Në titullin e një artikulli në faqen e saj të parë, Gazeta Shqiptare më vë në gojë fjalën “grek renegat”, me të cilën zëdhënësi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare cilëson një ndihmës anonim të Nilo Catalano-s për ta fyer dhe, tërthorazi, për të përdhosur veprën e misionarit italian. I tronditur nga kjo gjuhë, shkrova një shënim në facebook për të shpjeguar shkurtimisht profilin e Nilo Catalano-s dhe sidomos për të kritikuar përdorimin e koncepteve anakronike me të cilat synohet të zvogëlohet përmasa kulturore e kësaj çështjeje historike që diskutohet sot. Kam kritikuar veçanërisht barazimin “besimtar ortodoks = shtetas grek”, i cili jo vetëm që është i pavërtetë, edhe pse nuk i referohet drejtpërdrejt Nilo Catalano-s, por shtrembëron historinë dhe të drejtat e besimtarëve ortodoksë të atëhershëm dhe të sotëm: për ata të atëhershmit, mjafton të kujtoj se “Greqia” asokohe nuk ekzistonte, ndërsa për ata të sotmit do thënë se besimtarët ortodoksë për të qenë të tillë nuk kanë nevojë të marrin më parë shtetësinë greke. Nga ana tjetër, ka edhe shtetas grekë që nuk janë detyrimisht besimtarë ortodoksë.
Tani po parashtroj një shtjellim më të hollësishëm mbi veprimtarinë e Nilo Catalano-s dhe të misionit fetar që ai udhëhoqi në Himarë dhe në rrethinat e saj. Vitin e kaluar pata privilegjin të shkruaj një parathënie të përkthimit shqip të veprës Murgjit Bazilianë të Italisë në Shqipëri. Shënime mbi misionet në Himarë (shek. XVI-XVIII), botimet “Naimi”, Tiranë. Autori i kësaj vepre, atë Nilo Borgia, edhe ai misionar në Shqipëri gjatë viteve ’30 të shekullit të shkuar, rindërtoi historinë e kësaj faqeje të historisë kulturore arbëresho-shqiptare dhe nxori në dritë përmes dokumenteve rolin që luajtën ata murgj për kujdesin shpirtëror dhe material të popullatës së krishterë përgjatë brigjeve veriore të detit Jon, sidomos të Himarës dhe rrethinave të saj. Misioni zuri fill, sikurse e thotë nëntitulli i librit, gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI dhe vijoi me ulje e ngritje gjatë dy shekujve që vijuan. Misioni u intensifikua në periudhën mes fundit të shek. XVII dhe gjysmës së parë të shek. XVIII, kur Vatikani vendosi t’u përgjigjet kërkesave dhe lutjeve të shumta që i vinin nga himarjotët. Dokumentacioni i gjerë që ruhet në Arkivin e kongregatës Propaganda Fide na lejon ta rindërtojmë me siguri shkencore këtë fazë të dytë të misionit. Në vitin 1692 iu drejtuan Sekretarit të Shtetit të Vatikanit “gjashtë mijë [të krështerë] të popullit të Himarës, të cilët ankoheshin për faktin se nuk kishin dërguar më misionarë, duke dëmtuar kështu mbarëvajtjen e Kishës së tyre”. Nga një tjetër dokument i mëvonshëm mësojmë se “Krahina e Himarës ka dërguar katër përfaqësues për t’i paraqitur Shenjtërisë së Tij, Papës, nevojat shpirtërore dhe tokësore të atyre banorëve, duke u shprehur gjithnjë tepër besnikë ndaj Selisë së Shenjtë”. Zgjidhja e këtij problemi iu besua Nilo Catalano-s, i cili u ngarkua të udhëhiqte një mision të ri në Himarë.
Lind pyetja: kush ishte Nilo Catalano?
