(Intervistë e publikuar nga Tirana Observer më 25/02/2014)
Gjatë punës sime për përgatitjen e një cikli artikujsh kushtuar personaliteteve të artit dhe kulturës shkodrane kryesisht në fushën e letërsisë, skenës dhe muzikës, një vend të veçantë do të zinte edhe figura e “Mjeshtrit të Madh”, shkrimtarit dhe humoristit Gëzim Kruja. Kjo figurë e shquar e galerisë së humorit shkodran radhitet në mënyrë dinjitoze edhe me pararendësit e tij, edhe me bashkëkohësit e tij, por e gjithë gama e veprimtarisë artistike e bën atë më specifik; ai nuk është një aktor si të thuash “klasik i skenës”, por është shumëdimensional me aftësi të gjithanshme, që në fillimet e tij, ku e shohim si: akrobat cirku, klloun, parodist, pantomimist e mbi të gjitha aktor brilant në skenën e estradës. Talentin e tij e plotësonte në mënyrë ideale portreti gazmor, mimika plot grintë, ku “flisnin” të gjithë muskujt e fytyrës, trupi prej sportisti dhe gjallëria e lëvizjeve. Të gjitha këto cilësi i garantonin atij suksesin, të cilin e “korrte” pa as më të voglin dyshim në të gjitha skenat ku debutonte. Ky është pra aktori Gëzim Kruja.
Talenti lind biologjikisht, por atë e zhvillon dhe e përfeksionon tabani dhe puna e palodhshme e artistit. Në një taban të tillë jo vetëm shkodran, por edhe familjar lindi dhe u zhvillua ky artist që asnjë ditë, që nga fëminia e tij, nuk pushoi së punuari dhe së kontribuari në skenën shkodrane dhe atë shqiptare.
Pak më shumë detaje na jep edhe vetë Gëzim Kruja sapo filloj intervistën me të, duke u shprehur kështu: “Kam lindur në vitin 1939 në Shkodër. Të flas për karrierën time artistike kam shumë. Po filloj që në fëmini, në moshën 13 vjeçare, kur kam filluar me një grup bashkëmoshatarësh në lagje, ku grumbulloheshim të gjithë fëmijët dhe jepnim shfaqje nëpër oborret e shtëpive. Vendosnim një çarçaf për të improvizuar skenën dhe në këto kushte jepnim shfaqje me humor dhe grumbullonim 100-200 lek të asaj kohe prej banorëve të lagjes sa për të blerë topa për të luajtur. Banorët, që shumica ishin prindër dhe të afërm kënaqeshin me ne dhe gjithmonë kontribuonin, sepse e dinin mirë se çfarë kërkonim. Dhe tani të kthehemi tek tabani: gjyshi im Myrtezai, të cilin nuk e kam njohur, ka qenë bejtexhi dhe ka lënë një shprehje shumë të bukur: Duhani, duhani, çibuk shejtani, i zoti e ban, gomari s’e han”. Unë i kam shtuar edhe fjalën “merre me mend sa mirë na ban”.
Kam pasë fatin e keq sepse babai im ka vdekur i ri. Edhe ai ka qenë humorist që shkonte në dasma, pasi në kohën e tyre nuk ka pasur estradë. Pra i treti humorist dola unë dhe pas meje doli djali im Çlirimi, i cili filloi të aktivizohej që në moshën 13 vjeçare, një djalë simpatik, aktor shumë i mirë, të cilit gjithmonë i kam thënë, bëj si vetja, mos bëj si baba. Përpiqu që t’ma kalosh mua. Edhe pse nuk janë aktivizuar si unë, vëllezërit e mi Shemsi dhe Zydia, kanë lindur humoristë të vërtetë duke plotësuar edhe më mirë këtë gen familjar. Pastaj erdhi brezi i tretë, mbesa Enejda, vajza e djalit, një yll, që 5 vjeçe në skenë. Tani është 10 vjeçe dhe vazhdon të shkëlqejë edhe ajo. Pra kjo është prejardhja e fisit që humorin e ka në gen.
