(Shkrimi i gazetarit të mirënjohur Besnik Dizdari është shkruar 16 prill 2017)
1.
Mbas kaq kohësh po i rikthehem rubrikës sime të vjetër “Tregimet e atletikës”. Po i rikthehem me një kronikë atletike të plot 50 vjetëve më parë.
Nuk jam unë “zbulues” i kësaj teme. Është mjeshtri i shquar i atletikës, Sokol Morina, një kampion dhe rekordmen i mirënjohur i Shqipërisë, madje plot 7 herë i tillë. Për ne një stilist origjinal i garave të 800 e 1500 metrave në atletikën e lehtë. Di ndërkaq se sot shumë atletë të vjetër rrinë bashkë, kujtojnë e bisedojnë. Për shkak të njëanshmërisë futbollistike, shtypi dhe televizionet shqiptare thuajse i injorojnë! Kohët e fundit, me në krye Sokolin, se si iu ishte kujtuar një ndër veprimtaritë më të jashtëzakonshme, madje më të çuditshme për kohën, zhvilluar 50 vjet më parë.
E pra, a keni dëgjuar ndonjëherë se 17 Nëntori i Tiranës ka mundur Skënderbeun e Korçës 28-8 dhe 21-7, apo që Vllaznia e Shkodrës ka mundur 17 Nëntorin 15-5 apo që Dinamo – Labinotin e Elbasanit 36-3 dhe Partizani – Vllazninë 31-10? Si ju duken këto shifra dhe cilit sport mund t’i përkasin? Vaterpolit? Hendbollit? Ragbisë?…
Për çudi, i përkasin atletikës së lehtë të 50 vjetëve më parë. Si ka mundësi? U përngjanin rezultateve që kishin takimet e përbotshme atletike të asokohe, bie fjala, ato SHBA – BRSS. Pra dypalëshe. Natyrisht, jo në shifrat e rezultateve të garave.
Me këtë tregim po filloj një cikël shkrimesh që i përkasin pikërisht vitit 1967. Është një ndër vitet më të rënda të Shqipërisë. Luftë fesë, luftë Zotit, importim i revolucionit kulturor kinez, izolim, varfëri. Dhe si diçka vërtet “kundërshtuese” shfaqen ngjarje e rezultate sportive që çuditërisht kishin një përkim perëndimor. Të dukej sikur në sport Shqipëria kërkonte të jepte përshtypjen se ishte krejt “e lirë” dhe e larmishme madje.
Kështu shpërthen volejbolli shqiptar në Kupat e Europës; në futboll Shqipëria – Gjermania 0-0; Vllaznia për herë të parë Kampione e Shqipërisë në basketboll; Konferencë Kombëtare e BFSSH-së për zhvillimin e mëtejshëm të sporteve. Mandej shfaqja e parë befasuese e një peshëngritësi botëror me emrin Ymer Pampuri. Nga ana tjetër, shkatërrimi i Kampionatit Kombëtar të futbollit me përjashtimin e 17 Nëntorit e Partizanit (do t’i kthehem shpejt kësaj ngjarje, madje për herë të parë me një risi të rrallë).
Ndërkaq, 1967-ta bëhet vit i ndalimit të pamëshirshëm të Kombëtares së Shqipërisë, pikërisht mbas 0-0 me Gjermaninë! Sidomos kjo e fundit ngjarje së cilës, si të thuash, i kam qitë fundin, jo vetëm në librat e mi e me shkrime të pafund, por edhe tash së voni (2015) mû këtu në “Panorama Sport”, por dhe në “Futbolli Shqiptar – Mg”. Të gjitha këto ngjarje të rralla të 50 vjetëve më parë të vitit “fatal” shqiptar 1967, në bashkëpunim me “Panorama Sport” mund të përbëjnë radhazi një cikël shkrimesh, përveç të tjerave me risi të pafund.
