Dikur ato u rrëzuan. Tani muret janë duke u rindërtuar fjalë për fjalë, psikologjikisht dhe metaforikisht. Dhe jo vetëm për shkak të Parisit dhe krizës së refugjatëve.
Muret janë duke u rikthyer në të gjithë Europën. Në Hungari, ato kanë marrë formën fizike të rojeve dhe gardheve me tela me gjemba, të ngjashme me perden e hekurt të dikurshme. Në Francë, Gjermani, Austri dhe Suedi, ato shfaqen në formën e kontrolleve kufitare të imponuara përkohësisht, brenda zonës pa kufij të Shengenit.
Dhe kudo në Europë ka mure të mendjes, që rriten lart e më lart nga dita në ditë. Zamka e tyre psikologjike përzien frikën plotësisht të kuptueshme – pas masakrave të kryera në Paris, nga njerëz të cilët mundën të kalonin lirisht kufirin me Belgjikën – me paragjykimet bruto, të nxitura nga politikanët ksenofobe dhe gazetarët e papërgjegjshëm.
Ajo që po shohim në vitin 2015, është e kundërta e Evropës së vitit 1989. Mos harroni se rrënimi fizik i perdes së hekurt, filloi me prerjen e gardhit me tela me gjemba mes Hungarisë dhe Austrisë. Tani është pikërisht Hungaria, ajo që ka nisur ndërtimin e gardheve të reja, me kryeministrin e saj, Viktor Orban, që ushqen çdo ditë paragjykimet. “Evropa duhet të mbajë jashtë emigrantët myslimanë”- tha Orban në fillim të kësaj vjeshte “për të ruajtur Evropën e krishterë”.
Ai i është bashkuar kësisoj korit të të krishterëve shembullorë si Marin Lë Pen e Francës, politikania e Frontit Kombëtar, e cila është duke përcaktuar rrugën e politikës franceze, dhe Kelvin Mekenzit të gazetës britanike “The Sun”. Vëllezërit Mekenzit e përdorën gazetën për paraqitjen vulgare dhe mashtruese të një ankete në mesin e myslimanëve britanikë, për të shkruar një kolonë nën titullin:“Ky sondazh tronditës, nënkupton se ne duhet t’i mbyllim derën emigrantëve të rinj myslimanë!”.
Kjo është sikur 2.7 milionë myslimanë e Britanisë të mos kenë më fëmijë. A thua sikur pakica e vogël, por vdekjeprurëse e terroristëve islamikë, të mos ishin nga Evropa, shumica e tyre të lindur, rritur dhe radikalizuar në rrugët periferike të Britanisë, Belgjikës dhe Francës.
Shumë evropianë tanimë po thonë se vendet e tyre duhet të ri-vendosin kontrollet kufitare, madje edhe brenda zonës Shengen. Në sondazhet e kryera që nga masakrat e Parisit, rreth 70 përqind e të anketuarve në Holandë, u shprehën se vendi duhet të mbyllë kufijtë. Pavarësisht sesa të sigurtë mund t’i bëjë të ndjehen njerëzit nga terrorizmi, mbyllja e kufijve të brendshëm të Evropës, rrezikon çmontimin e gjësë më me vlerë për evropianët në Bashkimin Evropian.
Ky nuk është vetëm një pohim retorik. Të pyetur në një sondazh të fundit nga Eurobarometri i BE-së “Cila mendoni se është arritja më pozitive e BE-së?”, përgjigja e shumicës, me 57 përqind të të anketuarve, është “lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve brenda BE-së”.
Për disa vite, kjo përgjigje ka konkurruar edhe arritjen e “paqes mes shteteve anëtare”. Tre zhvillime të dallueshme kanë çuar në kthimin e mureve. Së pari, në Britani – dhe në një masë më të vogël në pjesë të tjera të Evropës veriore – ka patur një dyndje të jashtëzakonshme emigrantësh, si pasojë e lëvizjes së njerëzve brenda BE-së.
Ata nga Evropa Lindore, kanë ardhur kryesisht nga zgjerimi i madh i vitit 2004, i përfaqësuar nga figura simbolike e hidrauliku polak (tashmë me gjasë të zëvendësuar nga ndonjë studente e doktoraturës apo menaxher banke). Atyre iu bashkuan një grup emigrantësh të tjerë nga Evropa jugore, qëkur kriza e eurozonës filloi të detyrojë mjekët spanjollë, apo pegagodët portugezë dhe greke të filozofisë, të bëhen kamerierë në Londër apo Berlin.
Kjo nuk ka të bëjë aspak me Shengenin, pjesë e të cilës Britania nuk është, por çdo gjë ka të bëjë me lirinë e lëvizjes në zemër të BE-së. Së dyti, është kriza e refugjatëve. Gjithnjë e më shumë njerëz po i ikin luftërave, terrorit dhe mjerimit ekonomik, që kanë zëvendësuar diktaturat e modës së vjetër (që gjithashtu kanë shkaktuar terror dhe mjerim ekonomik) nëpër shumë nga vendet e Lindjes së Mesme të gjerë dhe Afrikë.
