Në atë vjeshtë ankthi, Mehmet Shehu përpëlitej i pashpresë t’i shpëtonte fundit të parashikuar.
Pas ftohtësisë së Enver Hoxhës në Kongres, nisi të mendonte të vendoste pak “rregull” në shtëpi, diçka që e bënte herë pas here me të bijtë.
Bashkim Shehu, në rrëfimin e tij, të vitit 1994, në librin “Vjeshta e ankthit”, tregon të vërtetat e jetuara prej tij, në lidhje me një nga ngjarjet më të bujshme të diktaturës komuniste në Shqipëri: vrasje/vetëvrasjen e kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu, më 17 shtator të vitit 1981, plot 34 vjet më parë.
Bashkim Shehu, me dhuntinë prej shkrimtari dhe syrin e dëshmitarit, na tregon gjithë çka ndodhte në shtëpinë e tij, pas prishjes së fejesës kobzezë mes të vëllait, Skënderit dhe Silva Turdiut.
Ai rrëfen një nga ato ditët, kur Mehmet Shehu tentonte të vendoste autoritetin në shtëpi, duke u imponuar ca rregulla të bijve, duke u mbështetur në sinjalizimet e Sigurimit të Shtetit, si daljet natën vonë, ndonjë gotë me miqtë, kafetë në shoqërinë e të huajve, sjellje të “pahijshme” për kohën, siç mund të ishte një qëndrim këmbë përmbi këmbë apo konsumimi i alkoolit nga një femër.
Deri te këshilla që të mos shoqëroheshin më me shkrimtarin Ismail Kadare, me njeriun, që siç do të thoshte bashkëshortja e atëhershme e Bashkim Shehut, ishin njerëzit e vetëm ku ata shkonin me qejf….
NGA BASHKIM SHEHU
Pak ditë mbasi u prish fejesa e Skënderit me Silvën, babai dërgoi e më thërriti sërishmi nga zbori. Më priste në studion e tij të katit të poshtëm, i vrenjtur, hijerëndë, po prapëseprapë me njëfarë turbullimi që s’po mund ta fshihte.
Mesa dukej, i paduruar që t’i thoshte sa më parë çka krejt kishte përbluajtur vetmevete, qe kthyer nga zyra mjaft herët. Ose ndoshta s’kishte qenë fare në zyrë dhe sapo qe kthyer nga Enver Hoxha, me të cilin po takohej dendur gjatë gjithë asaj jave.
Tani, janë disa çështje të brendshme të familjes sonë që duhet t’i ndreqim, – filloi babai, ndërsa unë u ula në një kolltuk përkundruall tij, – për këtë të kam thirrur.
Një copë herë ndërmjet nesh u nder një heshtje e sikletshme. Unë po mundohesha të kuptoja çfarë donte të thoshte e ku donte të dilte, po edhe ai e kishte disi të zorshme ta shpështillte fillin e bisedës. Janë disa probleme që kanë të bëjnë, së pari, me mënyrën tënde të jetesës, – e prishi heshtjen më në fund. Mënyra ime e jetesës?
Atë çast hyri një shërbyese, me një pjatë të vogël në të cilën kishte një kokërr mollë. Babai heshti sakaq. Mua s’po më pritej gjersa ajo të dilte nga dhoma dhe babai të vazhdonte. As atij vetë nuk i pritej.
Lëre aty, – i tha shërbyeses duke e ndjekur me sy me njëfarë bezdie, pastaj për diçka u kujtua dhe i tha: – Më bjer një shkrepëse. Priti që shërbyesja të mbyllte derën dhe vazhdoi: Ti bën jetë lokalesh, Bashkim.
Po më fliste në emër të plotë dhe kjo ishte e pazakontë për të. Kjo donte të thoshte largësi e pamatë, tëhuajtje. Shpërnjohje.
Në shqiptimin prej tij të emrit tim të plotë kumbonte jehu i mallkimit. Ti s’je më biri im. Kurse ai ishte gjithnjë babai im dhe kjo më bënte të ulërija i ndërkryer dhe njëkohësisht më ndrydhte e ma mbytte përbrenda ulërimën.
