Reagon Ambasada e Kosovës në Itali, ndaj medias italiane: “Gënjeshtra të tmerrshme për ngjarjet e luftës që ne kosovarët përjetuam…paralelizma të neveritshme e të pabaza mbi mizoritë që po pëson populli ukrainas dhe që ka pësuar populli i Republikës së Kosovës.”
Ambasadorja e Kosovës në Romë, Zonja Lendita Haxhitasim, i dërgon një letër zyrtare të përditshmes italiane “Il fato Quotidiano”, mbi një artikull të publikuar më datë 28 mars 2022 të gazetarit Fabio Mini me titull “Koinçidencat false për të bërë luftra”, e me nëntitullin “Dje Serbia e sot Ukraina, varret e përbashkëta të ngritura më 1999 nga NATO e “informacione që duhen verifikuar të gjitha mbi masakrat civile në spitalet civile e në teatrin e Mariupolit nën britmat e armëpushimit; gjithçka që në mënyrë cinike merret si e mirëqënë.”
Autori bën një krahasim me zhvillimin e ngjarjeve më 1999 në Kosovë e atë çka po ndodh aktualisht në Ukrainë e në rrëfimin e tij i konsideron koinçidencat cinike ngjarjet e luftës në Kosovë të servirura si të mirëqëna.
Ambasadorja e Kosovës në Romë, në letrën e saj adresuar drejtorit të gazetës Marco Travaglio dëshmon se ajo është një qytetare kosovare që e ka përjetuar luftën jo vetëm nëpërmjet bombave por edhe me mjete të tjera, si refugjate dhe e mbijetuar, e cila tani ka nderin të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Itali.”
“Ju informojmë shkruan ajo, se spiralet e dezinformatave që krijohen nga tentativa për të deformuar dhe “rishkruar” historinë e dhunës së pësuar si pasojë e një lufte, janë jo vetëm të pasakta në këndvështrimin e parimeve dhe vlerave të frymës së shtypit të lirë, por janë edhe të pandjeshme e ofenduese ndaj popullit tonë, familjeve të viktimave të shumta që kanë emër e mbiemër, të vdekur e të zhdukur, që ende nuk kanë varr ku mund të qahen.
Ambasadroja e Kosovës reagon fort mbi krahasimet e pabaza të gazetarit italian e shkruan;
“Në vijim të ngjarjeve aktuale të agresionit të paligjshëm ushtarak rus në Ukrainë, të bësh paralelizma të neveritshme e të pabaza mbi mizoritë që po pëson populli ukrainas dhe që ka pësuar populli i Republikës së Kosovës gjatë luftës është e pahijshme dhe e dënueshme”.
Ajo i quan “gënjeshtra të tmerrshme për ngjarjet e luftës që ne kosovarët përjetuam, gjatë tentativës së spastrimit etnik shqiptar, të orkestruara dhe të jetësuara nga diktatori serb Sllobodan Millosheviç.”
Kreu i Misionit Diplomatik të Kosovës në Itali, kujton se “Gjenocidi i regjimit të Millosheviçit dhe agresioni ushtarak e paraushtarak serb i viteve 1998-1999 shkaktoi shpërnguljen e mbi 80% të popullsisë së Kosovës, duke na detyruar të ikim, neve që ishim mbi 860.000 civilë. Mbi 10.000 bashkatdhetarët e mi nuk ia dolën, sepse u vranë e u masakruan brutalisht. Përveç kësaj, më shumë se 1,400 fëmijë janë vrarë pa mëshirë, dhe 20,000 gra janë dhunuar brutalisht.”
Ambasdorja Haxhitasim e mbyll letrën e ragimit të saj me kujtimin e viktimave të luftës në Kosovë e përpjekjet e këtij shteti për të qënë pjesë e NATO-s e për të krijuar një të ardhme më të mirë.
“Në Kosovë, shkruan ajo, ende po përjetojmë murtajën e luftës, të të vdekurve, të plagosurve, të grave të dhunuara dhe të të zhdukurve. Nderimi i kujtimit të tyre është parakushti i parë për të krijuar një të ardhme më të mirë. Populli i Republikës së Kosovës po e ndërton ditë pas dite të ardhmen e tij, me aspirata të pazëvendësueshme për t’iu bashkuar sa më shpejt familjes së madhe euroatlantike. Dhe këtë do ta arrijmë edhe falë mbështetjes së aleatëve dhe partnerëve tanë si Italia mike”.
Dokumenta bashkëngjitur

Komentet