Duke lexuar librin e Bashkim Saliasit: “Po gjyshi, pse i lexon librat e mi?!”
Kohët e fundit Bashkim Saliasi ka dalë përpara lexuesit me një tufë skica, ese e tregime, që i ka përmbledhur në një libër të veçantë të titulluar “Po gjyshi, pse i lexon librat e mi?!” Që në fillim dëshiroj të them se këto krijime për nga fabulat dhe përmbajtjet janë befasuese, ato rrokin këndvështrime interesante, ku pasqyrohen marrëdhëniet mësues-nxënës e prindër, por edhe të gjyshërve me vogëlushët, nipër e mbesa. Ndërkaq, shumë tregime dhe ngjarje të tjera pasqyrojnë jetën e autorit, i cili shpesh herë është protagonisti kryesor. Ato shfaqen përpara lexuesit si ngjarje apo episode të “zakonshme”, por, të treguara me sinqeritet, me gjuhë të thjeshtë e stil tërheqës, janë mbresëlënëse dhe mbeten gjatë në kujtesë: edhe për mesazhet origjinalë dhe bashkëkohor, por edhe sepse janë të pasqyruara me freski, vërtetësi dhe realizëm.
Në këtë këndvështrim, krijimet e këtij libri, marrin vlerë estetike dhe edukative, ato i vlejnë lexuesit në jetën e përditshme, në krijimin e harmonisë në marrëdhëniet e njerëzve të moshave të ndryshme me njëri-tjetrin, por edhe rrokin e trajtojnë në mënyrë emocionuese marrëdhëniet brenda familjes, në përpjekjet për mbijetesë dhe zgjidhjen e halleve e problemeve që lindin në vazhdimësi.
Interesantë dhe befasuese shfaqen në këto krijime dialogët, pyetje-përgjigjet e fëmijëve me të rriturit, të cilët dallohen vazhdimisht për kureshtjen dhe etjen për të mësuar sa më shumë nga prindërit dhe mësuesit e tyre. Këtë befasi e ndjejmë edhe tek tregimi i parë i librit, që titullohet: “Po gjyshi, përse i lexon librat e mi?!” Aty rrëfehet për një familje që ka shkuar me pushime në bregdet dhe, mbesa e vogël, e cila ka etje dhe dëshirë të madhe për të lexuar libra, midis librave për fëmijë, dëshiron të lexoj edhe ndonjë nga librat që lexon gjyshi i saj i dashur. Kur e ëma, disi e habitur, e këshillon që ajo të lexojë libra të përshtatshëm për moshën e saj, vajza i përgjigjet në një mënyrë krejt befasuese, duke shkaktuar gaz e buzëqeshje te lexuesi: “Po gjyshi, pse i lexon librat e mi?!”
Përshkrim realist dhe tronditës përçon autori tek tregimi: “E dua jetën!”, ku përshkruhen ato ditë të herëta të vitit 1997-të, kur shteti kishte rënë dhe ligjin e bënte rruga dhe kur njerëzit përpiqeshin t`i dilnin vetë zot vetes, familjeve dhe të afërmve të tyre. Kishin humbur kursimet në firmat e “famshme” piramidale, dhe, si të mos mjaftonte kjo, ata ndiheshin të braktisur dhe të pasigurt për jetën dhe të ardhmen… Zgjon interes të veçantë tregimi “Mësueskat”. Nëpërmjet tij, autori kritikon rreptë ato raste kur njerëz të arsimuar, përdorin fjalorë të papërshtatshëm në bashkëbiseda, por edhe shprehje fyese, si ndaj qytetarëve të pranishëm, ashtu dhe ndaj nxënësve të tyre. “Mësueset”, që ndodhen rastësisht me autorin e librit në të njëjtin autobus, flasin për nxënësit e tyre me një gjuhë fyese, përdorin lloj-lloj shprehjesh, pa i bërë përshtypje prezenca e udhëtarëve të tjerë në autobus. Teksa, autori, duke zhvilluar tregimin, thotë: “I dëgjoja dhe mendoja: Po veten e tyre, ku e futin këto “mësueska”, që gjithçka mund të jenë, por jo edukatore të brezit të ri…!”
