95 vjetori, 24 dhjetor 1924-2019
Legjitimiteti – e drejta për të qeverisur në emër të shumicës e cila njeh, pranon dhe mbështet autoritetin e qeverisësit, është guri i themelit për një shtet të qëndrueshëm. Vetëm mbi bazën e këtij legjitimiteti mund të ngrihen e të funksionojnë institucione efikase, të cilat, nga ana e tyre, krijojnë kushte për stabilitet, siguri e zhvillim. Vetëm mbi bazën e këtij legjitimiteti mund të sigurohet edhe njohja e gjerë ndërkombëtare.
Ky prizëm, tashmë i vërtetuar historikisht nga sistemi i të drejtës, përshkon gjithë procesin dhe produktin politik të nisur në vitin 1923. Pas zgjedhjeve të 27 dhjetorit 1923 për Kuvendin Kushtetues, Ahmet Zogu krijoi qeverinë e re. Me humbjen në zgjedhje, grupet opozitare e shihnin shumë të vështirë ardhjen në pushtet me rrugë legale, prandaj u bënë më agresive dhe intensifikuan veprimtarinë e tyre për të penguar ngritjen e institucioneve shtetërore dhe zhvillimin normal politik kushtetues të vendit.
Meqënëse opozita nuk arriti që, me anën e zgjedhjeve, ta mënjanojë Ahmet Zogun nga drejtimi i qeverisë, atëherë vendosi ta eliminojë atë fizikisht, me atentat. Më 23 shkurt 1924, i riu Beqir Bajram Valteri nga Mati (anëtar i organizatës “Bashkimi”), qëlloi me tri të shtëna në drejtim të kryeministrit tek shkallët e Asamblesë. Ahmet Zogu, edhe pse i plagosur rëndë, hyri në sallën ku do të zhvillohej mbledhja e Asamblesë pa dhënë asnjë shenjë alarmi. Një rrjedhë e ngjarjeve e pakontrolluar autoritarisht brënda sallës së mbushur me asamblistë që ishin të armatosur, rrezikonte ta kthente kuvendin shqiptar në një skenë gjakderdhjeje të pashembullt në historinë parlamentare. Prandaj Ahmet Zogu, për të qetësuar situatën dhe për të shmangur rrezikun e një përleshjeje me armë, me një gjakftohtësi dhe vetpërmbajtje të jashtëzakonshme, iu drejtua kryetarit të Seancës dhe deputetëve: “Zotërinj, nuk është hera e parë në botë që në një parlament ndodh një gjë si kjo që më ndodhi mua. Unë u lutem miqve të mi ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe ta harrojnë për një çast atë çka ndodhi”.
Gjithsesi, atentati në Parlament ndaj Kryeministrit Ahmet Zogu e ndërlikoi shumë situatën politike në Tiranë. Për t’i mos i dhënë shkak një ndërlikimi të mëtejshëm të situatës, e cila do ta destabilizonte ndoshta në mënyrë të pakthyeshme stabilitetin dhe sigurinë e vendit, më 25 shkurt 1924 Ahmet Zogu dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit. Zogu, qoftë me qetësinë që ruajti ndaj atentatit kundër tij, qoftë edhe me dorëheqjen, dha qartësisht dhe urtësisht mesazhin se më i rëndësishëm për të ishte stabiliteti politik dhe siguria e vendit.
Pas atentatit dhe dorëheqjes së Ahmet Zogut, vendin e mbuloi kriza e qeverisjes. Kur “Këshilli i Lartë” mendonte kandidaturën e Iliaz Vrionit për kryeministër, “Dora e Kuqe” e kërcënonte atë me vdekje në rast se merrte në kabinetin e tij Ahmet Zogun. “Oficerët e rinj janë betue për të shfarosur gjithë ahmedistët tradhtar” shkruhej në një letër kërcënuese. Pas afro 6 javësh, më 30 mars 1924 “Këshilli i Lartë” ngarkoi Shefqet Bej Vërlacin të formonte qeverinë e re. Mospjesmarrja e Zogut në qeveri ishte një lëshim që blloku qeveritar i bëri opozitës me kërkesën e “të pavarurve”.
Mirpo opozitës nuk i pëlqeu edhe qeveria e re, sepse Vërlaci shihej si një përfaqësim i Ahmet Zogut, pasi lidhjet familjare mes tyre në atë periudhë ishin të mira. Për të qetësuar situatën, Vërlaci i bëri edhe një lëshim tjetër opozitës. Pas dy javësh, më 17 prill pranoi t’i jepte asaj disa vende në qeverinë e tij, duke e paraqitur atë si qeveri koalicioni. Luigj Garakuqit iu dha posti i Ministrit të Financave. Dr. Fahri Reshitit (Gjilani) nga Kosova iu dha posti i Ministrit të Arsimit. Ndërkohë, në parim u pranua që opozitës t’i jepej edhe posti i Ministrisë së Luftës. Opozita jo vetëm që i pranoi postet, por që në mbledhjen e parë të Asamblesë lavdëruan qeverinë dhe qëllimet e larta atdhetare të kryeministrit. Por e vërteta flet ndryshe: opozita besonte se duke pasur në dorë këto dikastere, sidomos atë të luftës, në një qeveri pa A. Zogun kurdo mund ta përmbyste situatën e pushtetit dhe ta kthente atë në favorin e saj.
