Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka paralajmëruar se rikthimi i Demarkacionit do ta rikthejë gazin lotsjellës në Parlament. Gjatë një interviste ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, duke thënë se pasi kjo e fundit “është një gjykatë e padrejtë” kushdo që ka luftuar për lirinë e Kosovës do të duhej të ndihej i rrezikuar
Lëvizja “Vetëvendosje” do ta kundërshtojë deri në zhbërje Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe aktivitetet në këtë drejtim do të koordinohen edhe me subjektet e tjera opozitare për të mos e lejuar kalimin e kësaj Marrëveshjeje në Kuvend.
Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën Zër deputeti i subjektit më të madh opozitar, Rexhep Selimi, duke shtuar se nuk e përjashtojnë as mundësinë e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend për të mos e lejuar kalimin e Demarkacionit.
Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë kësaj interviste ka folur edhe për mundësinë e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale, duke thënë se personalisht asnjëherë nuk është ndier i rrezikuar nga drejtësia, por, siç ka thënë ai, nga padrejtësia ndihet i rrezikuar edhe tani.
“Përderisa Gjykata Speciale është e padrejtë, do të duheshit të ndiheshit të rrezikuar edhe ju, edhe të gjithë qytetarët e Kosovë, në veçanti kushdo që ka luftuar për lirinë e Kosovës. Po të kishte drejtësi, unë nuk do të ndihesha i rrezikuar. Nga padrejtësia rreziku vjen për të gjithë”, ka deklaruar Selimi
Komentet