Presidenti Trump: Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë të rënët. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borxhin që kemi ndaj tyre. Por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata”…
Shqipëria komuniste e njohur për ashpërsinë e diktaturës më të egër të ish vendeve komuniste, me numrin më të madh të pushkatuarëve-krahasuar me numrin e popullsisë (Në vitet 1944 – 1991, rreth 6.000 persona u ekzekutuan, 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike, mijëra kaluan jetën nëpër kampet e internimit) – ka fatin që të ketë përjetuar dhe dy kryengritje antikomuniste, dy revolta të përgjakura, të vetmet në Perandorinë e Lindjes komuniste; revoltën e Spaçit të 21-22-23 Majit 1973 dhe të Qafë Barit-21 Maj 1984. Të dyja i bashkon muaji maj. Në kohën kur ndodhën revoltat u mbuluan me gjak, ndërsa pas rrëzimit të diktaturës, tranzicioni postkomunist 30 vjeçar shqiptar, institucionalisht, është përpjekë ti mbulojë me harresë. Edhe pse kanë kaluar 46 vjet nga revolta e Spaçit dhe 35 vjet nga ajo e Qafë Barit, institucionet e shtetit shqiptar, nuk kanë bërë asgjë për vlerësimin e tyre, për dënimin e fajtorëve, ndërsa ata që i mbuluan me gjak, ende nuk kanë kërkuar as falje.
Shqiptarët e Amerikës, falë këmbënguljes të ish burgosur politik Pëllumb Lamaj me bashkëpunëtorët e tij, nuk kanë heshtur, por e kanë ngritur zërin, kanë organizuar përkujtesa, dhe kanë sjellë në vëmendje të opinionit shqiptaro-amerikan dhe institucioneve amerikane, jehonën e atyre revoltave dhe ashpërsinë e dhunës.
Edhe këtë vit, në përvjetorin e 35 të revoltës së Qafë Barit dhe 46 vjetorit të revoltës së Spaçit, Pëllumb Lamaj, duke pasë edhe ndihmën e Çezar Ndreut e Merita B. McCormack, në bashkëpunim me Fondacionin Memorial të Viktimave të Komunizmit në Washington dhe Federatën Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, organizuan me 20 Maj 2019, pranë Monumentit kushtuar viktimave të komunizmit, një veprimtari përkujtimore, nderuse për heronjtë e revoltave, ku përcollën mesazhe për shoqërinë shqiptare, institucionet e vendit dhe klasën politike.
Pas Hymneve Kombëtare, një minut heshtje për heronjtë e revoltave.
Organizatori Lamaj dhe ish të burgosurit politik që kishin përjetuar revoltat si:Lek Mirakaj, Naim Stravecka, shkrimtari Visar Zhiti(përmes përshëndetjes) ish i burgosur Marko Gjoni, risollën historinë, por dhe i përcollën mesazhe të forta institucioneve dhe politikës shqiptare, për vlerësim, mos harresë, dhe kërkuan dënimin e krimeve të komunizmit dhe autorëve.
Veprimtaria e 20 majit pranë viktimave të komunizmit në Washington, shërbeu edhe si kujtesë, por edhe si apel për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare ndaj krimeve të komunizmit dhe informimit të institucioneve amerikane. Dr. Murray Bessette, përfaqësuesi i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, drejtor i programeve akademike pranë këtij fondacioni, shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e aktivitetit. Ai tha se ndjehej i nderuar që ishte bashkuar me shqiptarët në përkujtimin e viktimave të komunizmit të egër shqiptar. Dr. Bessette, tregoi shkurtazi historinë e fondacionit të përkujtimit të viktimave të komunizmit. Ai tha se projekti për krijimin e Fondacionit Memorial nisën që me 17 dhjetor 1993, ku presidenti Bill Klinton nënshkroi ligjin e aprovuar nga Kongresi në mënyrë unanime. Që në atë kohë janë dashtë përpjekje të mëdha për grumbullimin e fondeve nga donatorë vullnetarë, gjetjen e vendit për ngritjen e memorialit, zgjedhjen e projektit etj. Statuja memoriale iu besua skulptorit nga Kalifornia Thomas Marsh, i cili e dhuroi statujën në respekt të viktimave të komunizmit. Për promovimin e tij u zgjodh data 12 qershor 2007, në simbolikë të 20 vjetorit të fjalimit proverbial të presidentit Regan në portën e Brandenburgut: Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur”! Muri që ishte ngritë me 13 gusht 1961, ku 10 mijë kilometra tela ishin shtrirë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor,- u shemb 2 vjet pas atij mesazhi të presidentit Regan. Pikërisht në përvjetorin e lëshimit të atij mesazhi, me 12 qershor 2007, në prani të Presidentit George W. Bush u promovua Memoriali kushtuar viktimave të komunizmit, në pjesën ballore të të cilit gjendet përkushtimi: “Për më shumë se 100 milion viktima të komunizmit dhe për ata që duan Lirinë!”