Më 20 prill 1924, në një rrugë të Tiranës, Avni Rustemi – deputet i opozitës në Asamblenë Kushtetuese dhe kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” u plagos rëndë nga Isuf Reçi, një mullixhi dhe shërbëtor i vjetër i Esat Pashës dhe pas dy ditësh vdiq. Lajmi u përhap me shpejtësi dhe situata u rëndua. Në kushtet e mjegullës që shoqëroi krimin, opozita akuzoi qeverinë për këtë vrasje dhe nuk pranoi të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Kushtetuese.
Opozita vendosi që varrimi i Avni Rustemit të bëhej në Vlorë dhe ceremonia të zhvillohej më 1 maj, duke e shndërruar këtë ngjarje në një manifestim politik kryengritës. Mbi varrin e tij, Fan Noli shpalli përpara turmës se gjëndja ku kishte arritur Shqipëria nuk mund të zbërthehej veçse me revolucion. Politikanë dhe pasues të opozitës gjetën rast të ushtronin oratorinë për të nxitur në turmat histerinë e luftës revolucionare. Ali Këlcyra dhe Qazim Koculi tregoheshin më të “pikëlluar” se të tjerët nga kjo vrasje dhe kërkonin pa vonesë të rrëmbenin armët për kryengritje.
Varrimi, i cili u shndërrua në manifestim, u zhvillua me moton: “Ja ne në fuqi… ja Shqipëria gurë e hi” – një perifrazim me sens të mbrapshtë të vargjeve të një kënge kushtuar Luftës së Vlorës të 1920-ës: “Ja do bënet Vlora jonë (Shqipëri), / ja do bënet gur e hi”.
Asamblistët e opozitës, regjenti Sotir Peci dhe ministri Luigj Garakuqi, pas ceremonisë së varrimit të Avni Rustemit nuk u kthyen në Tiranë, por qëndruan në Vlorë që të merreshin me organizimin e kryengritjes së armatosur për të sulmuar qeverinë. Për drejtimin e kryengritjes në Vlorë u krijua edhe një Komision Administrativ i Përkohshëm, kryesinë e të cilit e mori Fan Noli. Komisioni i përbërë nga 4 veta mori edhe atributet e një qeverie provizore.
Noli do të drejtonte punët e jashtme, Sulejman Delvina punët e brendshme, Kosta Paftali ato botore dhe Mustafa Tragjasi çeshtjet financiare. Si drejtues i veprimeve ushtarake në prefekturën e Kosovës dhe zonat e tjera verilindore u caktua Bajram Curri, për zonën e Shkodrës Rexhep Shala dhe për Shqipërinë e Jugut Kasem Qafëzezi.
Më 24 maj 1924, Bajram Curri filloi sulmin mbi Krumë. Pasi e morën atë më 26 maj, kryengritësit vazhduan sulmin në Bytyç, Bicaj, në Kalanë e Dodës për të vazhduar në drejtim të Dibrës dhe Matit. Më 30 maj Rexhep Shala sulmoi godinën e prefekturës në Shkodër, e cila ra më 31 maj pas një qëndrese të forcave qeveritare ku u vra komandanti i xhandarmërisë kapiten Ferit Frashëri.
Antarë të organizatës “Bashkimi” organizuan në Vlorë një demonstratë për të shprehur gatishmërinë për kryengritje kundër qeverisë. Meqënëse populli nuk bashkohej me kryengritjen, u vendos që, për rrëzimin e qeverisë, të përdorej ushtria. Komandanti i garnizonit, nënkolonel Kasëm Qafëzezi më 26 maj u deklarua kundër qeverisë.
Grupi i asamblistëve të Korçës, të trembur nga ndonjë ndërhyrje e forcave greke që ishin grumbulluar në Follorinë e Janinë, kërkuan pajtimin e palëve. Kështu, duke mos dashur të derdhet gjak, Shefqet Verlaci dha dorëheqjen më 27 maj dhe më 31 maj Iliaz Vrioni formoi qeverinë e re.
