“Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë plot shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”.
Faik Konica
Gjuha përbën elementin (komponentin) kryesor të kulturës në planin sociologjik. Në këtë kuptim eleminimi i gjuhës çon në eleminimin e një kombi. Aq më tepër kjo përbën rrezik për popujt e vegjël që historia për arsye ekonomike politike e sociale i ka shpërndarë anë e kënd botës. Nuk bën përjashtim në këtë mes as Shqipëria pushtimi i vazhdueshëm i së cilës nga fuqitë e mëdha ka pasur ndër të tjera, synimin e të mosfolurit dhe të mosshkruarit të gjuhës shqipe dhe as të hapjes e të funksionimit të shkollave është një histori tashmë e provuar ndër shekuj mbi shkronjat dhe analfabetin tonë.
Rilindësit dhe forcat përparimtare,
duke mbrojtur gjuhën shqipe kanë mbrojtur dhe mbrojnë kombin tonë
Kjo është aq e vërtetë sa po të mos ishte këmbëngulja e përpjekjet maksimale, vërtetësia dhe mençuria, zgjuarsia intelektuale dhe patriotizmi i rilindësve tanë të mëdhenj e shoqëruar edhe me mbështetjen e popullit tonë trim e arsimdashës, gjuha e bukur dhe e pasur shqipe në mos do të ishte asimiluar së paku do të ishte sakatuar. Nuk mund të lihen jashtë vëmendjes as roli i klerit në tërësi e veçanërisht i atij Katolik në veçanti, para së gjithash në Shqipërinë e veriut, në ruajtjen nga ndikimet e huazimet e huaja, të cilat shkallë- shkallë do të copëtonin e shkatërronin gjuhën tonë deri në atë masë sa në Shqipëri mund të shkohej deri në të folurit e një sllavishteje të gjymtuar ose të një turqishteje të çalë. Ja pse ne kemi respekt të veçantë për De Radën, frashëllinjtë, At Shtjefën Gjeçovin e Negovanin për Fishtën e madh e dhjetëra rilindës fetarë në besim për kombëtar të mëdhenj, aq sa për shkronjat e të shkruarit dhe të folurit shqip sakrifikuan çdo gjë, edhe jetën e tyre, në këtë kuptim dhe me këtë vlerësim ne u jemi atyre mirënjohës për çdo gjë që ata bënë për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për ta pasuruar atë.
Sot ne kemi një gjuhë letrare shqipe të njehsuar, të ndërtuar mbi bazën e vlerave më të mira të dialekteve kryesore, për të cilën ka rezerva e njëanshmëri në trajtimin e saj, të miratuara këto nga studiues të bunkerizuar mendërisht e politikisht, që parapëlqejnë krahinizmat dhe që përfaqësojnë grupe sociale nga më të ndryshme. Që gjithsesi besojnë se teoritë e tyre për nevojën e besimit në të folur dhe në të shkruar nuk do të ngjasi asnjëherë pasi ajo ka marrë fund tashmë konfirmimin institucional të gjuhëtarëve më të aftë të Shqipërisë dhe të trevave ku banojnë shqiptarët. Duke mbajtur këtë parim, ne nuk jemi nacionalist në ruajtjen dhe në transmetimin e traditës, të normave e të vlerave kulturore, simboleve dhe kulturës materiale duke përfshirë gjuhën tek brezat pasardhës çka duhet përgëzuar e përshëndetur shqiptarët e Kosovës, Malit të zi, Maqedonisë disa vende të Evropës dhe të Amerikës. Ndryshe ndodh shqetësimi tek qindra fëmijë emigrantë shqiptarë tek flasin në shtëpitë e tyre greqisht, anglisht, italisht e ku ta dimë se ç ‘gjuhë tjetër, por vetëm shqip jo. Jo vetëm shteti dhe institucionet e tij kanë për këtë përgjegjësi, por edhe familjet e tyre që siç duket disa prej tyre, e kanë ndoshta druajnë të deklarohen se janë shqiptarë.
Lidhur me procesin e gjatë dhe objektiv të rritjes së kulturës gjuhësore të një kombi, A.Xhuvani, që në vitet 50-të të shekullit të kaluar shkruante: “Solocizmat janë gabime të pafalshme, të cilave duhet tu reshtemi aq sa edhe gabimeve të tjera. Për këtë duhet një studim i thellë dhe i plotë i gramatikës së përdorimeve … duhet të ndiqet edhe përdorimi i gjallë i popullit, edhe autoriteti i shkrimtarëve klasik. Ta kufizosh gjuhën në një cak të ngushtë shkrimi, kjo veç që e bënë gjuhën të lidhshme dhe pedentare, po është edhe një punë kundër natyrës së saj, pasi gjuha hynë në ligjet e evolucionit e nuk mund të shkarkohet pas dëshirës së një pale”.
Respekt dhe dashuri të vazhdueshme
për gjuhën shqipe, për brezin e sotëm dhe brezat që vijnë.
