Procesi i primareve në Partinë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, përfundimi apo marrëveshja e dy kandidatëve, megjithëse u duk dhe u reklamua si një stil i shkëlqyer dhe fisnik, për mendimin tim, në themel ishte i shëmtuar dhe jodemokratik.
Pikësëpari, analizën më poshtë e bëj si një demokrat që dëshiron fitore të Partisë Demokratike në të gjitha zgjedhjet elektorale. Personalisht kam preferuar jo pak dhe për shumë kohë kandidatin Këlliçi, qysh në drejtimin e Forumit Rinor dhe sidomos në qëndresën dhe mbështetjen që i dha Dr. Berishës në mbrojtjen dhe ringritjen e Partise Demokratike. Megjithatë, momentin që ai u deklarua se ai nuk mbart vlera konservatore, unë nuk jam aq i dhënë pas tij, mbasi unë jam konservator. Ndërsa për Alimehmetin, nuk e kam ndjekur dhe nuk e njoh, por që pati lënë një përshtypje të mirë the pati mbeshtetje tek demokratet të cilët nuk preferonin Këlliçin.
Nga këndi im i vështrimit, rezultati i primareve, ishte i metë në të dyja aspektet:
1- të rregullit demokratik dhe 2- të moralit demokratik.
1-U prish sistemi i garës, gara nuk u përfundua, me fjale të tjera, fituesi nuk doli si rezultat i votës së lirë. Në një shoqëri, çdo i parë, kryetar apo kandidat, triumfon nëpërmjet tri mënyrave: komandimit, konjukturave dhe sistemit të votës së lirë. Në rastin e kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, kandidati Këlliçi doli si rezultat i marreveshjes më Alimehmetin, pra ishte konjuktural.
Tërheqja me marreveshje në balotazh, nuk siguron një proces demokratik. Votimi përfundimtar, si i vetmi akt i vlefshëm për të përcaktuar një fitues që del nga vota e lirë, mungoi. Votimi përfundimtar duhej bërë me çdo kusht, kjo për të ruajtur sistemin. Kemi një kandidat përfundimtar, por nëse flasim për primare, nga ana proceduriale dhe teknike, procesi në këtë rast dështoi.
2- Nga ana e moralit, ka qenë edhe më e zbehtë.
Gara nuk ka qenë një garë personale me dyer të mbyllura dhe pa “spektatorë”. Aq me tepër që kandidatët ishin përfaqësues të një mase të madhe te popullit, të cilit ata pretendojnë që ti shërbejnë më vonë nëse fitojnë. Tërheqja e Alimehmetit, dhe aq me keq marrëveshja e tyre për ndarje të posteve potenciale në balotazh, ishte dezertim, për të mos thënë tradhëti ndaj atyre qe i kanë mbeshtetur deri në atë cak. I ngjau nje ndeshje futbolli, ku koha e rregullt ka përfunduar pa fitues, dhe bash para penalltive (votimeve), kur ke edhe një shanc për të fituar, e dhuron ndeshjen me rezultat në tavolinë!!!
Çdo ndeshje, çdo betejë, çdo garë ka dy aspekte, rezultatin dhe dinjitetin, të dyja shumë të rëndësishme. Çdo rezultat, pra si fitorja si humbja duhet të jenë të dinjitetshme. Në këtë rast, humbja e Alimehmetit por edhe fitorja e Këlliçit nuk patën dinjitetin e nevojshëm para anëtarëve të Partisë Demokratike. Që ta kuptojnë edhe kandidatët, primaret janë në thelb një garë e fortë brenda Partisë, nganjëherë më e ashpër se gara në mës partive, per ti dhene fitoren e ardhshme kësaj Partie dhe jo truk i kandidatëve për të promovuar njëri-tjetrin.
Marreveshja e garuesve u paraqit si një mbështetje për fituesin në emër të unitetit. Por jo të nderuar demokratë shqiptarë, mbështetja për fituesin dhe thirrja për unitetin e Partisë bëhet mbas votimit, mbas përfundimit të garës dhe shpalljes së fituesit. Marrëveshjet mund të bëhen mbrapa. Po e zëmë, mua si votues, si popull, kur shoh se përfaqësuesi im tërhiqet në finish nën presion apo për të kapur një karrige, kjo me lë një shije të keqe, unë ndjehem i tradhëtuar. Ndjekesit dhe mbështetesit e kandidatit Alimehmeti, e ndjekin dhe votojnë atë për të qenë fitues, pra për të qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe jo zëvendës potencial. Çdo rezultat tjetër nuk përfaqëson vullnetin e anëtarësisë, me fjalë te tjera është nje moment i pastër dezertimi nga kauza.
Kjo lloj marrëveshje megjithëse kënaq në maksimum garuesit, tek anëtarët mund të ketë një impakt negativ; ata që nuk kanë pëlqyer Këlliçin, prapë nuk do ta pelqejnë, ata që kanë pëlqyer Alimehmetin, ai e humb simpatinë e të paktën disa disa prej tyre dhe kështu anëtarët humbasin interesin dhe motivimin për të dy dhe mund te mos votojnë asnjërin. Si përfundim, marrëveshja paraprake e kandidatëve për ndarje postesh, në betejën e ardhshme për Tiranën, mund të rezultojë në një bumerang të pashmangshëm.
Kjo marreveshje ngjet shumë me duart qe shtrenguan me njeri-tjetrin Rama-Basha në 2017. Megjithëse në 2017, ajo nuk ishte garë por betejë, prapëseprapë, tërheqja e Bashës me marreveshje, kur akoma kishte shance për të fituar betejen, u quajt si tradhëti ndaj mbeshtetësve. Basha në atë kohë dezertoi për të marrë pak pushtet nga pushteti i më të fortit. Në mënyrë shumë të ngjashme, Alimehmeti, dezertoi për interes personal dhe komplet egoïst për një karrige, pra për të marrë pak pushtet nga më i forti Kelliçi. Kjo tregon se Alimehmeti nuk ka qene kurrë nje fitues potencial. Edhe kur ka hyrë në gare, nuk ka hyrë për të fituar, por për të përfituar. Një lider nuk pranon kurrë të jetë zëvendës, të jesh lider është karakter, liderët lindin, nuk bëhen rrugës.
Marrëveshja, megjithëse nga Kelliçi u quajt akt fisnik i Alimehmetit, për demokratët ishte hileqare, aq më pak një strategji për fitore e menduar mirë.
Komentet