Unë tërë ditën e kaloj duke shkruar apo duke lexuar, kështu që kam nevojë edhe të çlodhem, të argëtohem…
Ti kthehesh shumë vonë në shtëpi. Të rrish me orë të tëra nëpër kafenera, duke pirë, kjo s’është e rregullt.
Se pi ndonjë gotë, s’ka asgjë të keqe. Unë as dehem, as rrihem, as i bie kujt më qafë. Mos u rrëmbe, – ma preu babai – s’të thotë njeri se ke bërë gjëra të tilla.
Hyri prapë shërbyesja, e cila solli një kuti shkrepëse.
Mos u rrëmbe, mos e bëj tragjike, – foli prapë babai, dhe shtyu nga unë pjatën me kokrrën e mollës.
Pastaj nxori nga xhepi i brendshëm një tufë letrash, pas gjase ndonjë buletin zyrtar sekret, zu t’i bënte shuk njëra pas tjetrës dhe t’i hidhte ashtu grumbull në vatrën e oxhakut. Në fund të fundit, unë s’jam as i vogël, – i thashë.
Ai u përkul për nga oxhaku, ndezi një shkrepëse dhe vuri flakën së përposhtmi letrave të shukura e të hedhura aty. Vërtet, tani ti je burrë, – tha mbas pak pa kurrfarë qesëndie në zë, – mund të shkosh dhe në kafene, me gruan tënde.
Po një herë në hënë e jo çdo natë! Fundja, mund të pish dhe ndonjë gotë, kurse ajo mund të marrë ndonjë pastë, por jo të pijë, këmba mbi këmbë…
Vështrova për një hop letrat që filluan të digjeshin në oxhak, duke u nxirë e tkurrur me ca spërdredhje si një përpëlitje e dhimbshme prej qeniesh të gjalla.
Pse, ç’të keqe ka!, – i thashë babait.
Fytyra e tij vazhdimisht çehrengrysur, u vrungua edhe më. Dukej në zgrip të një shpërthimi britmash të hakërryera dhe mezi e përmbante veten.
Po fjalët e tij më ngjethën edhe më tepër se çdo e bërtitur. Unë s’mund të lejoj që ju të merrni nëpër këmbë nderin tim, – tha ai, – nderin e anëtarit të Byrosë Politike.
Letrat e hedhura në oxhak përflakeshin furishëm, a thua se prej shkronjave të tyre çlirohej ashtu një zjarr magjik. Do të bëni si them unë, – vazhdoi ai, – s’ka të vonoheni natën sa të doni, do të ktheheni në orar. Që sot e tutje, në ora 9 shtëpisë i vihet çelësi. Kjo shtëpi nuk është han…
Mos është kazermë? – i thashë.
Po, – tha ai, – të pëlqen apo s’të pëlqen ty!
Kështu si them unë do të bëhet!
Në qoftë se nuk do të bëhej ashtu, unë s’do të isha më biri i tij. Po mirë, atëherë as ai nuk ishte më babai im…
Përpara meje qëndronte një idol prej guri, i shurdhët e i pamëshirshëm. Idoli duhej thyer të ndizej sherri dhe flaka do të pushtonte shtëpinë, trarët të shndërruar në ura zjarri do të binin mbi mua dhe duhma dhe tymi do më zinin frymën.
Por ndërkaq frika më bëri të stepem, një frikë e errët. Nuk nxora dot asnjë fjalë për ta kundërshtuar. E megjithatë është një çmenduri, thash me vete, çmenduri kryekëput.