Nilo Catalano ishte një sicilian prej një fshati të provincës së Mesinës (sipas biografit Menniti ishte nga Castania, sipas studiuesit Pietro Pompilio Rodotà ishte nga Massa). Me prejardhje familjare ndoshta spanjolle (sikundër del nga mbiemri që është shumë i përhapur në Sicili edhe mes arbëreshëve), Catalano do të ketë lindur aty nga viti 1637. Në vitin 1659, Nilon 22-vjeçar e gjejmë si murg në manastirin e famshëm të Grottaferrata-s, të themeluar nga San Nilo. Pak më vonë transferohet në manastirin bazilian të Munxifsit (it. Mezzoiuso) me detyrën e lektorit. Borgia saktëson se Catalano “nuk ishte as shqiptar dhe as prej Orientit me origjinë, por u bë i tillë prej vullnetit të hekurt që e karakterizonte”. Përveç greqishtes së vjetër dhe asaj popullore, studioi me pasion të veçantë edhe shqipen, gjuhë në të cilën shkroi disa vjersha tetëvargëshe që sot na kanë mbërritur përmes Kodikut të Kieutit (1736-1739) të Nikollë Filjas, edhe ai prift nga Munxifsi. Sipas Zef Skiroit, Catalano la edhe një dorëshkrim të vëllimshëm, që sot konsiderohet i humbur, i cili përmbante një gramatikë dhe një fjalor të shqipes.
Në vitin 1682 Catalano u emërua nga Vatikani si vizitator apostolik dhe u dërgua në Korsikë me detyrën të kujdesej për nevojat e kolonisë greke që ishte vendosur aty pasi kishte zbarkuar në vitin 1676 në Gjenovë. Pasi qëndroi për tre vjet në Korsikë, një sëmundje e shtrëngoi të kthehej për t’u kuruar në Grottaferrata. Dy vjet më vonë u kthye në Sicili, me detyrën e Abatit të Manastirit të Munxifsit, manastir ky që ishte themeluar në vitin 1607 posaçërisht për formimin e murgjve sipas disiplinës orientale, falë edhe ndihmës së murgjve nga Kreta që u dërguan aty për këtë qëllim. Me këtë formim dhe përvojë që kishte Nilo Catalano, kuptohet lehtë pse Selia e Shenjtë zgjodhi pikërisht atë për ta dërguar si Misionar në Himarë.
Me anë të një letre të datës 29 gusht 1692 Catalano e pranoi detyrën e re dhe “të dielën e datës 4 të muajit janar 1693 [ai] u shugurua në kishën e Kolegjit të Propagandës Fide, sipas ritit bizantin, prej imzot Onofrio Costantini-t, arkipeshkvit të Dibrës, i dërguar në Shën Athanas”. Në pranverën e vitit 1693, i shoqëruar nga murgu i ri arbëresh Filoteo Zassi, Catalano mbërriti në Korfuz. Më 10 maj u njoftua se “mbërriti në krahinën e Himarës imzot Nilo Catalano, arkipeshkëv i Durrësit dhe Vikar Apostolik, i cili ndaloi për të kaluar verën në selinë e Dhërmiut, që është një vend i shëndetshëm dhe i bollshëm me ujëra dhe ku ka vërejtur se nevoja për kulturë shpirtërore është më e madhe, meqenëse kjo gjë u është mohuar këtyre njerëzve prej gati 23 vitesh pas largimit të misionarëve apostolikë”.
Me të mbërritur në Dhërmi, Catalano i dërgon një relacion Selisë së Shenjtë, ku përshkruan gjenden e mjerë ekonomike të popullsisë, padijen e thellë dhe përzierjen e pafalshme të riteve, duke theksuar pikat kritike mbi të cilat, sipas tij, duhej ndërhyrë menjëherë. Mjafton të lexohen pjesët e relacionit që sjell Nilo Borgia për të pasur një kuadër të qartë të vështirësive më të cilat iu desh të përballej Catalano që përgatiti një plan ndërhyrjeje sa largpamës aq edhe të qartë.
