Familja luan një rol të rëndësishëm mbi individin, dhe këtë e shohim qartë tek prindërit shqiptarë në diasporën e Zvicrës. Ata përpiqen të ofrojnë fëmijëve të tyre mundësitë më të mira në vendin pritës, duke siguruar që këta fëmijë të integrohen me sukses dhe të arrijnë rezultate të larta në shkollën mjedisore. Që nga vendosja e tyre në Zvicër, ata kanë krijuar shoqëri të reja dhe janë angazhuar në aktivitete të ndryshme për zhvillimin e tyre profesional. Shumë prej tyre përveç punës ndjekin kurse të ndryshme si sport, muzikë, informatikë, dhe gjuhë të huaja për të përmirësuar aftësitë e tyre dhe për të ndihmuar fëmijët në përballje me sfidat e reja.
Një aspekt mjaft i rëndësishëm i familjeve shqiptare është ruajtja e gjuhës dhe kulturës amtare shqiptare. Ata e konsiderojnë gjuhën amtare shqipe si një element thelbësor në zhvillimin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve, si dhe në zhvillimin e aftësive të tyre dygjuhësore. Për këtë arsye, ata japin mbështetje dhe ndihmesa të çmuara për Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër -LAPSH si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë financiar.
Në anën tjetër, realiteti tregon se shumica e familjeve shqiptare nuk i çojnë fëmijët në shkollën shqipe të mësimit plotësues. Më poshtë, do të përmendim disa specifika të familjeve shqiptare në (mos) përkrahjen e gjuhës amtare dhe shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër.
1.Familje me prindër shqiptarë që kontribuojnë financiarisht për ekzistencën e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër:
Një vend të rëndësishëm në familjet shqiptare në diasporë zë përdorimi i gjuhës amtare në familje. Një pjesë e prindërve shqiptarë flasin shqipen në familje, përdorin shtypin shqiptar, paguajnë për kanale televizive në gjuhën shqipe, kanë libra në shqip dhe u lexojnë fëmijëve në këtë gjuhë. Ata zhvillojnë biseda në shqip me fëmijët e tyre, ruajnë traditat dhe kulturën shqiptare. Kur fëmijët arrijnë moshën shkollore i çojnë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe kontribuojnë financiarisht për shkollën shqipe. Ndërsa shkolla e vendit pritës ku mësohet vetëm gjermanishtja apo frëngjishtja përbën një mjedis ku ushtrohet dhe kultivohet një tjetër model gjuhësor, ai i gjuhës zyrtare të shtetit zviceran. Fëmijët përfitojnë nga mësimi i një gjuhe të re në vendin pritës.
Fëmijët që ndjekin mësimin plotësues në shqip zhvillojnë aftësi të mira në gjuhën amtare. Ata mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë në shqip dhe në gjuhën e vendit pritës. Kështu, ata ecin në rrugën e dijes, duke u integruar në shoqërinë zvicerane dhe duke ruajtur njëkohësisht gjuhën amtare. Prindërit i shoqërojnë fëmijët dhe janë të vetëdijshëm për çdo vështirësi që mund të hasin në shkollën zvicerane dhe në shkollën e mësimit të gjuhës shqipe. Ata bashkëpunojnë ngushtë me mësuesit e të dyja shkollave për të siguruar një edukim të mirë për fëmijët e tyre.
Këta prindër krijojnë një mjedis të shëndoshë kulturor për fëmijët, duke i ekspozuar ata ndaj kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane. Fëmijët që mësojnë gjuhën e tyre amtare nuk hasin në vështirësi për të komunikuar me të afërmit e tyre, si me gjyshërit, kur shkojnë në atdhe. Shkolla zvicerane ofron një ndihmë të madhe për këta fëmijë, duke i pajisur me dijet e nevojshme për të përballuar jetën dhe për të zhvilluar studime në universitete të ndryshme.
Fëmijët bëhen dy dygjuhësh ata mund të kalojnë lehtë nga një gjuhë në tjetrën në shoqërinë e tyre. Në këtë pasuri gjuhësore, gjuhët ndihmojnë njëra-tjetrën dhe pasurojnë përvojën e tyre dy kulturore dhe gjuhësore. Kjo është një pasuri e madhe për fëmijët dhe shoqërinë në tërësi.
2. Familje me prindër shqiptarë që vetëm flasin në gjuhën shqipe:
Në diasporë, shumë familje shqiptare përdorin gjuhën amtare për të komunikuar me fëmijët e tyre, sidomos në fillimet e jetës së fëmijëve. Kjo praktikë është e rëndësishme pasi fëmijët mësojnë fjalët e para dhe krijojnë fjalorin e tyre fillestar në shqip. Për prindërit, është një mënyrë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre, duke i dhënë fëmijëve një bazë solide gjuhësore dhe kulturore që nga fillimi të jetës së tyre.
Megjithatë, ky mësim i gjuhës amtare shpesh mbetet në gjysmë sapo fëmija fillon të ndjekë kopshtin dhe më vonë shkollën publike. Për të ndihmuar fëmijët të jenë më të suksesshëm në mjedisin shkollor, shumë prindër fillojnë të flasin në gjuhën e vendit pritës në shtëpi. Braktisja e gjuhës amtare shpesh bëhet me qëllim të mirë për të lehtësuar integrimin dhe për të ndihmuar fëmijët të përparojnë në shkollë. Megjithatë, një efekt anësor i kësaj dukurie është se gjuha shqipe nuk zhvillohet, shpesh lindin probleme me mësimin e gjuhës së dytë si rrjedhojë fëmijët nuk arrijnë sukses as në mësimin e përgjithshëm.
Pjesa më e madhe e prindërve shqiptarë nuk kujdesen që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në shkollën shqipe të mësimit plotësues. Si rezultat, gjuha shqipe nuk mbështetet më dhe bëhet një gjuhë e huaj për ta. Në këtë kontekst, fëmijët mund të ndihen në ankth kur dikush ju flet në shqip, pasi nuk e kuptojnë bisedën mirë. Kjo ndodh sepse ata janë larguar kontaktit ndaj gjuhës shqipe dhe nuk kanë mundësi ta praktikojnë atë në mënyrë të rregullt.
Prindërit, ndoshta pa dashur, mund të ndikojnë në asimilimin e gjuhës amtare që është baza e identitetit të fëmijëve. Ndërsa ata përpiqen të ndihmojnë fëmijët të kenë sukses në shkollën zvicerane, ata mund të mos e kuptojnë se humbja e gjuhës amtare mund të ndikojë negativisht në ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit të fëmijëve. Fëmijët që nuk e ruajnë gjuhën shqipe mund të kenë më pak lidhje me rrënjët e tyre kulturore dhe të ndihen të shkëputur nga trashëgimia e tyre.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme që prindërit të gjejnë një ekuilibër midis mësimit të gjuhës së vendit pritës dhe ruajtjes së gjuhës amtare. Kjo mund të bëhet duke inkurajuar përdorimin e shqipes në shtëpi, duke ndjekur mësimin e gjuhës shqipe dhe duke marrë pjesë në aktivitete kulturore shqiptare. Në këtë mënyrë, fëmijët mund të zhvillojnë aftësi dygjuhëshe dhe të ndihen krenarë për identitetin e tyre dy kulturor.
3. Familje me prindër shqiptarë që nuk e përdorin gjuhën amtare:
Një pjesë e familjeve shqiptare në diasporë zgjedhin të mos e përdorin gjuhën amtare në komunikimin e përditshëm me fëmijët e tyre. Këta prindër besojnë se mësimi i gjuhës amtare mund të pengojë zhvillimin e aftësive gjuhësore të gjuhës së vendit pritës. Shprehjet si “I përzihen gjuhët ” apo “Nuk ka çfarë i duhet gjuha amtare” u përhapen shpejt dhe janë të zakonshme te kjo kategori prindërish. Kjo qasje e gabueshme shkon në dëm të fëmijëve, pasi nuk marrin mbështetjen e nevojshme për të ruajtur një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre kulturor dhe gjuhësor.
Prindërit që braktisin përdorimin e gjuhës shqipe në familje shpesh nuk e kuptojnë se ndjenjat më të thella shpirtërore, si dashuria, kënaqësia dhe dhimbja, shprehen më mirë në gjuhën amtare. Kjo është një trashëgimi që ata kanë marrë nga prindërit e tyre dhe që duhet të përcillet te brezat e ardhshëm. Gjuha amtare është jo vetëm një mjet komunikimi, por edhe një komponent thelbësor i identitetit kombëtar dhe personal. Ajo përcakton qenien tonë shqiptare dhe është një lidhje e gjallë me kulturën dhe historinë tonë.
Kur prindërit vendosin të mos flasin shqip në shtëpi, fëmijët humbasin mundësinë për të zhvilluar aftësi dygjuhëshe të qëndrueshme. Studimet kanë treguar se fëmijët që dinë gjuhën amtare kanë më shumë mundësi të mësojnë një gjuhë të dytë. Prandaj, duke inkurajuar përdorimin e shqipes në familje, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të zhvillojnë më lehtë dhe më mirë aftësitë e nevojshme për të mësuar gjuhën e vendit pritës.
Për më tepër, ruajtja e gjuhës shqipe është një akt respekti dhe vlere për veten dhe kulturën tonë. Të tjerët do të na çmojnë aq sa ne respektojmë vetveten, gjuhën tonë dhe kulturën shqiptare. Prindërit duhet të marrin përgjegjësinë për të edukuar fëmijët e tyre me dashuri për gjuhën dhe kulturën shqipe, duke siguruar që ata të kenë një identitet të plotë.
Për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe, prindërit mund të inkurajojnë fëmijët të ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe, të marrin pjesë në aktivitete kulturore shqiptare dhe të lexojnë libra në shqip. Kështu, fëmijët do të rriten me dy gjuhë dhe dy kultura.
4. Familje nga martesa të përziera me njërin prind shqiptar /shqiptare:
Në diasporën shqiptare deri vonë shumica e martesave bëheshin vetëm brenda bërthamës shqiptare, martesa të përziera qenë të rralla. Këta dhjetëvjeçarët e fundit situata shoqërore tek shqiptarët në Zvicër ka ndryshuar dukshëm, martesa e përzier më nuk është sporadike. Shumë djem e vajza shqiptare të lindura e rritura në Zvicër krijojnë familje me etni tjera, gjë që ka krijuar një gjendje të ndryshme nga ajo e mëparshmja, si në planin mirëfilli shoqëror e kulturor, ashtu edhe në atë gjuhësor.
Në rastin e familjeve të përziera kemi një situatë dygjuhësie por meqë gjuha shqipe nuk është një gjuhë e njohur më tepër kemi një bilinguizëm të heshtur. Kjo gjë vërtetohet në shumë raste edhe nga përvoja ime e drejtpërdrejtë në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Jura. Por gjendja është e tillë: a) Nëna shqiptare shqipfolëse, babai zviceran nuk e flet shqipen (ka përjashtime) por fëmijët e tyre mjaft mirë e flasin shqipen. Gjuhë e parë e fëmijës është shqipja të cilën ai e përdor me të ëmën, ndërsa me të atin përdorë frëngjishten. Fëmijët e mësojnë dialektin e shqipes dhe në disa raste shkojnë dhe në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, është dygjuhësh. b) Babai shqiptar shqipfolës flet vetëm shqip me fëmijë dhe nëna zvicerane në shumicën e rasteve e mëson dialektin e shqipes, në familje ka raste ku fliten dy gjuhët, fëmijët flasin gjuhën e babait disa prej fëmijëve shkojnë në mësimin plotësues. c) Babai shqiptar shqipfolës dhe nëna italiane apo spanjolle, dhe anasjelltas gjuha që përdorin në familje është vetëm frëngjishtja njëra nga gjuhët zyrtare zvicerane.
Ndërsa martesat e përziera kanë shtuar ndryshueshmërinë kulturore brenda familjeve shqiptare në Zvicër, ato gjithashtu kanë nxjerrë në pah rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare. Për prindërit shqiptarë, është e rëndësishme të vazhdojnë të përdorin shqipen në komunikimin e përditshëm dhe të inkurajojnë fëmijët e tyre të mësojnë dhe të praktikojnë dy gjuhët. Kjo do të sigurojë që fëmijët të rriten me një ndjenjë të mirë dy kulturore dhe familjare.
Duke marrë parasysh këta faktorë, është e rëndësishme që komunitetet dhe organizatat shqiptare në Zvicër të punojnë së bashku për të mbështetur familjet në këtë proces. Ofrimi i ndihmës financiare dhe organizative, si dhe ndërgjegjësimi rreth përfitimeve të arsimit dygjuhësor, mund të ndihmojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër breza.
03.06. 2024 Nexhmije Mehmetaj