Në takimin e zhvilluar në fshatin Reç të Malësisë së Madhe me ish të burgosur dhe të përndjekur politikë, Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, tha se Unioni e ka shpallur 50 vjetorin e Revoltës së Spaçit si vitin e kujtesës kombëtare.
Revolta e Spaçit, ku vuanin dënimin një pjesë e madhe e të burgosurve politikë, përbën një pikë kulmore të qëndresës antikomuniste, e cila la gjurmë të thella duke u shoqëruar, disa vite më vonë, edhe me një tjetër revoltë, atë të burgosurve të Qafë Barit.
“Të burgosurit politikë në Spaç demonstruan dhe mbrojtën identitetin kombëtar, mbrojtën flamurin. Dhe, për atë flamur u sakrifikuan 4 figura të shquara dhe 180 burra u ridënuan si pjesëmarrës në revoltën e mbrojtjes së flamurit. Gjatë 32 viteve ne jemi ndeshur me një politikë pa asnjë lloj vëmendje ndaj këtyre eventeve, ndaj lirisë, ndaj paqes që përçuan të burgosurit politikë të Shqipërisë”, tha zoti Ndregjoni
Në burgun e Spacit, mes qindra të burgosurve politikë të kohës, kaloi 15 vite të dënimit të tij edhe Zenel Drangu, sot kryetar i degës më të madhe të shoqatës së ish të burgosurve politikë, asaj të Shkodrës.
“Atje ka qenë një keqtrajtim çnjerëzor si nga ana e ushqimit, ashtu edhe nga ana e trajtimit nga komanda dhe policia, për të burgosurit politikë. Puna ka qenë e detyruar për të nxjerrë 7 vagona me mineral dhe, në rast se nuk i ke nxjerrë 7 vagonat, ke përfundu në dhomën e izolimit. Ky ka qenë një keqtrajtim i jashtëzakonshëm nga ana e qeverisë së asaj kohe për të burgosurit politikë”, tha zoti Drangu.
Megjithë kërkesat e vazhdueshme të ish të burgosurve politikë për t’a shndërruar në muze, si vend të kujtesës kombëtare, institucionet shtetërore vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje.
“Kemi 32 vite që nuk kemi parë asnjë drejtues politik shqiptar dhe asnjë lloj qeverie shqiptare që t’u kërkojnë falje mbi 6 mijë shqiptarëve që u janë zhdukur kufomat. Kemi 32 vite që ne përçojmë paqen dhe përballemi me urrejtjen e politikës”, tha ai.
Revolta dy ditore e të burgosurve politikë në burgun famëkeq të Spaçit nisi më 21 maj të vitit 1973. Megjithëse u shtyp me dhunë, ajo pati jehonë të gjërë si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.