Mbi të gjitha, me synimin për të rrëzuar një tufë shtrembërimesh dhe të pavërtetash, që për fat të keq nuk ndalin, sidomos prej shkruesve amatorë apo plagjiatorë të pandreqshëm. Çka fyejnë jo vetëm gazetarinë dhe lexuesit, por edhe vetë historinë. Nuk mund të harroj teksa kohët e fundit po bisedonim me portierin e shquar të 17 Nëntorit (SK Tirana) Tit Nallbanin, përveç të tjerave një njeri modest e zotni i vërtetë, i cili ka mbajtë mbi supe vite të paharrueshme të klubit kryeqytetas. Po shihte një foto të botuar ku ai ishte fiksuar duke u përshëndetur me portierin e famshëm Jani Kaçi të Skënderbeut. Qartë kuptohesh se ishin dy portierë, madje Titi i veshur me fanellën e zezë karakteristike të portierit të asokohe. Vuri buzën në gaz kur lexoi në diciturë se ai nuk ishte vetvetja, Tit Nallbani, i vërteti pra, por na ishte Sabah Bizi i madh, i cili, përveç të tjerave, kurrë nuk ka luajtur me fanellën e zezë të ndonjë portieri. Pa shkuar tek ajo tjetra, që Tit Nallbani nuk mund të ngatërrohet kurrë me Sabah Bizin!
Vazhdojnë ta mbulojnë kësisoj, të pavërtetat historinë e sportit shqiptar. “Punë sporti” me sa duket që shndërrohen në punë “mbledhje pambuku”, “ndeshje gjeneralësh”, “basketbollistësh që paskan bërë fushatë për një udhëheqës të PPSH”, apo deri te “merita” e Ministrisë së Brendshme për ndërtimin e stadiumit “Dinamo”. Dhe ka do kohë që gati-gati shpëtimtarët e sportit shqiptar apo protagonistë të tyre të Regjimit po na dalin gjeneralët e Ushtrisë Popullore dhe oficerët e Ministrisë së Brendshme! Mjerë ne! E, ndërkohë, nuk po hiqet dorë kurrsesi prej përrallës për “kampionin olimpik” (Pampurin tonë legjendar), pa qenë ai kurrë i tillë, apo duke mbërritur te futbollisti që shkëmbehet me një agronom apo te Gjermania që bënte reklamë çokollatash me Shqipërinë. Si mund të mbërrihet në kësi banalitetesh me historinë e sportit shqiptar, është vërtet tepër vështirë që ta kuptosh!
Do të përpiqemi t’i rrëzojmë hap mbas hapi këto banalitete, jo përmes aftësisë së të shkruarit (e gjithkush natyrisht ka të drejtë të shkruajë, edhe pse kjo është punë talenti e dijesh), por përmes fakteve historike. Të më falin lexuesit, që dihet janë padroni im i vetëm, por është vërtet e dhimbshme kur mbasi je marrë gjithë jetën me gazetari e posaçërisht me historinë e sporteve të vendit tënd, doemos ndien një revoltë të madhe kur vetëm në një shkrim gjen deri në 15 të pavërteta!
Nëse dikush dyshon për këtë mund të më kontaktojë që këto të pavërteta (rrêna) t’i shohë një orë e më parë e zeza në të bardhë shtypur në faqe gazetash. Dihet, e vërteta nuk është domen i një individi të vetëm sado i zoti që të jetë ai. Por e vërteta është thjesht e vërtetë dhe vetëm e vërtetë. Dhe kjo është më e rëndësishmja. Përsëris: është në shkatërrim e sipër historia e sporteve në Shqipëri! Jo vetëm prej tregtarëve të shkrimeve, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së një institucioni të historisë për sportet. Si askush në Europë!
Por le t’i kthehemi atletikës së lehtë 1967. Asaj që në atë vit gati të mjerë të Shqipërisë së ashtuquajtur Socialiste, do të kishte gara më shumë se asnjëherë tjetër. Edhe pse jo me shumë rekorde e rezultate të larta.
E quajta “revolucioni” i Marjeta Pronjarit (më mbas Zaçe për shkak të martesës së saj me basketbollistin e madh, të paharrueshmin Kushtrim Zaçe). Por në këtë 1967 ajo është një vajzë 15-16-vjeçare me emrin Marjeta Pronjari. Edhe pse e titullova shkrimin me emrin e saj, megjithatë ky shkrim, në përgjigje të bisedave të atletëve veteranë të sipërpërmendur, më shumë synon të rikujtojë veprimtarinë e pashembullt që mbante emrin “Kupa e 500-vjetorit të Skënderbeut”. Mirëpo, gjithsesi Marjeta u bë emblemë, sepse ishte ajo që niste revolucionin e saj në kërcimin së larti që do të bëhej nxitja edhe gjallërimi i madh për krejt atletikën shqiptare.
