KAPITULLI IX – Ky dokument që po publikojmë në këtë kapitull të këtij libri mban datën 21.5.1969 dhe ka siglën “Sekret”, mendojmë se është dhe një nga më të rëndësishmit e më interesantët e këtij libri. Ai përmban një relacion të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Durrësit, Rita Marko, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSHsë, Ramiz Alisë. Dokumenti në fjalë është një relacion tejet i gjatë për Bilal Xhaferr Hoxhën, shkrimtarin i cili kritikoi Kadarenë dhe romanin e tij “Dasma”, në diskutimin krijues që ishte mbajtur në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë një vit më parë. Përfshirja e Sekretarit të Parë të Durrësit në çështjen “Bilal Xhaferri”, bëhej për shkak se Bilali asokohe punonte dhe banonte në rrethin e Durrësit.
Dhe kërkesa për atë relacion, duket se atij i ka ardhur nga Tirana, direkt pas informacionraportit të Manush Myftiut, me të cilin u njohëm në dokumentin paraardhës (kapitulli nr.7). Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, Rita Marko u ka bërë eprorëve të tij në Tiranë një raport tejet të hollësishëm e me detaje të imta, gjë të cilën nuk e ndesh as edhe në raportet e krerëve më të lartë të Sigurimit të Shtetit, që i drejtoheshin Enver Hoxhës për çështje tejet të rëndësishme, me kërkesën e këtij të fundit.
Dhe e gjitha kjo me gjasa ka ndodhur nga vetë urdhri apo më saktë kërkesa që i ish-te bërë atij (Rita Markos), nga Komiteti Qendror i PPSH-së, duke e parë çështjen “Bilal Xhaferri” si një problem tepër serioz për partinë?! Dhe nisur nga kjo, raporti fillon që nga origjina e Bilal Xhaferrit, fëmijëria, shkollimi, familja e tij, rrethi farefisnor e shoqëror, vendet ku ka banuar, jetuar e punuar, vendet ku ka lëvizur për arsye pune dhe krijimtaria letrare, organet e shtypit ku ka botuar, njerëzit që e kanë mbështetur dhe e kanë ndihmuar për t’u afirmuar si gazetar e shkrimtar, që nga të afërmit, shokët, kolegët e deri tek drejtorët e ndërmarrjeve, shefat e funksionarët e institucioneve drejtuese artistike, kulturore dhe botuese të Durrësit e Tiranës, për të përfunduar te funksionarët e Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonin artin, kulturën e propagandën.
Pra, raporti informativ i Rita Markos për Bilal Xhaferrin duket që nuk ka kursyer asnjeri. Në fund të këtij raporti, Rita Marko ka bërë një shënim për eprorët e tij në Tiranë, ku thuhet se: “Bashkëngjitur ju dërgojmë tekstin e një poezie që bën aluzion për Ismail Kadarenë, shkruar nga Bilali më përpara se të bëhej diskutimi i romanit “Dasma”. Por në dokumente që ndodhen në këtë dosje, kjo poezi mungon dhe nuk ndodhet…?! Ashtu si edhe në dokumentet e tjera paraardhëse, edhe këtë informacion po e botojmë të plotë ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse të arkivit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Arkivi Qendror i PPSH Fondi Nr. 14 Lista nr. 25 Dosja nr. 584 Afati i ruajtjes: Përgjithmonë Fondi: Komiteti Qendror i Partisë Punës së Shqipërisë (Sektori i Përgjithshëm) Përmbajtja
LETER E BILAL XHAFERRIT DHE KORRESPONDENCA E KOMITETIT TË PARTISE SE RRETHIT TE DURRESIT DHE E MINISTRISE SË BRENDSHME, DERGUAR KOMITETIT QENDROR TE PPSH MBI QENDRIMIN E BILAL XHAFERRIT. P.S. FLETA 16 KA SHËNIME TË SHOKUT ENVER Shokut RAMIZ ALIA INFORMACION MBI ÇESHTJEN E BILAL XHAFERR HOXHËS
