Intervista e plotë e ambasadores Romana Vlahutin, për gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin “Përballë” në RTSH.
LD: Zonja ambasadore, ndërkohë që një qytetari polak i është dashur të presë 15 vjet për ta parë vendin e vet anëtar të BE-së, një qytetari kroat 13 vjet, pas nisjes së procesit në vitin 2000 dhe një qytetari shqiptar, në rastin më të mirë, 40 vjet. Pse kjo vonesë për Shqipërinë? A është papjekuri e klasës politike shqiptare apo se demokracitë e reja nuk janë të imunizuara nga krizat atipike apo është luks të kërkosh një vend ku qeveria sillet në mënyrë demokratike dhe, po kështu, opozita sillet si opozitë demokratike.
AMB: Pikësëpari, po ta marrim vitin 1990 ose 1991 si vitin zero për zgjerimin në përgjithësi – jo për politikën e zgjerimit në veçanti, por për kthimin drejt Evropës, siç thoshim në vendin tim – mendoj që aritmetika juaj është pak e gabuar. Mendoj se koha e pritjes ka qenë më e gjatë edhe për vendet e tjera. Po ashtu, Shqipëria e ka nisur nga një bazë institucionale shumë më e dobët sesa çdo vend tjetër në rajon e, megjithatë, është tashmë në të njëjtin grup me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, kështu që nuk do ta quaja…
LD: Serbia dhe Mali i zi janë më përpara
AMB: Ato po negociojnë, por shpresoj që edhe Shqipëria do të jetë në gjendje të nisë të negociojë së shpejti. Do të presim të shohim se çfarë do të vendosë Këshilli në qershor. Po ashtu, në të njëjtën kohë, i gjithë procesi i bisedimeve për anëtarësim është bërë shumë më i ndërlikuar. Acquis-të evropiane janë shtuar e, po ashtu, ne kemi mësuar, Bashkimi Evropian ka mësuar përgjatë procesit se është e nevojshme që vendet të jenë edhe më të mirëpërgatitura në momentin kur realisht hyjnë si anëtare me të drejta të plota në BE…
LD: A jemi gati ne për hapjen …?
AMB: …që ato të jenë më konkurruese, që t’i përmbushin më mirë të gjitha përgjegjësitë e anëtarësimit. A është Shqipëria gati të hapë negociatat? Komisioni Evropian mendon se Shqipëria është gati të çelë bisedimet për anëtarësim, do të thosha dhe do të shohim se cili do të jetë konkluzioni i shteteve anëtare. E dini që në qershor Këshilli, shtetet anëtare do të marrin një vendim, por Komisioni Evropian ka dalë në përfundimin se Shqipëria është gati të çelë negociatat dhe i ka rekomanduar Këshillit ta marrë këtë në konsideratë.
LD: Në këtë rrugë të gjatë e këtë vonesë të jashtëzakonshme është edhe faji i elitës politike. Po ana tjetër, vonesa evropiane, lodhja nga zgjerimi? Z. Junker deklaroi në vitin 2013 se nuk do të kishte zgjerim gjatë mandatit të këtij Komisioni dhe, me shumë gjasë, edhe në Komisionin e ri, pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, nuk do të ketë anëtarë të rinj në familjen e BE-së.
AMB: Më jep pak kohë të shpjegoj diçka. Ju po e shihni këtë proces nga këndvështrimi i datave dhe disa frazave të caktuara politike. Ajo me të çfarë ka të bëjë ky proces është ndryshimi. Dhe ka një fjali që e kam mësuar në kurriz e përpiqem t’ua shpjegoj njerëzve në Shqipëri. Ndryshimi nuk do të ndodhë ditën që do të hyni në BE, qoftë kjo ditë nesër apo pas 25 vjetësh. Ndryshimi do të ndodhë përpara se të hyni në BE, ndaj koha për ndryshim është tani. Ndonjëherë kjo nuk është e lehtë për t’u shpjeguar, por kjo është saktësisht ajo me të cilën ka të bëjë i tërë procesi; ka të bëjë me modernizimin e vendit, ka të bëjë me krijimin e institucioneve që do të jenë tërësisht funksionale, që nuk do të varen nga disa personalitete, forca apo interesa politike të caktuara, etj. Ky është integrimi evropian. Kur flasim për procesin e zgjerimit në tërësi, ai nuk është një grup vendimesh politike i Bashkimit Evropian, është një paketë standardesh mjaft rigoroze të përbashkëta për të 28-të vendet aktuale anëtare të BE-së, pasi ju si vend do të hyni në një treg me 500 000 000 njerëz dhe unë, për shembull, si konsumatore në Finlandë, nëse blej qumësht shqiptar në raftet e supermarketit tim, duhet të jem absolutisht e sigurt që ky qumësht i respekton të gjitha standardet shëndetësore, të gjitha standardet e sigurisë ushqimore, ashtu si qumështi i prodhuar në Finlandë, sepse duhet të ketë besim reciprok dhe ky besim i ndërsjellë mes një grupi kaq të madh vendesh mund të krijohet vetëm nëse ka standarde të ndërsjella që respektohen nga të gjithë. Pra, për çfarë bëhet fjalë, bëhet fjalë për të gjithë ndryshimin, për ndryshimin e të gjithë shoqërisë.
LD: Ju folët për kohën për ndryshim.
AMB: Po
LD: A ka erëra ndryshimi, a shihni erëra ndryshimi?
AMB: Mendoj që ky është një proces mjaft i qëndrueshëm. Ju përmendët Presidentin Junker kur deklaroi se nuk do të kishte zgjerim gjatë mandatit të komisionit të tij. Ai tha të vërtetën faktike, pasi ishte shumë e qartë që asnjë prej vendeve të rajonit nuk do të ishte teknikisht në gjendje për të qenë anëtare me të drejta të plota. Ai nuk tha asgjë që të mos ishte e drejtë sipas fakteve. Kjo pati një jehonë të caktuar dhe iu bënë interpretime të caktuara, po ajo çka kemi parë edhe gjatë mandatit të këtij komisioni është gjithashtu se procesi ka ecur mjaft përpara.
LD: Është procesi që ka ecur përpara apo ka edhe konsiderata të tjera si ndikimi rus, Turqia, Kina
AMB: Është procesi që ka ecur përpara…
LD: Nuk ka konsiderata të tjera gjeopolitike, gjeostrategjike?
AMB: Ka gjithnjë nga ato që ju i quani konsiderata gjeopolitike, unë do t’i quaja rrethana politike. Ka pasur rrethana gjeopolitike gjatë Big-Bengut, (zgjerimi i BE-së me 10 vende në vitin 2004) ka pasur rrethana politike në zgjerimet e mëparshme, por nuk ka rrugë për t’i rënë shkurt, për shkak të rrethanave gjeopolitike. Po përpiqem t’ju shpjegoj se po hyni në një bashkësi prej 500 000 000 njerëzish dhe është thelbësore që të gjithë këta 500 milionë njerëz të besojnë që gjithçka që shteti shqiptar, si shtet i ardhshëm anëtar, prodhon, krijon është tërësisht në përputhje me pjesën tjetër të Unionit. Pra, nuk bëhet fjalë për një vendim politik për ta çuar një vend më tej, më lart apo më poshtë. Vendet kanë një listë shumë të qartë detyrash që duhen kryer, nëse duan të bëhen vende anëtare të BE-së dhe ky është një proces që kërkon kohë.