Periudha e fëminisë ka krijuar kujtime shumë të bukura të cilat nuk mund të pasqyrohen të gjitha në këtë shkrim, prandaj dëshira e lexuesit është të dijë diçka më tepër për aktivitetin në moshën rinore. Eh, pasha t’ritë e pasha veren! Unë u rrita me trashëgiminë e familjes, unë u rrita me trashëgëminë e qytetit, por që nga adoleshenca fillova të hedh sytë në një ambient më të gjërë shkodran, ku si çdo i ri kisha shumë ëndrra, e që për mua dyzoheshin midis artit dhe sportit, ku triumfoi arti, (pasi me sport, boks, u mora shumë pak, por e falenderoi sepse më kompletoi me disa cilësi që do të më hynin në punë më vonë), pra triumfoi arti me të cilin u mora tërë jetën.
Ndërkohë mbarova një shkollë profesionale dhe më pas, për pak kohë, punova në një ndërmarrje grumbullimi ushqimor dhe në vitin ’58 shkova ushtar. Ushtrinë e kreva në një repart në Laprakë në Tiranë. I them komandantit nëse dëshironte të ngrinim një grup artistik në repart. Ai ra dakord. Unë mblodha disa ushtarë, shkrova materialin dhe kur i kërkova komandantit (qesh) të na sillte një femër. Ai me nervozizëm më tha: “Ore, je në terezi ti, ç’na duhen femrat në repart”? Kështu që u vesha unë si femër dhe i luajta rolet vetë. Me këtë repart dhamë shumë shfaqje të suksesshme.
Një ndër numrat e mi të suksesshëm ka qenë edhe numri i akrobatit kur ecja në tel si ekuilibrist, një numër i realizuar me veshje kllouni që gërshëtonte aftësitë akrobatike me humorin. Ky gërshetim me risitë që arrita të sjell në skenën e humorit shkodran bënë që regjisori Paulin Sekuj të thoshte: “Çdo shfaqje që do të bëj, pa Gëzim Krujën nuk do e bëj, pasi edhe fotografia e Gëzim Krujës po të kalojë në skenë, spektatori duartroket”.
Ndërkohë ai vazhdon Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër për gjuhë-letërsi, punon si regjisor në Shtëpinë e Pionierit, aktivizohet në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”, shkëlqen me trupën amatore të ndërmarrjes Duhan-Cigare dhe asnjëherë nuk rreshtë së punuari me talentët e rinj, të cilët i zbulon dhe i përgatitë që një ditë të jenë krah tij, siç mund të përmendim Muhamet Çekinin, Bujar Qamilin, Bujar Ademovi, Anton Krosaj, etj.
“Më kujtohet një shfaqje që përgatitëm gjatë periudhës studentore në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, të cilën e vuri në skenë Gëzim Kruja që në atë kohë kishte bërë emër në skenën e humorit jo vetëm në Shkodër por në të gjithë Shqipërinë”. Kështu e filloj rrëfimin e tij Osman Kazmaj, sot mësues i gjuhës dhe letërsisë, por edhe me një përvojë të madhe në fushën e artit dhe të kulturës”. Gëzimi në këtë kohë vazhdonte studimet për gjuhë-letërsi në këtë Institut. Në bashkëpunim me të apasionuarin Skënder Bilali, kryesekretari i Institutit u ngrit një grup i madh artistik dhe së bashku me ekipin e futbollit, ku merrnin pjesë edhe futbollistët e “Vllaznisë” që ishin studentë, krijuan një “brigadë” kulturoro-sportive që “zbarkoi” në qytetin e bukur të Burrelit. Ajo që e bën të veçantë këtë ngjarje është se në afishet tona ishte emri i regjisorit Gëzim Kruja dhe futbollistëve të njohur dhe në Burrel u hap fjala se ka ardhur estrada e Shkodrës dhe ekipi i “Vllaznisë”. Kjo bëri që aktiviteti të korrë një sukses të jashtëzakonshëm për dy net me radhë.
