Libri i princit Harry po bën shumë bujë, edhe pse nuk ka dalë akoma në shitje. BBC ka arritur të sigurojë një kopje të librit ‘Spare’ nga libraritë e Spanjës, pasi atje ka dalë gabimisht në shitje më herët. Akuzat që bën Harry janë bombastike. Ja disa prej tyre:
Harry dhe William i kërkuan babait të tyre të mos martohej me Camilla-n.
Harry shkruan se iu lutën babait nga frika se ajo do kthehej në njerkën e keqe. Bashkë me vëllanë, ai bëri disa takime të ndara me Camilla-n. Në libër thuhet se ai dhe William ishin të gatshëm ta falnin atë në zemrat e tyre, nëse Camilla mund ta bënte të lumtur babanë e tyre.
Një mesazh nga Diana nga përtej varrit
Harry tregon në libër se si trishtimi për vdekjen e nënës së tij, Dianës, bëri që të kërkonte ndihmë nga një grua që thuhet se kishte fuqi mistike. “Nëna jote thotë se ti po bën jetën që ajo nuk mundi ta bënte. Ju po jetoni jetën që ajo donte për ju,” i tha parashikuesja.
Babai nuk e përqafoi kur vdiq Diana
Në kujtimet e tij, Harry përshkruan momentin kur babai i tij, Charles, i dha lajmin se Diana ishte përfshirë në një aksident me makinë. Harry thotë se babai i tij nuk është i mirë në shprehjen e ndjenjave, madje nuk e përqafoi pas lajmit. Më vonë, Harry thotë se e përsëriti udhëtimin që bëri Diana me makina kur humbi jetën, me shpresën se do e mbyllte si kapitull, por kjo e bëri të kishte më shumë dyshime për shkakun zyrtar të vdekjes.
Vëllai e shembi përtokë pas një sherri
Harry pretendon se vëllai i tij, William e kapi për jake, ia grisi varësen dhe e rrëzoi në dysheme në vilën e tij në Londër. Në libër thuhet se sherri nisi pas komenteve që bëri William për Meghan, duke thënë se ajo ishte e vështirë, e vrazhdë dhe e bezdisshme. Kur Harry i tha se ai ishte papagalli që po ushqente mediat me lajme, ai shkoi drejt tij, e kapi për jake dhe e rrëzoi në tokë. “Rashë mbi tasin e qenit, i cili u thye poshtë shpinës. Copat më prenë. Mbeta i shtrirë dhe i trullosur për një moment, pastaj u ngrita në këmbë dhe i thashë të dilte jashtë”, tregon Harry.
Si e humbi Harry virgjërinë pas një pub-i
Harry tregon se ishte 17 vjeç kur e humbi virgjërinë me një të grua të moshuar në një fushë pas një pub-i. Ai thotë se ishte një eksperiencë poshtëruese. Harry tha se gruaja e e trajtoi atë si një ‘hamshor të ri’.
Përdori kokainë kur ishte 17 vjeç
Harry thotë se atij iu ofrua kokainë në shtëpinë e dikujt kur ishte 17 vjeç. Ai pranon se e ka marrë këtë drogë edhe në raste të tjera, por nuk i ka pëlqyer. Harry rrëfen edhe se ka tymosur kanabis në kolegjin ‘Eton’ kur ishte nxënës. Po ashtu gjatë një udhëtimi në Kaliforni, thotë se ka marrë kërpudha magjike.
Vrau 25 talebanë duke luftuar në Afganistan
Ndërsa shërbente si pilot helikopteri në Afganistan në vitet 2012-2013, ai thotë se mori pjesë në gjashtë misione, ku përfshiheshin edhe vrasjet, por ai i shihte ato si të justifikueshme. “Nuk është një statistikë që më mbush me krenari, por as nuk më lë të turpëruar. I zhytur në vapën dhe konfuzionin e luftimeve, nuk i shihja ata 25 si njerëz. Ata ishin si gurë shahu që hiqeshin nga tavolina, njerëz të këqij që eliminoheshin para se të vrisnin njerëz të mirë”.
Meghan ofendoi Kate duke i thënë se e ka trurin si bebe
Harry tregon në libër se si gruaja e tij, Meghan kishte ofenduar kunatën Kate, duke thënë se ajo kishte trurin e një bebeje. Kjo ndodhi përpara dasmës mbretërore të vitit 2018. Gjatë përplasjes, Kate pranoi se ajo e kishte bërë gruan e tij të qante. William reagoi duke i thënë Meghan: “Kjo ishte shumë brutale, këto gjëra nuk bëhen këtu”. Kurse Meghan i tha: “Hiqe atë gisht nga fytyra ime”.
Babai iu lut vëllezërve që të mos ziheshin
Pas funeralit të Dukës së Edinburgut në vitin 2021, Harry përshkruan një tjetër konfrontim mes tij dhe vëllait. Harry thotë se babai Charles hyri mes tij dhe William dhe iu tha atyre: “Ju lutem, djema, mos i bëni vitet e mia të fundit një mizerje”.
William ishte trashëgimtari dhe Harry ishte ‘rezerva’.
Harry shkruan se kur ishte 20 vjeç, i thanë se Charles i kishte thënë Dianës: “Fantastike, më ke dhënë një trashëgimtar dhe një rezervë (spare). E ke bërë punën tënde”. Nga kjo e ka marrë titullin edhe libri me kujtime ‘Spare’ (Rezerva).
Komentet