Një zhvillim i papritur ka ndodhur këto dy ditë, ndërsa politika është mbytur me akuza e bllokim dhe ku Reforma në Drejtësi ka ngecur tek Vettingu.
Romeo Karaj, dëshmitari kyç i aferës CEZ si dhe krijuesi i dosjes ku ka zbërthyer gjithë çfarë ka ndodhur me kompaninë e energjisë, ka mësyrë në ambasadat e SHBA-së dhe BE-së pas zvarritjes së prokurorisë për të hetuar çështjen.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se Karaj ka shprehur shqetësimin për rrezikun që mund t’u kërcënohet këtyre dokumenteve pasi dhe vetë ai pretendon se është i rrezikuar për jetën e tij.
Edhe pse ruhet me një eskortë të veçantë, mësohet se Romeo Karaj ka thënë se është më i shqetësuar për fashikujt që zotëron ndaj i ka dorëzuar në dy selitë më të rëndësishme diplomatike.
I pyetur nga DITA për arsyet pse ka shkuar në dy ambasadat dhe çfarë ka dorëzuar, karaj është shprehur se takimet kanë qenë konfidenciale dhe nuk dua t’i komentoj për momentin.
Karaj ka në duar një dosje të madhe korrupsioni të cilën po e bën publike dhe prezente në të gjithë faktorët që do të ndikojnë në të ardhmen e Drejtësisë së re.
Pas padisë së regjistruar pranë organit të prokurorisë, Karaj ka ndërmarrë një tur informimi për të gjithë faktorin ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit. Burimet nuk arrijnë të saktësojnë se çfarë është folur në ambasadën e shtetit më të madh mik të Shqipërisë, por duket se është më afër se kurrë hapja dhe gjykimi i kësaj megadosjeje, e cila do të marrë me vete një pjesë të politikës shqiptare.
Dje, dëshmitari i CEZ ka qëndruar për mbi dy orë në ambasadën e SHBA-së, ndërkohë që dy ditë më parë, Karaj është parë në ambasaddën e Bashkimit Europian në Tiranë.
Ish-juristi i njohur tashmë për padinë e regjistruar në Prokurori ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për aferën e madhe në shitjen e CEZ-Shpërndarje-s, duket se është i vendosur t’i shkojë deri në fund kauzës së tij në mbrojtje të pasurisë kombëtare.
Ende nuk janë bërë publike arsyet e kësaj vizite në kancelarinë më të rëndësishme të BE-së në Tiranë por kur dëgjon tonet me të cilat lidershipi i Partisë Demokratike ka folur kundër ambasadorëve dhe eksponentëve të Europës këtu, kupton se situata është tejet serioze.
Padisë së Romeo Karajt i është bashkangjitur ditët e fundit edhe padia e komisionit të posaçëm parlamentar që mori “Ok” në Kuvend dhe i shkoi Prokurorisë.
Për herë të parë, dosja e CEZ-it ka brenda dhe djalin e Berishës, Shkëlzen Berisha, i cili akuzohet për përfshirje në aferat e privatizimit të kësaj kompanie. Madje për herë të parë pas kaq vitesh, ky i fundit doli dhe foli në publik pikërisht pas dolën fakte për implikimet e tij, duke u paraqitur rregullisht në komisionin hetimor. Por Shkëlzen Berisha i ka mohuar të gjithë akuzat që i janë bërë.
Ndërkohë, politikisht, është aluduar se çadra e opozitës u ngrit fill pas nisjes së hetimeve ndaj të birit të ish-kryeministrit Berisha; e thënë kjo nga një ish-këshilltar i këtij të fundit, shqiptaro-amerikani Grid Rroji.
Komentet