***
Z. Gëzim, përveç lojës së suksesshme në skenë si aktor dhe regjisor, ju shquheni edhe për një prodhimtari të madhe krijuese, sidomos në gjininë e humorit. Është në interes të lexuesit të dijë diçka më tepër.
Jam i vetmi aktor që kam shkruar 15 komedi në të cilat rolet kryesore i kam luajtur unë dhe komedinë e fundit, titulluar “Hyn fjalë ka dole” e kam vënë në skenë me regjisorin Fatbardh Smaja.
Ndër komeditë më të suksesshme mund të përmendi: “Të kam në zemër”, “Pse s’martohet Zylfo”, “Puplat e fundit”, “Më fejoj babai”, “Pah ç’pension” etj. Kam shkruar mbi 250 skeçe, monologje, gazmore, parodi, por edhe dy skenarë filmash televiziv. Janë merita që m’i ka dhënë zoti dhe forca ime, po mos t’i kisha këto aftësi nuk do të më njihte kërkush, pa qenë në organikë të teatrit si profesionist, se në teatër punon edhe roja, edhe elektriçisti, por aktori ka vlerat e veta. Është si puna e futbollistit që po nuk bëri gol ai del jashtë loje.
Kam shumë vite që luaj. Kam luajtur me artistin e popullit Tano Banushi, me “Mjeshtren e Madhe” Zyliha Miloti, me “Artistin e Merituar” Paulin Preka dhe me aktor shumë të talentuar të një brezi më të ri si: Katrina Biga, Zef Deda “Mjeshtër i Madh”, Drande Xhai, Besnik Çinari, Edmond Halili e shumë të tjerë që ka nxjerrë skena e Estradës Shkodrane.
Kohët e fundit kam pasë fatin të luaj, bile edhe jashtë shtetit me aktoren shumë të talentuar Raimonda Marku dhe aktoren shumë simpatike Drande Xhai me të cilat kam qenë në Kosovë, Gjermani, Amerikë, Zvicër, Itali, Greqi etj. Mos vdeksha pa e parë dhe Australinë.
Do të ishte me interes për lexuesin të më thoni disa nga mbresat tuaja gjatë këtyre udhëtimeve që ju i përmendët më sipër.
Kam tre momente shumë të bukur; I pari është kur shkova për herë të parë në SHBA. në vitin 1993, një amerikan më pyeti: A keni menaxher, a keni doktor personal, badigardë. Unë i thashë; aq badigard kam saqë e ha nji tullë kokës dhe ai ik me vrap në drejtim të paditur.
Rasti i dytë ka qenë në Gjermani me një këngëtar kosovar, Veli Saiti, me të cilin rrinim bashkë. Një herë hyra në një dyqan, bleva një xhakoventë 50 marka, një kapele dhe një palë syze dhe sapo dola nga dyqani, ishte shumë ftohtë, një grua i tha burrit të vet: o Gimo, shikoje këtë gjermanin sa i ngjaka Gëzim Krujës. Unë i thashë se jam Gëzimi i vërtetë, origjinal. Ata menjëherë më ftuan në shtëpinë e tyre.
Rasti i tretë është vërtetë interesant për një artist që ka emër. Ishim duke u kthyer nga Kanadaja me aktoren Raimonda Marku dhe duke bërë check-inin, gjatë kontrollit thotë një police femër: ku je Gëzim Kruja t’marrsha t’keqen. Nga jeni ju i them, jam nga Tirana më thotë, shqiptare. Çfarë të kontrolloj ty më tha, eja të bëjmë një fotografi. Na shikoj shefi dhe na përshëndeti.
Prej Torontos në Gjermani në Mynih, duhej bërë kontrolli i shpejtë, pasi koha ishte shumë e kufizuar, një polic i gjatë gjerman m’i kishte ngulur sytë dhe i them Mondës, çfarë kërkon ky, mos më ngatërron me ndonjë person tjetër dhe po më nxjerr probleme. Kur ai po më drejtohet me zë të lartë duke thënë: Ku je baca Gëzim artisti i botës, ta marrsha t’keqen. Kush jeni ju i them; jam kosovar më thotë. Na i mori pasaportat dhe na kaloi.