Bilal Xhaferri banon prej shumë kohësh në rrethin tonë, më parë në Sukth dhe më vonë në Shijak. Ka dy motra të martuara dhe njerëz të afërt të fisit të tij, të cilët banojnë në Sukth, Shijak dhe Shkozet Durrës. Në fillim ka punuar në fermën e Sukthit dhe pastaj në ndërmarrjen “Rruga-Ura”, punë e cila i ka dhënë mundësinë që të lëvizë në disa rrethe të Shqipërisë, si në Tiranë, Pukë, Krujë, Mirditë dhe Pogradec. Me shkrimet e tij letrare ka filluar të duket sidomos 3-4 vjetët e fundit. Megjithëse me banim të përhershëm në rrethin tonë, ai u bë i njohur si shkrimtar sidomos vetëm dy vjetët e fundit në këto rrethana: Rreth një vit e gjysmë, dy vjet më parë, ka ardhur në rrethin tonë Ballkize Halili (kushërirë e parë ose e dytë e këtij, ish-redaktore në gazetën “Zëri i Popullit” dhe tani kryeredaktore e revistës “Shqiptarja e Re), ndoshta me shërbim, por e përgatitur për të bërë përçapje për një trajtim më të mirë të këtij “talenti”.
Përçapjet e saj për t’i siguruar punë më të përshtatshme dhe strehim, ajo i ka bërë te shoku Ramiz Doçi, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Lokalitetit të Shijakut, tek shoku Llazar Ziu, kryeinspektor i Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit si dhe te shoku Dashnor Mamaqi, i cili në atë kohë ishte sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit. Atëherë ajo ka pretenduar se do t’i jepej shokut Dashnor edhe një dosje me shkrimet e tij. Gjithashtu, interesim pranë shokut Dashnor ka treguar edhe shoku Todi Lubonja. Pak kohë më vonë pas interesit që ka treguar shoqja Ballkize dhe shoku Todi Lubonja, përçapje kanë bërë pranë këtij Komiteti Partie edhe shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Shefqet Musarai dhe Llazar Siliqi, kurse shoku Qamil Buxheli, qëkurse erdhi në rrethin tonë, jo vetëm i ka barë elozhe, por ka dhënë edhe rekomandime për të.
Që nga kjo kohë filloj të ekzaltohej pa masë “talenti” i tij, duke pasur edhe përkrahjen e shokut Dashnor kur ishte sekretar i Komitetit të Partisë, i cili sipas thënieve të shokut Jordan Haxhinikolla (ish-kryetar i rrethit letrar), në një mbledhje të rrethit ka thënë: “Bilali vlen më tepër se ju të gjithë”. Kështu, ai u pranua në rrethin letrar pa asnjë diskutim të veprave të tij, siç bëhej zakonisht për të tjerët. Konkretisht në një mbledhje të rrethit, pasi u diskutuan dhe u pranuan anëtarë të rinj, Bilal Xhaferi ka pyetur: “Po unë, a jam anëtar i rrethit letrar?”, shoku Jordan i është përgjigjur: “Natyrisht, ju jeni anëtar i rrethit”. Pas këtij, atij i janë botuar disa shkrime në almanakun “Adriatiku”, ndërsa disa organe të tjera të shtypit kishin filluar të botonin shkrimet e tij shumë kohë më parë. Me ndërhyrjen e këtyre shokëve, iu dha një dhomë për banim në Shijak, kurse për punën, meqenëse ndërmarrja “Rruga- Ura” e kishte pushuar me të drejtë si të padisiplinuar në punë, u ndërhy nga Komiteti i Partisë në shkurt 1967 që të vendosej si punëtor krahu në fermën e Sukthit. Këtu ai e filloi punën vetëm në qershor të atij viti, duke mbetur përsëri i pakënaqur nga trajtimi.
Siç jemi të informuar, ai i ka vazhduar përsëri presionet për punë tjetër me disa kuadro të rrethit, bile edhe në Tiranë, siç ka thënë ai tek shoku Dashnor, i cili në tetor të vitit të kaluar, kur ishte me një ekip këtu, ka biseduar me shokun Iljaz Reka dhe shokun Ramiz Doçi për t’i gjetur punë të re. Kështu u vendos në Komunalen e Shijakut si punëtor krahu. Edhe nga kjo punë nuk mbeti i kënaqur, nuk pret një zgjidhje tjetër, por gjen një punë të re, d.m.th. në fund të vitit 1968 u vendos në punë si dispeçer në parkun automobilistik të Durrësit, me iniciativën dhe ndërhyrjet e padrejta të drejtorit të parkut, shokut Hysni Çyrbja, i cili për këtë veprim është nisur vetëm nga përshtypjet personale që kish formuar vetëm nga leximi i shkrimeve të tij, si dhe nga fjalët e mira të disa letrarëve si Pertef Kruja, drejtor i Bibliotekës, Gjergj Vlashi, regjisor i Estradës Profesioniste etj.
Duhet thënë se edhe vetë Bilal Xhaferri ka ditur të shfrytëzojë këto ndërhyrje të padrejta, duke trilluar për gjoja simpatinë që paska shprehur gjoja shoku Ramiz Alija për të, ka folur poshtë e lartë për interesin e shokut Dashnor dhe shokut Iljaz: ka p ë r d o r u r përkrahjen që i kanë dhënë shokët e Lidhjes, duke ia përmendur emrin në mbledhje të rëndësishme kombëtare, të botuara në gazetën “Drita”, “Rinia” etj. Ai ka shfrytëzuar mirë faktin se Ndërmarrja e Botimeve i kish botuar një vëllim dhe po përgatitej për t’i botuar romanin me temë Skënderbeun, si dhe një vëllim të dytë me tregime. Gjithashtu, ka shfrytëzuar gatishmërinë e disa organeve për të botuar shkrimet e tij, si: “Drita”, “Ylli”, “Shqipëtarja e Re”, “Rinia”, sidomos “Vullnetari”, ku siç informohemi, ka shkruar reportazhe me firmën e korrespodentit të gazetës.
Ndërhyrja pranë këtij Komiteti Partie për të paraqitur kandidaturën e tij që të zgjidhej anëtar i Lidhjes është bërë në shtator të vitit të kaluar nga shoku Llazar Siliqi, i cili kishte ardhur si i deleguar për krijimin e degës së Lidhjes së rrethit tonë, si dhe për të sqaruar me këtë rast pozitën e tre kandidatëve që ishin pranuar pa pyetur fare as Komitetin Ekzekutiv, as dhe Komitetin e Partisë, për të cilën ne nuk do të ishim dakord dhe për këtë ne kishim në dijeni Komitetin Qendror të PPSH-së. Atëherë, shoku Llazar, meqenëse ne ishim kundër zgjedhjes si kandidat i Lidhjes, parashtroi kërkesën që të paktën Bilal Xhaferri të zgjidhej si delegat për takimin kombëtar të letrarëve të rinj. Nëpërmjet shokut Jorgji Sota iu dha përgjigje se edhe për këtë propozim, ne nuk ishim dakord për shkak të prejardhjes së tij politike, sidomos se në shkrimet e tij nuk vërehej ndonjë garanci.
Shokut Llazar nuk iu tha vetëm se ai ishte me aktivitet armiqësor. Në fund të vitit 1967, nga kryetari dhe sekretari i Degës së Lidhjes, (Jordan Haxhinikolla dhe Gjergj Vlashi) u kërkua përsëri mendim nga Komiteti i Partisë për të paraqitur kandidaturën e tij për ta zgjedhur si anëtar të Lidhjes, e përsëri ne refuzuam një kërkesë të tillë. Veç kësaj, shokut Thoma Deliana, po në këtë kohë ju përsërit edhe një herë mendimi i Komitetit të Partisë se atij nuk duhej t’i botohej romani me temë mbi Skënderbenë, si nga shoku Rita Marko, ashtu edhe nga shokë të tjerë të aparatit të Komitetit të Partisë. Siç informohemi, romani nuk u vu në shtyp (disa thonë se edhe ky u shtyp), kurse vëllimi i dytë me tregime “Lirishtja e kuqe”, u propagandua se së shpejti do të dilte në qarkullim.
Na rezulton se romani ka qarkulluar në disa njerëz në Durrës si dorëshkrim, bile me propagandën “zini radhën”. Për sa i përket Ndërmarrjes së Botimeve, sidomos, Alqi Kristos dhe Dhimitër Fullanit, kanë mbajtur një qëndrim shumë oportunist sidomos në Lidhje me rekomandimet tona në lidhje me Namik Manen, që të mos botohej një vëllim i tij. Namiku është shok i ngushtë i Bilal Xhaferrit, gjithashtu me qëndrim të keq politik nga babai, xhaxhai dhe fisi i tij. Janë nga një fshat. Mendojmë se po këta kanë përkrahur edhe Bilal Xhaferrin deri në fund, që ay të afirmohej gjithnjë e më shumë e më mirë si shkrimtar dhe kjo përkrahje është bërë me tendenciozitet. Ne e quajmë të dëmshme edhe qëndrimin e shokut Qamil Buxheli, i cili ka ndërhyrë disa herë tek përgjegjësi i sektorit të perimores të NBSH Sukth, se gjoja “po e pengoni për shkrimet”, se “doni ta pushoni me pa të drejtë”, etj.
Puna është se ai nuk ka punuar mirë as në ndërmarrjen “Rruga-Ura”, as në N.B.SH. Sukth, as në Komunalen e Shijakut. Për shembull në NBSH Sukth, për tre muaj ai ka punuar vetëm 7 ditë në qershor, 14 ditë në korrik dhe 8 ditë në gusht 1967. Pastaj është larguar fare nga puna dhe pa leje. Kështu ka punuar kudo 3- 4 vjetët e fundit. Del pyetja me çfarë ka jetuar? Ka jetuar me shpërblimet e botimeve, me disa shërbime, e sidomos te “Rinia” dhe revista “Ylli”. Bile nga shokët e Komitetit të Partisë së Tiranës thuhet se disa miq të tij në Tiranë e kanë mbajtur edhe me para xhepi. Megjithatë, burimet financiare dhe lëvizjet e tij edhe në disa vende afër reparteve ushtarake dhe kufitare janë tepër të dyshimta, veç takimeve me elementë të dyshimtë dhe antiparti. Lidhur me diskutimin që ka bërë në Tiranë për romanin “Dasma”, të I. Kadaresë, ne jemi të një mendimi me shokët e Komitetit të Partisë së Tiranës, se ky mendim është armiqësor, se kritika për romanin i ka vlejtur si një shkak për të sulmuar vijën e Partisë.
Akoma ne nuk arrijmë në një përfundim se cilët mund të jenë shokët e tij bashkautorë të diskutimit, ose që mund të kenë ditur plotësisht këtë, por ne dyshojmë për këtë dhe do të vazhdojmë kërkimet. Deri tani ne arrijmë në përfundim se disa njerëz kanë biseduar me të për romanin “Dasma”, kanë shfaqur pikëpamje që afrohen, por nuk përputhen plotësisht me të tijat. Kështu psh. disa thonë se kanë diskutuar me Bilalin për mendjemadhësinë e I. Kadaresë, i cili merr përsipër me inicialet e shkrimtarit S.K. rolin e atij që jep vijën. Por shtojmë: Pse të mos ishte ky punëtor? Kurse Bilal Xhaferri merr vetëm pikënisje nga kjo për të sulmuar vijën e Partisë. Moikom Zeqo nga Durrësi, student i vitit të parë të USHT, kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve, shok shumë i ngushtë me Bilalin, në një artikull të botuar në gazetën tonë lokale, shfaqet me rezerva të mëdha në lidhje me romanin “Dasma”. Siç ka pohuar vetë pak ditë para mbledhjes së diskutimit të romanit, ka lexuar faqet e para të diskutimit të Bilalit, flitet se po Moikomi e ka lajmëruar edhe për mbledhjen.
Dyshojmë se dijeni më të plotë për përgatitjen e Bilalit në diskutim kanë pasur edhe Adriatik Kallulli e Bedri Myftari, me punë në Tiranë, por që janë shokë të ngushtë të këtij. Në Durrës shoqëri të ngushtë ai ka pasur edhe me Namik Mane, për të cilin kemi folur më lart dhe që është i pakënaqur nga ndalimi i botimit të poezive të tij. Është shoqëruar edhe me Met Gjergjin, arsimtar dhe anëtar i rrethit letrar, të cilit gjithashtu i është pushkatuar babai nga partizanët. Organizata e Partisë e Parkut Automobilistik diskutoi në mbledhjen e saj mbi marrjen në punë të Bilal Xhaferrit jashtë çdo rregulli. Pas saj u bë mbledhja e kolektivit të Parkut. a) Për të dënuar veprimet e shokut Hysni Çyrbja, drejtor i ndërmarrjes dhe shokut Karlo Grashi, sekretar i organizatës bazë dhe kandidat i plenumit të K.P. rrethit, si fajtorë kryesorë. b) Për demaskimin e Bilal Xhaferrit si armik. Është për t’u shënuar se ai mbajti një qëndrim provokonjës duke iu drejtuar shokut Rita Marko dhe shokëve të tjerë me fjalët: “Ju nuk e keni provuar se ç’do të thotë të jesh pa punë?”, “nuk kam tjetër veç kësaj xhakete, unë jam punëtor, shkruaj dhe vuaj, sa për të shkruar më është dashur të lë punën”, “nuk ndahem nga punëtorët”, “e ndjej veten të Partisë dhe nuk u gjykova si duhet, por do të dalë e vërteta se s’jam armik”.
Ditët e fundit ne muarrëm vesh se kish filluar të përhapej legjenda se sikur babanë e tij e kishte vrarë armiku i Partisë, Izet Osmani, tani i arratisur jashtë shtetit dhe jo partizanët, siç është e vërteta. Këtë legjendë ai e përmendi edhe para punëtorëve, pa e ditur se me këtë do të demaskonte dhe më keq veten, sepse kur ai ka jetuar në Rrëshen 3 vjet më parë, ka pasur lidhje të ngushta miqësie me familjen dhe veçanërisht me të bijën e këtij krimineli. Gjithmonë në këtë mbledhje u zbulua edhe legjenda mbi moshën e tij, ai nuk është 27, por 34 vjeç. Këtë zvogëlim të moshës ai e ka bërë vetëm që të mos mbajë përgjegjësi për krimet e babait të tij. Këto ditë u bë mbledhja e rrethit letrar.
Të gjithë anëtarët e dënuan Bilal Xhaferrin dhe shumë prej tyre bënë autokritikë për mungesë vigjilence, sidomos Et’hem Hysi, Petrit Cerloi dhe Met Gjergji, që ishin në mbledhje kur u bë diskutimi i romanit në Tiranë dhe ikën, në vend që të thoshin fjalën e tyre. Për sa i përket diskutimit që bëri, Bilal Xhaferri edhe sot mban të njëjtin qëndrim duke thënë: “Dhashë mendimin tim, unë kam shumë të drejtë, nuk tërhiqem nga ajo që kam thënë”. Disa shokëve u ka thënë: “Shumë keq që i besoni gazetës dhe jo mua”, bile njërit i ka thënë: “Ti je papagall i gazetës”. Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit Rita Marko Durrës më 21.V.1969 P.S. Bashkangjitur ju dërgojmë tekstin e një poezie që bën aluzion për Ismail Kadarenë, shkruar nga Bilali më përpara se të bëhej diskutimi i romanit “Dasma”. Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSHsë, (Struktura) Dosja 584-585. Viti 1967, 1969. Fl.1-180-214. (vijon në numrin e nesërm) DASHNOR KALOCI
Komentet