Trajneri italian i Shqipërisë, Gianni De Biasi nuk lodhet duke thënë se ylli kryesor i skuadrës është ekipi, por Etrit Berisha dallohet nga ata përreth tij, jo vetëm për shkak të gjatësisë së tij 1.94 metra, shkruan Reuters.
Reuters për portierin e kombëtares së Shqipërisë thotë se Berisha ishte bërë i pëlqyeri i fansave që nga pritjet e tij në paraqitjen e parë, që i siguroi atij të veshë fanellën për kualifikimet e Evropianit.
“Jemi vërtet me fat që ai luajti në të gjitha takimet”, ka thënë ish-trajneri i Shqipërisë, Astrit Hafizi për Reuters.
“Ai është një nga yjet, ndoshta kryesori. Jam shumë i bindur kur them se do të kishim vështirësi shumë të mëdha nëse ai nuk do të luante në ndonjërën nga ndeshjet”, ka shtuar Hafizi.
Reuters më tutje shkruan se Berisha edhe në nivel klubi kishte ndihmuar në pjesën tjetër të fushës kur ishte ekzekutues i rregullt i penalltive te klubi suedez Kalmar FF, kur ai me sukses e kishte vazhduar karrierën pas transferimit nga vendlindja, Kosova.
Më 2013 ai kishte nënshkruar me Lazion, me ç’rast ka pasur konkurrencën e Federico Marchettit për vendin startues.
Ndërsa te Shqipëria ai së bashku me disa nga shokët e skuadrës pritet të sigurojnë një platformë solide rreth të cilëve do të ndërtohet ekipi në Francë.
“Ai është i shkëlqyer, çelësi, ai sjell siguri. Nuk më kujtohet ndonjë nga gabimet e tij, nëse është dikush në ekipin tonë që nuk bën gabime, ai është Berisha”, ka thënë gazetari sportiv, Denion Ndrenika për Reuters.
Përkundër kësaj Ndrenika ka kritikuar Berishën, duke thënë se ai duhet të jetë më agresiv ndaj vijës së fundit të mbrojtjes dhe se ai duhet ta komandojë atë pasi ka pamje më të mirë se kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana.
“Performanca personale e tij ka qenë e pastër, por ai duhet të jetë më agresiv në menaxhimin e mbrojtësve. Ai shpesh i lë atë rol kapitenit Lorik Cana, por është ai që ka pamjen më të mirë të mbrojtësve, prandaj është portieri që duhet të tregojë vendosmëri”, ka shtuar Ndrenika.
Komentet