Me katër ditë para komitetit të parë elektoral të garës paraprake republikane të vitit 2024, thuajse të gjithë kandidatët që kanë pak shpresa për të fituar janë tërhequr.
Chris Christie, ish-guvernatori i Nju Xhersit, u tërhoq të mërkurën pasi pranoi se “nuk kishte rrugë” për të për në Shtëpinë e Bardhë. Tërheqja e tij pritet të nxisë Nikki Haley-n e cila është ende në garë.
Por sondazhet duket se nuk shqetësojnë Ryan Binkley-n, një drejtor ekzekutiv i një banke investimesh për të cilin pothuajse askush nuk ka dëgjuar dhe i cili ka drejtuar një fushatë paraprake republikane që në prill.
Binkley tha për The Telegraph se ai ende mendon se perspektivat e tij janë “shumë të mira” dhe tha se ka marrë më shumë donacione që kur kandidatët e tjerë janë tërhequr.
“Duam që të kemi një pjesëmarrje të madhe dhe të befasojmë kombin,” tha ai. “Duam të bëjmë shumë mirë.”
“Kemi pasur një rritje të parave të reklamave. Kur kishte 15 kandidatë, na mungonin kriteret për debatin e parë vetëm për disa njerëz. Kështu që u tërhoqëm nga reklamat sepse është një fushë e mbushur me guvernatorë dhe miliarderë”.
Binkley tha se ekipi i tij ka rekrutuar rreth 300 folës për komitetet elektorale të Iowa-s të hënën, duke i dhënë atij përfaqësim në të gjithë shtetin dhe duke e lënë atë në vendin “e katërt ose të pestë” ndërsa fushata shkon në New Hampshire.
Garat presidenciale në SHBA janë të mbushura me kandidatë që kandidojnë për herë të parë dhe që shpresojnë të hyjnë në politikë e të provojnë të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë, dhe është kjo është një veçori e njohur e sistemit politik amerikan që çdo qytetar amerikan mbi 35 vjeç mund të kandidojë – nëse i ka paratë.
Komiteti elektoral i Iowa-s është vota e parë republikane në vend, dhe pretendentët e tjerë kanë shpenzuar miliona në një fushatë elektorale të sofistikuar, duke synuar të dhënat e votuesve dhe ekipet e njerëzve që kërkojnë mbështetje.
Kandidatët kryesorë po zhvillojnë aktivitete çdo ditë, me shpresën për të takuar sa më shumë votues të jetë e mundur, dhe për të udhëtuar në shtet – i cili është sa madhësia e Anglisë – me autobusët e fushatës të mbushur me mbështetës.
Ata gjithashtu marrin mbulim kombëtar të shtypit përmes pjesëmarrjes së tyre në debatet televizive, në të cilat z. Binkley nuk është ftuar të bashkohet.
Iowa ka një ndikim të madh në garën e përgjithshme sepse vendos tonin e zgjedhjeve paraprake dhe mund të rezultojë që kandidatët të marrin më shumë mbështetje në votat e mëvonshme, ose të tërhiqen plotësisht.
Pak kandidatë që s’kanë shumë shpresa qëndrojnë në garë, por z. Blinkey, një pastor dhe biznesmen 56-vjeçar nga Teksasi, thotë se dëshiron ta kthejë SHBA-në në “ditët e mrekullueshme të së kaluarës”.
Shembujt e tij të lavdisë së dikurshme përfshijnë fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe urdhrin e Ronald Reganit të vitit 1987 për Mikhail Gorbaçovin për të “shembur këtë mur”.
“Nuk kemi pasur diçka të tillë në 20 e ca vite – kemi pasur ndarje,” tha ai.
“Kemi pasur një plan të keq financiar, drejtues që na fusin në 34 trilionë dollarë borxhe pa pasur rrugëdalje. Jemi në telashe financiare.”
Babai i pesë fëmijëve tha se do të vazhdonte të mbështeste Ukrainën si president, por do të shpresonte që të përfundonte luftën nëse do të fitonte Shtëpinë e Bardhë.
“E dini çfarë? Momentet më të mëdha të vendit tonë kanë qenë kur kemi mbështetur njëri-tjetrin për lirinë,” tha ai.
“Ne duhet të mbështesim NATO-n; duhet të mbështesim aleatët në të gjithë botën perëndimore.”
Është e vështirë të matet suksesi i fushatës së zotit Binkley pasi shumica e anketuesve nuk shqetësohen ta vendosin atë në listat e tyre të kandidatëve të mundshëm në sondazhe.
“Ata duhet të më kushtojnë vëmendje sepse do të dëgjojnë për ne,” tha ai. “Unë besoj se do ta befasojmë Iowa-n, do të bëjmë mirë, duam të përfundojmë më katër ose pesë vendet e para e të vazhdojmë para.”
Në dukje i pakënaqur nga mungesa e njohjes politike, Binkley tha se ai nuk po e përdorte fushatën e tij për të tentuar të gjente një punë në kabinetin e një kandidati tjetër të suksesshëm presidencial – dhe po kandidon vetëm për presidencën.
“Nuk po kërkoj këtë,” tha ai. “Unë jam drejtor ekzekutiv i një banke investimesh. Kam një jetë të mirë. Jam i bekuar. Këtë kandidim e ndiej si një thirrje, po e bëj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”sn