Vazhdon me natyrshmëri tregimi: “Dy emigrante të panjohura”, ku edhe këtu ndihet papërgjegjshmëria e bashkëbisedave të atyre që merren me thashetheme, që thonë fjalë “të qena dhe ta paqena”, apo që shprehen keq dhe me përbuzje për atdheun ku kanë lindur e kanë rritur. Protagonistet e këtij tregimi janë emigrante jashtë shtetit, ku sipas tyre gjithçka ndrit e shkëlqen, kurse në atdheun e tyre gjithçka është e zezë, atyre nuk u hynë asgjë në sy, veçse shajnë e fyejnë. Vet tregimi është një fshikullim i mendimeve të atyre njerëzve, që duke lartësuar dhe glorifikuar të huajën, përbuzin atdheun tyre. Tregimin e përshkon thënia e Lukianit të lashtë se: “Edhe tymi i Atdheut do të duket më i ndritshëm se zjarri në vise të largëta, sepse çdo gjë që njerëzit e quajnë të shenjtë dhe të lartë, atyre ua ka mësuar atdheu, sepse ky i lind, ky i rrit dhe i edukon. Shumëkush mund të mahnitet nga madhështia dhe fuqia e qyteteve të huaja, nga bukuria dhe shkëlqimi i ndërtesave të tyre, por për të dashur të gjithë duan atdheun”.
Tregimi “Dhelpra”, zbërthen në një mënyrë origjinale aforizmin se “dhelpra, mbetet dhelpër…”, kurse tregimi “Zbori”, na jep një pasqyrë për stërvitjet ushtarake, që zhvilloheshin në kohën e diktaturës. Krahas informacionit, në këtë tregim autori shpalos edhe qëndrimin e tij realist e kritik, të shoqëruar me përshkrime të natyrës së bukur shqiptare. “Një udhëtim i këndshëm” përshkruan thjesht e bukur një udhëtim për në një shtet fqinj, ndërkohë që në dialogët midis personazheve, fshikullohet ashpër dhe drejtpërdrejtë korrupsioni, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë. Bashkim Saliasi e ka me shumë merak shkollën dhe nxënësit, madje siç edhe kam lexuar nga shtypi, në shkollat ku ai ka qenë mësues, ka ndërmarrë veprime në dobi të zbukurimit dhe modernizimit të shkollës, edhe duke ngulmuar për pajisjet e tyre me mjetet e duhura laboratorike dhe kompjuterike, por edhe me mbjelljen e pemëve dhe drurëve zbukurues, duke krijuar për nxënësit dhe kolegët mjedise të hijshme e çlodhëse. Ky merak dhe kjo ndjeshmëri, shprehet nga Saliasi edhe te skica “Mani i Halim Rujës, ku, me fjalë të thjeshta, përshkruhet dashuria e mësuesve dhe drejtuesit të shkollës për të krijuar në shkollë një mjedis sa më të bukur, ashtu siç do t`a dëshironte gjithsecili në shtëpinë e vetë.
Te libri i Bashkim Saliasit, rrëfimet rrjedhin natyrshëm, madje kur i lexon nis e përfytyron rrjedhjen e përrenjve nga malet, kur dielli nis e shkrin dëborën dhe ata zbresin të pastër, duke krijuar ujëvara dhe freski. Këtë ndjesi të krijon edhe leximi i tregimit “Arra madhe”, ku rrëfehet sesi, pas valëve të shkatërrimeve, natyra ripërtërinë vetveten. Ideja e mbirjes së dy filizave të rinj, në mjedisin ku kishte qenë dikur një arrë e madhe, të cilën e kishin prerë dhunshëm, tregon se jeta vazhdon dhe natyra përpiqet të shëroj plagët, që krijon dora e papërgjegjshme e njeriut. Thirrja e autorit është që njeriu duhet ta ruaj me çdo kush natyrën, ai duhet të ndihmojë në zhvillimin e saj. “Arra madhe”, më sjell në kujtesë kujdesin që tregojnë njerëzit dhe institucionet në disa vende perëndimore, si për shembull në Suedi, ku, edhe një degë peme apo druri të kopshtit tënd ti nuk mund ta presësh nëse nuk merr lejë nga komuna apo bashkia, duke ia argumentuar se përse do ta presësh. Skena të bukura te tregimi “Ara e madhe” janë edhe dialogët e bashkëbiseduesve, gjuha e thjeshtë e tyre, pa teprime e ngarkesa, e ku