Intelektuali, publicisti dhe politikani i shquar Xhemajl Mustafa u vra të enjten rreth orës 15 të 23 nëntorit 2000. Vrasja e tij ishte tronditja më e madhe që përjetonte Kosova qysh prej mbarimit të luftës në mesqershorin e vitit 1999.
Ngjarja tragjike ndodhte në kontekstin e zgjedhjeve vendore në Kosovë që kishin mbaruar rreth një muaj më herët, më 28 tetor 2000, ndërsa rezultatet ishin shpallur pak ditë më parë. Si me mbajtjen e zgjedhjeve që ishin të parat në periudhën e pasçlirimit, si me rezultatet e tyre, Kosova befasoi botën me sjelljen e saj shembullore, model i vërtetë për çdo realitet demokratik perëndimor. Në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc), siç tregojnë kronikat, vazhdonin luftimet e ashpëra, të cilat do të pushonin vetëm gjashtë muaj më vonë, në maj 2001.
Xhemajl Mustafa ishte njeriu i dorës së shtrirë të pajtimit midis faktorëve të ndryshëm shqiptarë në Kosovë. Nga pikëpamja e atyre që nuk ua kanë dashur të mirën Kosovës dhe shqiptarëve, çdokush dhe çdo gjë që krijonte unitet midis shqiptarëve ishte- respektivisht- i palejueshëm dhe e pafalshme. Ky rregull, sa strikt- aq dhe mizor, nuk mund ta përjashtonte Xhemajl Mustafën, njeriun tejet të përkushtuar për t’i ndërtuar dhe forcuar urat midis të gjithë faktorëve shqiptarë.
Shumëkush nga ne dhe nga mendimtarët perëndimorë është përpjekur, atëherë e deri sot, të gjejë psenë e një akti të tillë kundër një figure kaq të përkryer dhe kaq të domosdoshme për Kosovën e atëhershme dhe të mëvonshme, e cila nuk i kishte dhe nuk do t’i kishte të panumërt njerëzit e shquar si Xhemajl Mustafa, sidomos nuk i kishte të shumtë njerëzit pajtimtarë si Xhemajl Mustafa.
Kryeadministratori Kushner e quante 23 nëntorin “një ditë të zezë për Kosovën“, ndërsa aktin e konsideronte të kryer „sipas një strategjie të caktuar“ kundër Kosovës. Në porosinë e tij për Vitin e Ri 2001, Shefi i atëhershëm i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Kristofer Dell, thoshte:
„Amerikanët janë krenarë që ne qëndruam me ju shumë kohë para se të fillonte lufta, atëherë kur zyra jonë ishte prezenca e vetme e jashtme në Kosovë. Ne qëndruam me ju në Rambuje dhe ishim krah për krah me çdonjerin prej jush gjatë luftës së vitit të kaluar. Ne gjithashtu ishim prane jush gjersa ju me durim pritnit për të votuar në zgjedhjet e para të lira. Por ne poashtu qëndruam krah për krah edhe me Xhemajl Mustafen gjersa ai mundohej të ndërtonte një Kosovë demokratike – dhe kur ai e pagoi këtë me jetën e vet.“
Në raportin special botuar të nesërmen, e premte 24 nëntor 2000, në The Guardian, nga Prishtina Nicholas Wood shkruante: “Mustafa vlerësohej lart edhe nga shumica e partive politike në Kosovë, madje edhe nga ato të udhëhequra prej ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.“ (“Mustafa was held in esteem by most political parties in Kosovo, even those led by former members of the Kosovo Liberation Army, which have been critical of the LDK.”)
Ndonjë analist ka shkruar në mediat tona se Xhemajl Mustafës nuk ia kishin harruar dhe nuk ia kishin falur faktin se një fjalimin e lamtumirës të Enver Malokut kishte thënë se Enver Malokun nuk e kanë vrarë shqiptarët. Ky konkluzion i tij gjithsesi ishte një dëshmit tjetër se Xhemajl Mustafa ishte një përkushtimtar i bashkimit, i unitetit midis faktorëve shqiptarë të Kosovës.
Vrasja e Xhemajlit u përjetua thellë edhe nga gazeta kombëtare “Bota sot”, ku ai botonte kolumnën e tij javore “Tema e së martës”. Kolumna e tij e fundit, e lënë në dorëshkrim, botohej pesë ditë pas vrasjes së tij. Dhimbje, dëshpërim dhe pikëllim të pamasë shkaktoi vrasja e Xhemajlit në familjen e tij, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, tek Presidenti Rugova, këshilltar kryesor i të cilit ishte, tek mbarë Kosova dhe kombi shqiptar, tek miqtë dhe mirëdashësit tanë të vërtetë.
Njerëz të tillë koha vetëm sa i sjell gjithnjë e më shumë në kujtesë. Sepse ata iu mungojnë, në mënyrë të pazëvendësueshme, kohërave vendimtare të Kosovës. Xhemajl Mustafa përfaqëson politikanin, intelektualin, mendimtarin që sot, në periudhën në të cilën ndodhet Kosova, i duhet më shumë. Filozofia e tij e unitetit të faktorëve shqiptarë, e unitetit të liderëve, unitetit të klasës politike, unitetit të të gjithë shqiptarëve është filozofia më e domosdoshme tashmë në periudhën e bisedimeve për Kosovën. Kjo filozofi do të jetë edhe më e domosdoshme pas zyrtarizimit, sa më të shpejtë të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Bashkimi bën fuqinë, aq sa bën mosbashkimi dobësinë.
Xhemajl Mustafa nuk ishte nga ato bimë fushe që tëharren (herren) dhe askush nuk e ndjen largimin e tyre. Ai ishte nga ata lisa, nga ata shkëmbinj që lënë zbrazëtira të cilat nuk i zëvendëson dot asgjë, rënia e të cilave është tërmet që vazhdon të trandë dheun edhe shumë e shumë kohë. Kosova dhe kombi shqiptar kanë lindur dhe lindin pareshtur heronj, mendimtarë, njerëz të shquar, figura vigane. Por secili prej tyre ka qenë i papërsëritshëm dhe është i papërsëritshëm si me jetën e tyre, ashtu edhe me veprën e tyre. Prandaj humbja e tyre është e pameremetueshme. Kombet që e nxjerrin këtë mësim nga historia e tyre, bëhen të pavdekshëm, bëhen të pasfidueshëm.
(Botuar për herë të parë më 23 nëntor 2005)
Komentet