Z. Gëzim, në karrierën tuaj ke veçoni ju si kolegun tuaj më të afërt me të cilin keni patur bashkëpunim më shumë?
Aktori Muhamet Çekini ka qenë aktori me të cilin kam bashkëpunuar qysh në Fabrikën e Cigareve dhe kam shkuar gjithkund me të. Kam interpretuar edhe me Gjyljana Marashin, e cila ka qenë jo vetëm aktore por edhe një këngëtare shumë e mirë, Nilda Jaku etj. Tash 15 vjet interpretoj me Raimonda Markun, me të cilën te lokali me tulla të kuqe i bëjmë provat. Materialet i shkruaj vetë, i mësojmë dhe jemi të përgatitur për kudo që na ftojnë.
Z.Gëzim, si “Mjeshtër i Madh” i humorit, i penës dhe i lojës a mund të na jepni ndonjë këshillë për talentet e rinj.
Pyetja juaj z. Çeka është shumë e drejtë. Për përgatitjen e një shfaqje nuk mjafton vetëm materiali letrar, por duhen edhe ambientet të cilat janë përgjegjësi e organeve lokale. Edhe gruaja ime shpesh herë më ka thënë; pse nuk përgatitë ndonjë element të ri, ashtu siç përgatit një sportist një futbollist, por unë i kam thënë: ku t’i përgatis, dy dhoma e një kuzhinë kemi, me i çu në pullaz nuk mundem.
Dëgjo këtë që po të them: Në shtëpi kam një tas me dekorata e një raftë me fletë lavdërimi, por nuk kam asnjë tas me…, e merr me mend vetë. Pra nuk më ndihmon askush.
Kurrë nuk do ta harroj kur kisha 70-vjetorin. Askush nuk më sponsorizoi. Gjithçka e bëra me forcat e mia. Tani kam në projekt për 75-vjetorin në dhjetor të këtij viti, që ishalla do jem shëndosh dhe pres. Kam dëshirë të organizoj një shfaqje në Pallatin e Kongreseve me shpresë se do të më sponsorizojë ndokush, të paktën sallën, sepse duhen 9 milion lekë. Unë me pas aq lekë kërcej balet nuk bëj shfaqje. Dëshira ime është që të ftoj disa aktorë të vjetër me të cilët kam luajtur para shumë vitesh, duke ftuar edhe aktorët e rinj. Platformën e kam bërë, është gati.
Mendoj se do të ishte me shumë interes për lexuesit që të dinin se kush është për ju Teatri “Migjeni”, ky tempull i madh për të gjithë artistët dhe qytetarët e Shkodrës?
Kur isha i ri kaloja nga teatri dhe rrija shumë kohë aty saqë s’më bëhej të shkoja as në shtëpi. Po të kisha vend ku të flija do të rrija aty, aq shumë pasion kisha. Sa herë që kaloj aty më rrënqethet trupi.
Ju falenderoj me sinqeritetin më të madh edhe ju që nëpërmes pasqyrimit të jetës time artistike në gazetë, bëni të mundur që të na njohin të gjithë brezat. Ata që nuk na njohin të na kujtojnë dhe ata që na njohin mos të na harrojnë, pasi shkrimi asht siç i kam thënë edhe Presidentit të Republikës kur më ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”: Fjalët i merr era, por dokumentit i vjen era. Këto që bisedova me ju nuk i dëgjoi kërkush, por në gazetë do ta lexojë gjithkush.
Në projektet tuaja letrare ju keni botuar edhe dy libra, por më thatë se keni në dorë librin e tretë.
Po, “Qesh e ngjesh” titullohet libri i parë dhe “Ju ofroj buzëqeshje” libri i dytë. Ndërsa libri i tretë titullohet “Keni nevojë me qeshë”, pothuajse e kam gati edhe librin e katërt të cilit akoma nuk i kam vendosur titullin.