LD: Sa kohë do t’i duhet Shqipërisë?
AMB: Sa kohë do të duhet, në të vërtetë varet nga Shqipëria
LD: Përafërsisht, sa do të duhet?
AMB: Këtë vërtet nuk mund ta them
LD: Sllovenisë, Kroacisë iu desh më pak se një dekadë pas çeljes së negociatave.
AMB: Jo, ka pasur vonesa në disa procese. Disa vende si Sllovakia qenë shumë të shpejta. Kjo varet në të vërtet nga kapaciteti i administratës, nga forca e vullnetit politik dhe aftësia e shtetit për të vepruar plotësisht në përputhje me kërkesat e Acquis-ve.
LD: Një nga fjalët kyçe kur flasim për integrimin në BE është “reformë”. Cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm për reformat e ndërmarra këtu.
AMB: Ka një mbidozë reformash, po ta quajmë kështu. Ka një mori të madhe gjërash që po ndodhin. Nuk është e lehtë. Ka një barrë që bie mbi të gjithë. Unë vetë kam përjetuar një nga këto reforma në një farë mënyre apo kam qenë dëshmitare e njërës prej këtyre reformave, që do të thosha se ishte më e thellë, më e gjerë e më e gjithanshme sesa reforma të ngjashme të vende të tjera në tranzicion. Duhet mjaft energji, duhet mjaft punë…
LD: Reforma në drejtësi…
AMB: … reforma në drejtësi, sigurisht. Duhet shumë punë, por të shpërblehet. Ka një sërë gjërash që Shqipëria i ka bërë edhe më shpejt sesa vende të tjera në rajon dhe mendoj se kjo është një zgjedhje e zgjuar, që të bësh përpara diçka që sido që të jetë të pret më vonë për ta bërë gjatë procesit. Për ta shpjeguar me një gjuhë shumë të thjeshtë. Me disa reforma që Shqipëria i ka kryer i ka marrë kohë hua së ardhmes. Qysh kur kam ardhur në Shqipëri, kam qenë vazhdimisht e fiksuar me fitimin e kohës së humbur, sepse, për fat të keq, ky vend, për shkak të historisë së vet, e ka humbur pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë në modernizim. Kështu, Shqipërisë i duhej të kompensonte këtë kohë mjaft të gjatë dhe mendoj që do t’ju duhet të bëni gjëra të ngjashme me ato që bëtë me reformën në drejtësi edhe për disa gjëra të tjera, sepse ju duhet vërtet ta shtyni përpara gjithë këtë proces reformash në mënyrë më të fuqishme e më të shpejtë.
LD: Po flasim për kohën e humbur. E drejtë, kemi humbur kohë, por jo vetëm në kontekstin historik, por edhe për shkak të mangësive. Shqipëria pati një mundësi të artë në vitin 1997, kur iu ofrua Marrëveshja e Asociimit me BE-në. Shqipëria, po ashtu, humbi shansin në vitin 2011, për shkak të luftës së brendshme politike dhe po flas për këtë kohë, këtë kohë të çmuar që kemi humbur dhe janë dekada gjatë të cilave e kemi sabotuar veten me sukses. Pyetja tashmë është që kur flasim për reforma, BE-ja ka standarde dhe kërkon, kur e lexon raportin, rezultate konkrete. A shihni rezultate konkrete nga reformat e ndërmarra këtu, edhe nga reforma me e madhe dhe e diskutuar në Shqipëri, reforma në drejtësi.
AMB: Sigurisht që shoh dhe vetë raporti e vërteton këtë. Pyetja është nëse ju si qytetarë shqiptarë, më shumë sesa unë si përfaqësuese e BE-së, jeni të kënaqur me ritmin e reformave apo doni që gjërat të bëhen më shpejt. Nuk e di nëse për disa gjëra të caktuara është e mundur që të përshpejtohen jashtëzakonisht. Sigurisht që është e mundur që të bëhet më shumë, këtë mund ta siguroj, por mendoj që ju nuk duhet të jeni kaq të përqendruar te diçka që nuk është e matshme në këtë mënyrë. Ajo çfarë ju duhet është cilësia e ndryshimit. Së pari, ju duhet ndryshimi e më pas ju duhet cilësi ndryshimi, ndryshim i mirëfilltë. Ndonjëherë, kjo kërkon kohë. Ju e dini që 27 vjet më parë Shqipëria ishte nga vendet më të varfra në botë. Nëse nuk gaboj, në një pikë ju ishit vendi i tretë më varfër në botë dhe nga të gjitha vendet në rajon…
LD: Tani jemi vendi i dytë në botë sa u përket emigrantëve.
AMB: … po prit pak. Mënyra sesi ndryshoi Shqipëria është shumë më tepër sesa çdo vend tjetër i rajonit. Gjërat duan kohë.
LD: Po, por ka padurim. 40 për qind e popullsisë është larguar nga Shqipëria duke kërkuar të ardhmen…
AMB: 40 për qind u larguan në vitet ‘90
LD: Në vitet ’90 dhe po të numërosh edhe ata që duan të largohen. Më lini t’ju citoj…
AMB: Shqipëria renditet e dyta në Evropë. Bosnje-Hercegovina është ajo që ka humbur pjesën më të madhe të popullsisë së saj dhe pas saj vjen Shqipëria e dyta dhe besoj që për të dyja kjo ka ndodhur për shkak të rrethanave historike tragjike.
LD: Më lini t’ju citoj. Jeni shprehur qartë se: Shqipëria duhet të largohet plotësisht nga harta e vendeve që vuajnë nga veprimtaritë e krimit të organizuar dhe kultura e pandëshkueshmërisë. Kjo ka qenë më pak se dy muaj më parë.
AMB: Po.
LD: A po ecën Shqipëria në këtë drejtim?
AMB: Ne po bëjmë gjithçka për ta ndihmuar Shqipërinë që të ecë në këtë drejtim dhe më duhet të them që këtë opinion e kanë edhe një numër kolegësh të mi nga vendet anëtare, por edhe nga institucionet në Bruksel. Ne mendojmë se Ministria e Brendshme po përpiqet vërtet të bëjë punën e duhur. Ka shumë punë për t’u bërë. E di, ka një arsye pse pati kaq shtysë për reformën në drejtësi, pasi asnjë çështje e shtetit të së drejtës nuk mund të zgjidhet, përpara se të ketë një sistem funksional drejtësie. Për të luftuar krimin e organizuar nuk duhet vetëm policia, por ndjekja e duhur nga prokuroria, gjykata që janë në gjendje t’i trajtojnë çështjet si duhet, etj. Pra, është një cikël i plotë njerëzish dhe institucionesh që duhet të merren me këtë. Ne jo vetëm po nxitim, por edhe po ndihmojmë, po ndihmojmë me ekspertë të huaj që janë vendosur në institucionet shqiptare. Do të vijnë edhe më shumë njerëz. Na duhet të përforcojmë të gjithë anën institucionale të pastrimit të parave. Ka një sërë gjërash që po bëjmë e po përpiqemi të ndihmojmë ligjzbatimin në Shqipëri për ta bërë punën e vet si duhet në interes të qytetarëve shqiptarë, por, po kështu, edhe në interes të qytetarëve të BE-së.
