Marrëveshja politike mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës në vitin 2002 për reformën zgjedhore rrezikoi të prishej nga një vendimmarrje e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama.
Në një rrëfim për “Panoramën”, ish-eksperti i OSBEsë në vitin 2002 dhe deputeti aktual i PD-së, Oerd Bylykbashi, tregon prapaskenat e asaj marrëveshjeje historike, e cila sipas tij ka lënë gjurmë në vendosjen e konsensualitetit politik në Shqipëri.
Bylykbashi rrëfen se situata politike pas zgjedhjeve të vitit 2001, për shkak të problematikave të mëdha që ato shfaqën, ishte tejet e tensionuar. Për këtë arsye, në dhjetor të po atij viti, palët nisën takimet e para informale për të arritur një pakt të rëndësishëm politik për reformën zgjedhore, por edhe për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.
“Negociatat e para kanë filluar në muajin dhjetor 2001, dy muaj pasi kishte dalë raporti i OSBEODIHR- it. Në atë kohë, PD kishte mbyllur Kuvendin e saj, ndërkohë që në PS ishte përplasja Nano-Meta. Në dhjetor filluan kontaktet e para, fillimisht me opozitë(PD), sepse zgjedhja e Presidentit po shkonte drejt një vendimi të njëanshëm, kur PS i kishte 84 votat. Gjatë janarit negociatat vazhduan. Maxhoranca e asaj kohe kishte filluar t’i jepte garancitë e para opozitës. Në fund të janarit 2002, PD mbylli bojkotin e Parlamentit, pasi filloi të merrte këto garanci”, rrëfen Bylykbashi.
Deputeti demokrat sqaron se situata politike në vend në atë kohë ishte tejet e tensionuar, edhe për shkak se PD kishte bojkotuar këshillat bashkiakë në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, si Tirana dhe Durrësi.
“Nisën negociatat për të përmbyllur bojkotin e pushtetit vendor. Pasi që nga tetori i vitit 2000 deri në janar të vitit 2002 PD bojkotonte Këshillat Bashkiakë të bashkive më të mëdha në vend. Më 22 shkurt është bërë një takim publik në Kuvend që drejtohej nga Namik Dokle, i cili mbante edhe postin e kreut të Kuvendit. Nga përfaqësuesit e PD-së, në rolin e negociatorve ishin Jozefina Topalli dhe Ilir Rusmajli, kurse për PS-në Blendi Klosi dhe Taulant Dedja. Pjesë e negociatave ishte edhe përfaqësuesi i OSBE-së Geert Ahrens dhe danezi Jorgen Grunnet i Këshillit të Europës. Pas këtij takimi, vazhduan negociatat. Është bërë takimi tjetër më 17 mars të po atij viti. Ky takim është bërë në OSBE, në zyrat e ambasadorit të OSBE-së, Geert Ahrens. Edhe në këtë tryezë, për palët politike kanë qenë të njëjtët negociatorë. Atë ditë është bërë draftimi i protokoll- marrëveshjes midis PSPD. Ky protokoll në themel kishte reformën bipartizane konsensuale. Termi bipartizan u huazua nga raporti i OSBE/ODIHR”, shton Bylykashi.
Sipas ish-ekspertit të OSBE-së, i cili ka qenë prezent përgjatë gjithë zhvillimit të këtyre negociatave në tryezën e negociatave, ka pasur një debat të fortë në lidhje me hetimin e zgjedhjeve të vitit 2001.
“Debati i gjatë në atë tryezë ka qenë në lidhje me hetimin e zgjedhjeve të vitit 2001. Gjithashtu, mbi bazën e asaj marrëveshjeje u vendos zgjedhja e Presidentit në mënyrë konsensuale, u ndërrua kreu i Shërbimit Informativ. Më 17 mars është bërë ky takim, në datën 18, me një vendim të Kuvendit të Shqipërisë, është shkarkuar Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi. Ky shkarkim nuk ishte pjesë e marrëveshjes, pasi si akt ka ndodhur përpara firmosjes së marrëveshjes zyrtare, por ka ndodhur në kohën kur po zhvilloheshin negociatat”, sqaron Bylykbashi.
NGËRÇI
Atëherë kur u mendua se palët po shkonin drejt një marrëveshjeje konsensuale dhe PD vendosi të rikthejë këshilltarët e saj në këshillat bashkiakë, pakti rrezikoi të prishej. Kreu i Bashkisë së Tiranës në atë kohë, Edi Rama, vendosi të ndërmerrte hapin për shkarkimin nga detyra të këshilltarëve të djathtë për shkak të mungesës së tyre në mbledhjet e këshillit për mbi 6 muaj.