Pa dashur të hyj në detajet e librit të cilat mund të jenë surprizë për lexuesin, a mund të na thoni pikësynimet tuaja për këtë libër?
Po, unë aty tregoj gazmore, monologje, dialogje dhe disa batuta ashtu siç e shikoj jetën e përditshme, duke e trajtuar ashtu siç e mendoj unë, sipas situatave unë shkruaj. Pra qesh e ngjesh, kot nuk kanë thënë ruaju nga Gëzim Kruja se të gjuan me kunja, por ata janë pambukut dhe nuk therin. Nuk merrem me politikë as me banalitet.
Shpesh herë më thonë Gëzimi i grave, pasi unë nëpërmes humorit i talli ata, por ju kam thënë: mori gra, sikur mos t’ju kisha dashur ju, nuk isha martu. Pra siç e kam thënë edhe herë të tjera, njeriu ka nevojë me qeshë, humori është ushqim i shpirtit. U lënduam duke dëgjuar çdo ditë u vra, u plagos, u aksidentu, u përplas, bëri karrombol.
***
Për vlerat e këtij artisti të madh e pashë të arsyeshme të kontaktoja edhe me disa të tjerë artistë të mëdhenj dhe bashkëpunëtorë të tij, të cilët jam i sigurtë që me opinionet dhe kujtimet e tyre e plotësojnë më mirë këtë figurë, ikonë e humorit shqiptar. “Spektaklet dhe shoë-t e sotëm, e fillon bisedën mjeshtri i madh i këngës shkodrane Bujar Qamili, e kanë zanafillën në sofrat dhe tryezat e ngjarjeve të gëzueshme familjare dhe shoqërore të shkodranëve, e pse jo të të gjithë shqiptarëve, por imagjinoni një dasëm ku unë kam kënduar të mos ketë qenë pjesë humori, barcoleta e bejta, ku më të veçantin unë do të specifikoja aktorin e madh Gëzim Kruja”.
Më poshtë Bujari kthehet prapa në kohë dhe me buzëqeshjen e tij kujton: “Gëzim Kruja është një emër që nderon veten, familjen, Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, nëpërmjet figurave të tia të njohura, si aktor shumë planesh i humorit.
Gëzimi është i pari që më ka ndihmuar për t’u vendosur në punë në Fabrikën e Duhan Cigareve e gjithashtu që unë të jem edhe këngëtar i trupës së kësaj ndërmarrjeje, sepse Gëzimi ishte regjisor. Gëzimi është nga ajo plejadë artistësh që do të mbetet si ikonë e humorit Shqiptar. Gëzimin e pëlqejnë të gjithë, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit. Mua si Bujar gjithmonë më ka dhënë kënaqësi me humorin e tij brilant.
Po ju tregoj një moment të bukur; Ishim në një koncert madhështor në një ishull të Greqisë, Iraklio. Kur doli Gëzimi në skenë të gjithë njerëzit u ngritën në këmbë duke duartrokitur dhe duke bërë foto. Gjatë monologut të tij njerëzit dërgonin buqeta me lule dhe Gëzimi kur mbaroj tha: “Qysh kur keni fillu me hedh lule, se na gjithmonë hedhim pare”.
Kam shumë gëzim, kam jashtëzakonisht gëzim që po flas për një “Gëzim” të jashtëzakonshëm. Dëgjo Çeka, s’po flas se kam pasur ndonjë gëzim familjar, por jam duke folur për Gëzim Krujën: “Kam 50 vite që merrem me humorin dhe 30 vjet që kur kam debutuar me Gëzim Krujën. Për Gëzimin kam me thënë shumë. Ai ka qenë për mua, jo vetëm partner, por në radhë të parë mësuesi dhe regjisori që me kujdesin e tij më mësoi çdo gjë që një aktor e ka të domosdoshme të përvetësojë në skenë. Këto janë vlera që ky artist i madh ngjason me një mjeshtër që me shpirt don t’ia trashëgojë zanatin nxënësit të tij për t’ia mësuar deri në çdo detaj.