Forcat e garnizonit të Përmetit, sëbashku me vullnetarët e Skraparit të udhëhequr nga kapiten Riza Cerova iu drejtuan Beratit, i cili ra në duart e kryengritësve më 3 qershor, pas dy ditë luftimesh. Ndërkohë, forcat e ardhura nga Vlora hynë në Fier dhe më pas në Lushnje ku u bashkuan me forcat e tjera që erdhën nga Berati. Më 5 qershor ra Peshkopia dhe më 9 qershor Kavaja. E kapur nga paniku, Qeveria e Iliaz Vrionit u shpërngul në Durrës. Më 10 qershor 1924, forcat të ardhura nga Shkodra nën komandën e Ndokë Gjeloshit, të prira nga deputeti Xhemal Bushati hynë në Tiranë.
Kështu, brenda pak ditëve, forcat kryengritëse nga të gjitha anët e vendit, hynë në Tiranë më 10 qershor. Po atë ditë Zogu me një pjesë të rrethit të tij u nisën për në Dibër dhe pastaj në Jugosllavi, ndërsa antarë të tjerë të qeverisë dhe asamblistët kishin ikur tri ditë më parë për në Itali dhe Greqi.
Mbështetur në garnizonet ushtarake, opozita e mori pushtetin nëpërmjet dhunës dhe në mënyrë antikushtetuese. Fan Noli u bë shtytësi dhe simboli i këtij “revolucioni”. Historiografia marksiste e ka cilësuar këtë si revolucion, gjë që le shumë hapësira për ta diskutuar e kundërshtuar. Përdorimi i institucioneve ushtarake nga anëtarë të parlamentit për përmbysjen e qeverisë nuk mund të emërtohet ndryshe përveçse një grusht shteti.
Në rrethana të tilla të marrjes së pushtetit, Asamblea Kushtetuese u shpërnda vetvetiu. Nga Regjenca (Këshilli i Lartë) kishte mbetur vetëm Sotir Peci, sepse Gjon Çoba kishte dhënë dorëheqjen qysh me 24 maj dhe dy të tjerët Xhafer Ypi dhe Refik Toptani ishin larguar nga Shqipëria.
Zgjedhja e kryeministrit, më 16 qershor 1924 u bë me short, ku mëtues për këtë post ishin Sulejman Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli. Secili kishte miqtë dhe kundërshtarët e vet. Një votim i rregullt parlamentar nuk mund të bëhej, në radhë të parë sepse nuk kishte fare Parlament. Pastaj, e dyta, edhe sikur të kishte, deputetët e “revolucionit” nuk përbënin shumicën. Atëherë u përdor sistemi i shortit, si në lojëra fati! Fati zgjodhi Fan Nolin dhe ai u bë kryeministër.
Noli sapo erdhi në pushtet u mor me gjyqe ndaj kundërshtarëve politikë dhe kjo ishte e natyrshme për mënyrën se si erdhi në pushtet. Në Tiranë u ngrit gjyqi politik për afro 170 vetë. Gjyqi dënoi me vdekje në mungesë dhe me konfiskim të pasurisë Ahmet Zogun, Shefqet Vërlacin, Iliaz Vrionin, Koço Kotën, Myfit Libohovën, Abdurrahman Dibrën, etj.
Zotimet për reforma radikale që mori qeveria “revolucionare”, jo vetëm që nuk u realizuan, por u prishën edhe ato që ishin arritur, sepse Noli nuk kishte asnjë instrument me identitet kombëtar për realizimin e programit tij. Çarmatimi nuk u bë dhe nuk mund të bëhej, sepse qeveria nuk kishte as forca dhe as vullnet. Bajraktarët e Dukagjinit kërkonin të mos u merreshin armët. Malësorët i kërkonin Luigj Garakuqit dhe Rexhep Shalës që të mbanin premtimet që u kishin dhënë për të gëzuar autonominë e malësive. Lindi kështu rreziku i copëtimit politik të vëndit në kantone. Ishte premtuar gjithashtu se, pasi të vinin në pushtet da ta bënin Shkodrën kryeqytet. Në Jug, prefekti i Gjirokastrës Koço Tasi nxiste psikozën e luftës së shënjtë dhe të ringritjes së problemit “epiriot”.