Dr. Bessette informoi se çdo vit këtu organizohet dita përkujtimore kushtuar viktimave të komunizmit, për këtë vit takimi mbahet me 14 qershor.
Pëllumb Lamaj, i mbijetuari i revoltës, drejtuesi i veprimtarisë përkujtimore, që e përjetoi vetë ferrin e burgjeve të tmerrshëm, përshkroi ngjarjet, që ndodhën në Spaç dhe Qafë Bari, respektivisht në 21-23 Maj 1973 dhe 21 Maj 1984 dhe përshkroi me detaje shpërthimin e vullkanit të zemrimit të të burgosurve politik, përleshjen me policinë dhe tronditën qeverinë komuniste. Lamaj e përshkroi revoltën e Spaçit, që nisi me 21 Maj 1973, si kryengritjen e parë antikomuniste të perandorisë komuniste të Lindjes, ndërsa të burgosurit që ngritën krye nga puna e rëndë, kushtet ekstreme, nga torturat fizike dhe psikologjike, i përshkroi si heronj, që me kurajo iu kundërvunë policisë së regjimit, hoqën flamurin me yllin bolshevik, dhe ngritën flamurin pa yll, për tri ditë u bënë zotër të burgut. Burgu u rrethua me forca të shumta policore, të burgosurit u lanë pa ushqim e ujë, mbi ta u hodhën si bisha forcat speciale të sigurisë. Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp me egërsi nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake. Nxitësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit më aktivë u ndëshkuan me rritje të dënimit, ndërsa katër prej tyre u dënuan me pushkatim. Katër martirët e revoltës së Spaçit ishin: Hajri Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ndërkohë, rreth 110 të burgosur u ridënuan me 25 vjet.
Lamaj foli edhe për dënimin me vdekje të dy gazetarëve Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani. Më pas ai përshkroi revoltën e Qafë Barit të 21 Majit 1984, e cila nisi nga pakënaqësia dhe dhunë, përshkroi solidaritetin e të burgosurve për të mos lejuar policinë nën drejtimin e Edmond Cajës, që të ridërgonte në minierë dhunshëm të burgosurit që nuk kishin realizuar normën e lartë. Kjo solli konfliktin e dhunën, arrestimet dhe pushkatime, ku Sandër Sokoli vdiq nga torturat, ndërsa dhjetëra të burgosur u rrahën shtazërisht, për të arritur kulmin me pushkatimin e Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit.
Lamaj, ka denoncuar politikën shqiptare, institucionet e shtetit, që nuk kanë bërë asgjë për evidentimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Ai i ka bërë apel klasës politike dhe institucioneve shqiptare t’i kushtojnë vëmendjen e duhur të kaluarës komuniste 50 vjeçare, që mbolli vetëm terror, vrasje, ndau shqiptarët me luftën e klasave …
Për Lamajn shqiptarët nuk mund të ecin përpara pa hequr nga supet këtë turp dhe krim historik. Ai kërkoi dënimin e krimeve komunizmit.
Kryetari i Vatrës, Dritan Mishto, pasi vendosi buqetën me lule tek monumenti, përcolli mesazhin: “Nderojmë sot në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, kujtimin e viktimave të komunizmit, mes të të cilëve ka edhe shumë vatranë të nderuar, drejtues të saj dhe editorë të Gazetës sonë Dielli.
Për gjeneratat që vijnë pas, është shumë e rëndësishme njohja e tërë asaj epoke krimesh nga më çnjerëzoret. Ashtu, si këtu në Shtetet e Bashkuara, shoqëria shqiptare, partitë politike dhe mbarë strukturat e mendimit dhe opinionbërjes, duhet të qëndrojnë qartësisht në dënimin dhe distancimin nga këto krime, për të pasur një vështrim të sigurtë drejt së ardhmes.