Unë jam një ndër këta nxënës, e sa për kujtimet e mia në këto tri dekada ato janë shumë dhe në këtë moment po përpiqem të kujtoj disa prej tyre. Dua të veçoj se Gëzimi është edhe më i lezetshëm se në skenë, kur është në tavolinë apo në udhëtim. Kemi pas raste që gjatë udhëtimeve me tren të grumbulloheshin aq shumë njerëz sa që të bllokohej vagoni nga lëvizjet.
Ishim në Gjirokastër të ftuar në një recital që këngëtari Petrit Lulo e organizonte në teatrin e qytetit. Mbaj mend se natën e parë dera kryesore e teatrit erdhi dorë më dorë deri në skenë. Kuptohet, nga turma e madhe që kërkonte të shihte shfaqjen. Të nesërmen na çuan për vizitë në fabrikën e këpucëve ku në atë kohë ishin në modë këpucët e lustrafinit. Gëzimi provon një këpucë dhe thotë: sa mirë më rrikan. Drejtori e dëgjon dhe i thotë që të shkonte në repartin e prestarisë që të merrte masën dhe të nesërmen t’i qepnin një palë këpucë të reja dhe t’ja bënin dhuratë. Gëzimi i thotë, po marr këto që provova se nesër ndoshta të heqin ty, vjen një drejtor tjetër dhe mbes pa këpucë.
Shumë kohë më parë, kur ishim të rinj, shkuam për një shfaqje në Teatrin e Estradës në Tiranë dhe na akomoduan në hotel “Arbëria”. Aty vjen një vajzë e re dhe i drejtohet Gëzimit duke i thënë: Xhaxhi Gëzim, ju lutem a keni një biletë për sonte se dua të vij t’ju shikoj. Ne menjëherë na ra në sy bukuria e saj dhe i them Gëzimit që ta pyeste sa vjeçe ishte. Ai më tha rri urtë mor kulim mos u tall me vajzën e huaj, por unë ngulmova përsëri që ta pyste për moshën. Atëherë Gëzimi i thotë: Goce, a votoni sivjet ju? Po, i tha ajo. Gëzimi më tha qenka taman për ty”.
***
Jashtëzakonisht e kënaqur e priti kërkesën time aktorja tashmë jo vetëm profesioniste, por dhe me një përvojë të gjatë në Teatrin “Migjeni” Raimonda Marku dhe sot është një nga bashkëpunëtoret më të afërta të “Mjeshtrit të Madh” Gëzim Kruja. “Shiko, m’u drejtua ajo me buzëqeshje. Këto fjalë që po t’i them për Gëzimin ke për t’i shkruar fiks si po t’i them. Dhe e a din pse? Sepse mendoj se për veprimtaritë artistike të Gëzimit unë kam një kontribut të veçantë, siç ka edhe ai në aktivitetin tim. Prandaj duhet ta dinë të gjithë se: Padyshim Gëzim Kruja mbetet një nga humoristët më të mirë, një artist me dhunti natyrore, me një plastikë e mimikë tepër të veçantë, me talent jo vetëm si aktor humori, por edhe si autor, regjisor, pantomimist, ekuilibrist, zbutës kafshësh, boksier, xhongler… Një krijimtari e gjerë…
Megjithë jetën e gjatë artistike, ai vazhdon të jetë aktiv në skenë, pasi siç thotë vetë ai- me mend jam më i ri, por më është plakur pasaporta.
I tejpritur si brenda vendit, ashtu edhe jashtë kufijve, kudo ku ka shqiptarë. Ka qenë një kënaqësi e veçantë për mua bashkëpunimi me “Mjeshtrin e Madh” Gëzim Kruja. Kemi interpretuar me sukses bashkë në shumë skena në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Amerikë, Kanada, Zvicër, Greqi, Itali etj. Gjithnjë e kudo ai dhuron shumë buzëqeshje. I uroj jetë të gjatë e të lumtur me familjen e tij, si dhe jetë të gjatë në skenë”.