Ishte vijimi i një bisede të vjetër, të filluar vite më parë, të ndërprerë, të filluar e të ndërprerë sërishmi, disa herë kështu, e që s’po kishte të mbaruar. Të mos vonohesha natën, sepse, sepse, sepse… tjetër punë po të jesh i martuar e të kesh gruan tënde… me të mund të bredhësh natën e të vonohesh sa të duash…
Më pas, mbasi isha martuar, disa herë më kishte thënë të mos vonohesha, jo për fanatizëm patriarkal, por sepse kemi armiq dhe armiqtë, me ç’ju kemi bërë ne…
Pastaj, për një kohë të gjatë, sikur harronte, pastaj prapë kujtohej. Kurse tani, tani s’ishte më punë armiqsh dhe, megjithëse i martuar, prapë s’duhej të vonohesha natën. Kështu thoshte ai dhe kështu do të bëhej, isha i dënuar prej tij, dhe dënimi im nuk është që të kthehem në ora 9 apo në ora 8, kjo s’ka rëndësi, dënimi im është që atij t’i bindem, që të mos kem fuqi të kundërshtoj dhe, tek e mbramja ta vuaj këtë pafuqi. Po për çfarë tjetër duhej t’i bindesha…
Nuk kishte asnjë rëndësi për mua ajo çka më kërkonte të bëja e të mos bëja, madje ishte aq e pakuptimtë krejt kjo bisedë, sa që as nuk mund të fyhesha. Isha i topitur i tëri, kur, papritmas ai kaloi në diçka tjetër. Me Ismail Kadarenë më nuk dua të shoqërohesh, – më tha.
Ismail Kadareja ka lakra në kokë. Kjo dihet, dhe ta kam thënë kaq herë, por ti s’më ke dëgjuar.
Përsëri nuk e kundërshtova. Më mirë të heshtja. Çfarëdo që të them, aq më keq do të zemërohet me Ismailin. Si dhe herë të tjera kur kemi bërë fjalë për punë të ndonjë shokut tim që ai s’e pëlqente. Vite me radhë kështu. Babai do të thotë se jam thjesht ndikuar nga Ismaili. Rolet janë të ndara. Unë në rolin e fëmijës, tjetri në rolin e djallit.
Shkaktar grindjesh në familjen tonë. Ai përçarësi i brezave.
Po s’është vetëm kjo, – vazhdoi babai – ti e di se përpara se të behej mik me ty, ai ka qenë mik me Todi Lubonjën.
Dhe gjithmonë është përpjekur të depërtojë nëpërmjet miqësirash në familjet e Udhëheqjes, një herë në drejtim të familjes së Hysni Kapos, një herë tjetër në drejtim të familjes së Manush Myftiut, e tash te ne. Hm, qëllon larg ai.
Përsëri nuk e kundërshtova. Sepse kisha mbetur gjuhëlidhur.
Në oxhak s’kishte veçse një dorë shkrumb të shuar tashmë, po mua më bëhej si të isha i mbështjellë në një vorbull tymrash mbytëse që ngriheshin soje.
Pata parandjenjën se fundi i kësaj bisede do të ishte edhe më i tmerrshëm. T’i them të gjitha këto që t’i kesh parasysh jo vetëm për sa i përket Ismailit, po edhe për shoqërinë tënde në përgjithësi.
Të kesh kujdes, se mund të shoqërohen me ty për qëllime jo të mira. Dhe nuk ke punë të takohesh me të huajt, edhe kosovarë qofshin. Ia thuaj edhe Marjetës këtë.
Zaten e kemi si rregull të përgjithshëm që ndalohet të takohesh me shtetas të huaj. Kur je i autorizuar, kur je me detyrë shtetërore, është tjetër çështje. Me ligj nuk e kemi, po e kemi vënë në rregullore ushtarake.
Në këto fjalë e sipër në studio kishte hyrë nëna. Ajo u ul përbri nesh dhe po na dëgjonte. Në një ndërkohë pauze të babait ajo mori e tha: Janë disa probleme të ngritura qysh në plenumin e katërt, por që, pa dashur i kemi lënë pas dore.
Vazhdimisht duhet t’u rikthehemi dhe t’i kemi gjithmonë në qendër të vëmendjes.
Ato të meta që kemi, do t’i ndreqim së bashku, – tha babai me një zë të zbutur tashmë, – s’kemi pse të mos i ndreqim… Merre këtë mollën, e lashë për ty.