LD: Zonja ambasadore, ju thatë se nevojitet kohë dhe duhet sigurisht kohë për të parë rezultatet e reformave, por ka kohëra që janë urgjente dhe, sërish, po ju citoj nga 13 shkurti i këtij viti: “Për ta thënë edhe më qartë, duhet ende të krijohet urgjentisht një historik i konsoliduar i hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve të formës së prerë kundër grupeve të krimit të organizuar, përfshi anëtarët e nivelit të lartë të grupeve të përfshira në kultivimin dhe trafikimin”.
AMB: Po
LD: Pra ka periudha kur BE-ja kërkon veprime urgjente dhe rezultate të shpejta. A po i shihni këto veprime e rezultate?
AMB: Unë nuk jam asnjëherë në pozicionin për të përmendur emra në publik, por ajo që di është se një çështje pritet të përmbyllet në gjykatë. Di që ka së paku dy figura të tjera të rëndësishme, për fat të keq kriminale, që janë arrestuar, ndaj mendoj se ka një përparim të dukshëm, por jemi vërtet larg asaj çka duhet arritur. Ju cituat një pjesë të fjalisë. Ky është një problem real në Shqipëri. Për shembull, kemi parë të dhënat dhe në shumë nga vitet e fundit nuk sheh as një apo dy padi dhe dënime të formës së prerë nga gjykata për krimin e organizuar. Është e pamundur të mos ketë raste të krimit të organizuar në Shqipëri, për rrjedhojë ka një pikëpyetje të jashtëzakonshme se si ka mundësi që sistemi nuk ka shpallur kurrë askënd fajtor për diçka që mendoj të gjithë ne e dimë që, për fat të keq, është një nga çështjet që Shqipëria duhet të zgjidhë. Pra, ne shpresojmë dhe për këtë po përpiqemi t’i ndihmojmë institucionet, që duke forcuar zbatimin e ligjit, duke reformuar sistemin gjyqësor, prokurorinë, duke pasur gjyqtarë realisht dhe plotësisht të pavarur, i gjithë ky cikël do të fillojë vërtetë të prodhojë rezultatet e duhura.
LD: Çfarë mund të bëjë Shqipëria deri në qershor për të bindur disa shtete anëtare të cilat janë skeptike për çeljen e negociatave. A ka vërtet një kohë kur mund të shohim…
AMB: Unë nuk iu besoj veprimeve spektakolare dy ditë përpara vendimit, e të tjera si këto. Ajo që unë mendoj se duhet të bëjë Shqipëria është të përmbyllë me vendosmëri procese të caktuara që janë vënë në lëvizje dhe të tregojë që e ka seriozisht kur pretendon dhe flet për vendimin e saj për ta zgjidhur këtë çështje njëherë e përgjithmonë
LD: Më pëlqen kjo fjalia “procese të caktuara që janë vënë në lëvizje”. Për çfarë e keni fjalën?
AMB: Nuk mund t’ua them.
LD: Nuk doni të flisni konkretisht?
AMB: Jo, jo, ju e dini që nuk përfshihet në kompetencat tona si përfaqësues të huaj këtu, së paku kur bëhet fjalë për BE-në, që të flasim për emra, por mendoj që ju dhe i gjithë publiku shqiptar jeni mjaft në dijeni të një numri procesesh që janë në vazhdim dhe ne shpresojmë vërtet që do të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
LD: Pra, po flisni për rrjetën e drejtësisë, për kapjen e peshqve të mëdhenj.
AMB: Për të gjitha metaforat.
LD: Cili është problemi kryesor që ka Shqipëria për momentin në raport me disa shtete anëtare? Janë azilkërkuesit një problem i madh dhe a mund të jenë një pengesë për vendin?
AMB: Azilkërkuesit nuk do të thosha që janë problemi më i madh. Janë një problem serioz dhe nuk e di nëse njerëzit në Shqipëri e dinë, por Shqipëria gjendet në të njëjtin grup me Sirinë dhe Afganistanin kur bëhet fjalë për azilkërkuesit, që, sinqerisht, nuk është normale, pasi këto janë vende, sidomos Siria, ku zhvillohet një luftë e tmerrshme. Për disa arsye interesante, njerëzit mendojnë se azili është mënyra me të cilën mund të emigrojnë në Bashkimin Evropian. E kemi thënë shumë, shumë herë dhe do ta përsëris edhe njëherë, askush që kërkon azil nga Shqipëria nuk do ta marrë. Nuk është kjo mënyra, sidomos për emigrantët ekonomikë, për të shkuar atje. Azili është vetëm për ata njerëz që ose përndiqen vërtet, ose përballen me kërcënime të tmerrshme për jetën. Nëse ka të tilla raste, për çfarëdolloj arsyeje, ato mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, por nuk mund të jenë në masë dhe, sigurisht, nuk mund të jenë në shifrat e Sirisë dhe Afganistanit.
LD: Cili është reagimi i autoriteteve shqiptare kur iu përmend shifrat? 22 500 azilkërkues për 2017-ën?
AMB: Autoritetet shqiptare kanë qenë mjaft reaguese ndaj kërkesave sidomos të disa vendeve anëtare. Së pari ishte Gjermania, më pas ishte Franca dhe po ashtu disa vende të tjera anëtare dhe bëhet shumë punë dypalëshe, pasi kjo kërkon një lloj specifik veprimtarie dhe veprimi, pasi ka rajone të Shqipërisë që janë më të prira për këtë, ka disa rajone në ato vende ku shkojnë njerëzit, kështu që ka një element pune sistemore edhe për atë që e organizon disi këtë migracion, por po bëhet shumë punë me institucionet e zbatimit të ligjit të këtyre vendeve anëtare. Mesa kuptoj ka partneritet të mirë. Shqipëria është shumë rigoroze me riatdhesimet. Ata njerëz që largohen kthehen në Shqipëri apo dërgohen në Shqipëri shumë shpejt. Mendoj që ne duhet të shtojmë përpjekjet për t’u shpjeguar qytetarëve se kjo është diçka që ka vetëm kosto për ta, kosto në para, kosto në kohë, kosto emocionale, pasi nuk mund të përfitosh azil si shqiptar në Bashkimin Evropian, përveçse nëse rrethanat e tua janë vërtet të skajshme dhe siç e thashë këto mund të jenë shumë, shumë të pakta.
LD: Të shpjegosh BE-në nuk është punë e lehtë. Javën e kaluar, Komisioni rekomandoi që Shqipëria të çelte negociatat dhe ka një lloj ideje këtu. Njerëzit në fillim menduan se Shqipëria i çeli negociatat e, më pas, menduan se do të ndodhte së shpejti. Pyes veten, nëse një qytetar do t’ju ndalonte sapo të dilnit nga ndërtesa e do t’ju pyeste: “Zonja Ambasadore, a i hapëm negociatat apo çfarë po ndodh?”
AMB: Shqipëria nuk çeli negociatat. Mendoj që këtë arritëm ta shpjegonim, por Shqipëria ka kaluar një vijë mjaft të rëndësishme apo ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm, ku Komisioni Evropian ka pranuar se Shqipëria ka arritur në një pikë ku vetë Komisioni mund të thotë se vendi është gati të hapë negociatat. Kjo do të thotë se vendi, sa i takon gatishmërisë së tij institucionale, për shërbimet e Komisionit ka pjekurinë e mjaftueshme për të nisur bisedimet për anëtarësim. Unë do t’i quaja më mirë bisedime sesa negociata për anëtarësim me BE-në dhe tashmë vendimi përfundimtar u takon të 28-ta vendeve anëtare, pasi vendimi duhet marrë njëzëri, pra duhet të vendosin të 28-ta vendet.
