Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Janar 2024
Revista amerikane “Life and light for woman” ka botuar, në dhjetor të 1919, në faqet n°528 – 530, shkrimin e misionares Violet Bond Kennedy mbi gjendjen asokohe të shkollës amerikane në Korçë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Shkolla e vogël amerikane e Korçës
Nga Violet B. Kennedy
Për shkak të kushteve të paqëndrueshme në Korçë, ka qenë e pamundur që zonjusha Qiriazi, Pastori (Kristo Anastas Dako) dhe Znj. Dako të kthehen nga Amerika për të rihapur Shkollën e Vajzave, e mbyllur detyrimisht këto pesë e më shumë vitet e fundit. Ndërkohë, gjatë okupimit të saj nga z. Kennedy, u bënë përpjekje për të dhënë mësim në mënyrë modeste. Vetëm pas pushimeve dimërore, kur “gripi” spanjoll kishte pushuar së bëri kërdinë në qytet dhe zonjusha Fanka Efrin Stefanovitch, e lidhur me shkollën prej shumë vitesh, kishte mundur t’u vinte në ndihmë nga Manastiri, misionarët menduan se mund t’i dorëzoheshin dëshirës së disa prindërve për të rihapur një shkollë të vogël “përzgjedhëse” për anglisht dhe shqip.
Secili prej nxënësve që ju shikon në foto meriton një prezantim (shihni ballinën). Përballë është e vogla Endokia Themistokli Gërmenji, babai i së cilës u ekzekutua nën urdhrat e gjeneralit Saraïl (Saraj) në Selanik gati dy vite më parë. As ajo dhe asnjëri prej nesh nuk mund ta kuptojë se si ndodhi kjo. Ai ishte një patriot i shkëlqyer shqiptar – misteri mund të zbardhet pasi paqja të jetë vendosur plotësisht në Ballkan. E dyta është Emelia, nëna e së cilës është anëtare e kishës protestante në Manastir, por babai i saj, në Amerikë, praktikisht e ka braktisur familjen. Më pas në rreshtin e parë janë Afërdita dhe Skënderi, të lindur në Rusi, por që u desh të iknin nga bolshevikët pranverën e kaluar, dhe Vasili dhe Elena, gjithashtu shqiptarë me origjinë ruse, të cilët u detyruan të iknin dhe erdhën në shtëpinë e vjetër të prindërve të tyre bashkë me ta. Do të kënaqeshe t’i dëgjoje të këndojnë rusisht me zërat e tyre të ëmbël. Edhe tani gjatë muajve të verës këta shqiptarë me origjinë ruse vijnë të ushtrohen në piano, të cilën Elena e luan mrekullisht mirë për një vajzë të vogël. Shega Petro Nini, në të djathtën tuaj ekstreme, pret të shkojë në Amerikë vitin e ardhshëm për të përfunduar arsimin e saj. Ajo është e krishterë dhe do të bëhej një mjeke e mirë nëse mund të stërvitej për këtë. Shoqata e krishterë e Përpjekjes (Christian Endeavor Society) e krijuar së fundmi e ka zgjedhur atë si sekretare. Babai i saj ishte një protestant në zemër, dhe deri në vdekjen e tij tragjike i kushtonte përpjekjet e tij për ngritjen e bashkëqytetarëve të tij shqiptarë, mendërisht dhe moralisht.
Pas saj është Vasil Gërmenji, i cili ka humbur babanë (Themistokli Gërmenji) dhe xhaxhanë e tij (Telemak Gërmenji) për çështjen e lirisë. Sa e do Shqipërinë, për të cilën familja e tij ka bërë sakrifica të tilla ! Thomaida e vogël na u dërgua për të përmirësuar sjelljen e saj dhe për t’i mësuar anglishten. Është një atdhetare e vogël e fortë. Anthony Nicholls ka jetuar në Worcester, Massachusetts, por për shkak të shëndetit të keq u soll në shtëpi në Korçë nga prindërit e tij disa vite më parë. Ai është më i fortë dhe më i mirë tani dhe, oh, aq i etur për t’u kthyer në Amerikë për të përfunduar arsimin e tij. Zoti mund ta thërrasë atë në shërbesë, për të cilën ai tregon disa kualifikime.
Nicholas Chipi, “Big Boy” në shkollë, do të hyjë në Robert College këtë vjeshtë me synimin për të ndjekur kursin tregtar. Demeter Christopher sapo është nisur për në Boston, ku babai i tij është një prift shqiptar, por një burrë i ndritur. A nuk do të shfaqin interes miq të fortë të krishterë për këtë të ri të krishterë, i cili synon të studiojë për mjekësi, të përgatitet për një shërbim të dobishëm në Shqipërinë e tij të shtrenjtë ? Jeanne është një vajzë e vogël franceze, prindërit e së cilës dhe anëtarët e tjerë të familjes kanë bërë një punë kaq efikase në mësimin e frëngjishtes në shkollat shqipe të Korçës. Ajo është tani në Marsejë, ku dëshiron të përsosë përgatitjet e saj në anglisht për të hyrë në dyqanin e vëllait të saj si përkthyese. Ndoshta një ditë ajo mund t’ju shërbejë !
Pelagia (shqiptohet “g” e rëndë – Pelagjia) dëshiron gjithashtu të kryejë studime të larta. Margaret, një tjetër refugjate nga bolshevikët, është një vajzë e qetë, e butë që mund të flasë tre gjuhë dhe tani po studion anglisht. Maria Stavre, e cila prej dy vitesh e më shumë qan për vëllanë, e vetmja mbështetje për veten dhe nënën e saj, është një vajzë me parime të forta. E dorëzuar nën kontrollin e plotë të Shpirtit, ajo është e aftë të bëjë gjëra të mëdha për Të. Harriet Katsidha (Kacidha) duhet të vazhdojë me siguri në klasat më të larta të studimit sipas dhuntive të saj të veçanta. Babai i saj mund ta dërgojë së shpejti në Amerikë, ku ajo ka një motër në Worcester dhe dy vëllezër në Ohio.
Zonjusha Fanka Stefanovitch (Stefanoviç), në skajin e majtë të fotos, ende praktikon atë jetë të bukur dhe të qetë të krishterë, e cila ka dëshmuar të jetë një ndihmë e tillë për vajzat e reja që kanë rënë nën ndikimin e saj. Në krye të shkallëve janë dy përfaqësuesit e saj amerikanë, duke u lutur me zell që punëtorët më efikasë të vijnë dhe të ndihmojnë në korrjen e të korrave që po piqen. Këta të rinj janë të dashur për ta, por sytë e tyre janë kthyer nga qindra të tjerë me aftësi të ngjashme, që përfaqësojnë forcën dhe shpresën e Shqipërisë. A nuk do t’i ndihmoni që t’i kërkojnë dhe të luten që të zhvillohen në shkallën më të lartë të mundshme në përgatitjen për ardhjen e mbretërisë së Krishtit ?
“Krishterimi tregohet se është një besim i përhapur në botë.”