Dalja e Rilindjes ishte ngjarja më e madhe e shkrimit dhe shtypit shqiptar në gjuhën shqipe në Kosovë
Duke pirë kafenë e mëngjesit, e hapa komjuterin tim plak dhe fillova të shikoj se a ka dhe çka ka të re në Kosovë e në Shqipëri. Pasi pash veç lajme të përsëritura, thash hajt të shkoj më tutje, opinione e ngjarje nga e kaluara jonë, nga shtypi e shkrimi shqip por edhe për ”historinë” e hartat që tashmë ishin bërë bajat me ato ”harta” kur bisedohej për demarkacionin 1*) me Malin e Zi.
U mbars mali, polli një mi
Eh sa zhurma u bë dhe se ku âsht huduti i Kosovës me Malin e Zi, gjoja se ajo ishte puna më e madhe që kishte Kosova, për të mirat që do ti vinin, me liberalizim të vizave e bakshishe tjera që Kosova do ti merrte.
Besa ”demarkacionit” ia pau sherrin Isa Mustafa të cilin, ortaku i koalicionit, PDK-ja bashkë me të tjerat, AAK-në, Nismën dhe Vetëndosjen e larguan nga pushteti.
Dhe çka ndodhi më vonë?
”Rugova dhe Peja s’e falin Çakorrin dhe Bjelluhën …”
Ata që përbeheshin në ”vatan” e i qonin Isës selam ”Rugova dhe Peja s’e falin Çakorrin dhe Bjelluhën …”, posa hypi Ramushi nga magaari në kali, harroi premtimet. Tash posa u votua ”demarkacioni” në Kuvendin e Kosovës, filloi dollia, mu në Kuvend dhe në transmetim të drejtëpërdrejtë, thua se Mali i Zi na fali Plavën e Gucinë, Tivarin e Ulqinin, Vraninën … e Liqenin e Shkodrës (Skadarsko jezero).
Nga gjithë ajo zhurmë e hallakamë, s`doli asgjë dhe bile u harrua ajo punë si ”bora parvjeme”, apo, shprehja tjetër e njohur ”U mbars mali, polli një mi”.
Po tash ”polli” diçka tjetër, tarifa ose qysh po i thonte Ramushi, ”taksa” 3*), 100%, sllogan a parullë nëpër pankarta që Ramushi e përdori në fushatën e zgjedhjeve të vitit të kaluar (6 tetor 2019).
Edhe kjo do të harrohet, sikurse që u harrua ”korrigjim” i Hashimit për kufirin me Serbine, demek me e marr Kosova Preshevën, Bujanofcin e Medvegjën sepse Serbia ndryshe nuk pranon vetëm nëse ndahemi si ”Halili e Rrahmani”, gjithkush hisen e vetë (Korrigjimi i gabimeve të Hashimit), liberalizimi dhe tash së fundit do të harrohet edhe ”taksa” e Ramushit.
Mitrovica e madhe, ”e madhe”
Ajo që më së shumti më pëlqeu, dhe mbeta pa e pirë kafenë deri në fund, ishin tre shkrime në ”Koha”
Pragë: “Shqipëria e madhe” në hartën e vitit 1688”,
Vulin: ”Krijimi i Shqipërisë së madhe sjell luftë” dhe shkrimi i tretë, ishte
”Pas “Shqipërisë së madhe”, tash edhe “Mitrovica madhe”.
E pra, shkruan shkruant Koha, citoj: ”Mediet serbe dhe politikanë serbë kanë shumë prirje për të krijuar terme e sinonime me të cilat përpiqen ta pengojnë por edhe të njollosin ide dhe aspirata shqiptare për të jetuar të lirë në hapësirat e veta. Pas krijimit të termit të shpifur Shqipëri e madhe, me të cilin vazhdojnë të manipulojnë me të gjitha mënyrat kundër të drejtës shqiptare për ta zotëruar hapësirën e vet, nëpër medie serbe ka filluar të përmendet edhe Mitrovica e madhe, transmeton Koha.net”.
Dhe domosdo se mua mu kujtua një fjalë e vetme, fjala ”e madhe” e një mësuesi suedez, Pjer Shqiptari (Pierre Danielsson).
Ishte fundi i vitit 1998, dhe shoqata jonë bëmirëse, në Halmstad që isha edhe unë antar kryesie, bashkë me disa suedezë e shqiptarë, Dora Kurteshi me vajzë, Sadik Vrajolli dhe unë (Sinan Kastrati) mblodhëm rroba e gjëra tjera të nevojshme për popullsinë e shpërngulur në Kosovë që kishin shumë nevojë dhe me një kamion i nisëm për në Kosovë. Bashkë me Pjer Shqiptarin, shkoi edhe një tjetër suedez, shofer¨. Ai na thonta: me thirrni Pjer Shqiptari.
Ne shqiptarët nuk guxonim me udhtua nëpër Serbi sepse ishte kohë e turbullt.