2.
E pra, çka ishte kjo Kupë e 500- vjetorit të Skënderbeut, që unë po e quaj edhe “të çuditshme”?
Ajo ishte një Kupë e takimeve dypalëshe midis klubeve e qyteteve. Ashtu si dhe në futboll, ajo nuk do të ishte si një veprimtari tradicionale e atletikës së lehtë, me sistemin e grumbullimit 3-4-ditor siç zhvillohej edhe Kampionati Kombëtar i saj. Ishte një Kupë atletike me shkuarje e ardhje, siç veprohet në kampionatet e futbollit. Kush e propozoi? Kujt i shkoi ndër mend? Ndoshta të pashlyeshmit Telat Verzivollit, sigurisht një guximtar krejt i veçantë në iniciativat e tij, në qytetarinë e tij të rrallë, në dashamirësinë e gazmendin e tij, në dituritë e tij të pedagogut të shquar të edukimit fizik, por tash me cilësinë e drejtuesit (inspektorit në ministri) edhe të atletikës shqiptare.
Ky njeri kishte guxuar që një vit më parë ta bindte shtetin komunist që ta çonte Shqipërinë e një atletike modeste në Kampionatin Europian të Budapestit. Tash, me sa duket ndër të parët, guxonte të shtynte Kupën e atletikës nën emrin e “500-vjetorit të Skënderbeut” në stilin e takimeve amerikano-sovjetike e në stilin e futbollit me duele të përjavshëm thuajse, midis çifteve të qyteteve!
Të mos e zgjasim: papritmas hidhet kalendari i Kupës, dy ditë mbasi ishte hedhur kalendari për Kupën e 500-vjetorit të Skënderbeut në futboll. Një Kupë, e cila do ta shtynte Shqipërinë për te ndeshjet kombëtarase të Kampionatit Europian të futbollit.
Rezultatet e para të kësaj atletike imituese të futbollit, ato të 12 marsit 1967 fiksojnë Dinamo – Studenti 30- 2 për meshkuj e 15-0 për femra, ILKF “V.Kushi” – Lokomotiva 24-9 për meshkuj dhe 11-16 për femra. Një ditë më vonë, më 13 mars, janë 17 Nëntori – Skënderbeu 28-6 (m) e 21-7 (f) e kështu me radhë.
Në Javën 2 të Kupës, më 18 mars 1967, epiqendra bëhet takimi ILKF “V.Kushi” – Studenti, i fituar si për meshkuj, ashtu edhe për femra nga Instituti. Pikërisht këtu 16-vjeçarja Marjeta Pronjari thyen rekordin kombëtar të kërcimit të larti me rezultatin e ri 1.55. Sot të duket pak sigurisht, por jemi 50 vjet më parë, më 1967. Emrave të pioniereve të këtij rekordi që nisnin më 1946 me Lajde Kolën e Shkodrës, e që vazhdonin me Lumturi Cërlain, Marie Ranxin, Pina Thanin, Myrvete Verzivollin, Hamide Xhajën, Shaqe Nikën e Luke Zefin, do t’u shtohej 16-vjeçarja jonë – rekordi i së cilës për 15 vjet me radhë nuk do të mund të prekej prej askujt. Deri më 1981 kur do të shfaqej “Marjeta e dytë” – madhështorja Klodeta Gjini që sot e kësaj dite për bukur 28 vjet ende qëndron e paprekshme në rekordin e saj të fundit: 1.92 më 1989!
Viti 1967 ishte një periudhë kur atletika sa kërkonte plot pasion të shpërthente, po aq pengohej, sidomos nga gjendje shqetësuese e pistave dhe në tanësi të një trajtimi krejt amator. Megjithatë, më 2 prill 1967, në takimin e Tiranës, atë Partizani – Vllaznia, atleti Sadik Demiraj i Partizanit thyen rekordin kombëtar në 10 km ecje me shifrat 49’5′. Ai është një atlet shtatlartë, elegant dhe tejet serioz. Partizani triumfon ndaj Vllaznisë, rezultatin më të lartë të së cilës e mbërrin Sulejman Gragjevi, universali i sportit e muzikës, shoku im i Gjimnazit të Shkodrës, në vrapimin e 110 metrave me pengesa me 15.7.