LD: Pra, të 28-ta shtetet duhet të thonë “po”. Le të mendojmë të pamendueshmen, që Komisioni ka rekomanduar që negociatat të hapen, por një vend anëtar, për një arsye apo një tjetër, mund të thotë jo; ose a ka gjasë që të vendosin një datë që nuk do të jetë menjëherë në qershor?
AMB: Nuk mund të bëj komente, pasi nuk është e qartë e nuk duam të spekulojmë. Ajo çfarë mendoj se duhet të bëjmë është të vazhdojmë punën dhe të vijojmë të shpjegojmë atë që është arritur dhe më pas t’i lëmë shtetet anëtare të marrin vendimin e tyre sovran. Gjithashtu, vetë raporti nuk është shkruar në Tiranë, nuk është shkruar vetëm në Bruksel. Ai përfshin shumë pjesë informacioni që vijnë nga shumë burime të ndryshme, përfshi shtetet anëtare. Ne kemi shumë të ashtuquajtura peer revieë (shqyrtime nga palë homologe), çka nënkupton se ekspertë nga shtetet anëtare vijnë këtu dhe shkojnë në institucione të ndryshme dhe bëjnë vlerësimin e tyre, pasi ajo që përpiqemi të bëjmë vazhdimisht është të vërtetojmë informacionin që marrim, për të parë nëse vlerësimi është i saktë ose jo. Ne marrim parasysh informacione nga institucione të tjera, nga shoqëria civile, nga shumë burime.
LD: Pra, me shumë gjasë, 107 faqe të raportit për Shqipërinë janë shkruar apo mund të kenë më shumë se 100 kontribuues?
AMB: Po, sigurisht.
LD: Kjo nuk na e lehtëson punën për ta lexuar dhe për ta kuptuar raportin.
AMB: Jo dhe është shkruar gjithashtu në një gjuhë mjaft teknike, pasi nuk është gjuhë vetëm për Shqipërinë. Është gjuha e metodologjisë që përdor Bashkimi Evropian dhe përdoret për të gjitha vendet që janë në këtë proces. Nuk mendoj që është kaq i ndërlikuar, ndoshta sepse jam mësuar me të, por mendoj se mund ta lexoni raportin dhe është mjaft i ekuilibruar, mjaft i ndershëm e mjaft i qartë.
LD: Mendoj se është shumë më e lehtë të mësosh një gjuhë të huaj sesa gjuhën e raporteve të BE-së, domethënë.
AMB: Jo, jo, nuk është kështu.
LD: Çfarë nënkupton vërtet për një student shqiptar, fermer shqiptar, mësues shqiptar, pensionist shqiptar të qenit në BE. Cili është ndryshimi mes së tashmes dhe së ardhmes, pra pavarësisht datës, cili do të jetë ndryshimi?
AMB: Mund t’ju them se ç’kuptim pati për mua, si një qytetare që e ka kaluar këtë përvojë. Së pari, të jep një mundësi të barabartë. Të jep parashikueshmërinë që institucionet, të cilat janë plotësisht në standardin e BE-së, do të kujdesen për kërkesat dhe nevojat e tua në mënyrë të përshtatshme. Më lini të përmend, për shembull, titujt e pronësisë. Dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet më parë, për të marrë një titull pronësie në vendin tim më duhej të prisja 25 ditë. Sot hyj në internet, shënoj emrin, numrin e sigurimeve shoqërore, e printoj dhe është dokument i vlefshëm. Për mua, është një përmirësim i jashtëzakonshëm dhe kjo është një mes atyre shumë gjërave të tjera të ngjashme që ndodhin ku shteti është aty për t’u kujdesur për të drejtat e tua, nga gjërat më themelore, në mënyrë që askush të mos mund të shkelë të drejtat bazë të njeriut e deri për t’u siguruar që ushqimi që ti ha është i shëndetshëm, që ajri që thith është i shëndetshëm, që kur shkon në spital, të marrësh kujdesin më të mirë të mundshëm që është në dispozicion në vendin tënd. Pra, në njëfarë mënyre, të mbron që të mos mbetesh në mëshirën e askujt, pasi institucionet duhen ngritur dhe duhet të respektojnë standardet që janë përcaktuar si standarde që të gjithë qytetarët evropianë duhet të kenë mundësinë t’i gëzojnë.
LD: Kjo që po përshkruani, duket si parajsa.
AMB: Nuk është parajsë, është larg së qeni një parajsë, por është një jetesë shumë më e lehtë, një cilësi shumë më e mirë jetese për një qytetar, për një individ. Po ju flas për përvojën time, nuk po ju flas për diçka që e kam sajuar.
LD: Me ç’kuptoj unë, është më mirë për popullatën, por më keq për elitën?
AMB: Ma thuaj ti. Varet për ç’lloj elite.
LD: Ose në gjuhën e BE-së, është më serioze, më e ndërlikuar, më sfiduese…
AMB: Varet se për ç’elitë e ke fjalën.
LD: Po mendoj për elitën aktuale, jo një elitë në ëndrra.
AMB: Unë mendoj që të gjitha elitat e mirëfillta duhet së pari e mbi gjithçka të kenë kryesor interesin e popullit të tyre, për rrjedhojë duhet të jetë më mirë për to.
LD: Pra, ju po flisni për një parajsë…
AMB: Jo, po flas për një situatë ideale.
LD: …ku elita politike interesohet shumë për gjendjen e qytetarëve. A është koha për të qenë pak më të drejtpërdrejtë… a shihni interesa politike, ekonomike dhe burokratike kundër politikave të BE-së këtu në këtë vend?
AMB: Mendoj se do të ketë një moment interesant të së vërtetës, pasi standardet evropiane apo futja e standardeve të mirëfillta e funksionale evropiane do të ngushtojnë hapësirën e manovrimit për disa interesa të veçanta dhe besoj që do të ketë përplasje. Mendoj që e kemi parë tashmë. Mendoj që me reformën në drejtësi ishte hera e parë që grupe të caktuara kuptuan se çfarë po ndodhte dhe ky proces reformimi nuk është i mirë për ta. Mund të jetë i mirë për vendin, mund të jetë i mirë për njerëzit, por nuk është i mirë për ta. Kemi parë shumë përplasje dhe shumë sulme, po ashtu, kundër këtij procesi reforme dhe mendoj se kjo është diçka që do të ndodhë sërish në të ardhmen. Do t’ua shpjegoj me një rast edhe më të thjeshtë. Me duket se vitin e kaluar botuam në faqen tonë të internetit disa rezultate për cilësinë e detit në plazhe të caktuara shqiptare dhe në disa prej tyre nuk ishte aspak e mirë dhe ne menduam se ishte përgjegjësia jonë, duke qenë se i dinim rezultatet, por, po ashtu, edhe përgjegjësia e shtetit që t’u thotë njerëzve në këto plazhe që cilësia e ujit nuk është e mirë. Megjithatë, morëm disa telefonata ku na thoshin “pse i botuat”, “fshijini”, “nuk është mirë për biznesin”.
LD: Telefonata nga kush?
AMB: Nga disa pronarë biznesesh, e të tjerë, por, më vjen keq, interesi ynë dhe interesi i institucioneve të shtetit është që të ketë ujë të pastër, që askush të mos sëmuret dhe njerëzit i kishin të gjitha të drejtat të dinë se në ç’det lahen.
(31.20)
LD: Pra, po flasim për koston e atyre njerëzve që nuk u pëlqen të jetojnë në shtetin e së drejtës.
