I dashur ditar.
U bë ca netë që s’të kam prekur me dorë. Erdha prapë unë zhbidi.
Pushimi në Dhërmi më ka raskapitur, më ra bretku.
Në Tiranë jam më i qetë, mbyllem në zyrë, bëj ndonjë kosh, zhgarravis dhe shplodhem.
Në Dhërmi më shket koha nga pulpat, këta të shtëpisë i kam nëpër këmbë, Qifi më vjen çdo pasdite me nga 10 veta. Po tmerri më i madh është kur vjen Milena Harito me nipërit e burrit që i vjedhin Zahos petullat me mjalt. Aty më vjen të shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Pz 🙁
Nejse, kisha Tony Blair-in ca ditë mysafir. U kënaqëm. Nuk fjetëm dot bashkë, se mami Neta na tha që të rriturit duhet të flenë në dhoma veç e veç.
Me Tonin më ndodhi dhe një keqkuptim. Ne dolëm në avlli dhe po pinim portokalladë.
Më mori Qifi në telefon dhe më tha se po vinte dhe ai. Unë u gëzova si bambino dhe i thashë Tonit se Qifi po vinte.
Në fillim Toni u ngatërrua dhe më tha se nuk ishte nevoja për WI-FI meqenësese ai e kishte harruar telefonin në një motel në Kazhakistan.
Aty e mora situatën në dorë dhe i thashë:
-Oh nou Uaj-Faj Toni, nou. Qifi Qifi, dhë gud fella. Q-I-F-I.
Toni bëri sikur e kuptoi dhe unë mezi po prisja t’ia bëja surprizë.
Më vonë mbërriti dhe Qifi dhe sa u ul nxori një telefon akull të ri nga çanta dhe ja dha Tonit duke i thënë:
-Mbaje telefonin lale, e ke fringo, ta gëzosh. Fute ke veni aty, se Dhormiu osh si Pekini n’verë, se du me t’gjet po pate nai gjo vllau tem.
Tonit ju bë shumë qejfi.
“Thenk ju mistër Uaj-Faj”, – i tha Toni buzagaz Qifit.
Aty Qifi se mbajti dot veten, u çua në këmbë dhe deklaroi:
“Thenk-ju osh ejvalla mër jahu. Qeke rob i thjesht ti Tono. Urno ene varësen teme të florinit se e ke me hallall.”
Qifi hoqi varësen nga qafa e ja dha Tonit. Më pas Qifi na bëri dhe një foto të dyve. Foton e hodha në fejsbuk dhe dy ditë rresht shijoja pafundësinë e lajkeve dhe komenteve që na bëheshin mua dhe Tonit nga populli ynë dixhital.
Kështu i shtyva dhe dy ditë të tjera me mbresat e fotos deri kur më bie telefoni. Më mori Tan Leli i Vlorës gjithë gëzim më thotë se Majlinda kishte fituar medaljen e arit.
Menjëherë dhe i ngazëllyer, i nisa një SMS Majlinda Bregut për ta uruar:
“Të ma gëzosh atë medaljen e arit o butuloshja e opoxhitës”
Përgjigja e Majlindës më shastisi:
“Ke ngatërruar Majlindën o ari i qeverisë. Medaljen e fitoi Majlinda Kelmendi, por ti bëj kujdes se mos uron dhe Majlind Lazimin”.
Kaq dhe për sot i dashur ditar. Po të lë, se do shkoj të nuhas pakëz atë vapikun që ma la Gysi tek tabakaja.
Pafshim dritë.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa: [email protected]
Komentet