Ndërkaq, në takimin Lokomotiva – Studenti në Durrës, Pina Thani e shtyn gjylen në 13.02 metra, duke qenë fare pranë rekordit kombëtar. Një javë më vonë, dueli më i ashpër konsiderohet ai Dinamo – ILKF “Vojo Kushi” 21-16 për meshkuj. Azis Ruli arrin 1.90 në kërcimin së larti, që duket pak përballë rekordit kombëtar të Ilia Maznikut që është 2 metra, Natyrisht, pa menduar askush se vite më vonë Ruli do të ishte ai që do të bënte “revolucionin e dytë” të kësaj gare me femrat me atleten e tij europiane Klodeta Gjini.
Ndërkohë, shkojmë në Durrës në takimin Lokomotiva – ILKF “Vojo Kushi” dhe Marjeta dhuron rekordin tjetër me 1.56 metra, ndonëse durrsakët fitojnë 30-1 dhe 40-11 si për meshkuj, ashtu edhe për femra.
Kështu, nga java në javë Kupa ecën në ritmin dhe “aritminë” e saj, duke spikatur Partizani apo 17 Nëntori për meshkuj dhe Vllaznia për femra.
Ky është çasti kur krejt papritmas në Shqipëri mbërrin një ekip i përzgjedhur i Rumanisë, i cili sundon ndaj atletëve të Shqipërisë në thuajse të gjitha garat. E megjithatë në tri gara fitojnë shqiptarët.
Marjeta Pronjari nuk ndal me rekordet e saj. Kësaj radhe ajo ngjitet në 1.58 metra, duke zënë vendin e parë. Në 800 metra i pari, para rumunëve, është atleti shqiptar i përmasave, Gani Alia, me 1.54.0 – një tjetër figurë e madhe për atletikën shqiptare. Vendi i parë prej shqiptarëve mbërrihet edhe nga Ramazan Driza në gjyle me 15 metra – një tjetër atlet i jashtëzakonshëm ky – i pari Kampion i Ballkanit nga Shqipëria (të rinj), i cili do të revolucionarizonte si pakkush garat e gjyles e të diskut.
Dhe Marjeta që nuk ndalet. Dita e 29 qershorit 1967 bëhet historike për atletikën shqiptare. Për herë të parë një vajzë shqiptare, madje vetëm 16 vjeçe, thyen rekordin kombëtar të të rriturave, teksa kalon lartësinë mbi 1.60 metra. Shifrat e reja të saj janë 1.62 metra. Marjeta Pronjari bëhet numri 1 i sportit shqiptar. Për kah popullariteti thuajse po i afrohej Panajot Panos.
Ndërkaq, takimet me rumunët, por edhe Kampionati Kombëtar zhvilluar në Elbasan (12-15 korrik 1967) e mënjanojnë disi Kupën e 500-vjetorit.
Këtu, për t’i nderuar edhe më tepër atletët tonë të harruar, mbas një mundimi jo të pakët, po arrij të botoj këtu për herë të parë, madje edhe me rezultatet, të gjithë Kampionët e Shqipërisë të atletikës së lehtë për vitin 1967:
MESHKUJ:
100 m.: T.Stefanllari (10.8); 200 m.: T.Stefanllari (22.5); 400 m.: V.Kacagjeli (50.8); 800 m.: G.Alia (1.55.3); 1500 m.: G.Alia (4.03.9); 5000 m.: Sh.Dervishi (15.13.2); 10.000 m.: Nj.Dajçi (32.59.5); Maratonë: Nj.Dajçi (2.41.59); 110 m/p.: I.Mazniku (15.5); 400 m/p.: E.Dervishi (56.0); 3000 m/ p.: S.Kokalari (9.45.0); Së larti: A.Ruli (1.90); Shkop: (E.Pojani (3.50); Së gjati: S.Ramku (6.80); Trehapësh: P.Kecaj (13.96); Gjyle: I.Tare (14.88); Disk; I.Tare (49.05); Shtizë: E.Kryeziu (61.78); Çekiç: K.Shehu (51.23); Dhjetgarësh: F.Dibra (5677); 4×100 m.: Dinamo (45.1); 4×400 m.: Partizani (3.26.2). Kampion si ekip: 17 NËNTORI.