Në Qershor të vitit 1999, më thirrën një komunë në Småland, krahinë suedeze me madhësi sa Shqipëria që të shkoj e të punoj me nxënës shqiptarë që i kishte marrë Suedia nga Maqedonia.
Pjer Shqiptarin e kisha ndihmës mësues dhe ai më tregoi se si kur iu shprëndante tesha në Drenicë, nëse ndonjë këmishë apo pantallona e pallto, nuk iu pëlqente, më thonin ”e madhe”.
75 vjetori i Rilindjes dhe koordinatorët
Krejt në fund edhe dy ngjarje, një e para 75 vjetëve
Dje ishte përvjetori i 75-të i numrit të parë të gazetës ”Rilindja”
dhe Qeveria e Kosovës, merr vendim që më mos të marrin paga pa punua ” Koordinatorë Nacional më nuk do të jenë:
Rexhep Hoti, nga posti i Koordinatorit për Kulturë, Rini dhe Sport,
Besnik Tahiri nga pozita Koordinator nacional për Reforma Shtetërore,
Mendim Rugova nga posti i Koordinator Nacional për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit,
Fatos Makolli nga posti i Koordinatorit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit.
Pas këti vendimi shumë me vend reagoi edhe perfaqësuesja e familjes Rugova dhe Vigan Qorolli.
” Blerina Kllokoqi-Rugova “Unë përmbahem nga deklaratat politike dhe rezervohem të mos përfshihem as në tema të tilla publike. Por janë disa raste te tilla, kur je e detyruar të përgjigjesh për shkak të detyrimit që ke ndaj interesimit të njerëzve, miqve të familjes së Presidentit apo edhe çdo qytetari që ka të drejtë të dijë se çfarë ndodhi. Ky vendim nuk e demton profesionalisht as moralisht Mendimin por prek nevojen e qytetareve te Kosoves per nje informim profesional ne kete fushe. …”
Një koordinator shtetëror për blerjen e viçave të tamlit”
Ndërsa Vigani, vërtetë ishte vigan, do të ironizonte me koordinatorët kështu “Një koordinator shtetëror për blerjen e viçave të tamlit” 19 orë më parë nga: Y I Njohësi i çështjeve politike Vigan Qorrolli ka ironizuar me koordinatorët nacionalë. Qorrolli ka theksuar se duhet edhe një koordinator shtetëror për blerjen e viçave të tamlit. Ky shkrim i tij vjen pas shkarkimit të të gjithë koordinatorëve nacionalë nga Qeveria Kurti, më 12 shkurt 2020
Dhe me ”Rilindjen” po e mbylli këtë opinion timin për sot.
Gazeta ”Rilindja”, e vetmja gazetë e përditshme në gjuhën shqipe dje ”festonte” 75 vjetorin e daljes së numrit të parë por edhe ”Rilindja” nuk e pat fatin e mirë dhe u mbyll disa herë: nga pushteti serb, më 8 gusht 1990, pastaj më 21 shkurt, 2002 u mbyll dhunshëm nga UNMIK-u e u pengua nga pushteti shqiptarë.
Pastaj ”Rilindja”, edhe pse nuk mund të botohej në Prishtinë, ajo e bëri punën e vetë në Zofingen të Zvicrrës, sikurse disa qindra mijëra shqiptarë që punuan e jetuan jasht Kosovës, pritëm që bashkë me Rilindjen të k`thehemi në Kosovë kur Kosova u clirua, nuk u kthye Rilindja e nuk u k`thyen as 99, 99% të shqiptarëve.
Do të dëshiroja ta kem gabim e mos të jem i saktë por as në lajmet qendrore të dy tre televizioneve në gjuhën shqipe, që i shikova në Kosovë, mbrëmë nuk e dëgjova as edhe një fjalë.
Rilindja e cili na rilindi, na shkolloi nuk është më dhe u harrua nga ata që duhej ta përkrahnin, ta ndihmonin daljes e saj, pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Dalja e Rilindjes ishte ngjarja më e madhe e shkrimit, shtypit dhe shkollës së gazetarisë për hapen e shkollave, për ruajtjen e vlerave kulturore kombëtare shqiptare në Kosovë. Ajo hapi dyert për daljen e revistave të tjera, me dhjetëra të tilla: të përjavshme, të përdyjav¨shme e të përmuajshme.
Rilindja nuk vdes.
1*) DEMARKACION m. libr. Vijë kufiri midis dy vendeve (shteteve) fqinje a midis dy zonave; vijë ndarëse, kufi. Vijë demarkacioni …
2*) TARIFË f. fin. Çmim i caktuar nga shteti për sende të konsumit, për shërbimet e ndryshme publike etj.; pagesë që i bëhet shtetit për përdorimin ose për shfrytëzimin e diçkaje …
3*) TAKSË f. Detyrim, zakonisht në para, që, sipas ligjeve të caktuara, shteti e merr nga shtetasit e vet ose me anë të doganës për të plotësuar buxhetin. …
Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 13 shkurt 2020
Komentet