Kristiano Ronaldo nuk mundi ta rrëmbente “skenën” në fushën e lojës, por ia doli të ishte personazhi kryesor pas finales. Madje me deklaratën e tij e kaloi në plan të dytë festën madrilene, pasi ishte një bombë. “Ishte bukur të qëndroja në Madrid”. Një shprehje që duket se lidhet me një largim të mundshëm të portugezit nga Reali.
Ditën e djeshme fitoi Champions-in e pestë personal dhe bashkë me 5 “Topat e Artë” formohet dhjeta e artë. Portugezi u dha një mesazh të qartë drejtuesve madrilenë se duhet t’i rinovojnë kontratën me kushte më të mira financiare ose ndoshta realisht e ka vendosur që të provojë sfida të tjera tani që është në vitet e fundit të karrierës. Është shumë serioz kur flet, por në fund bën batutë dhe thotë se ky kompeticion duhet të mbajë emrin e tij.
Si ndiheni pas një tjetër fitoreje në Champions?
E rëndësishme ishte që të fitonim dhe të hynim në histori. Tani duhet të shohim përpara.
A do të vazhdojë ky projekt fitues te Reali edhe me Ronaldon?
Tani duhet të shijoj këtë trofe dhe në ditët e ardhshme do të jap një përgjigje për të gjithë tifozët dhe për ata që më kanë mbështetur. Ishte shumë bukur të qëndroja në Madrid.
Kjo është një deklaratë lamtumire?
Në ditët e ardhshme do të jap një përgjigje. Tani e thashë që duhet të shijoj momentin dhe fitoren. E ardhmja e lojtarëve nuk është kaq shumë e rëndësishme. Kemi bërë historinë.
Por jeni shumë serioz…
Shijojeni këtë moment. E ardhmja e lojtarëve nuk është e rëndësishme. Në ditët e ardhshme do të flasim.
Keni dyshime për të qëndruar apo jo?
Nuk kam dyshime. Nuk është e rëndësishme. Do të pushoj, do të shkoj me kombëtaren dhe në javët e ardhshme merret vesh…
Jeni i zhgënjyer që nuk shënuat në këtë finale Champions-i?
Kush unë? Unë mendoj se Champions-i duhet të ndryshojë emrin dhe të quhet CR7 Champions Ligë. Kush ka më shumë Champions? Kush ka më shumë gola?
Përgatiti: GENTJAN ALINANI
Komentet