AMB: Po, po.
LD: Por a mund të flisni për koston e njerëzve apo të grupeve të interesit që duan të jetojnë në një shtet ligjor?
AMB: Nuk jam e sigurt nëse e kuptova pyetjen tuaj.
LD: Reforma të dhimbshme?
AMB: Të dhimbshme, absolutisht, por të dhimbshme sepse duhet të jenë gjithëpërfshirëse, duhet të jenë të thella, ndonjëherë ato shkojnë kundër zakoneve tuaja, por në fund, janë reforma absolutisht të vlefshme.
LD: Transformimi i vërtetë për vendin do të nisë pasi të nisin negociatat.
AMB: Transformim i përshpejtuar, do të thosha. Mendoj se transformimi ka nisur ndërkohë, kemi parë shumë transformime. Transformim i përshpejtuar, kjo është e sigurt.
LD: Pra, për 33, 34 apo 35 kapituj. Dua të them a ka ndonjë hapësirë për negociatat apo thjesht duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë…
AMB: Nuk më pëlqen të përdor fjalën negociata, sepse ka shumë pak për të negociuar, pothuaj asgjë. Standardet janë shumë të qarta dhe juve ju duhet t’i përmbushni të gjitha standardet. Ato për të cilat negocioni janë afatet, për shembull, për mbrojtjen mjedisore.
LD: Kjo është më e keqja…
AMB: Do të jetë shumë e rëndë dhe e shumë komplikuar për Shqipërinë. Por, për shembull, do të duhet t’i përmbushni disa kritere për dy vjet apo për pesë vjet? Kjo është ajo që negocioni. Por esencën e ndryshimit nuk mund ta negocioni.
LD: Pra, në fund të udhës, vendi do të ketë institucione më të forta, arsim më të mirë, shërbim më të mirë shëndetësor, cilësi ajri më të mirë, rrugë më të mira, gjithçka më të mirë. Por, emri i lojës është “Institucione” dhe emëruesi i përbashkët është shteti i së drejtës.
AMB: Po.
LD: Por ne jetojmë në një rajon apo vend ku kemi udhëheqës të fortë, të talentuar dhe të aftë, që jo doemos janë të pajtueshëm me institucionet e forta.
AMB: Do t’u duhet të ndryshojnë.
LD: Do t’u duhet të ndryshojnë?
AMB: Po.
LD: Sepse deri tani ata kanë ndryshuar institucionet, shikoni partitë politike, udhëheqës të fortë dhe partitë…
AMB: Do t’u duhet të ndryshojnë
LD: Përndryshe?
AMB: Përndryshe, do të vijnë udhëheqës të rinj.
LD: Si? Me kohë? Zgjedhje?
AMB: Përmes zgjedhjeve.
LD: Duke folur për zgjedhjet. Ka më shumë se shtatëdhjetë rekomandime të Raportit të OSBE/ODIHR-it dhe a shihni ndonjë dritë në fund të tunelit që ata të merren seriozisht me rekomandimet për të pasur zgjedhje të pakontestueshme, të lira dhe të ndershme, si gurë themeli të demokracisë?
AMB: Duhet të them se shohim një partneritet mjaft të mirë dhe diskutime në Komitetin për reformën zgjedhore. Nëse do të ketë rezultate po aq të mira, për këtë do të na duhet të presim. Nuk mund të presim shumë gjatë, sepse ju e dini që vitin tjetër janë zgjedhjet vendore, etj. Nuk mendoj se gjithçka duhet lënë për minutën e fundit, siç bëhej më parë. Rekomandimet e ODIHR-it janë shumë të qarta. Për fat të keq, disa prej tyre janë të përsëritura, janë përsëritur shumë, shumë herë. E para dhe më kryesorja, është depolitizimi i zgjedhjeve. Zgjedhjet duhet t’u përkasin njerëzve, jo partive politike dhe duket se është gjëja kryesore nga e cila nuk duhet hequr dorë dhe kam një shpjegim sepse…
LD: Pra, në parim po ju kërkoni “ujqërve të jenë vegjetarianë”?
AMB: Jo.
LD: Kjo do të thotë t’u kërkosh partive politike të heqin dorë nga…
AMB: Nuk mund të më thoni që gjithë partitë në Evropë janë vegjetariane. Jo. Ato janë parti politike. Por rregullat e lojës janë pak më të favorshme për njerëzit që votojnë. Dhe unë mendoj se kjo është diçka drejt së cilës duhet të shkojë Shqipëria. Ju e dini se depolitizimi i procesit është diçka që është kërkuar me forcë nga ODIHR-i për shumë vite, pa përmendur gjithçka tjetër, manipulimet me votat, blerja e mundshme e votave, përdorimi i administratës dhe si përballeni ju me këtë. Këtë herë ishte pak më e lehtë për njerëzit, kur vjen puna te propaganda, sepse rregullat ishin të përcaktuara, ndaj mendoj se ishte më e lehtë të kalohej periudha e zgjedhjeve, por e rëndësishme është që të ketë përmirësim të vërtetë dhe qytetarët tuaj duhet të shkojnë dhe të hedhin votën për atë që ju besoni vërtet se ju përfaqëson. Gjithashtu, personalisht preferoj listat e hapura, kështu që kur të shkoj të votoj e di për kë po votoj, emrin dhe mbiemrin, kështu që vendimet nuk merren nga udhëheqësit e partive, por nga unë, por varet gjithashtu edhe se cila do të jetë marrëveshja dhe si do të përcaktohet sistemi.
LD: Le të flasim për transformimin e vërtetë, nga disa parti sulltanësh, ku është sulltani dhe askush tjetër, te partitë demokratike ku udhëheqësit janë përgjegjës para anëtarëve dhe disa rregullave dhe procedurave, para kodeve dhe etikës. Në raportin e BE-së Shqipëria lavdërohet për politikën rajonale, por edhe për nisjen e bisedimeve të normalizimit me Greqinë.
AMB: Po.
LD: Zgjidhja e çështjeve dypalëshe para anëtarësimit, sa e dhimbshme mund të jetë kjo për një vend?
AMB: Për disa vende do të jetë shumë e dhimbshme, për disa vende në rajon mund të jetë shumë e dhimbshme, por mendoj se për Shqipërinë këto bisedime po shkojnë shumë mirë dhe shpresoj vërtet që të shohim shumë shpejt zgjidhje të vendosura në mënyrë të dyanshme. Mendoj se është e rëndësishme, se tregon maturinë e vendit, tregon aftësinë e vendit për të arritur kompromis, sepse pikërisht për këtë po flasim, zgjidhje që do të jenë të mira për të dyja palët dhe shpresoj vërtet që edhe në këtë kuptim fakti që Shqipëria mund të jetë model, ka për të qenë diçka që do të mund ta nënvizojmë edhe për pjesën tjetër të rajonit gjithashtu.
LD: Ka një debat mbi të qenit i pari apo i fundit, të qenit herët apo vonë dhe në këtë kuptim Serbia dhe Mali i Zi konsiderohen si pararendëse për vitin 2025, përafërsisht. A është realiste kjo datë që edhe Shqipëria të jetë në të njëjtën linjë?
AMB: Nëse ka një gjë që kam mësuar, është që të mos flas për data, sepse…
LD: A kanë rëndësi datat?