***
Një ndër aktoret që ka një karrierë të gjatë në Teatrin e Estradës së Shkodrës dhe shumë të suksesshme është edhe Drande Xhai. Pyetjes sime në lidhje me bashkëpunimin e saj me aktorin Gëzim Kruja, ajo iu përgjigj me shumë “seriozitet” kështu: Kohët e fundit, në një reklamë televizive të një firme prestigjioze unë shprehem se ndjehem rehat kur pas lodhjes së ditës, shtrihem për të kaluar natën në një dyshek të firmës “Dormeo”. Ama, ta dini mirë se më rehat e ndjej veten kur shtrihem në këtë dyshek pas një aktiviteti artistik në skenë, ku partner kam pasur aktorin e madh Gëzim Kruja.
“Kam punuar shumë me mjeshtrin e madh të skenës Gëzim Kruja. Kam mësuar shumë prej tij. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur për mua. Gëzimi është aktor i veçantë, sepse përveç anës profesionale si aktor ka një portret si rrallë aktor tjetër, d.m.th. flet shumë me mimikën e tij të veçantë. Gëzimi nuk shpreh moshë, është shumë energjik dhe plot jetë. Nuk njeh plakje. I paharruar do të mbetet për mua turneu në Gjermani dhe Zvicër në vitin ’97. Ishim vetëm unë e Gëzim Kruja nga Shqipëria dhe gjithë ansambli ishte nga Kosova me pjesëmarrjen e këngëtarëve më të njohur të Kosovës dhe aktorin e mirënjohur Çun Lajçi. Kam marrë emocione të pashlyera nga ky turne shumë i suksesshëm. Prej 30 vitesh kam interpretuar me këtë mjeshtër në skenat kombëtare dhe në trojet shqipfolse. Gëzimi përveç se është një aktor i mrekullueshëm është gjithashtu edhe një shok shumë i mirë. I uroj nga zemra jetë sa më të gjatë, kështu si djalosh, me plot energji dhe humor”.
***
Bashkëpunëtorët dhe kolegët e Gëzimit nuk janë vetëm në qytetit e tij, por anë e mbsnë Shqipërisë. Në pamundësi për t’i pasqyruar në këtë shkrim kujtimet dhe opinionet e tyre, jo rastësisht e pashë me vend t’i rezervoj një hapësirë aktorit të mirënjohur Behar Mera i cili me zhdërvjelltësinë e tij që e karakterizon, pavarësisht nga pesha e trupit, u shpreh kështu për mikun dhe kolegun e tij të “zanatit”.
“Është kënaqësi që po më jepet mundësia të shprehem për një nga ikonat e humorit shqiptar, artistin e madh Gëzim Kruja. Karriera ime artistike fillon pikërisht me imitimin e këtij artisti, i cili rradhitet ndër figurat më të shquara të humorit shqiptar. Më vonë fati e deshi që ta njihja nga afër dhe të çmoja përveç vlerave artistike dhe ato njerëzore. Është një nga miqtë e mi shumë të mirë dhe unë i uroj jetë të gjatë dhe të lumtur, por edhe aktive në jetën e tij artistike”.
Shkodra pa Rozafën dhe humorin, nuk do të ishte Shkodra që njohim. “Rozafa” mbretëron në hyrje të qytetit prej 2400 vitesh, ndërsa humori mbretëron në të gjitha qelizat dhe arteriet e shkodranëve, e në mënyrë të veçantë me përfaqësuesit artistë që e trashëgojnë atë nga një brez në tjetrin. “Ti ke të drejtë, më drejtohet Gëzimi duke qeshur, por Shkodra dhe Shqipëria kanë vetëm një “Gëzim” e ky është Gëzim Kruja”.
Duke e përfunduar këtë bisedë kaq të këndshme, mund të them se nuk më mbetet gjë tjetër veçse në emër të lexuesit t’ju falenderoj për gjithçka thatë, shëndet të mirë dhe gjithmonë mbetsh i ri në skenë.
Komentet