“Në shkurt, kur PD vendosi të rikthehej në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Edi Rama vuri në lëvizje Këshillin Bashkiak për të shkarkuar 22 anëtarët e opozitës në këshill. Preteksti që u zgjodh për këtë shkarkim ishte mungesa e betimit dhe mungesa për 6 muaj me radhë në mbledhje. Rama nuk donte që të ishin më Ilir Rusmajli, Njazi Kosovrasti, Ferdinant Poni. Kjo ishte një lëvizje e Ramës për të prishur konsensusin që po bëhej. Në këtë rast ka pasur një ndërhyrje të fortë nga OSBE-ja. I rrëzuan Ramës tezat juridike në atë që ata pretendonin për të shkarkuar këshilltarët e djathtë. OSBE ndërhyri edhe te Kryeministri i asaj kohe, Pandeli Majko, i cili e kishte marrë këtë detyrë pas dorëheqjes së Metës. Majko influencoi fort te kjo vendimmarrje e Ramës, i cili i kujtoi këtij të fundit që palët ishin në një proces negociatash për një marrëveshje politike dhe nuk mund të ndaheshin për këtë gjë”, rrëfen ish-eksperti i OSBE-së.
MARRËVESHJA
Përpara se të hidhnin firmat në marrëveshjen e dakordësuar nga Topalli e Klosi, dy kryetarët e partive kryesore në vend, Fatos Nano dhe Sali Berisha, shtrënguan duart në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.
“Në mars, situata ishte stabilizuar. Këshilltarët u kthyen në postet e tyre. Përpara takimit publik Nano-Berisha, është bërë një tjetër takim në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku Nano dhe Berisha shtrënguan dorën për herë të parë. Ishte vendosur që marrëveshja do të firmosej nga Jozefina Topalli dhe Blendi Klosi. Mua më është lënë detyra që të merrja firmën e palëve dhe brenda një ore është dakordësuar që Nano e Berisha ta firmosnin marrëveshjen. Dokumenti ishte i certifikuar nga të dyja palët, kishin rënë dakord. Në ditët e para të prillit u vendos që do të ishin Nano e Berisha, dy kryetarët, që do të firmosnin marrëveshjen. Si Nano dhe Berisha në atë kohë ishin kryetarë partish, pasi Nano nuk ishte bërë ende Kryeministër. Ra dakord që firmat do të hidheshin në zyrat e OSBE-së. Në takim ka qenë i pranishëm kreu i Kuvendit të asaj kohe, Namik Dokle, kryetarët e partive Nano e Berisha dhe dëshmitarët e marrëveshjes u quajtën Geert Ahrens i OSBE-së dhe danezi Jorgen Grunnet i Këshillit të Europës. Aty u hodhën firmat. Ishte marrëveshja e parë e madhe politike. Firmat janë hedhur më 5 prill 2002″, sqaron Bylykbashi.
Në rrëfimin e tij, deputeti demokrat, i cili ka marrë pjesë në disa marrëveshje historike që janë nënshkruar në Shqipëri, tregon edhe ndryshimin mes realizimit të negociatave me Fatos Nanon dhe Edi Ramën.
“Nano bënte marrëveshje. E ka treguar edhe më vonë. Ndërkohë që Edi Rama nuk bën marrëveshje nëse nuk është në pozitë të vështirë dhe kur ndihet i dobët. Edhe Edi Rama ka bërë marrëveshje të mëdha. Ajo e vitit 2008 për ndryshimet kushtetuese dhe për Kodin Zgjedhor në vitin 2012. Por Rama ka karakteristikën që nuk firmos kurrë një marrëveshje vetë. Gjithmonë i është dukur komprometim prezenca e firmës së tij në marrëveshje. Nga ana tjetër, sapo u bë Kryeministër, marrëveshjen e fundit që kishte firmosur përpara se të merrte postin në lidhje me tri ligjet e zhbëri pasi ndryshoi ligjin e nëpunësit civil. Vazhdoi me reformën e njëanshme territoriale, që kishte vetëm qëllim elektoral për kapjen e pushtetit dhe me të cilën shkatërroi një nga themelet e stabilitetit politik e demokratik; vazhdoi më tej me reformën e njëanshme të drejtësisë, ku theu edhe konsensusin kushtetues të 22 korrikut 2016, dhe e përmbylli me mosbërjen e një reforme konsensuale zgjedhore, për herë të parë pas 15 vitesh”, mbyll rrëfimin e tij Bylykbashi.
Komentet