“Po, me Vetting-un” në Shqipëri do të arrestohen peshqit e mëdhenj. Kjo mund të ndodhë pas një viti, apo pesë viteve, por do ndodhë”
Në intervistën e dhënë për gazetarin Sokol Balla, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, është shprehur e bindur se me zbatimin e reformës në drejtësi, në Shqipëri më në fund do të arrestohen edhe peshqit e mëdhenj.
Vërtet besoni që këta ‘peshqit e mëdhenj’ do të arrestohen nën akuzat e korrupsionit nga gjykatësit dhe prokurorët e rinj?
Po, besoj. Mbaj mend që kemi bërë një bisedë bashkë dhe ju më thatë që vërtetë mendoni që reforma në drejtësi do të kalojë dhe unë ju thashë: Po e besoj dhe ja ku jemi sot. Kështu që më lejoni t’u kujtoj që kemi një historik pozitiv të arritjeve. Sigurisht që duhen marrë parasysh rrethanat, por siç e thashë, ajo që është e rëndësishme është trajktorja e qartë. Mund të duhet gjysmë viti, një vit apo pesë vjet. Këtë nuk e dimë, por unë mendoj që rrugëtimi është i qartë dhe pjesë e gjithë kësaj gjëje.
Kam patur fatin që të intervistoj Prokurorin kroat të zyrës antikorrupsion që vuri prangat në duart e ish-kryeministrit Ivo Sanader. Mendoni në trupën e juristëve shqiptarë do të gjendet një person i tillë që të ketë guximin që të vendosë prangat në kyçet e një politikani të lartë këtu në Shqipëri?
Po, kam besim! Më është thënë shumë herë që ka për të qenë e vështirë për të gjetur një person të tillë, por unë këtë nuk e besoj. Kam besim të plotë që në Shqipëri ka shumë njerëz që kanë integritetin, ndershmërinë, guximin, kurajon dhe kapacitetet që ta bëjnë këtë gjë. Unë e njoh personalisht vetë Cvitan dhe kam mendim tejet pozitiv për të. Për mendimin tim, një nga personat më të rëndësishëm në të ardhmen në Shqipëri do të jetë ai person që do të zgjidhet si prokuror i posaçëm i vendit dhe unë kam shpresë dhe shpresoj që do të takoj dikë me integritet absolut për këtë çështje. Do të jetë tejet me rëndësi për Shqipërinë sepse në njëfarë mënyrë do të restaurojë besimin e qytetarëve tek institucionet. Fatkeqësisht, këtu është sikur çdogjë është personale, është sikur ka të bëjë me personat, por duhet të kalojmë në një pjesë tjetër. Ka ardhur koha e institucioneve. Duhet të keni besim tek institucionet. Nuk ka rëndësi se kush është tek ato institucione.Ky është stabiliteti dhe prodhimtaria e institucioneve që ne presim.
BE dhe SHBA patën një rol të jashtëzakonshëm në këtë reformë në ndryshimin e Kushtetutës, bërjen e ligjeve dhe monitorimin e tyre. Do të ketë vendimarrje, influencë apo këshillë BE dhe SHBA edhe në vendosjen e emrit konkret në krye të kësaj byroje speciale antikorrupsion?
Ky duhet të jetë një vendim sovran i Shqipërisë në mënyrë absolute. Ju e dini që të gjithë do të kalojnë më parë Vettingun. Ne do të monitorojmë Vettingun dhe shpresoj që pas tij do të kemi mundësi të themi me më shumë siguri që “Po, këta persona janë të duhurit që do ta shërojnë drejtësin”. Personalisht unë e shoh Vettingun si një mënyrë për të promovuar dhe ngritur në detyrë personat që bëjnë detyrën me integritet dhe profesionalizëm të plotë. Është shumë e rëndësishme që t’ua bëjmë atyre më të lehtë sepse nuk është e thjeshtë që të jesh pjesë e një grupi që shihet nga qytetarët në një mënyrë apo në një tjetër. Thjesht pse je pjesë e atij grupi shihesh në atë mënyrë. Kjo do të jetë shumë e mirë për ata persona të cilët kanë integritetin e duhur që ta bëjnë punën e tyre në mënyrën e duhur dhe pa pikë dyshimi