Në këto kushte të një qeverie jo legjitime dhe të paaftë të garantonte sigurinë kombëtare, qeveria jugosllave organizoi në veri një provokacion të rëndë, duke sulmuar dhe pushtuar zonën e Kelmendit, duke përfshirë edhe Vermoshin. Anarkia mbuloi vendin dhe asgjë nuk kishte garanci. Njerzit vriteshin në të katër anët e vendit, komunikimet ndërkrahinore u ndërprenë dhe qeveria nuk mund të dërgonte as postën. Paralelisht, brënda ish-opozitës së vjetër filluan konflikte të mëdha brenda grupimeve e grupeve të saj. Oficerët e grupit të Përmetit vendosën të bënin një puç për zevendësimin e qeverisë së Nolit me një qeveri ushtarake por nuk mundën. Pasuesit e Zogut porositeshin të qëndronin jashtë këtij konflikti. Për këtë realitet, Sejfi Vllamasi shkruante, “Në këtë anarshi ku ishte zhytur vendi, një ditë vendosëm të shkojmë te Noli, në zyrën e tij, në kishën ortodokse, Bahri Omari, Rasim Babameto dhe unë (Sejfi Vllamasi), për të biseduar me të mbi situatën. Ora ka qënë 11. Nolin e gjetëm vetëm, porsa ishte ngritur nga gjumi dhe ishte duke i rënë fyellit. Folëm mbi situatën, shfaqëm sinqerisht mendimet tona vetëm e vetëm në interes të shtetit, pa prekur aspak çështje partije. Por Noli na priti keq dhe as nuk u vinte vesh fjalëve tona, që ishin për të mirën e vendit dhe për të mirën e tij”.
Qeveria e Nolit, që nuk kishte legjitimitetin e duhur nga pikëpamja e përfaqësimit, u njoh vetëm nga dy shtete, Greqia dhe Rusia. Ky fakt është shumë domethënës: Rusia bolshevike ndjehej se ishte e izoluar dhe kërkonte eksperimentim të bolshevizmit në Ballkan, ndërsa Greqia mendonte se mund ta kishte më të lehtë për të realizuar synimet e saj ekspansioniste.
Britania e Madhe dhe vendet e tjera të demokracive perëndimore nuk pranonin asnjë kontakt së paku derisa në Shqipëri të zhvilloheshin zgjedhje që legjitimonin qeverinë me vullnetin e popullit. Është krejt logjike të pohohet se ishte vetë Noli që po përgatiste rikthimin e Zogut në pushtet, pikërisht me mënyrën se si e mori pushtetin dhe se si po e “qeveriste” vendin. Me Nolin në krye të qeverisë, Shqipëria shihej nga Fuqitë evropiane si një vatër tensioni e bolshevizmit në Ballkan, prandaj u vunë në lëvizje për të përgatitur dhe mbështetur Ahmet Zogun të rikthehej në pushtet.
Më 13 dhjetor 1924, dy anëtar të Këshillit të Naltë që ishin jashtë vendit, Refik Toptani dhe Xhaferr Ypi, autorizuan Iljaz Vrionin, si Kryeministër legjitim, të organizonin operacionin e rikthimit të qeverisë legale në Tiranë. Ahmet Zogu u emërua komandant i përgjithshëm i operacionit. Vetë Zogu dhe personalitetet politike afër tij, u angazhuan për të ndërgjegjësuar të gjithë faktorët influentë diplomatikë për këto hapa legjitimë. Ishte pikërisht ky proces dhe ky produkt politik legjitim i triumfit të legalitetit që shtruan linjat e njohjes pothuaj të menjëhershme ndërkombëtare nga demokracitë evropiane.
Trupat e Ahmet Zogut, pas një përgatitje të kujdesshme dhe të organizuara mirë, hynë nga disa drejtime në Shqipëri. Ahmet Zogu nëpërmjet Dibrës, Ceno Beg Kryeziu nga prefektura e Kosovës, Koço Kota nga Kapshtica, Myfit Libohova nga Kakavija, ndërsa vetë Iljaz Vrioni hyri nga Italia. I paralajmëruar për lëvizjet, Noli me 18 dhjetor kërkoi nga qeveritë angleze, franceze, italiane dhe nga Lidhja e Kombeve që të ndërhynin, por ato nuk iu përgjigjën.
Ndërkohë që ministri i Mbrojtjes Kasem Qafëzezi, nuk gjendej në detyrë dhe trupat ushtarake qeveritare ishin të çorganizuara, forcave të Zogut iu dha mundësi të përparonin me shpejtësi. Në këto rrethana, ku Qeveria e Nolit nuk bëri ndonjë reagim, forcat e Zogut hynë në Tiranë më 24 dhjetor 1924 duke i rikthyer legjitimitetin qeverise së Iljaz Vrionit të dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit të 1923-shit. Kjo datë ka hyrë në histori si “Triumfi i Legalitetit”.
Në vlerësim të kësaj date të rëndësishme historike, më 24 dhjetor 2012, në Bulevardin “Zog I” u vendos monumenti i Ahmet Zogut si protagonisti kryesor i “Triumfit të Legalitetit”.
Në inagurimin e ketij monumenti, Kryeministri Berisha në vlerësim të Mbretit Zog, tha: “… Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, njërin nga personalitetet më të rralla, më të shquara në të gjithë historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave. Me emrin e tij janë të lidhura në mënyrë të pandashme zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtet ligjor, rend dhe siguri…”.
*ish-deputet & kryetar i PLL
Komentet