Në vorbullën e krizave të reja dypalëshe dhe shumëpalëshe, ku është zhytur Lindja e Mesme, po kristalizohet një zhvillim pozitiv dhe konkretisht progresi i procesit të ripajtimit midis Turqisë dhe Izraelit. Në datën 21 janar gazeta turke “Zaman” bëri të ditur se Turqia ka vendosur të caktojë drejtorin e përgjithshëm të MPJ për Lindjen e Mesme si ambasador në Izrael. Ky vendim është një nga produktet e marrëveshjes paraprake, që kanë arritur të dyja vendet në dhjetorin e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe rikthimin e ambasadorëve. Për këtë marrëveshje paraprake njoftoi në 17 dhjetor gazeta izraelite “Haaretz”. Një zyrtar i lartë turk në datën 21 janar i deklaroi gazetës “Hurriet” se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit do të normalizohen së shpejti. Kryeministri i Izraelit, Netaniahu, deklaroi në 22 janar se të dyja shtetet po bisedojnë me njëra-tjetrin dhe nëse ia arrijnë, do të jetë gjë e mirë për të dyja shtetet.
Duhet konsideruar një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe, sepse vjen pas një ngrirje prej mbi pesë vjetësh, që nga sulmi i armatosur i forcave speciale izraelite në ujërat ndërkombëtare mbi një karvan ndërkombëtar anijesh me ndihma humanitare, të drejtuar për në Gaza, kur ushtarët izraelitë sulmuan anijen turke “Mavi Marmara”, duke vrarë dhjetë qytetarë turq. Duhet konsideruar një zhvillim pozitiv, sepse ndodh ripajtimi midis dy shteteve nga më të rëndësishmet e rajonit dhe mbi të gjitha, midis dy shteteve, të cilat janë aleatet kryesore të Perëndimit, të SHBA dhe të NATO-s në rajon. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Xhon Kirbi, në emër të qeverisë amerikane përshëndeti bisedimet midis Turqisë dhe Izraelit, “dy aleatëve kyç të Amerikës në rajon”.
Ripajtimi midis Turqisë dhe Izraelit është një nevojë dhe një dobi reciproke e të dy shteteve, siç përkufizoi edhe presidenti i Turqisë, Erdogan, në 31 dhjetor: “Izraeli ka nevojë për një vend si Turqia në rajon. Ne kemi nevojë të pranojmë gjithashtu, se kemi nevojë për Izraelin”. Ngrirja pesëvjeçare ishte një situatë jonormale dhe kanë qenë vektorë të brendshëm dhe të jashtëm, që provokuan çarjen në marrëdhëniet dypalëshe me zbatimin e kursit të ri të gabuar si sulmi ndaj anijes humanitare turke në vitin 2010. Para kësaj, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit kanë qenë shembullore deri në atë pikë, sa që Turqia kishte lejuar hapësirën e vet ajrore për stërvitjet e avionëve ushtarakë izraelitë. Turqia është vendi i parë mysliman që ka njohur shtetin e Izraelit në vitin 1949 dhe politika e saj e tolerancës ndaj komunitetit hebre daton herët, që nga shekulli 15 i dëbimeve masive të hebrenjve nga disa shtete europiane. Ripajtimi ka qenë proces i vështirë, sepse Turqia dhe Izraeli janë dy shtete të forta, të cilat nuk kanë dashur dhe nuk duan të japin sinjale dobësie ndaj vendeve të treta. Ka qenë i vështirë, sepse politika në të dyja vendet, për shkak të rrethanave ndërkombëtare, ka ngurruar për kompromisin, të cilin e ka parë shpesh si një sinjal dobësie dhe ngushtim të hapësirës së rolit të shtetit në rajon. Diplomacia në të dyja vendet ka kuptuar jonormalitetin e marrëdhënieve të ngrira midis dy vendeve dhe ka konstruktuar procesin e gjatë të tratativave midis tyre. Në vitin 2013 kryeministri i Izraelit, Netaniahu, kërkoi zyrtarisht falje për sulmin mbi anijen civile turke dhe për viktimat, gjë që ishte kushti i parë nga tri kushtet e paraqitura prej qeverisë turke për ringjalljen e marrëdhënieve. Dy kushtet e tjera ishin kompensimi financiar i familjeve të viktimave dhe heqja e bllokadës izraelite ndaj palestinezëve në rripin e Gazës. Burime diplomatike bëjnë të ditur se çështja e kompensimit është zgjidhur dhe qeveria izraelite ka pranuar zbatimin e saj, ndërsa thuhet se është gjetur edhe formula e kompromisit për zgjidhjen e çështjes së bllokadës së rripit të Gazës. Nga ana e saj, Turqia duket se ka pranuar kërkesën izraelite për tërheqjen e padive gjyqësore ndaj katër komandantëve të forcave ushtarake izraelite, që drejtuan sulmin kundër karvanit të anijeve të ndihmave humanitare dhe të ndalojë veprimtarinë e organizatës palestineze “Hamas” në Turqi dhe të largojë nga territori i saj një prej udhëheqësve të organizatës së mësipërme.
