Duke komentuar një video të përhapur në internet lidhur me kryetarët e Kosovës nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri sot, historiani Romeo Gurakuqi e ka konsideruar krejtësisht të pasaktë fillesën e këtij dokumentari të përgatitur dhe të publikuar nga Klan Kosova.
Romeo Gurakuqi shkruan:
“Dokumentari vendos si kryetar te parë të Kosovës Mehmet Hoxhën. Në fakt ai është ndër personazhet më negativë të Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në Kosovë. Karriera e tij nisi si Prefekt Fashist i Dibrës dhe një prej këmishëzinjvë më të spikatur, por kur pa se era ndryshoi në të mirë të komunistëve, kaloi me KOSMET.
Për sa i përket lëvizjes nacional-çlirimtare në Kosovë, aty, në fund të vitit 1943, u krijua edhe KOSMET- (Kosovo-Metohija), qe ka qenë një organizatë që përgjigjej para Marshallit Tito. KOSMET përbëhej në anëtarësi, gjysma prej serbësh dhe gjysma prej shqiptarësh, mes të cilëve shquheshin Mehmet Hoxha dhe Fadil Hoxha (një shqiptar që punonte në interes të Serbisë por që publikisht nuk zotërohej as nga Tito dhe as nga FNÇ).
Në janar të vitit 1944 në Kolgecaj të Tropojës, Malësi të Gjakovës, u mbajt një Kongres i KOSMET-it, në të cilin morën pjesë 52 delegatë, përfshirë edhe delegatë të nacionalitetit serb dhe malazez dhe dy ish deputetë të parlamentit jugosllav. Në konferencën e muajit janar që u drejtua nga Mehmet Hoxha, u zgjodh një këshill i përbërë si më poshtë vijon: President –Mehmet Hoxha, Nënpresidentë Rifat Berisha dhe Padel Yovichevich (malazez), anëtarë: Ali Shukriu, Milan Zeqhar (serb), Daud Ardyshi, Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Zeqir Jarexha. Ata vendosen që të luftonin në anën e Aleatëve të Koalicionit Antifashist, mbi bazën e Kartës së Atlantikut dhe për të dërguar përfaqësuesin e tyre në LNÇ dhe tek Marshalli Tito. KOSMET supozohej se ishte një organizatë që përfaqësonte interesat jugosllave dhe shqiptare. Zona e saj e shtrirjes së aktivitetit përfshinte rajonet e Kosovës, Metohisë, Pukës, Nikaj, Mertur, Krasniqe.
Kryetari i KOSMET, ka qenë drejtuesi i operacionit të kësaj organizate për arrestimin e liderit antifashist të Gjakovës dhe Malësisë së Gjakovës, Gani Kryeziu Operacioni ishte drejtuar drejtprdrejtë nga Fadil Hoxha dhe Mehmet Hoxha të cilët kishn dislokuar trupat rreth shtabit të Gani Kryeziut dhe kishi hyrë për të komunikuar me atë. Ata i ksihin dhëne një ultimatum Gani Kryeziut të bashkohej me FNÇ, ultimatum që u injorua dhe Ganiu refuzoi të bashkohej. Mehmet Hoxha mban peshën e mbështetjes së procesit të dhunshëm të rekrutimit të djelmnisë kosovare nga muaji mars dhe prill, prej Kosovës drejt viseve të tjera të ish Jugosllavisë, nje pjesë e të cilëve përfunduan të masakruar në Tivarin e vjetër.
Gjatë këtij procesi, si dhe në procesin pararëndës të rezistencës kosovare ndaj riintegrimit të Kosovës në Serbi dhe Jugosllavi, proces qëka ndodhur pas muajit prill 1945, Mehmet Hoxha është shquar në organizimin e raprezaljeve nga më të ashprat ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe posaçërisht të popullsisë së besimit katolik atje. Sjellja e tij është regjistruar nga oficeret e aleatëve në atë zonë.
Vepra përbyllëse e trathtisë është dorëzimi i Kosovës nën Serbi dhe Jugosllavi, në muajin prill 1945. Mareshali Tito priti 25 delegatë të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit të kryesuar prej Mehmet Hoxha, Kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë dhe Metohi, të cilët kishin ardhur në Beograd me marrë pjesë në mbledhjen e Skupshtinës Serbe. Mareshali Tito u bëri krejtësisht të qartë atyre që kushtet në Kosovë nuk ishin aspak të kënaqshme.
Ndërkohë, delegatët shqiptarë nga ana e tyre e kaluan pjesën më të madhe të takimit duke kërkuar falje për mangësitë e shfaqura nga popullsia shqiptare e krahinës në mirëpritjen e rianeksimit të rajonit me Jugosllavi. Ky hap ka qenë dorëzimi final i Kosovës nën Serbi, dhe roli i Mehmet Hoxhës ka qenë ai i zbatuesit terminal të urdhërave të Beogradit nën nënshtrimin e plotë dhe të dhunshëm të krahinës.”
Komentet