Shpreh edhe njëherë respektin për Fondacionin e Viktimave të Komunizmit, me të cilin kemi një marrëdhënie të ngushtë, gjithashtu në mënyrë të veçantë përgëzoj organizatorin Pëllumb Lamaj, një personalitet me vlera të larta dhe i papërkulur, si dje në diktaturë, ashtu edhe sot në demokraci. Një falenderim i veçantë edhe për z. Mustafa Xhepa, drejtues i Shtëpisë së Lirisë Shqiptaro Amerikane.
Ju Faleminderit të gjithëve !”
Mustafa Xhepa, përcolli mesazhin në emër të Albanian-American Freedom House: Ai tha se: Eshtë nder dhe krenari për organizatën Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane të marrë pjesë në këtë cermoni të shënjtë, të organizuar nga heroi antikomunist Pëllumb Lamaj, ku do të kujtohen dhe nderohen të rënët, të mbijetuarit dhe heronjtë që luftuan dhe përballuan për një gjysëm shekulli armikun më të tmerrshëm të njerëzimit – komunizmin.
Ashtu siç ka thënë Presidenti Trump “Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë të rënët. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borxhin që kemi ndaj tyre. Por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata”. Ju zgjodhët “Perëndeshën e Demokracisë” të vendosim kurora, me të drejtë; ajo është simboli i qëndresës dhe shpresës, kur studentët kinezë protestuan në sheshin Tiananmen dhe përbindëshi komunizëm i shtypi me tanke, por ëndrrën për liri nuk ua shoi dot, lufta vazhdon.
Dekada më parë, 21, 22 dhe 23 maj, 1973 në Spaç dhe 22 maj 1984 në Qafë Bari, në kushte krejt të ndryshme, të rrethuar me tela me gjemba e kulla vrojtimi, të ruajtur ditë e natë me mitrolozë e qen kufiri nga ushtarë dhe policë të përzgjedhur nga tufa e ujqërvë komunistë, u ngritën luftëtarët e lirisë, antikomunistët shqiptarë, në dy revoltat më masive të burgjeve politike kundër perondorisë së djallit. Me gjakun e tyre të pastër, heronjtë lyen flamurin e Kastriotit dhe mbi shqiponjën e lirisë hoqën prangën që ia mbante krahët lidhur, yllin e diktaturës.
Krimit iu shkundën themelet, aty mori fill ëndërra evropiane për demokraci. I tmerruar, regjimi i shtypi me gjak e hekur, pushkatime e ridënime, por etjen për liri nuk ua shoi dot.
Sot ne përkulemi me nderim përpara këtyre dy revoltave heroike, që si margaritarë ndrisin faqet e historisë së kombit tonë dhe nga ky vend, tribunë e lirisë i bëjmë thirrje drejtësisë të dënojë masakrat e kryera nga kriminelët komunistë, përfundoi Xhepa.
Lekë Mirakaj, një nga të mbijetuarit e burgjeve të diktaturës, që e ka përjetuar revoltën e Qafë Barit, tha se ne jemi këtu për të përcjellë mesazhe të forta dhe të qarta. Populli ynë vërtetë ka nxjerrë heronj si Mic
Sokoli, Adem Jashari e shumë të tjerë, por një popull i lumtur nuk ka nevojë për heronj.
Në fakt heronjë ishin edhe ata që përballuan dhe iu kundërvunë diktaturës.
Për Lek Mirakaj ky tubim nderon viktimat , pavarsisht nëse qeveria e sotme dhe ato të djeshme e pëlqejnë ose jo.
Duke folur për revoltata, Lek Mirakaj, tha se shoqëria shqiptare, shteti dhe politika, duhet tu kushtojnë më shumë vemendje dhe t’u japin atyre vendin që u takon në historinë tonë Kombëtare. Ka qenë absultisht shumë e vështirë që të kërkoje liri e demokraci nën dhunë dhe i rrethuar me tela me gjemba, ata ishin heronj.
Duke u prononcua për Zërin e Amerikës, Mirakaj tha: “Ne sot këtu erdhëm për t’i dhënë një mesazh si opozitës ashtu edhe ekzekutivit. Ata mund të bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë, por brezat që do të vijnë janë të interesuar, pavarësisht të bijtë e kujt do të jenë. Do të kenë nevojë me mësu të vërtetën, ashtu siç po ndodh në tërë botën”.