FEMRA:
100 m.: M.Duli (12.8); 200 m.: M.Duli (27.1); 400 m.: A.Dani (59.9); 800 m.: A.Dani (2.21.0); 80 m/p.: Zh.Muço (12.3); Së larti: M.Pronjari (1.64); Së gjati: H.Konçi (5.41); Gjyle: P.Thani (12.51); Disk: P.Thani (38.71); Shtizë: L.Ndoja (40.60); 4×100 m.: Vllaznia (52.1); 4×400 m.: Vllaznia (4.18.3); Pesëgarësh: Zh.Muça (3766). Kampion si ekip: Vllaznia.
Nuk di a i ka dëgjuar ndonjëherë këta emra të pashlyeshëm brezi i ri i sotëm!… Nuk ka faj megjithatë. Fajin e kemi ne që nuk përkujtojmë për së mbari…
3.
Dhe Marjeta pra! 1.64 metra – rekord tjetër kombëtar i saj, që përjashto elitën euro-amerikane, rezultati për moshën e protagonistes sonë, nuk është fort modest përderisa linte mbrapa rekordet kombëtare të sa e sa shteteve. “Sporti popullor” nis krahasimet, deri dhe me vendet e Ballkanit, tejet atletike. Në faqen e parë botohet foto e Marjetës në stilin ndërkombëtar të formatimit të sotëm të fitoreve të rekordmenëve të botës, ku pranë atletit vihen shifrat e rezultatit. Them se për historinë e gazetarisë sonë sportive kjo foto që po e botojmë këtu, është historike. Nuk di të jetë përdorur më ky stil, që është kaq modern edhe sot mbas bukur 50 vjetëve në shtypin botëror. Ndërkaq, befas ngjet që një vajzë e re me emrin Arta Musai i kushton një poezi Marjetës: (“Fluturimi yt si i shqiponjës, do të jetë më lart!”). Ishte sa një sinqeritet rinor, po aq dhe një “lirizëm socialist”. Na duhet të futemi në kohë për të kuptuar edhe këtë…
Kampionati ka dhe tre rekorde të tjerë kombëtarë: Lule Ndoja e Vllaznisë në shtizë (40.60), Hiqmete Konçi e 17 Nëntorit në së gjati (5.41) dhe Esat Kryeziu në shtizë 61.78 – të tre rekordmenë e kampionë të mirënjohur të kohës.
Mandej, kur shkojmë tek ana protokollare, sot po aq befasohem. Në ceremoninë e mbylljes është i pranishëm Hamit Beqja – kryetar i Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë, instruktor i Komitetit Qendror të PPSH, por një ish-basketbollist dhe një mbështetës i pashoq i sportit. Pa dyshim një nga më liberalët e kancelarive të shtetit komunist, i cili me “djallëzi” në krye të drejtimit të sporteve si të zgjedhur vinte kuadrot e rëndësishëm të tij. Befasi e dytë e madhe është se në këtë ceremoni është i pranishëm edhe kryetari i Komisionit Vullnetar të Atletikës për Elbasanin, inxhinieri i shquar Sandër Sokoli.
Askujt nuk do t’i shkonte ndër mend se Sandër Sokoli do të kthehej në martir, teksa, mbas nja disa vjetëve, i torturuar do të vritej në mënyrën më makabre prej Regjimit. Falë miqësive familjare kam pas nderin e madh ta njoh për së afërmi. Sot ruaj kujtimin e pashlyeshëm për të. Jam takuar madje vetëm pak ditë para arrestimit, duke më mbetur për jetë në kujtesë një bisedë miqësore në këmbë, në qendër të Tiranës me të.