Ata rrezikojnë jetën e tyre në duart e kontrabandistëve, për të arritur Evropën dhe tokën e premtuar në zemrën e saj – Gjermaninë. Sipas vlerësimeve nga Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët UNHCR, deri në 19 nëntor 850.571 “refugjatë dhe emigrantë” kanë mbërritur nga deti në Evropë vetëm gjatë këtij viti, ndërsa 3.485 kanë vdekur ose “rezultojnë të humbur” në det. Mesdheu është shndërruar në një horizont shprese për të pashpresët, dhe një varrezë ujore për fatkeqët.
Mbi 50 përqind e të ardhurve mëpërmjet Mesdheut janë nga Siria, dhe 20 përqind nga Afganistani. Shumica e tyre janë 100 përqind refugjatë të mirëfilltë, në kuptimin e ngushtë të të paturit një “frikë të bazuar nga persekutimi” në vendin e tyre. Por, siç tregojnë të dhënat e UNHCR-së, numri i tyre në mënyrë të pashmangshme përfshin edhe ata që largohen për shkak të kushteve materiale të patolerueshme, që kanë krijuar për qytetarët e tyre shtetet e dështuara.
Këtu, Shengeni 30-vjeçar dhe me 26 vende anëtare është i rëndësishëm, sepse pasi refugjatët nisin rrugëtimin e tyre, mungesa e kontrolleve kufitare e bën më të lehtë për ta të lëvizin drejt Gjermanisë – veprim që ata donin ta bënin edhe para se kancelarja Angela Merkel të deklaronte këtë verë, se ata të gjithë do të jenë të mirëpritur.
Së treti, janë terroristët islamikë, të cilët në rastin më të fundit kositën jetët e pafajshme të qindra njerëzve, që po shihnin një koncert apo darkonin aty-këtu në Paris. Shumica e tyre ishin lindur dhe rritur në Evropë, edhe pse disa prej tyre qenë stërvitur për të vrarë në Siri apo Afganistan. Mesa duket një nga vrasësit e Parisit, depërtoi në Evropën pa kufij të Shengenit si një “refugjat”, me një pasaportë (të vërtetë ose të rreme) siriane.
Në çdo rast, në sajë të Shengenit, ata mundën të lëvizin lirisht edhe nga Brukseli, vrasës pa kufij. Dhe kështu, me kazanin aktual të frikës evropiane, të ngjallur nga demagogët në politikë dhe media, përzjehen të gjitha:qytetari-emigrant tërësisht i ligjshëm i BE-së, emigranti ilegal, emigrantët gjysmë-ekonomikë dhe gjysmë-politikë, refugjatët nga konflikti sirian, refugjati klasik politik nga Eritrea, myslimani dhe terroristi.
Ka një farë vijimësie të imagjinuar, nga hidrauliku polak tek kamikazi sirian. Ndërkohë, qeveria e re e hidraulikëve polakë, që përbëhet nga të krishterë të mirë, i është bashkuar Hungarisë dhe Sllovakisë duke u shprehur se nuk do të pranojë asnjë prej emigrantëve myslimanë. Asnjë Samaritan ju lutem, ne jemi të krishterë.
Kështu, përveç ndarjes së hapur veri-jug, e shkaktuar nga kriza e eurozonës, po ngrihet një ndarje e re lindje-perëndim. Evropa Lindore refuzon solidaritetin, që në aspekte të tjera, është evokuar shpesh nga partnerët e saj evropianë. Evropa Juglindore gjendet e mbërthyer në mes. Gjatë fundjavës, policia maqedonase u përplas me emigrantët në kufirin me Greqinë, me rreth 40 njerëz të plagosur. Ky është vetëm një episod i vogël paraprak i asaj që mund të ndodhë në Ballkan, nëse kufiri i jashtëm i BE-së bëhet më pak më i lehtë për t’u kaluar, veçanërisht nga ata që vijnë nëpërmjet Turqisë, ndërsa Evropa veriore do thotë “Jo më!”
E kam dëgjuar një herë Merkelin – kush e di sesi është të jetosh pas një perdeje të hekurt – që për t’i treguar të rinjve vlerën e një Evrope të lirë dhe të hapur, tha se ne duhet ndoshta të mbyllim kufijtë kombëtarë për një ose dy ditë.
E pra, ne ende mund të provojmë eksperimentin e Merkelit – në fakt tejet ironik, pjesërisht për shkak të vetëllogaritjes së gabuar të bujarisë së saj supreme, duke u thënë të gjithë refugjatëve se ishin të mirëpritur në Gjermani, pa u siguruar nëse vendet e tjera evropiane do ta ndiqnin nga pas. Nëse eksperimenti do të ketë efektin e dëshiruar, kjo është një çështje tjetër. Në këtë moment, të gjithë ne mund të themi me siguri, se Evropa do të vazhdojë të njihet si kontinenti ku muret rrëzohen, dhe po aty po fillojnë të ngrihen përsëri.
*The Guardian
Komentet