Evropa e ka ndërruar me kohë formulën e didaktikës së gjuhës, duke përcaktuar drejtime të reja në fushën e emancipimit gjuhësorë.
Kanë kaluar më shumë se një shekull dhe sot, në punët e gjuhës, problemet me delikate dhe më të mprehta zënë fill që te interesimi i fëmijëve e të rinjve në shkolla e fakultete. Duhet të tregohemi vërtet të kujdesshëm për të njohur mirë pasurinë gjuhësore në të cilën ata nisin shkollën. Vetëm kështu, mësues e nxënës, mund të përshkojnë së bashku udhën drejt gjuhës amtare dhe drejt gjuhëve të mëdha të kulturës evropiane.
Libri i prof. dok. Gj. Shkurtaj “Si të shkruajmë shqip”, edhe pse kanë kaluar 12 vite nga botimi i tij, është një pasuri tjetër në fondin e veprimtarisë kombëtare dhe një apel për mësuesinë shqiptare në përgjithësi e administratën publike në veçanti. Pra, ka ardhur koha për ndjenjë e pasion, dashuri të lartë e, mbi të gjitha, respekt dhe vlera të mëdha për këtë thesar. E parë nga këta faktorë, të cilët duhet të njihen mirë, nga se kjo fushë e dijes është shenjë e parë dalluese e veçantisë kombëtare, brezat e sotëm dhe ato që do të vinë të dinë se kemi kapërcyer shumë shekuj përpjekje të këtij kombi, për t`i vënë këto në themelet e duhura e të shëndosha, të cilat qëndrojnë në ditët e sotme. Po për këto piketa ndërtimesh, është derdhur shumë gjak dhe është paguar shumë shtrenjtë gjuhësia shqiptare nga stërgjyshërit dhe gjyshërit tanë.
Këtu më shumë se njëqind vjet më parë, Xhuvani, hapur thoshte për daljen në dritë të një gjuhe letrare të njësuar, pra të krijuara mbi baza të shëndosha letrare. Ai mbetet burrë i madh me zë e me nam në fushën e dijes gjuhësore. Por puna e këtij dhe shumë xhuvanëve të tjerë të gjuhësisë së sotme shqiptare, që i kanë dhënë dhe i japin kombit në fushën e dijes dhe të urtësisë për ç’do lami dhe këshillat e tyre nuk janë të kapshme e të rrokshme tek disa intelektual, mësues dhe punonjës të mediave të shkruara, të cilët po i fusin brirët gjuhës së sotme të njësuar.
Prof. Xhuvanit nuk i vinte fare rëndë që t`i shtrijë dorën për punën e madhe që kishin bërë në gjuhë dhe për gjuhën dy vëllezërit, Naimi dhe Samiu. Edhe Noli, me urtësinë që e karakterizonte për vlerat njohëse të gjuhës e të kombit, pati thënë: “Lëvizja për të ngritur gjuhën shqipe në shkallë kombëtare nisi në Toskëri. (shih F.Agalliun, në “Gjuhën e Nolit”, Tiranë 1999). Këta dy dijetarë të mëdhenj, Xhuvani që i takonte të folurës veriore, ndërsa Noli i përkiste të folurës jugore, nuk vuanin nga bajraktarizmi as nga fise e klane shqiptare, të cilët i kapërcyen për t`u mbajtur kombi i patundur vetëm në saj të gjuhës së njësuar, për të cilën ballafaqohemi sot, aty këtu, edhe me telashe dhe shpeshherë edhe me synime ndarëse. Duke lexuar mediat e sotme, njeriut të ndershëm i bëhet sikur gjuha e sotme letrare standarde, e përcaktuar 50-vjet më pare, ka mbetur vetëm në letër, nuk ka arritur përgjegjshmëri ligjore dhe penalizuse, siç duhej të ishte. Ky shqetësim duhet të shoqërohet gjithnjë me një propagandë dinamike, ku vetë gjuha amtare të vlerësohet me maksimumin e kërkuar, e studimet mbi shqipen letrare të zënë vendin e merituar.
Si ja bëri Naimi i madh,të cilit s`i gjen dot asnjë barbarizëm në veprën e vet? Po Noli që mori guximin dhe solli në shqip Servantesin, Shekspirin dhe Khajanin? Po Konica, Kuteli, Poradeci, Xoxe, Agolli, Kadareja e plot të tjerë? Këta mjeshtra të fjalës, e gjetën të pa t“harur arën e fjalës, ama fjala u ndrit në fjali, prozë e poezi. Shëndoshja e mbrojtja e gjuhës standarde mund të bëhet me masa të prekshme energjike prej mendjesh që mendojnë tamam shqip e prej zemrave që rrahin shqip. Gjuhën shqipe e kemi ndër më të vjetrat e më të mëdhatë e kontinentit.
