhgënjimi në sytë e mi. “Nuk ju kujtohet?!… Vërtet, kanë kaluar afro dyzet e ca vjet…”, po i trokisja në kujtesë. “Ajo grisja e dokumentit për arrest… Hedhja në kosh…”
Tani njeriut të mirë, që sapo pata takuar, po i dukej sikur ishte fajtor dhe nisi të qeshte me zhgënjimin tim. “Unë, tha ai, emrin tuaj e kam dëgjuar kur kisha vite që qeshë larguar nga Vlora. Nga këto që bënit me estradën e Fierit, me koncertet e Viteve të Rinj. Dhe tani vonë, me këta artikujt që të përmenda… Por, sikur ta dija që dhe unë kisha ndihmuar një njeri që ia pëlqej penën…” Më vuri dorën në sup dhe më pyeti me keqardhje: “Ndihesh i fyer që nuk të mbaj mend?”.
Unë mezi përmbajta ca lot gëzimi. Kërkova që zërin ta kisha të ngrohtë dhe të patrazuar. Dhe i thashë me respektin më të thellë: “Jo vetëm që nuk jam i fyer, por më vjen t’ju përqafoj dhjetë herë më fort. Se kjo tregon që ju keni bërë shumë gjeste të tilla. Dhe më takon mua që të mos e harroj kurrë atë që pat lidhje me jetën time.
Ju keni vlerën shpirtërore të atyre që u duken të natyrshme të veprojnë njerëzisht, drejt. Teksa parë nga përfituesit e veprave të tilla, ato janë ngjarje që duhet t’i festojnë përvit, sa të kenë jetë. Dhe deri në frymën e fundit duhet të mbajnë medaljone në gjoks me portretet e mirëbërësve që edhe harrojnë.” Ky ishte takimi me Schindlerin tim fisnik. Ai takim na bëri miq dhe unë ndiej një krenari të rrallë që jam mik i një burri të thinjur, me emrin Perlat Çaushi.
Titujt janë të redaksisë. Titulli i autorit “TUNGJATJETA, SCHINDLERI IM!”
Komentet