AMB: Kanë sepse duhet të keni njëfarë objektivi. Më lejoni të shpjegoj pak se si bëhen këto negociata. Keni një kapitull të caktuar, të themi kapitullin për mjedisin dhe shërbimet nga Komisioni vijnë këtu, ato bëjnë ekzaminimin, shohin ku është Shqipëria në raport me standardet e BE-së, pastaj ju japin një listë me gjërat që duhet të ndodhin, disa të ashtuquajtura standarde para se të vërtetohet se jeni plotësisht në përputhje me standardet e BE-së. Këto standarde janë shumë të detajuara, janë shumë komplekse, ato kërkojnë njohuri, kërkojnë investim, etj. Nuk ka shumë rëndësi se sa kapituj hapni, ajo që është e rëndësishme është se sa kapituj mbyllni. Ndaj mendoj se kur FYROM dhe Shqipëria të nisin negociatat do të varet nga ato se sa shpejt do t’i arrijnë apo do të mbeten pas. Nuk na takon neve të themi, kjo varet nga vendi.
LD: Por a shikoni kapacitet nga ana shqiptare për të thithur fondet e BE-së, por edhe për të bërë detyrën e madhe të…
AMB: Unë kam parë një gjë. Kur Shqipëria do, Shqipëria mundet. Tani çështja është çfarë doni, sa e doni, etj., por unë e kam parë këtë dhe jam shumë e sigurt se nëse ka një fokus të plotë dhe marrëveshje se tani të gjithë do të punojmë për këtë, do të bëhet realitet.
LD: Ajo çka kemi parë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, që pas Samitit të Selanikut në vitin 2003 që futi perspektivën evropiane në rajon, duke iu referuar raporteve të ndryshme ndërkombëtare, shohim njëfarë paradoksi, rënie të standardeve demokratike në rajon dhe të qenit më pranë BE-së
AMB: Nuk jam e sigurt nëse kjo tezë është plotësisht e drejtë. Ju thatë pesëmbëdhjetë vjet. Mendoni se në vitin 2003 Shqipëria ishte më demokratike se sot?
LD: Jo, dua të them se ka fusha… lidhur me institucionet… lidhur me median, ndonjëherë …
AMB: Po unë këtë po ju pyes, mendoni se në vitin 2003 Shqipëria ishte më demokratike se sot?
LD: Përgjithësisht, jo, por kur thua jo, do të thotë se ka shqetësime për një progres që nuk është i pakthyeshëm.
AMB: Sigurisht që ka shqetësime dhe sigurisht që linja e lëvizjes nuk është gjithnjë plotësisht e drejtë. Nuk mendoj se ka ndonjë vend në botë ku lëvizja të jetë gjithnjë e drejtë. Ajo çka është e rëndësishme për ne, dhe kjo është edhe ajo çka unë përpiqem të them në shumë raste, ajo që është e rëndësishme është se në trajektoren që ju shihni gjërat po ecin, nuk ka kthim pas, nuk ka probleme të mëdha kur bëhet fjalë për funksionimin e disa institucioneve. Unë e shoh këtë gjithashtu nga një perspektivë rajonale. Në vitin 2003 institucionet në këtë rajon ishin shumë më keq se sot dhe unë them se të gjithë duhet ta pranojmë këtë. Ndaj, unë e di që jo gjithnjë është e lehtë të jemi pozitivë, për çfarëdo arsyeje, sepse jeni më interesantë nëse jeni skeptikë, por duhet t’i pranojmë të mirat që kanë ndodhur, por gjithashtu të pranojmë edhe sfidat që mbeten. Dhe unë mendoj se është e rëndësishme që këto dy gjëra t’i vendosim në peshore dhe ta dini në mënyrë shumë të qartë se ku dëshironi të shkoni.
LD: A është ndikimi i BE-së më i madh tani që vendi është pranë momentit të hapjes së bisedimeve të anëtarësimit?
AMB: Ashtu mendoj. Mendoj gjithashtu se është e qartë nga shumë reagime, do të shihni se pasi të fillojnë, negociatat janë një makineri e madhe që hyn dhe ndonjëherë është e vështirë të përfytyrosh sa e fuqishme është kjo makineri, sa ndryshon, si i ndryshon gjërat. Unë nuk jetoj me iluzione, unë e di se gjithçka kërkon kohë, se do të jetë e vështirë, se do të ketë kthime pas për disa gjëra, se nuk do të ketë progres ashtu si ju qytetarë do të dëshironit të shihnit, por është një tranzicion i madh historik. Tridhjetë vjet për një jetë njerëzore janë shumë vite, por tridhjetë vite për një komb nuk janë asgjë, kur e sheh nga pikëpamja historike. Ndaj, mendoj se duhet ta vendosim gjithçka në perspektivë. Thjesht mundohuni të kujtoni ku ishit tridhjetë vjet më parë dhe sa shumë ka ndryshuar. Mendoj se duhet të pranojmë gjithashtu se kjo kërkoi shumë energji, kërkoi shumë punë, kërkoi shumë gjëra, por solli gjithashtu edhe disa gjëra negative, askush nuk mund të thotë që nuk solli, por nuk besoj se këto gjëra negative duhet të na pengojnë që të ecim përpara. Unë jam jashtëzakonisht ambicioze për Shqipërinë. Dhe dëshiroj vërtet që Shqipëria të jetë më ambicioze nga sa jam unë për të dhe ta përdorë këtë mundësi unike për ta pasur këtë ndihmë të madhe për modernizim të plotë. Shqipëria është një vend që nuk i ka problemet e thella që kanë disa vende të tjera në rajon, nuk ka çështje etnike, nuk ka çështje fetare. Shpresoj që e keni lexuar këtë…
LD: Po kemi qeverinë dhe opozitën, mjafton për ne.
AMB: Po, keni qeverinë dhe opozitën, por më lini të mbaroj. Ju nuk keni probleme strukturore, siç kanë disa vende të tjera. Ka pasur një deklaratë të mrekullueshme nga të gjithë udhëheqësit fetarë, një deklaratë mjaft e matur, me një mesazh të madh, si për qeverinë ashtu dhe për opozitën, si dhe për përgjegjësinë që kanë njerëzit e zgjedhur për të qeverisur ndaj vendit.
LD: Nëse një zyrtar apo politikan apo dikush nga një vend i BE-së ju pyet ju për Shqipërinë, çfarë vlere të shtuar mund të sjellë Shqipëria në familjen e BE-së?
AMB: Shumë. Së pari, jam vërtet gjithnjë krenare, më duhet ta them, kur shoh se sa e qartë dhe sa besnike është Shqipëria ndaj gjithë vlerave të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për politikat e jashtme të sigurisë.
LD: Ky është i vetmi kapitull ku jemi…
AMB: Por është një kapitull shumë i rëndësishëm, është kapitulli i identitetit, nëse mund ta quajmë kështu, është mjaft i rëndësishëm dhe është themelor për shumë zgjedhje të tjera. Nuk mendoj se duhet ta marrim si të mirëqenë dhe nuk mendoj se duhet të sillemi sikur kjo është diçka normale dhe ne nuk duhet t’i kushtojmë rëndësi. Për mua është kapitulli i identitetit dhe është shumë i rëndësishëm. Shqipëria është gjithashtu shumë e re. Kur shikoni demografinë e rajonit, Shqipëria është vendi i dytë më i ri në Evropë. Kosova është më e re. Diferenca mes moshës mesatare të Shqipërisë dhe pjesës tjetër të rajonit është pesëmbëdhjetë vjet. Ky është gjithashtu një potencial ekonomik shumë i madh.
