Ishte vrenjtur dhe,retë e gufuara rrokulliseshin tek bubullinte kumbueshëm,a thua se do të shembeshin përtokë.
Po e ndiqja me kërshëri katrahurën në qiell dhe,terri i parakohshëm po më pëlqente përnjëmend,ngaqë sikur të mëvetësonte aty në trotuarin që po zbrazej…
Ah,si është prilli: gjithë përndezje afshesh dhe epshesh ! Tek e fundit, cilat qenie nuk përngjallen në këtë muaj ?
O Zot,një çast ndieja vapë,një tjetër çast shkulmi i një ere të ftohtë më rrëqethte…
U terr edhe më ,a thua se nuk ishte mesditë ,por mbuzja e mbrëmjes dhe,ndonëse rrebeshi pritej të shkrepej,vazhdoja të çapitesha më nge,edhe pse nuk kisha me vete një ombrellë…
Pun’e madhe ; ajo derdhja e shiut mbi krye,le t’ishte si fillimi i një rituali pranveror…
Pas qulljes anekënd nga shirat do të mugullojë bari e do të çelen lulet,të cilat do t’i shkelin bletët dhe brumbujt pllenues.
Shkrepi rrebeshi !
Pemët në trotuar dhe përgjatë brigjeve të pjerrët të Lanës,i përfshiu duhia me shi dhe erë,duke i tundur e spërdredhur sikur t’i kishte zënë prej flokësh .
Rruga u përfshi nga rrëketë lyla – lula,teksa vetëtimat që kërcëllitnin si qarqet elektrikë kur digjen ,më sëmbonin trupin e më kreshpëronin qimet.
Ashtu i lagur paq, më në fund shpejtova hapin dhe u futa te tuneli poshtë pallatit masiv përballë Lanës,madje vajta gjer te mesi i tij,sepse era dhe pikat e shiut e përshkonin tej e tej duke m’u përplasur mbi fytyrë.
Çfarë rrebeshi zemërak e i tërbuar,që s’përmbahej kurrsesi !
Hehe,por unë dëshiroja ta ndiqja ,ndonëse i rrasur pas murit të tunelit.
Përtej shiut të pjerrët që shkundej valë – valë gjithçka dukej e shfokusuar,që nga pemët e deri te makinat q’e hidhnin ujin anëve si motoskafët,ndërsa dritat e tyre të bardha e të kuqe zmadhoheshin tek përsëriteshin mes trazimit të pikave.
Shkreptiu fort e me inat një vetëtimë dhe,më pas një rrufe goditi shurdhueshëm mesin e rrugës,duke bërë rikoshetë tinëzare mbi asfalt si t’ishte një predhë artilerie e nisur nga qielli.
Nuk e di se çfarë do të ndodhte,nëse atë çast do të kalonte aty pari një njeri,apo qoftë edhe një makinë …
Sakaq,në tunelin ku turrej era dhe rruzujt sëmbues të shiut si t’ishin rrufe sferike,hyri një femër që kullonte e tëra. Teshat i qenë ngjitur pas trupit,ndërsa nga flokët e gjatë të rrafshuar pas kokës,rridhnin e rridhnin bulëzat e shiut mu si nga lastarët e një shelgu lotues.
Nuk m’i hodhi sytë,gjersa e këqyri veten nga këpucët ,gjer të këmisha që ishte bërë e tejdukshme mbi gjoks,por ,me të shkrepur sërish rreptësisht një tjetër rrufe,u trand dhe, si e urdhëruar prej saj u kthye nga unë dhe,më vështroi pickueshëm,tek drithërohej . Ishte e gjitha një përftim i rrebeshit,vetëtimave,rrufeve dhe pemëve që kërlesheshin me njëra – tjerën, tek ua përziente era kurorat.
Oh,e njoha ! Ishim ndeshur sa e sa herë të dy ja,pikërisht në trotuarin e kësaj rruge,megjithatë,kur ia behu në tunelin me korrente,nuk e dallova që në fillim.
Sa herë ishim shkëmbyer në trotuar,ajo më vështronte haptazi,duke buzëqeshur ëmbëlsisht ,për të lënë të kuptohej se,dëshironte të lidheshim ( ndoshta ?), por unë, asnjë herë nuk vendosa të ndalja. E përse ? S’e di,s’e di…
Vetëtinte dhe shkrepnin rrufe !
Ah,ç’femër ! Qull si një nimfë e sapodalë nga ujërat,u lëshua drejt meje e m’i hodhi duart rreth qafës,teksa unë e mbërtheva nga supet dhe, duke u puthur fort fort me kafshime rrëshqitës,po kërkonim çmendurisht të bëheshim një trup i vetëm!
Vetëtinte e shkrepnin rrufe !
Asqë e kujtoj sesi e zhvesha nga mesi e poshtë,ndërkohë që buzët i kishim të flakëruara…
Nisi të më ngulë thonjtë ku të mundte dhe,më së fundi,u tund nga shkrehja e orgazmës e sinkronizuar me shkrepjen e një rrufeje në qiell…
I ndërpreu lëvizjet e spërdredhura dhe,u lëshua ashtu siç lëshohet edhe një muskul kur shtendoset.
Ndreqi pa vëmendje teshat dhe…
Iku me nxitim !
Rrebeshi pushoi,
Ai rrebesh,
Që na paskësh munguar
Të dyve…
2000
Komentet