mendimi është i shprehur qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Duke luftuar dhe përjetuar vështirësi dhe të papritura, që duhen kapërcyer doemos, Bashkim Saliasi vë në funksion të krijimtarisë së tij përvoja interesante, realitete të dhimbshme që përbëjnë njëherazi dhe momente të vetë jetës dhe përpjekjeve të tij për mbijetesë. Në këtë senc, këto nuk janë thjesht histori personale të një njeriu, por ato marrin vlera përgjithësuese. Protagonisti i librit, na shpalos copëza jete ku janë shkrirë edhe disa cilësi e tipare karakteristike të shoqërisë së sotme shqiptare, ndërkohë që aty shfaqen skena të jetës plot privacione, që, nga njëra anë kalojnë përmes premtimeve për një jetë më të mirë dhe, nga ana tjetër, pengesave dhe rrugëve të komplikuara të integrimit, të shoqëruara këto me mundime e vuajtje shpesh herë të paimagjinueshme. Janë sakrifica sublime, që u duhej të bënin shqiptarët e fund shekullit të XX dhe fillimit të shekullit të XXI për t`u integruar me botën, por dhe për të mbijetuar në atdheun e tyre. Kështu, tek tregimi “Në Tiranë”, autori rrëfen për mundimet e tij dhe të familjes për t`u integruar në kryeqytetin e vendit të tij Tiranë, për t`u sistemuar në punë (burrë e grua) si mësues, por edhe për të sistemuar me shkollë e punë fëmijët. Një përshkrim plot dritë dhe sinqeritet, e që, krahas vuajtjeve dhe mundimeve, tregon edhe karakterin fortë dhe të palëkundur të Bashkim Saliasit, besimin dhe shpresën se e mira dhe e ardhmja do të vijnë nëpërmjet punës dhe veprimit të ndershëm. Jeta është e vështirë dhe plot dallgë dhe ato duhen përballuar me kurajë dhe besim, aq më tepër që njeriu kur është prind ndjen detyrimin dyfish për familjen dhe fëmijët, ashtu siç kanë bërë edhe të parët, prindërit tanë, është kjo një rrugë shqiptare, që kalon dhe depërton shekujt, luftë për mbijetesë, por dhe me besim tek e ardhmja.
Është mjaft mësimdhënës tregimi “Nxënësit duhet t`i duash, që edhe ata të të duan”, tregim që e ka mesazhin që në titull, por që nënkupton kujdesin dhe vëmendjen, sidomos përkushtimin e mësuesit ndaj nxënësve të tij. Zgjon mendime, fantazi dhe imagjinatë te lexuesi, tregimi: “Në Razëm, zbori dimëror”, një rrëfenjë e përjetuar nga vetë autori, të cilën ai e tregon me besnikëri dhe gjuhë të pasur, që ruan vulën e kohës kur ka ndodhur. I shpreh këndshëm bukuritë e natyrës shqiptare tregimi “Në Theth” dhe “Gostia”, sikurse na njeh me zakonet e krahinës dhe vendlindjes tregimi: “Të humbur në dëborë”. E, ndërsa “I treti”, fshikullon burokratizmin që vihej re në zyrat e sistemit monist, tregimet “Ëndrra”, “Bëj si të thotë mendja!” dhe “Rrite gjarprin të të hajë kokën!” demaskojnë korrupsionin aktual në Shqipëri, ku ato që njeriu i ëndërron, mund t`i bëj realitet fare lehtë duke përdorur forcën e parave. Ndërkaq, ndjenja të këndshme dhe finesë shfaq tregimi: “Nuk e dija që qeni im paska njerëz me pozitë!”.
Si përfundim, dëshiroj të nënvizoj se Bashkim Saliasi, me këtë përmbledhje, jo vetëm e emocionon lexuesin me rrëfimet e tij të sinqerta dhe mbresëlënëse, por edhe ndihmon me mesazhet e çmuara, me përfytyrimet e drejta dhe të bukura për botën që na rrethon. Duke qenë një vëzhgues i hollë dhe me kujtesë, me këtë libër, Saliasi na bind se ka aftësinë që të krijoj skica, ese dhe tregime mbështetur në subjekte të thjeshta, por që bartin mesazhe me vlerë dhe shërbejnë shpesh herë si mësime për përditshmërinë e jetës, veçanërisht për brezin e ri.
Komentet