Në shenjë pajtimi, një pajtim aq i dëshiruar, qoftë dhe me haraçin e dhembjes së bindjes për krejt çka më kërkonte, fillova të haja kokrrën e mollës. Në shenjë pendese, tek e mbramja.
Po për Marjetën, i the? – e pyeti babain nëna.
Atë po thosha pak më parë – ia ktheu babai, rishmazi dhe përnjëherësh i acaruar, – Marjeta e ka bërë rrugë të shkojë në lokalet për të huajt dhe të takohet me të huajt… – bëri dhe një pauzë, ngurronte me sa dukej, por duke e mposhtur ngurrimin dhe doradorës duke u acaruar gjithëheri më tepër, vazhdoi: –
Më ka ardhur një sinjalizim në drejtim të Marjetës… Ajo na ka marrë veturën, në kohë vape kështu, kur ka pak njerëz në qarkullim, dhe ia hipën veturës shkon te lokali atje lart, te liqeni, ulet në një tavolinë këmbë mbi këmbë, dhe mbas një çike vjen dhe ulet me të një i huaj…
Ka të ngjarë të jetë dhe rastësi, po ka të ngjarë dhe të mos jetë…
Ky i huaj është punonjës i një ambasade dhe nuk mund të mos jetë i interesuar të krijojë lidhje me Marjetën që ta shfrytëzojë për qëllime spiunazhi.
Do ta pyes Marjetën, – i thashë i befasuar, i tronditur, duke ia shmangur vështrimin syve të babait dhe duke e mbërthyer për disa çaste te shkrumbi i letrave në oxhak dhe atë botë m’u bë se ishte gati të vrundullonte s’andejmi një shtëllungë e stërmadhe e murrme tymi.
Atë ditë drekova vetëm, pa i pritur të tjerët dhe as Marjetën, që ende nuk ishte kthyer nga Shkolla. Hëngra si i babëzitur, si për të mbushur ashtu atë farë boshllëku që ndieja në lukth të kraharorit.
Me t’u kthyer Marjeta, nuk m’u durua dhe i thashë se kisha diçka për të biseduar me të. Dhe këtë ia thashë gjithë duke e ditur se në kësi rastesh Marjetën zakonisht e kaplonte ankthi.
Ajo nuk hëngri veçse dy kafshata. I thashë të dilnim më mirë, nuk më rrihej brenda dhe kështu dolëm së bashku. U ulëm në një nga stolat e një parku përskaj bulevardit të madh. Ajo priste gjithë ankth, por unë kisha një mjegullirë në kokë dhe nuk po dija nga t’ia filloja.
Gjithçka më dukej e pakuptimë dhe jashtëkohore, me atë diell të bardhë si sy i verbër i ngulitur palëvizshëm në mes të qiellit dhe me erën që, kur e kur, shkundte me mospërfillje gjethet e akacieve. Bëra ç’bëra dhe nisa t’ia riprodhoja copëracopëra dhe disi rrëmbyeshëm bisedën që kisha pasur me babanë.
Por, gjithë duke folur, ngaherë e më tepër mendimet vendoseshin sipas një rregulli dhe ngaherë e më qartë më dukej se po e ninëzoja ku rrihte ajo bisedë, dhe arrita sadokudo në njëfarë përfundimi.
Dy janë mundësitë, – i thashë Marjetës, – ose e kanë me Ismailin dhe ai është në rrezik, ose është diçka më e gjerë… domethënë një përgatitje për një gjueti të re shtrigash të tipit të pleniumit të katërt.
Po Marjeta, ndërkohë, kishte filluar të qante.
Pse qan? – i thashë. S’do shkojmë më te Kadaretë? – tha ajo, mes lotësh.
Pikërisht miqtë më të mirë që kishim, atje ku shkojmë më me qejf, na i ndalojnë…
Kush tha që s’do shkojmë tek ata! – bëra ta qetësoja, – madje që tani do të shkojmë, sepse duhet paralajmëruar Ismaili patjetër, se mund të jetë në rrezik…
Ashtu vërtet – tha Marjeta, po a do t’i gjejmë zgjuar në këtë orë? Besoj se ende nuk kanë rënë për të fjetur…
Komentet