VOAL – LONDËR – Fituesja e çmimit Nobel Doris Lessing ishte nën mbikqyrje për më shumë se 20 vjet, gjatë rinisë së saj, nga ana e spiunëve britanikë, të cilët kishin këndvështrim të errët për bindjet e saj komuniste dhe aktivizmin anti-racist, siç zbulojnë dosjet e deklasifikuara të inteligjencës.
Lessing u vu për herë të parë në vëmendjen e agjentëve të zbulimit të kohës koloniale në vitin 1943 në Rodezinë Jugore, tani Zimbabve, ku ajo u rrit, dhe prej atëherë e tutje spiunët i mbajtën shenjestrat mbi të në Afrikë dhe Britani deri në vitin 1964.
Autorja e “Bllokut të artë të shënimeve”, një nga romanet më me ndikim të viteve 1960, u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2007. Ajo vdiq në vitin 2013, 94 vjeçe.
MI5, shërbimi inteligjent i brendshëm i Britanisë, kishte ndërtuar një dosje sekrete pesëvëllimëshe për Lessingun, dosje e cila tani është vendosur në Arkivat Kombëtare dhe është bërë publike të premten.
Një nga dokumentet më të hershme është një ekstrakt i kopjuar nga një letër e një zyrtari të Ministrisë Ajrore, datë 1944, në lidhje me ‘Klubin e librit të majtë’ të cilin Lessing e drejtoi në Salisbury, tani Harare, me burrin e saj të dytë Gottfried Lessing, një komunist gjerman.
“Shumica e temave të diskutimit zakonisht përfundojnë me shfryrje anti-britanike, anti-kapitaliste dhe anti-imperialiste,” shkruante zyrtari, duke vënë në dukje me shqetësim se “personat me thekse të huaja” janë përzier në klub me personelin e Royal Air Force.
Pas divorcit të saj nga Gottfried, Lessing u zhvendos në vitin 1949 nga Rodezia në Londër, ku agjentët e sigurimit ranë në gjurmët e saj.
Në vitin 1952, agjencia e spiunazhit të jashtëm, MI6, tregoi një interes për një vizitë që ajo bëri në Bashkimin Sovjetik me një delegacion të shkrimtarëve britanikë të krahut të majtë, duke siguruar një shënim që mbahet në dosjen e MI5.
“Simpatitë e saj komuniste kanë shkuar pothuajse deri në pikën e fanatizmit për shkak të edukimit të saj në Rodezi, çka ka sjellë tek ajo një urrejtje të thellë ndaj dallimit racial,” thotë shënimi, duke iu referuar të drejtave të kufizuara të zezakëve afrikanë.
“Shfrytëzimi kolonial është temë e saj e dashur dhe ajo tani pothuaj bërë … e papërgjegjshme në deklaratat e saj … duke thënë se çdo gjë e zezë është e mrekullueshme dhe se të gjithë burrat dhe të gjitha gjërat e bardha janë të egër.”
“PRAKTIKAT E PAMORALSHME”
Disa prej kartave vjetore të anëtarësisë në Partinë Komuniste të Britanisë së Madhe të viteve 1950 të Lessingut janë në dosje.
I tillë ishte interesi tek ajo sa agjentët me kujdes prenë një reklamë vogël të vendosur nga Lessingu në vitin 1955 në gazetën komuniste Daily Worker, ku reklamohej strehim i lirë për një grua me një fëmijë e cila mund të shoqërojë djalin e saj më të vogël, Peter.
Një raport i janarit 1956, dorëzuar në MI5 nga Dega Speciale e Policisë Metropolitane të Londrës, i përshkroi mënyrën militante të jetesës dhe kontaktet e saj në terma të dyshimta.
“Banesa e saj është vizituar shpesh nga persona të kombësive të ndryshme, duke përfshirë amerikanët, indianët, kinezët dhe negrit,” thoshte raporti.
“Disa prej vizitorëve duket se qëndrojnë në banesën e saj me ditë tëra pa ndërprerje dhe disa prej vizitave janë bërë nga çifte me sa duket të pamartuar,” vuri në dukje Dega e veçantë, duke përfunduar rëndshëm: “Është e mundur që apartamenti është duke u përdorur për praktika të pamoralshme. ”
Më vonë atë vit, dosja dokumenton se si Lessing la Partinë Komuniste në protestë ndaj mbështetjes së saj për shtypjen e kryengritjes hungareze nga forcat sovjetike. Pas kësaj, interesi i MI5-së në aktivitetet e saj filloi të venitet, edhe pse dokumente të reja janë shtuar në dosjen e saj deri në vitin 1964.
Kohë më vonë, duke folur për vitet e saj si anëtare e Partisë Komuniste, Lessing ka thënë: “Unë nuk mund ta kuptoj pse isha aq syleshe.”/Përktheu: Skënder Buçpapaj
Komentet