Aftësia e diplomacive me përvojë të të dyja shteteve ka punuar me kapacitetet e saj të plota për zgjidhjen e krizës dypalëshe dhe kjo përkon edhe me vullnetin politik të udhëheqësve të të dyja vendeve për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet midis tyre. Rrethanat dhe zhvillimet e vrullshme të reja në rajon kanë pasur padyshim ndikimin e tyre të rëndësishëm në reflektimin dhe ndërmarrjen e lëvizjeve afruese ndaj njëri-tjetrit, sepse Turqia dhe Izraeli janë dy shtete, që kanë ndikim të madh në dinamikën e rajonit, pa kontributin e të cilëve vështirë të mendohet një zgjidhje afatgjatë e krizës rajonale.
Është e rëndësishme që në të dyja shtetet u kuptua se ripajtimi midis Turqisë dhe Izraelit është një nevojë aktuale gjeopolitike në përputhje me interesat e dy popujve, të popujve të Lindjes së Mesme dhe të paqes e të stabilitetit në një nga rajonet më nevralgjike të globit. Në realizimin e kësaj nevoje gjeopolitike ndikuan disa faktorë të zhvillimeve të fundit në rajon, të cilat evidentuan se animi i balancës së interesave në favor të Perëndimit dhe të stabilitetit kërkon ripajtimin midis dy aleatëve të Perëndimit, Turqisë dhe Izraelit.
Mund të rreshtohen disa faktorë, që mund të klasifikohen si katalizatorë të procesit të shpejtimit të ritmeve drejt arritjes së një marrëveshjeje midis dy vendeve. Në radhë të parë, është ndërhyrja dhe vendosja e pranisë ushtarake të Rusisë në Siri, e cila keqësoi rrethanat gjeopolitike dhe prodhoi acarime të konflikteve në terren dhe përplasje të reja midis aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë për Lindjen e Mesme. Ambasadori Metju Bryza, ish-ndihmëssekretar Amerikan i Shtetit, theksonte në 30 dhjetor se: “Agresiviteti i fundit i Rusisë ndaj Turqisë dhe ndaj aleatëve të tjerë të NATO-s ka qenë katalizatori imediat i kthimit të Izraelit dhe të Turqisë tek njëri- tjetri”. Ndërhyrja ruse solli një shkallëzim të rrezikshëm të krizës së Sirisë me përfshirjen e hapur ushtarake ruse në luftën civile siriane në favor të regjimit satrap të Bashar Al Asadit. Ky shkallëzim po ndodh në shtetin sirian, që është bërë epiqendra e krizës ushtarake dhe diplomatike rajonale, e shtetit, që është në kufi edhe me Turqinë, edhe me Izraelin dhe që ndjek një kurs aventuresk antiperëndimor dhe antidemokratik.
Pas ndërhyrjes ruse kemi shpërthimin e dy krizave të reja në rajon, atë midis Turqisë dhe Rusisë, dhe atë midis Iranit dhe Arabisë Saudite, të cilat komplikuan edhe më tej si mundësitë e zgjidhjes së krizës siriane, ashtu edhe marrëdhëniet ndërrajonale. Këto zhvillime negative, që shoqëruan ndërhyrjen dhe vendosjen ushtarake ruse në Siri, sollën me vete edhe një përpjekje ruse për kufizimin e angazhimit të Perëndimit, të SHBA, të BE dhe të NATO-s në zgjidhjen e krizës siriane dhe në stabilizimin e rajonit. Ndërhyrja ushtarake ruse komplikoi edhe situatën e luftës ndërkombëtare kundër ISIS-it, sepse ajo u fokusua në luftën civile siriane, përkrah forcave ushtarake të regjimit kundër forcave demokratike, që luftojnë për përmbysjen e tij. Roli i ri ushtarak rus në Siri dhe vendosja për herë të pare e forcave ushtarako-ajrore ruse në atë vend, përveç bazave të reja ushtarako-detare dhe ushtarako-ajrore, që po ndërton dhe planifikon të ndërtojë në Siri pranë kufijve të Turqisë dhe pranë kufijve të Izraelit, po krijon një shqetësim dhe tension të ri në Mesdheun Lindor, një rajon tepër i ndjeshëm për interesat strategjike, energjetike, ushtarake dhe ekonomike të botës perëndimore dhe demokratike. As Turqia, as Izraeli dhe as Perëndimi nuk mund të jenë të qetë të shohin ndryshimin e raportit të forcave në Mesdheun Lindor nga një shtet si Rusia, e cila në doktrinën e vet ushtarake e klasifikon Perëndimin si armik i jashtëm.
Kthesa negative gjeopolitike që shkaktoi vendosja ushtarake ruse, krijoi nevojën gjeopolitike të bashkëveprimit të atyre vektorëve dhe formacioneve pozitive politike, të cilat mund të neutralizojnë efektet destabilizuese të gjeopolitikës ruse dhe të aleatëve të saj të paktë, por të rrezikshëm në rajon. Ndaj në rendin e ditës zë vend të veçantë rëndësia e ripajtimit midis Turqisë dhe Izraelit. Ky është një proces që ka të bëjë me sigurinë dhe rolin gjeopolitik të të dyja shteteve të kampit properëndimor dhe të rajonit të Lindjes së Mesme. Ka të bëjë më pak me interesat energjetike të Turqisë dhe të Izraelit ndaj njëri-tjetrit. Natyrisht, përmirësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve do t’u japë hov edhe marrëdhënieve energjetike midis tyre, me interesin e Turqisë për të marrë gazin natyror nga Izraeli dhe me interesin e Izraelit që të bëjë transitimin e gazit të tij të destinuar për Europën nëpërmjet territorit turk, si dhe të marrë naftën e rajonit kurd të Irakut nëpërmjet Turqisë. Por interesi themelor është ai gjeopolitik, sepse Turqia është anëtar i rëndësishëm i NATO-s dhe Izraeli, aleat kryesor i SHBA në Lindjen e Mesme.
Është interesante se disa shtete si Rusia dhe aleatët e saj të paktë nuk i kanë pritur mirë lëvizjet e ripajtimit midis Turqisë dhe Izraelit, sepse ata i pengon një proces pozitiv i krijimit të kohezionit properëndimor të të dyja vendeve dhe të Perëndimit në rajon. Politika ruse në Lindjen e Mesme është e interesuar për acarime në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit. Nuk duket rastësi intensifikimi i joshjeve ruse në drejtim të Izraelit, ndër të cilat më e fundit është oferta e presidentit rus Vladimir Putin, në 20 janar, se Rusia është gati të strehojë të gjithë hebrenjtë që duan të ikin nga Europa Perëndimore “për shkak të antisemitizmit”. E thotë këtë presidenti i shtetit, i cili nuk ka pranuar asnjë refugjat nga Siria, në kohën që Europa po pret miliona refugjatë. Është një retorikë patetike dhe joshje bizantine në drejtim të Izraelit, duke harruar se çdo enciklopedi botërore e shpjegon qartë se përse dhe nga cila gjuhë vjen fjala “pogrom”.
Ripajtimi midis Turqisë dhe Izraelit shfaqet si nevojë gjeopolitike e rajonit dhe e interesit të stabilitetit dhe sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në pellgun e Mesdheut dhe është një proces, që duhet përshëndetur, e pse jo, edhe ndihmuar, nga Shqipëria.
Komentet