Mbrojtja e gjuhës shqipe të mbështetet edhe në ligje shtetërore
Gjuha shqipe është, sot e mot, pasuri kombëtare bazë. Vetë proceset e hapjes, bashkëpunimit dhe të integrimeve rajonale ndërkombëtare, detyrimisht i japin mundësi edhe shqipes së folur dhe të shkruar të ecë natyrshëm në zhvillimin e pasurimin e saj me simotrat e shumë vendeve të BE.
Është fatalitet për ato vende me popullsi të vogël si Shqipëria, të shoqëruarit me rrezikun e depërtimit dhe përdorimit, vend e pa vend, të huazimeve në dëm të fondit autokton, duke kaluar shpesh në varfërimin e gjuhës letrare kombëtare. Këto marrëzi, që më mirë i njeh publiku, na shiten si gjetje gjuhësore moderne (!). ky është një agresivitet i hapur gjuhësor. Është koha të pranojmë dhe të përpiqemi për të vënë nën kontroll, duke ngritur barriera, miratuar ligje dhe ngritur struktura të posaçme, për ta mbajtur të pastër shqipen, që është pasuria më e madhe dhe e patjetërsueshme me të cilën krenohemi.
Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizmit, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë të mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët, nipërit e mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht kur lindin dhe ekzistojnë, i mundëson shkolla që është institucioni bazë i mësimdhënies së gjuhës letrare dhe detyrë parësore ka të mësuarit e saj, e që sjell si rezultat aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve për ta komunikuar e shkruar saktë.
Më shumë vëmendje dhe masa konkrete
për mërgimtarët dhe fëmijët e tyre
Për shqiptarët emigrues, me gjithë përpjekjet e ruajtjes së saj, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për fëmijët mërgimtar. Është normale që, duke jetuar në një shoqëri ku flitet e shkruhet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe e shqiptimit të shqipes. Fëmijët po projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten. Pra emigrimi në përgjithësi dhe ai i fëmijëve në veçanti, krahas të mirave, mbart me vete edhe rrezikun e një asimilimi gradual të gjuhës, sidomos tek fëmijët shqiptar që jetojnë e mësojnë aktualisht në emigrim.
Faktet ekzistuese të një kombi përcaktohen, në fund të fundit, nga gjuha. Popullsia e një vendi që për arsye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallë herë nuk e flet gjuhën e vet amtare, është e prirur të rrezikohet, pasi gjuha ka qenë e mbetet një ndër komponentët kryesorë të kulturës së një kombi. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi vertikal, humbet sigurinë e bëhet më skeptik ndaj vetvetes.
Gjuha shqipe ka një zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur, ka tingull të veçantë dhe mjaft impulsive. Shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve indo-evropiane, pra veçohet si një ndër më të vjetrat në Evropë dhe Ballkan. Këtu më vjen ndërmend një thënie e një mërgimtari: gjuha është e vetmja armë që vërteton që jemi shqiptar!
Studimi i shqipes është i lidhur ngushtë me interesin kombëtar
Në Shqipëri dhe diasporë gjuhësia krahasimtare ka patur arritje me vlera të mirëfillta shkencore dhe gjithnjë gjuhëtarët tanë të nderuar hedhin dritë në raportet e shqipes me gjuhët e tjera. Studimi i shqipes, përveç interesit shkencor, është i lidhur ngushtë me interesat tona kombëtare. Qëndrojmë para një fakti shumë të bukur, shumë interesant, që jo vetëm gegërishtja, por edhe gjuha e diasporës, sidomos e arbëreshëve të Italisë, tek e cila, në mes shumë barbarizmave, gjenden thesare të vërtetë, janë format më të vjetra të shqipes. Këtu kujtojmë përpjekjet gjashtëdhjetëvjeçarë të prof. Shkurtaj, si njeri i nderuar, pasionant, intelektual me interes të paparë shkencor, studiues dhe hulumtues i gjuhësisë shqiptare në tërësi dhe arbëreshëve të Italisë ne veçanti. Domosdoshmëria e ndryshimeve sa vjen e rritet. Kërkohet të kemi impenjim historik për këtë çështje, duke u bazuar edhe në përvojën e vendeve euroatlantike, pasi dhe lëvizja e lirë e këtyre njëzet vjetëve i ka zgjeruar kontaktet e shqiptarëve me gjuhët e kulturat e popujve të tjerë.
Në këto 112 vjet të Pavarësisë Kombëtare, realiteti i shoqërisë shqiptare ka fituar qytetarinë në fushën e gjuhësisë. Ajo ka gurgulluar dhe sjell ujëra nga lashtësia e shekujve, ku shqipja ka plazmuar mendimin, ka marrë forma të personaliteteve që nga mendimi i Naimit, Çajupit, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Migjenit, Poradecit e deri tek ai i Qoses e Kadaresë. Indiferentët dhe dembelët dhe ata që s’respektojnë parimet e gjuhës standarde shqipe, që nuk vazhdojnë rrugën e Rilindësve tanë, historia do t`i dënojë. Nga Bostoni i Amerikës, Konica shprehej: “Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë plot shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”.
I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri kur, në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd!