Në një ligjëratë të organizuar nga Fondacioni “DRITA” në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, në kuadër të tribunës “I krishteri dhe shoqëria”, prof. Ledi Shamku, ka ligjëruar për jetën dhe veprën kolosale të njërit nga humanistet më të mëdhenj shqiptar Frang Bardhi dhe rëndësinë e tij në continuum-in e identitetit arbënor.
“Jo rastësisht Dictionarium-in Bardhi e filloi me maksimën e Katonit – u shpreh profesoresha që në fillim të ligjëratës së saj – ; ai dyshonte se, sikundër kish ndodhur me Budin ca më parë, edhe ai do të lexohej por rrezikonte të mos kuptohej. Dhe ndofta ka pasur të drejtë në dyshimin e tij, pasi ende sot, pas gati 400 vjetësh, vërtet që Dictionariumi është lexuar e rilexuar, por qëllimi i ndërmarrjes së kësaj nisme në 1635n e largët është “neglizhuar”nga shumëkush; dmth. ky qëllim ose nuk është kuptuar, ose në është kuptuar, nuk është nxjerrë në pah. Kështu është bërë shprehi t’i mëshohet vetëm shqetësimit objektiv të humanistit të ri lidhur me “ghiuhene tane, ghi po bdarete, e po bastarξohete…”. Në fakt qëllimi i Bardhit do ketë qenë më tepër se kaq; Dictionariumi, atij dhe udhërrëfyesve të gjindjes, do t’u shërbente si mur mbajtës për truallin shqiptar, që ai të mos shkimej kundrejt korpusit europian – me të cilin kish qenë i pandarë – si rezultat i veprimit të një erozioni shpirtnor që në shek. XVII, me osmanizmin, ish thelluar.”
E çfarë është ky fjalor dhe pse është kaq i rëndësishëm? Prof. Ledi tregohet shumë e qartë dhe përmbajtjesore: “Fjalori shpalonte pa kurrfarë ndërdyzje një tjetër identitet tonin. Dhe është ky shpalim që e bën atë modern sot e gjithë ditën, anipse kanë rrjedhë gati katër shekuj nga hartimi i tij. Ja pse sot, duke e dlire tejqyren shkencore nga ndotja ideologjike, studiuesit, studentët, bibliofilët, të gjithë duhet me i kthy serish syte nga “Dictionarium Latino-Epiroticum”, per ta pare Frangun tonë Ogurbardhë dhe krejt veprimtarine e klerit katolik ne Shqiperi ashtu sikunder është në thelb: jo thjesht punë gjuhëdashësish por rojë dhe mbrojë e vetë continuum-it tonë identitar”, dhe vazhdon prof. Ledi Shamku, duke saktësuar qëllimin e Frangut të Bardhe dhe Fjalorit të tij, “Me lexu e mos me kuptu, domethanë me neglizhu citon Bardhi; e pra ndër librat tona ka patur një neglizhim të qëllimshëm. Kështu pra që në fjalinë e parë të paraqitjes që Bardhi i bën Dictionariumit, del qartë si drita e diellit se Qëllimi Kryesor i tij është “mā fort me ndihmuem gjithë atyne që janë nd’urdhënite Tinëzot e të Shintesë Kishë Katolike e s’dīnë giuhënë latine…” pra për të ndihmuar pikërisht klerin e vendit ase barinjtë e ahershëm të popullit. Të mëshuarit mbi faktin se Bardhi e krijoi fjalorin e tij vetëm me qëllim progjuhësor, nuk është veçse Gjysma e Dytë e s’vërtetës. Fshehja ndaj studentëve e faktorit parësor të ndërmarrjes historike të tij dhe censuara ndaj mendimit, shpjegon krejt përse-të dhe ndërdyshjet e studiuesve të mësipërm. Ruajtja e identitetit religjioz, sikundër deduktonte Çabej, asokohe do të thoshte së pari ruajtje e identitetit europian të trevës e të gjindjes; dhe së dyti (për efekt të një kulture rajonale në gji të këtij identiteti) ruajtje e përkatësisë etnike nëpërmjet lavrimit të një koineje letrare të përbashkët”.
Prof. Ledi, Frangun e Bardhë e pati si shkakun e parë për të hedhur tezën, të ngjeshur e të themeluar shkencërisht, se humanistët shqiptar nga Buzuku, Bogdani, Budi, Bardhi e të tjerë të kësaj shkolle, kanë kontribuuar në pashkëputshmenin – continuum – e identitetit arbëror, duke e përdorë gjuhën, duke e folur gjuhën, atë të folme që ka ushqyer shpirtin arbënor ndër shekuj. Këta humanistë nuk ishin vetëm “kujdestar” të shqipes – theksoj prof. Ledi – por, si humanistë që ishin, ata e kuptuan më së miri se gjuha dhe shpirti i një populli janë një.
Kemi të bëjmë me një mision të shenjtë të këtyre humanistëve arbëror për ta mbrojtur identitetin shpirtëror dhe shoqëror të një populli që ishte kapur keq dhe i shkruhej tjetërsimi i palcës identitare. Humanistët e lartpërmendur ishin misionar shpëtimi për të mos e lanë të tretet e të djerret ky shpirt arbënor, e të cilët përmes të folmes e të shkruemit bën që të mos këputet ai pe që e ka lidh gjindjen tonë me humanitetin europian, siç e thekson me të drejtë E. Çabej.
Pasi mbarojë me ligjëratën, prof. Ledi ishte e disponueshme për të bashkëbiseduar me audiencën, e cila ishte e interesuar për të dituar se, nëse ka pasur një continuum, a ka pasur një discontinuum në këtë aspekt. Një student i ditëve tona kërkon ndihmën e pedagogut, sepse ai nuk e kupton të shkruemit e letrave më sublime të gjuhës shqipe, veprat e të cilëve e kanë formësuar këtë vazhdimësi identitare. Kjo e tregon se ka pasur discontinuuitet jo vetëm këtu por edhe në rrafshin sociolinguistik, herë me qef e herë pa qef. Po a duhet të jemi mirënjohës klerit katolik shqiptarë edhe sot për continuum-in e identitetit tonë shqiptar, ishte njëra nga pyetjet e bëra nga audienca. Prof. Ledi duke shpalosur përvojën personale, tregoj qartë se ky klerë ka hapur horizonte të reja e gjithnjë të freskëta kësaj vazhdimësie identitare dhe pa mëdyshje duhet cilësuar si rojë e këtij shpirti.
Për dy orë e më tepër – ligjëratë dhe diskutim – pasi organizatorët e falënderuan prof. Ledi për ligjëratën e shkëlqyer, audienca e bashkuar vazhdoj në koktejin e përgatitur në hollin e Rezidencës, ku pati mundësi të vazhdohet diskutimi edhe personal me shoqi-shoqin për këto çështje të rëndësishme.
Fotografitë: Sebastian Sokoli
http://www.drita.info/2016/05/07/frangu-i-bardhe-roje-e-continuum%C2%ADit-tone-identitar/
Komentet