Catalano informonte Vatikanin se i kishte dhënë “përparësi ngritjes sërish të shkollës për të rinjtë dhe fëmijët për t’u mësuar të gjithëve Doktrinën e Krishterë”. Saktësojmë këtu se mësimi i katekizmit zhvillohej në gjuhën shqipe, sipas një tradite që kishin themeluar arbëreshët në Sicili qysh nga viti 1592 kur Lekë Matranga ngriti shkollën e parë të katekizmit në arbërisht. Mirëpo edhe më parë, së paku qysh nga viti 1584, në Veri të Shqipërisë dhe në viset e Kosovës së sotme ishin hapur shkolla katekizmi në shqip nga vizitatori apostolik Comuloviç. Ky zhvillim përbënte një kthesë të rëndësishme, sepse pranohej zyrtarisht nga Selia e Shenjtë përdorimi i gjuhës shqipe për shqiptarët e Himarës dhe rrethinave të saj, duke u njohur atyre një të drejtë që pushtuesit osmanë ua kishin mohuar. Shkolla e katekizmit pati sukses. “Pas gjashtë muajsh që ndodhet në Dhërmi, ku jetojnë 1850 frymë, ngriti shkollën me tetëdhjetë të rinj, të cilët mësojnë ndër të tjera edhe Doktrinën e Krishterë në ditët e diela”.
Catalano punoi mes vështirësish dhe pengesash të mëdha. Përveç trysnisë dhe kërcënimeve të osmanëve që synonin t’ua ndërronin fenë shqiptarëve, atij iu desh të përballej edhe me armiqësinë e kishës ortodokse. Megjithëkëtë, Catalano vijoi në rrugën e tij me synimin e qartë të mbante hapur dialogun ekumenik me ortodoksët, i mbështetur fuqimisht edhe nga popullsia himarjote: “Këtu po presin ipeshkvin ortodoks të dioqezës, Theofanin, nga qyteti i Janinës, i cili vjen për të mbledhur taksat e zakonshme që vjelin prej këtyre popujve. Kapedanët dhe Pleqtë e kësaj zone, nëse do të vërejnë që ai do të shfaqë pakënaqësi ndaj qëndrimit tim këtu, janë të gatshëm ta përzënë dhe të mos i japin asgjë prej çka i intereson. Unë do të përpiqem me të gjithë autoritetin tim që të ruaj qetësinë dhe të mos ketë përplasje. Nëse më pas ai do të këmbëngulë me përbuzjen e tij dhe nuk do të mbetet i kënaqur, do t’i bashkohem dëshirës së popullit, i cili prej nderit që u ka bërë Selia Apostolike, prej përfitimeve që kanë prej saj nga dita në ditë, prej miqësisë që kanë lidhur me krahinën e Pulias nëpërmjet Kishës Romane, përkrahin dhe përhapin autoritetin e Papës në të gjitha kuvendet që bëjnë hera-herës”.
Veprimtaria pastorale dhe ekumenike e Catalano-s përfundoi me vdekjen e tij në maj të vitit 1694. Trupi i tij u varros në praninë e të gjithë priftërinjve të zonës në kishën e shën Thanasit, ku ai kishte shërbyer për gjithë ato vite. Pas më se tre shekujsh, kujtimi i këtij burri dhe i veprës së tij, që na dëshmohet nga dokumente të shumta arkivore dhe nga disa libra të botuar gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar, na vë përpara një urdhërese morale dhe kulturore: të vëmë në vend të vërtetën historike kundër çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar dhe përdhosur atë.
Kisha e Shën Thanasit, siç dokumentohet nga fotografitë e kohës, është një faltore e vjetër që ka qenë administruar gjithmonë e pa ndërprerje nga të krishterët katolikë të ritit lindor. Deri në vitin 1972 mbeti në këmbë, para se tërbimi ateist i regjimit komunist ta shkatërronte. Ajo kishë duhet rindërtuar medoemos, duke respektuar ligjet e shtetit, por edhe historinë, kulturën, besën dhe kujtimin e të parëve.
Nisma e lavdërueshme e autoriteteve të pushtetit lokal të Himarës dhe e qeverisë shqiptare për të nderuar varrin e Nilo Catalano-s dhe për të vënë në vend të vërtetën historike, për fat të keq është ndeshur me një kundërshtim që shtrembëron historinë fetare të atij vendi. Meqenëse unë jam nga një vend që ka vuajtur shumë nga ndërtimet e paligjshme në dëm të traditave kulturore, mendoj se respektimi i ligjit, bashkë me respektimin e së vërtetës historike, është një nevojë e domosdoshme për çdo vend të qytetëruar.