Ish i burgosuri i regjimit serb gazetari Shaqir Salihu dëshmoi për vuajtjet në burgjet e ish Jugosllavisë,ku dhuna ishte po njësoj, ç’ka do të thotë se diktaturat kudo shtypin liritë njerëzore. Nuk kishte familje shqiptare, tha Salihu, që të mos kishte një të burgosur në burgjet e tmerrshme të Nishit, Pozarevacit, Sremska etj. Ai tregoi se si u arrestua në vitin 1966 nga forcat e sigurimit të Rankoviçit dhe si e torturuan, duke ushtruar dhunë të egër mbi të dhe ish të burgosurit e tjerë.
Një tjetër ish i burgosur politik, Naim Stravecka, që përjetoi revoltën e Qafë Barit, sjell dëshmi drithëruse për dhunën e ushtruar nga policia dhe forcat speciale të diktaturës. Ai e krahasoi regjimin diktatorial shqiptar me atë të Koresë së Veriut.
Naim Stravecka kujton se si nisi revolta, si shërbeu si shkas e më pas tregoi për barbarinë e dhunshme, për të cilën thotë se nuk e di nëse ka pasë ndonjë të ngjashme si kjo, nuk e di nëse janë trajtuar ashtu izraelitët nga nazistët?-pyeti zëshëm Stravecka.
Apeli i Naim Stravckës ishte i qartë:Viktimat e diktaturës ende nuk kanë parë drejtësi. Unë nuk dua, tha ai- të mbetem një viktimë e përjetshme, dua drejtësi. Aspiratat tona ende nuk janë arritë. Ne kujtojmë dhe nderojmë bijtë e Shqipërisë që u persekutuan, por shohim që persekutorët janë në pushtet dhe nuk kërkojnë as falje. Ne duam drejtësi, apeloi Stravecka.
Marko Gjoni, një ish i burgosur qysh fëmijë, denoncoi dhunën e diktaturës, por edhe politikën dhe ekzekutivin e sotëm, që nuk kanë bërë asgjë për dënimin e fajtorëve dhe atyre që kanë kryer krime.Unë u arrestova 15 vejç, tha ai, dhe komentoi përmes pyetjes: si ka mundësi që viktimat ende persekutohen nga ish perskutorët? Ai kërkoi që dënimet duhet të bëhen në mënyrë institucionale, duke gjykuar drejtësisht fajtorët. Enver Hoxha, kryekrimineli, ende ka gradat e Heroit! Kjo është absurde, tha ai. Gjoni bëri apel që njerëzit duhet të jenë të bashkuar në luftën kundër krimeve të komunizmit, dhe jo të vihen ballëpërballë, siç përpiqet politika të bëjë.
Me interes u përcoll mesazhi i shkrimtarit Visar Zhiti, ish i burgosur politik. Mesazhin e lexoi editoria për gjuhën angleze në gazetën Dielli, Rafaela Prifti. Në mesazh shkruhej: Është akt i lartë dhe me rëndësi që ju mblidheni në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Washington .D.C të superfuqisë më të madhe, kampion i lirisë dhe i demokracisë dhe i mbrojtjes së tyre kudo në botë, që të përkujtoni dhe të nderoni pranë Memorialit të Lirisë, kushtuar viktimave të komunizmit, dy revolta të të burgosurve politik në një vend të vogël dhe të largët, në Shqipërinë tonë.
Dy revoltat në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe të Qafë Barit tronditën diktaturën së brendshmi dhe ishin të vetmet kryengritje në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste.
Të burgosurit u ngritën jo vetëm kundër dhunës së rëndë, po dhe kundër mbylljes së Atdheut në bunkerin e diktaturës, duke kërkuar liri, me ëndrrën që Shqipëria të bëhej demokratike.
Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës i mbyti këto revolta me gjak dhe hekur, duke vrarë dhe ridënuar të burgosur, madje duke dënuar dhe vetë burgjet. Ne ishim të dënuar në vendin e dënuar.
Dhe ju po përkujtoni, po nderoni qëndresën duke ngritur lartë atë frymë që i parapriu pranverës demokratike në Shqipëri, që solli ndryshimin e madh, që në themele ka martirizimin e të përndjekurve, vuajtjet e të gjithë shqiptarëve.
