Ricardo Gutierrez, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve shprehet i shqetësuar lidhur me situatën e gazetarëve dhe mediave në Shqipëri e Kosovë.
Ai është kritik ndaj qëndrimeve të qeverive në raport me lirinë e medias dhe tendencat për të frikësuar gazetarët.
“Edi Rama është në rrugë të gabuar për organizimin e një lufte të re kundër medias kombëtare dhe organizatave ndërkombëtare për lirinë e shtypit… Është koha që autoritetet shqiptare të zbatojnë Rekomandimin 2016/4 të Këshillit të Evropës“, ka thënë në intervistën për gazetën zvicerane në gjuhën shqipe Le Canton27, Ricardo Gutierrez, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve me seli në Bruksel.
“Edi Rama është në rrugë të gabuar për organizimin e një lufte të re kundër medias kombëtare dhe organizatave ndërkombëtare për lirinë e shtypit. Tashmë kam pasur rastin t’i them personalisht: jo përmes këtyre sharjeve ai do të arrijë të krijojë një ekosistem mediatik më të shëndetshëm në Shqipëri. Jam dakord me të për natyrën shumë të polarizuar, dhe ndonjëherë të kapur nga interesa të veçanta private, të medias kryesore në Shqipëri.
Por çfarë po bën qeveria e zotit Rama për të garantuar një pluralizëm më të mirë mediatik? Çfarë po bën ai për të përmirësuar pavarësinë dhe etikën e gazetarëve? Asgjë.
Ne konsiderojmë se parakusht është vendosja e një regjimi sigurie për gazetarët shqiptarë: qeveria shqiptare duhet të zhvillojë, në bashkëpunim me organizatat e gazetarëve dhe organizatat që mbrojnë lirinë e shprehjes, një plan kombëtar veprimi për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve. Është koha që autoritetet shqiptare të zbatojnë Rekomandimin 2016/4 të Këshillit të Evropës. Asgjë nuk është bërë në tetë vjet.
Nëse zoti Rama mendon se do ta zgjidhë problemin duke qortuar mediat apo duke u përpjekur t’i frikësojë ato, gabon fatkeqësisht.
Thënë shkurt, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të hjynë në BE, me këtë gjendje të mediave dhe gazetarëve!” tha Gutierrez. bw