Si laik nuk kam asnjë paragjykim ndaj çdo feje a riti, përkundrazi, uroj dhe shpresoj që mes tyre të kultivohet dialogu dhe të lulëzojë harmonia, sepse të gjitha fetë përpiqen për shëndetin dhe mirëqenien shpirtërore të besimtarëve. Personalisht krenohem me njohjet dhe miqtë e shumtë që kam mes klerikëve dhe besimtarëve ortodoksë dhe myslimanë. Vërtet i respektoj besimtarët që ushtrojnë të drejtën e tyre t’i falen e t’i luten Perëndisë që zgjedhin, por nuk kam pikën e respektit për të gjithë ata që, në emër të Zotit, përpiqen t’u imponohen të tjerëve. Përfitoj nga ky rast për t’u bërë thirrje besimtarëve dhe autoriteteve kishtare të solidarizohen me popullin shqiptar të Himarës, të lënë mënjanë zënkat e pakuptimshme fetare e t’i japin uratën projektit të rindërtimit të Kishës së Shën Thanasit. Komuniteti ortodoks i Dhërmiut, nëse ka vërtet nevojë për një kishë të re, mund të kërkojë leje dhe autorizim nga organet kompetente për ta ndërtuar atë në një vend tjetër.
Si arbëresh nuk mund të ndihem veçse i lumtur për angazhimin e të gjithë atyre që përpiqen t’u japin zë “shekujve të heshtjes”, atyre shekujve që mbollën farën e ringjalljes shpirtërore dhe qytetare të shqiptarëve. Nuk jam nacionalist, aq më pak shovinist, por nuk mund të lë pa theksuar rolin që luajtën ata murgj – shumë prej të cilëve ishin arbëreshë nga Sicilia – që e paguan shpesh me jetë përpjekjen për t’i shkolluar shqiptarët e Himarës në frymën e krishterimit, si edhe për të mbajtur gjallë tek ata gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Falë punës së atyre murgjve edhe arbëreshët e shekullit XVIII rizbuluan identitetin e tyre etnik dhe kulturor duke i hapur rrugën Rilindjes shqiptare. Të mohosh atë që ngjau në Himarë mes fundit të shek. XVII dhe gjysmës së dytë të shek. XVIII nuk do të thotë vetëm të përdhosësh kujtimin, kulturën dhe identitetin e atij populli, por, ç’është më e keqja, do të thotë të shtrembërosh të vërtetën historike dhe t’ua mohosh atë të vërtetë brezave të ardhshëm. Këtë nuk duhet ta lejojmë!
Së fundi, si studiues, afërmendsh që nuk mund të pranoj pohimet vulgare dhe prepotente që këto ditë kanë mbushur gazetat dhe rrjetet sociale. Çështja ka të bëjë me rishkrimin e saktë të historisë, për të cilën flitet prej vitesh në Shqipëri, por pastaj nuk bëhet asgjë. Një popull ka të drejtën e patjetërsueshme ta njohë historinë e vet. Meqë ra fjala për të drejtat, po shtoj se autori i këtyre radhëve, i angazhuar prej dekadash në mbrojtjen e të drejtave të arbëreshëve në Itali, ka qenë gjithmonë në favor të njohjes dhe respektimit të të drejtave të pakicave, pra, edhe të atyre grekofone në Shqipëri. Nga kjo pikëpamje e gjej me vend kërkesën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë drejtuar qeverisë shqiptare dhe shpreh gatishmërinë të vë në dispozicion përvojën time të gjatë në lëmin e mësimdhënies së gjuhëve minoritare. Shpresoj që një qëndrim të ngjashëm të mbajë edhe qeveria greke, duke vënë në dispozicion përvojën e saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave të Greqisë, si ajo arvanitase, që jeton prej shekujsh në territorin e shtetit të sotëm grek. Edhe ky do të ishte një shembull i respektimit të të drejtave për të cilin flasin kartat dhe konventat europiane.
Komentet