Është vërtet e çuditshme dhe po aq e rrallë se si sporti bëhet kështu shkas për kujtime kësisoj të jashtëzakonshme, dramatike madje…
E, prapë në një kah krejt tjetër, këto ditë atletike kaq origjinale të Shqipërisë, befasisht më lënë një nga përkimet më të rralla personale. Në numrin e 22 gushtit 1967, në faqen e saj të parë kushtuar e gjitha të ashtuquajturës “ditës së shtypit popullor” (25-vjetori) çka Partia dinte fort mirë të hutonte, janë pra dy shkrime – për çudi jo dhe aq fort të politizuar – ngjitur me njëri-tjetrin dhe firmat gjithashtu në një vijë vetëm 3-4 centimetra larg midis tyre: ajo e gazetarit të madh themelues Anton Mazreku dhe ajo e një rishtari të gazetarisë, Besnik Dizdari. As njërit dhe as tjetrit nuk do t’i shkonte kurrë ndër mend se nja 30 vjet më vonë, ky rishtar do të themelonte një çmim gazetarie në nderim të themeluesit, Anton Mazrekut mitik!
Pa harruar se shumë vite më parë (1982) do të emërohesha kryeredaktor i kësaj gazete të themeluar dhe rithemeluar prej Mazrekut. Sot, mbas 50 vjetëve, më duhet të falënderoj gazetarin dhe radiokronistin tonë të madh, Ismet Bellova, të cilit ia dërgoja shkrimet e mia modeste për “Sportin popullor” gazetar e redaktor i të cilit ai ishte dhe i cili paska pasur idenë të më linte këtë kujtim për mua sot e kësaj dite historike…
…Mbërrin ndërkohë, 27 korriku 1967 dhe Marjeta Pronjari arrin 1.66 metra. Është periudha (faza) e dytë e Kampionatit Kombëtar të Atletikës së lehtë.
Po ku është Kupa e 500-vjetorit të Skënderbeut?…
Pyetja është vetvetishme, sepse duket sikur ajo është harruar. Takimi me Rumaninë, Kampionati Kombëtar që pasohet nga Kupa e Çlirimit ku tashmâ në Tiranë fiton Dinamo për meshkuj dhe në Shkodër Vllaznia për femra, duket se janë shkaku i kësaj “harrese”. Ndërkohë që edhe në këtë Kupë të Çlirimit, sundon stili i dueleve dypalëshe klubiste: Dinamo mposht në duel Partizanin dhe Vllaznia ILKF “V.Kushin” për femra. Po ndërkohë, ka dhe një qytet të tretë, Elbasanin për vende të tjera renditjeje.
Esat Kryeziu i Lokomotivës e çon më tej rekordin e tij në shtizë me 63.26 metra. Sot mbas 50 vjetëve më duhet ta quaj Durrësin qytetin atletik të shtizës shqiptare, kur kujtoj se në pistën e pedanat e tij prej dheu do të lindte dhe do të formohej kampionia e botës, e Europës dhe Nënkampionia Olimpike, legjendarja e atletikës shqiptare dhe asaj greke, Mirela Manjani! (Dhe është duke rimbërritur çasti që të merrem mbas kaq vitesh edhe më fort se më parë me këtë legjendë të sportit shqiptar dhe atij grek).
Shqipëria atletike e asokohe kë- sisoj, guxon të shfaqet në pista deri në prologun e dimrit: 2 dhjetor 1967 kur është finalja e Kupës së 500-vjetorit të Skënderbeut. Është një mozaik garash, të shkurtuara doemos: 11 për meshkujt dhe vetëm 5 për femrat. Partizani fiton 7 gara dhe Dinamo 4. Për femrat fiton Vllaznia 3 vende përballë 2 të Lokomotivës. Mbyllja kuptimplote do të jetë nën emrin e një rekordi tjetër të Sadik Demirajt në 10 km ecje me 47’15’!
Këtu mbyllej ajo që e quajta “revolucioni” i Marjeta Pronjarit e lartësisë 1.66 metra në kërcimin së gjati. Katër më vjet vonë, ajo do të mbërrinte në 1.78, rezultat ky i nivelit të lartë ndërkombëtar, çka atletja jonë universale, do ta shpaloste tre vjet më vonë deri dhe në Universiadën e Torinos 1970. Renditet e 10-ta në pesëgarësh, por thyen katër rekorde kombëtare: në vetë pesë- garëshin, në 100 m/p, në kërcimin së gjati dhe në së larti me 1.73, duke pas në këtë garë rezultatin më të mirë prej të gjithë pjesëmarrëseve të pesëgarëshit. Kjo ishte vepra e saj sportive, për ne madhështore. Pa shkuar te tjetra, ajo e viteve të Demokracisë, kur fati i historisë do t’i blatonte Marjetës rolin e saj të dytë, tash në rilindjen e sportit të Shqipërisë si drejtuese qeveritare tejet serioze e tij.