LD: Ishte njëzet e pesë në vitin 1991.
AMB: Mendoj se është rreth 30 tani, por pjesa tjetër e rajonit është rreth 45. Ndaj, nëse e mendoni këtë në terma strategjikë dhe ekonomikë, është një avantazh shumë i madh që duhet marrë parasysh. Shqipëria është jashtëzakonisht mirë e pozicionuar, Shqipëria ka burime të rëndësishme energjie, Shqipëria ka shumë talente për të ofruar. Mendoj se Shqipëria mund të jetë një anëtare shumë e mirë dhe me arritje shumë të mira…
LD: Nëse dëshirojmë.
AMB: Mendoj se dëshironi.
LD: Më lejoni ta perifrazoj pyetjen që bëra pak më parë. Ndikimi rus në rajon, prania e Turqisë, interesat e Kinës. A është vërtet BE-ja loja e vetme apo ka edhe opsione të tjera gjithashtu?
AMB: Unë mendoj se në mënyrë realiste BE-ja është i vetmi model që njerëzit në këtë vend, por edhe njerëzit në rajon, njohin si model të jetës që ata duan të kenë.
LD: Le të mos flasim për njerëzit sepse ata e kanë shprehur vullnetin e tyre, e kam fjalnë për elitën…
AMB: Jam shumë e sigurt se elita nuk mund të mbijetojë… shumica e njerëzve duan këtë model specifik social dhe politik që ofron BE-ja.
LD: Sepse po të shohim shifrat, përafërsisht 80% e import-eksporteve tani janë me vendet e BE-së dhe gjithashtu…
AMB: A mendoni se po të mos kishte një tërheqje kaq të madhe ndaj këtij modeli njerëzit do të kishin durimin dhe qëndrueshmërinë për ta përshkruar procesin? Jo, prandaj për mua është shumë e qartë se kjo është ajo lloj shoqërie tek e cila popujt e këtij rajoni besojnë thellësisht.
LD: Për ta mbyllur kapitullin e negociatave dhe të BE-së. Po citoj një fjali nga një këngë e Bob Dilanit.
AMB: Nuk besoj se e dinë të gjithë se kush është Dilani.
LD: “Ajo që duket e madhe nga larg, nga afër nuk është kurrë aq e madhe”. A merr ky rresht kuptim ditën që Shqipëria të jetë në BE, apo siç thatë ju në fjalën tuaj për gazetarë para se Komisioni të shpallte vendimin, që është fjalë për të ndërtuar BE-në këtu, pa shkuar askund tjetër?
AMB: Absolutisht, sepse mendoj se pyetja ishte kur do të shkojmë në Evropë? Nuk do të shkoni në Evropë, ju jeni Evropa, duhet thjesht të punoni për t’i sjellë standardet e Bashkimit Evropian, por kjo është diçka tjetër.
LD: Një nga gjërat me të cilat ju lidhin është angazhimi dhe puna juaj e madhe për reformën e d rejtësisë. Lidhur me këtë, ka qenë dyshja Ambasadorja Vlahutin dhe Ambasadori Lu, shumë aktivë dhe proaktive për të çuar reformën përpara. A mund të mësojë ndonjë gjë BE-ja nga përvoja e SHBA-ve, lidhur me trajtimin e elitës së korruptuar, si ndalimi i udhëtimeve, ngrirja e aseteve?
AMB: BE-ja dhe SHBA-të janë fuqi, por fuqi shumë të ndryshme. BE-ja përbëhet nga 28 shtete anëtare dhe ne kemi mënyrat tona për ta ndihmuar vendin që të kalojë një transformim të vërtetë. Por mendoj se partneriteti mes BE-së dhe SHBA-ve, që e keni parë në Shqipëri edhe përmes reformës së drejtësisë, është dëshmia më e mirë se pavarësisht çfarë metodologjie mund të përdorim në një pikë të caktuar, synimi ynë është i njëjtë. Dhe kjo është një Shqipëri që jeton sipas standardeve të BE-së. Jam mirënjohëse për mbështetjen që kemi marrë në këtë reformë shumë komplekse, më duhet ta them, por absolutisht thelbësore. Nuk do të flisnim për rekomandimin pozitiv të Bashkimit Evropian sot nëse nuk do të ndodhte kjo reformë.
LD: Pra anija është nisur për lundrimr?
AMB: Absolutisht.
LD: Tani po presim Itakën, që anija të sjellë peshqit, peshqit e mëdhenj. Kam parë një karikaturë, pak para se të fillonim programin, që do të dëshiroja ta shihnit dhe ndoshta ta komentonit paksa. Ka pritshmëri të mëdha nga njerëzit lidhur me reformën në drejtësi. A ka ndonjë frikë zhgënjimi, sepse nga natyra shqiptarët janë paksa të paduruar dhe i duan gjërat jo në të ardhmen, por tani, jo tani, por në çast, për të parë rezultatet?
AMB: Po e ndiqni procesin e vetingut?
LD: Po e ndjek nga afër.
AMB: Mendoni se ka rezultate?
LD: Po, ka rezultate, por ndonjëherë kam frikë se mos gjendemi në një situatë ku të themi se operacioni shkoi shumë mirë, por pacienti vdiq.
AMB: Mos u bëni skeptik.
LD: Jo, por po të shihnit Gjykatën Kushtetuese në lajmet e djeshme, po mbesim pa anëtarë.
AMB: Jo, nuk kemi mbetur pa anëtarë. Ka shumë njerëz jashtëzakonisht të zgjuar, të mirëarsimuar dhe shumë të aftë në këtë vend që mund të jenë gjykatës të shkëlqyer dhe prokurorë të shkëlqyer. Prandaj, mos e kini këtë mungesë besimi në aftësitë tuaja për të drejtuar këto institucione.
LD: Jam i sigurt, por është çështje kohe. Po flasim të paktën për 3-5 vjet për të parë…
AMB: Po, por ka zgjidhje për këtë, si të sjellim jo gjak të freskët, por njerëz të rinj në sistem, si të ndihmojmë për të ngritur cilësinë e sistemit me njerëz të rinj dhe të arsimuar shumë mirë.
LD: Pra, ju jeni optimiste për reformën në drejtësi?
Unë jam realiste për reformën në drejtësi, dhe më kanë pyetur shumë herë nëse do të ndodhë, si do të ndodhë. Është kushtetuta juaj.
LD: Pra, ka ndryshuar.
AMB: Pikërisht, duhet të ndodhë në Kushtetutën tuaj dhe unë bëj shaka se po të kisha vënë 1 Euro sa herë kam dëgjuar fjalët “Është e pamundur”, tashmë do të kisha qenë shumë e pasur. Sepse skepticizmi i madh me të cilin na është dashur të merremi ka qenë i jashtëzakonshëm. Dhe jam e lumtur që rezultatet e para të funksionimit të disa elementeve të reformës në drejtësi vërtetuan se këta njerëz gaboheshin.
LD: Pra, a është ky momenti i së vërtetës, që e përmendët më herët, vetingu është…
AMB: Mendoj se do të ketë shumë momente të vogla të së vërtetës që në fund do të sjellin ndryshimin. Nuk mendoj se duhet të prisni për një deus ex machina që të bjerë nga qielli dhe të ndryshojë gjithçka me një shpërthim të madh. Janë shumë të vërteta të vogla që do ta ndryshojnë.
LD: Në Bibël thuhet se e vërteta do t’ju çlirojë. Çfarë do t’i bëjë e vërteta elitës shqiptare? Do t’i çlirojë që të shkojnë në…
AMB: Ju jeni qytetar shqiptar, gazetar shqiptar, ju do të përballeni me njerëz që kandidojnë për zgjedhje.
LD: Zonja Ambasadore, sa e vështirë është të punosh me qeverinë, por edhe të mbash urat me opozitën? Sa e lehtë apo e vështirë ka qenë për ju në një vend thellësisht të polarizuar që ta mbanit këtë balancë?
AMB: E vështirë? Jo edhe aq e vështirë. Mendoj se duhet të kuptoni se ka diçka që i paraqitet publikut dhe diçka tjetër që ndodh në realitet. Ne kemi punuar shumë me të gjithë, nga të gjitha partitë politike, sepse ky proces varet nga përfshirja e të gjitha partive politike. Ky është një proces shoqëror dhe do të kishte qene e pamundur të arriheshin 140 vota për reformën në drejtësi, nese puna nuk është bërë shumë shumë gjeresisht, mos i besoni gjithçkaje që thuhet në publik. Është bërë një punë e madhe, nuk mund të them në heshtje, por është bërë pas dyerve të mbyllura, shumë komunikim, shumë punë. Kjo është çfarë bëjnë diplomatët.
LD: Pra, ndodhin shumë gjëra politike…
AMB: Nuk është vetem politikë, është…
LD: Politike kur zhvendosni audiencën. Flisni me një gjuhë të caktuar me dikë, pastaj në publik thoni diçka të ndryshme dhe kjo është ajo që i bën politikanët e vërtetë më të zgjuar këtu. Para disa javësh kam parë një karikaturë në një gazetë dhe doja t’i hidhnit një sy. Ka të bëjë me kanabisin në Shqipëri. Viti 2016 ka qenë viti i …
AMB: Po, e kam parë atë dhe është shumë për të qeshur.
LD: Çfarë menduat kur e patë?
AMB: Mendova se ishte karikaturë e lezetshme. Por mendoj se ajo çka kemi bërë, kur flitet për kultivimin e kanabisit është gjithashtu diçka e rëndësishme, sepse tani Guardia di Finanza do të nisë vitin e dytë të fluturimeve dhe unë po pres vërtet me padurim nëse të gjitha masat e marra kanë krijuar një progres të qëndrueshëm, kur bëhet fjalë për ta bërë të pamundur që njerëzit ta përsërisin atë që ka ndodhur në vitin 2016. Sepse në çastin kur morëm informacion të konfirmuar për situatën në vitin 2016, në atë moment diskutuam me institucionet përkatëse dhe e bëmë shumë të qartë që situata duhej të ndryshonte në mënyrë dramatike dhe gjithashtu sollëm shumë shërbime dhe ekspertë tanët që ta ndihmonin qeverinë për atë gjetur mënyrën e duhur për ta shënjestruar këtë aktivitet absolutisht të papranueshëm.
LD: A është realiste të mendohet se Shqipëria nuk do të quhet apo emërtohet si kryeqyteti i kanabisit në Evropë?
AMB: Sigurisht që ashtu shpresoj. Siç e thashë duhet të presim prova që progresi është i qëndrueshëm, por kjo nuk do të thotë se duhet të reshtim së qeni vigjilentë, sepse problemi i kanabisit në Shqipëri është një problem afatgjatë. Kam parë shifrat e pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Gjithmonë keni pasur shumë… dhe mendoj se suksesi i Lazaratit në njëfarë mënyre është kujtesa më e mirë që nuk duhet të reshtim së qeni vigjilentë. Duhet t’i kushtojmë rëndësi dhe të sigurohemi që suksesi nuk është vetëm për një herë, por është i qëndrueshëm.
LD: Duke qenë në këtë vend, kemi parë shumë probleme, duke filluar që para viteve ’90. Por ajo që pamë në vitin 2016 ishte diçka jashtëzakonisht e papërfytyrueshme. Dhe siç po zbulojnë tani hetimet policia në nivele shumë të larta ka qenë e përfshirë, ish-ministri është paditur për këtë çështje…
AMB: Ende nuk është paditur.
LD: Është akuzuar…
AMB: Është akuzuar, por po presim.
LD: … është akuzuar. Zyrtarë të lartë të policisë janë në kërkim lidhur me këtë dhe në këtë kuptim ka pasur njëfarë heshtjeje dhe të gjithë ishin të habitur dhe pyesnin si ka mundësi …
AMB: Nuk ka pasur heshtje dhe kjo është ajo që po përpiqem t’ju them. Në çastin kur… sepse ne nuk reagojmë ndaj … ne duhet të kemi informacion konfirmues nga institucionet që lidhen me BE-në dhe SHBA-të. Në çastin kur e morëm atë informacion, menjëherë vepruam. Pra, është bërë shumë punë, diskutime dhe biseda se si ta trajtojmë këtë problem.
LD: Doja ta mbyllja me një fotografi tuajën, ku jeni në Shishtavec para disa javësh dhe ajo që më bëri përshtypje ishte se gjatë atij turi… kjo është fotografia e Shishtavecit…
AMB: Është vendi më i bukur në botë.
LD: Po, por atje nuk jetojnë shumë njerëz.
AMB: Po.
LD: Si turiste mund të jetë vend i mrekullueshëm. Rrugës për në Shishtavec ju ndaluat në Spaç.
AMB: Po.
LD: Dhe siç mësova më vonë, fotografia e Shishtavecit mori me qindra mijëra pëlqime në mediet sociale, por fotografia e Spaçit mori shumë pak, çka tregon se si përballemi me të shkuarën dhe cila mund të kishte qenë mënyra më e mirë për t’u përballur me të kaluarën tonë të dhimbshme.
AMB: Së pari, shkova në Spaç sepse desha të shkoja në Spaç, si Ambasadore e BE-së, por edhe si Romana Vlahutin. Ishte diçka që unë doja ta bëja dhe bashkë me një grup kolegësh ambasadorë donim të ndihmonim që të bëhet e mundur që Spaçi të bëhet një vend që është… një vend reflektimi, që Spaçi të bëhet vend ku të çohen fëmijët e shkollave dhe t’u flasësh për atë që ka ngjarë aty, çfarë u ka ngjarë aty disa njerëzve shumë të mirë dhe si kanë vuajtur tmerrësisht në një regjim të çmendur dhe kriminal. Është e vërtetë që fotografia e Shishtavecit mori shumë pëlqime, të paktën në faqen tonë në Facebook, ndërsa Spaçi pak, por pastaj ne bëmë edhe një video dhe kur ajo u postua mori më shumë. Ndaj mendoj, unë nuk jam shqiptare dhe nuk pretendoj se e di si i keni përballuar traumat tuaja dhe çështjet e së shkuarës, por kam një ndjesi se mbetet ende shumë për të bërë dhe unë jam shumë mirënjohëse për mundësinë që ne mund të ndihmojmë paksa. Ne gjithashtu po hedhim një shumë të konsiderueshme parash për diçka që përsëri mendoj se është shumë e rëndësishme, do të financojmë programin e identifikimit të mbetjeve të njerëzve të humbur, sepse është shumë e rëndësishme që të thuhet e vërteta dhe është shumë e rëndësishme ta mbyllim këtë në një mënyrë me aq sa është e mundur të mbyllet, por të flasim në një mënyrë që është e respektueshme për viktimat
Komentet