Nuk mund të rrimë pa e thënë se ndodh që pikërisht kjo harrohet dhe nuk janë të paktë përfituesit nga vuajtja e të tjerëve, parti dhe institucione dhe shtoj me keqardhje dhe shqetësim, se ka dhe shenja të një revanshi të frikshëm nga ata që bënë diktaturën dhe që ushtruan dhunë apo pasuesit e tyre, që tani janë pasuruar apo kanë detyra gjithandej a kanë emigruar në botën Perëndimore, jo në Lindje, jo, nostalgjikë të asaj që historia e hodhi tej duke arritur deri aty sa të guxojnë të persekutojnë sërish të persekutuarit e tyre të dikurshëm në forma të tjera mashtruse.
Ne shpesh ndihemi të nëpërkëmbur e të braktisur, edhe nga vetvetja e lodhur, prandaj kjo që bëni ju sot është dhe shpresë, dhe moral, dhe qortim, dhe qytetari e lartë, mbrojtje e bashkëvuajtësve tuaj në Atdhe.
Nga SHBA gjithëmonë na ka ardhë mbështetja ekzistenciale si komb, frymëzimet për lirinë dhe prosperitetin e vendit. Aq më tepër tani, që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe SHBA-ja e shikon popullin shqiptar si aleat strategjik.
Me kurorat e luleve që keni sjellë sot, lutem që të bashkoni fjalët dhe urimet e mia!-Juaji-Visar Zhiti.
Mark Mrnaçaj, që u lind në kampet e internimit, i cili ka ardhë në këtë veprimtari përkujtimore së bashku me zonjën e tij, Kristinën, pasi vendosi një buqetë me lule në monumentin e viktimave, solli historinë e familjes dhe të fisit të tij, që u burgos, u internua, u përndoq për 45 vite me radhë. Marku solli historinë e babait të tij, Nikollës, që u burgos dy herë, për dy dekada, dhe pjesën e ndërmjetme, mes burgut të parë dhe burgut të dytë, e kaloi nëpër kampet e internimit, ndërkohë që një jave pas burgut të dytë, ai vdiq, si pasojë e torturave. Në apelin Mark Mrnaçajt, u kërkua drejtësi : Pranimi i krimeve prej atyre që ushtruan dhunë, kërkesa e faljes, pendesa, përbëjnë hapin e parë të pajtesës dhe shërimit të sëmundjes që mbartin shqiptarët, tha ai.
Anëtarja e Këshillit të Vatrës, një nga bashkorganizatoret e veprimtarisë, Merita B. McCormack, ka përcjellë me emocion, poezinë e shkruar në burg nga Pëllumb Lamaj”Statuja e Lirisë”.
Një pjesë prej ish të burgosurëve politik kishin ardhë së bashku me familjarët e tyre. Lek Miraka kishte ardhë bashkë me zonjën e tij, Doloresin e vajzën Matildë; Naim kishte ardhë me djemtë, Jimmin dhe Garyn me bashkshorten Lisa, të bijën e njërit prej qëndrestarëve të burgjeve Fatbardh Kupit, birit të heroit të 7 Prillit-Abaz Kupit; ndërsa Çezar Ndreu, pinjoll familjes Ndreu, që kaloi jetën në internim, edhe këtë herë, ashtu si në përkujtesat e përvitshme, ku ai ka qenë i pranishëm, ka marrë me vete të birin,Marlinin, student në Michigan State University, ku ai studion për Bussiness administration.
– Qëllimi i ardhjes së Marlinit këtu bashkë me mua është që dhe gjenerata e tretë të jetë e informuar dhe e ndërgjegjësuar për fytyrën e vërtetë të komunizmit vrasës, që të mësojnë se çfarë kanë hequr gjyshërit, prindërit, shqiptarët në tërësi,- thotë për Diellin Çezari.
Veprimtaria e 20 Majit pranë viktimave të komunizmit në Washington, u ndoq nga Zëri i Amerikës dhe dy editorët e gazetës DIELLI. Në fund pjesmarrësit kaluan një drekë bashkë, e cila u sponsorizua nga djemtë e Naim Straveckës, Gary dhe Jimmy.
***
Një natë para veprimtarisë, me 19 maj dega e Vatrës në Washington, kishte vendosur një kurorë pranë monumentit.
(Dielli i Printuar, Maj 2019)
Komentet