Dhe nuk harrojmë. Pranë emrit të saj qëndron emri i madh i skalitësit të kësaj epoke të shpejtë sportive të sportit shqiptar datuar 1967. Është emri i trajnerit të saj dhe pedagogut të shquar Taqo Duka – krijuesi i pakundërshtueshëm i shkollës ndërkombëtare të kërcimit së larti për Shqipërinë. 1.78-ta e saj do të përmendohej kështu, sa si një nxitje, po aq dhe si një kështjellë e atletikës shqiptare mbi themelet e së cilës më 1989 Shqipëria do të mbërrijë te 1.92 e Klodeta Gjinit të Azis Rulit. Rekord i paprekshëm deri sot e kësaj dite: 28 vjet!
4.
Tash, në mbyllje të këtij tregimi, për nderim po rreshtoj këtu, pa ndonjë rend rezultatesh të arritura, emrat e mëposhtëm, që kam mundur të gjej si pjesëmarrës të Kupës së 500-vjetorit të Skënderbeut 1967. Midis tyre kam moshatarë, shokë të mirë e miq. Që të mos më kritikojnë për “çorientim” meritash, po i rreshtoj simbas alfabetit të mbiemrit të tyre:
FEMRA: A.Dani, M.Duli, H.Konçi, N.Mitrushi, E.Muço, Zh.Muço, L.Ndoja, E.Petriti, M.Pronjari, N.Qesaraka, P.Thani, H.Xhaja, L.Zefi…
MESHKUJ: F.Abazi, G.Alia, A.Buneci, G.Cara, P.Çefa, Nj.Dajçi, S.Demiraj, E.Dervishi, Sh.Dervishi, R.Dimraj, R.Driza, S.Gragjevi, H.Goskova, I.Hoxha, S.Jegeni, V.Kacagjeli, E.Kryeziu, S.Kokalari, R.Kraja, Sh.Markolaj, I.Mazniku, B.Paçrami, A.Ruli, T.Stefanllari, Dh.Stratobërdha, Ll..Sheshmini, I.Tare, Ll.Vuksani…
Kupa e 500-vjetorit të Skënderbeut deri më sot është veprimtaria më origjinale e atletikës shqiptare, më e gjata në histori: nisi më 12 mars 1967 dhe përfundoi më 2 dhjetor 1967. U përmend plot nëntë muaj pa ia nda!
Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të falënderoj mjeshtrin Sokol Morina e shokët e tij, që u bënë shkas i këtij tregimi apo kronike të atletikës shqiptare të 50 vjetëve më parë, e cila, së bashku me futbollin, hyn aq natyrshëm deri dhe në 500-vjetorin e heroit të shekujve Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.
Ndoshta e gjitha kjo vetvetiu bëhet një nxitje për gjallërimin më tej të atletikës së Shqipërisë, së cilës për fat të keq, sot në shekullin XXI, qeveria shqiptare e kryeqytetit të vetëm europian pa pistë atletike, thuajse e ka harruar se ekziston. Ndonëse kjo atletikë i ka dhënë Shqipërisë kampionatin e parë kombëtar për një sport: 1929!
Dhe, mbas gjithë kësaj, nuk do të thotë se e harroj Luiza Gegën dhe Izmir Smajlajn e sotëm – të vetmit europianë të atletikës shqiptare. Është kjo dyshe nënkampione dhe kampion i Europës 2016 dhe 2017 – simbol i sotëm. Si Marjeta 50 vjet më parë…/PanoramaSport
Nga BESNIK DIZDARI
Marjeta Pronjari (Zaçe) ikonë e sportit shqiptar nder dekada.
Besnik Dizdari, ikonë e gazetarisë shqiptare.
Urime per te Dy.