Nuk kam marrë pjesë në krim dhe nuk kam qenë fare në dhomë kur ka vdekur gjyshja”. Ky ka qenë pohimi i bërë nga 32-vjeçarja Xhoana Hila, e akuzuar se tre muaj më parë ka vrarë gjyshen e saj Angje Hila, 82 vjeçe, vrasje kjo e kryer në bashkëpunim me të dashurin e saj, Eraldo Qatipi, 27 vjeç nga Tirana. Para trupit gjykues të drejtuar nga gjyqtari Andri Ymeri, 32-vjeçarja ka mohuar fillimisht të ketë dijeni për ngjarjen, ndërsa kanë qenë provat e paraqitura nga prokuroria, e përfaqësuar nga prokurori Xhevahir Liti, të cilat kanë bërë që Xhoana të ndryshojë mendim dhe të pohojë se ka qenë i dashuri i saj, ai që e ka vrarë gjyshen dhe se ajo nuk ka qenë në dhomë. Ajo ka pohuar se natën e ngjarjes i dashuri i saj, i cili bashkëjetonte me të në shtëpinë e gjyshes u grind me të moshuarën, pasi ajo e akuzonte se i kishte vjedhur ca lekë. “Ai debatoi ashpër me të dhe unë u largova për në dhomën tjetër. Pasi nuk dëgjova më fjalë, kam shkuar te dhoma dhe e kam parë se gjyshja kishte vdekur”, ka thënë Xhoana. Ajo është rritur nga gjyshja e saj Angje, pasi prindërit i janë divorcuar prej vitesh.
Vajza vetë ka qenë e martuar, por është divorcuar dhe është kthyer në shtëpinë e gjyshes, ku dhe kishte jetuar para martesës. Rreth një vit më parë aty ka ardhur të jetojë dhe i dashuri i saj, Erando Qatipi, 27 vjeç nga Tirana. Sipas provave të prokurorisë, të siguruara nga përgjimet ambientale të bisedave të çiftit Hila-Qatipi, vrasja ka ndodhur me jastëk, pastaj me duar, ndërsa të moshuarës i janë grabitur paratë që kishte, dy unaza floriri, një orë floriri dhe disa sende tjera me vlerë. Pas krimit dy të rinjtë janë larguar në Tiranë, ndërsa të afërmve u kanë thënë se kanë shkuar atje për të qenë më afër familjes së djalit. Vdekja e të moshuarës është deklaruar si natyrale, por kanë qenë djemtë e saj që kanë konstatuar shenja dhune dhe sendet e vjedhura në banesë. Gjykata e Shkodrës ka caktuar dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 32vjeçaren Xhoana Hila dhe të dashurin e saj Erando Qatipi, të cilët akuzohen për vrasjen e gjyshes së të resë, gjatë grabitjes së disa bizhuterive prej floriri në banesë..
Ngjarja, sipas policisë, është raportuar më datë 25 shkurt të këtij viti nga djali i të moshuarës Nikolin Hila, i cili është edhe babai i vajzës. Ai kishte parë në trupin e pajetë të nënës së tij 82-vjeçare shenja dhune në pjesën e fytyrës. Po kështu ka konstatuar se në duart e nënës së tij nuk ishte unaza dhe ora e dorës, që ky shtetas ia kishte blerë. Policia e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen, duke e zbardhur pas tre muajsh hetime. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë bashkëpunuar prej tre muajsh me metoda speciale të hetimit, duke vënë në përgjim dy të dyshuarit. Ndërhyrja është kryer në momentin që kishte prova të mjaftueshme për t’iu adresuar atyre dyshimet e kryerjes së këtij krimi të rëndë. Burime nga Prokuroria e Shkodrës bënë të ditur se çifti i të arrestuarve, Xhoana Hila dhe bashkë-jetuesi i saj pesë vite më i vogël, Erando Qatipi, fillimisht kanë tentuar të mohojnë krimin. Ata kanë deponuar se nuk kishin dijeni për krimin dhe se e moshuara kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Por alibia e tyre është rrëzuar kur janë përballur me provat e mbledhura nga organi i akuzës, që kishin të bënin me përgjimet në forma të ndryshme, ku mes të tjerash ata kanë diskutuar edhe në lidhje me krimin që kishin kryer në bashkëpunim.
Sipas burimeve, e gjendur përballë këtyre fakteve, 32¬vjeçarja ka pranuar se kishte dijeni për krimin, por ajo ia ka adresuar autorësinë të dashurit të saj. Ajo ka dhënë shpjegime para prokurorit të çështjes për mënyrën si ka ndodhur krimi. Gjatë dëshmisë së saj, ku shfaqi shenja pendese, vajza pohoi se “gjyshen e mbyti i dashuri me jastëk”. Ajo ka shtuar më tej se i dashuri i saj, Erando Qatipi, ishte nën efektin e alkoolit. Ndërkaq, dëshmia e të riut ende nuk është bërë e ditur, pasi sipas të dhënave, ai ka heshtur dhe nuk ka pranuar të jetë bashkëpunues me hetimorët. Pavarësisht dëshmisë së dhënë nga e reja, dyshohet që ajo të ketë bashkëpunuar në krim. Burime të Policisë thanë se pas mbajtjes nën mbikëqyrje të çiftit të ri, është arritur të konkludohet se ata janë autorët.
Ditën e lëshimit të urdhrit të arrestit, 32-vjeçarja dhe i dashuri i saj 27 vjeç janë ndaluar në Tiranë dhe më pas u shoqëruan drejt Policisë së Shkodrës. Megjithatë, ende sot se nuk është përcaktuar se cili nga dy personat e ndaluar është autori i vrasjes së 82-vjeçares, por të dy janë lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” nga gjykata. Nga këqyrja e trupit të viktimës, tre muaj më parë, Policia gjeti shenja gishtash në pjesën e qafës. Ato çuan grupin hetimor për të hapur çështjen për vrasjen e të moshuarës Angje Hila. Gjatë procesit hetimor, shenjat e gjetura u dërguan në laborator. Tashmë me ndalimin e Xhoana Hilës, si dhe të dashurit të saj, pritet të bëhet krahasimi i gjurmëve të tyre, për të përcaktuar se cili është autori i vërtetë i mbytjes.
Kush ishte Xhoana Hila
Xhoana Hila, 32 vjeç, kohët e fundit jetonte në Tiranë, bashkë me të dashurin, por nganjëherë vinte në shtëpinë e saj në lagjen “Gjuhadol” të Shkodrës, aty ku jetonte gjyshja së bashku me babanë e saj. Prindërit e Xhoana Hilës ishin ndarë prej disa vitesh dhe nëna e saj jetonte në Itali e babai në Shqipëri. Xhoana Hila kishte një djalë 3vjeçar nga një martesë e mëparshme që kishte përfunduar në divorc. Në zgjedhjet vendore të vitit 2013, ajo ka garuar për deputete nën siglën e Aleancës Demokristiane të Zef Bushatit. Hila është e renditur e 11- a në listën shumëemërore të kësaj force politike. Shekulli
Komentet