Reporterë pa Kufij iu përgjigj pretendimeve të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama se raportet për dhunimin e medias në Indeksin për Lirinë e Shtypit në Botë për vitin 2021 ishin “gënjeshtra” e “fantazi”, duke përgënjeshtruar deklaratat e tij.
Shqipëria ra 20 vende në të 103-tin, pozicioni më i ulët në histori, një lajm që nuk i pëlqeu Ramës. Ai shkroi në Twitter se nuk ka intimidim të medias, nuk ka procese gjyqësore kundër gazetarëve, nuk ka paketë anti-shpifje, nuk ka dhunë policore dhe sulme politike, si dhe shtoi se nuk ekziston një gjë e tillë si vetë-rregullore etike në media.
Pavel Szalai, kreu i sektorit për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin, nxori një deklaratë ku theksonte se metodologjia ka ndryshuar nga 2020 më 2022 dhe se Shqipëria ka humbur vende pjesërisht për shkak të kësaj dhe pjesërisht për shkak të ngjitjes së Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, ai ishte i qartë që “në periudhën e matur nga indeksi, liria e shtypit është përkeqësuar në mënyrë të dukshme në Shqipëri”.
Ai vazhdoi duke hedhur poshtë secilin prej pretendimeve të Ramës.
“Së pari, gazetarët e vuajnë vërtet dhunën policore. Shembuj nga 2021 dhe fillimi i 2022 janë këtu, këtu dhe këtu. Më vonë gjatë 2022, policia vazhdoi përdorimin e forcës arbitrare kundër gazetarëve (këtu dhe këtu). Përveç dhunës policore, gazetarët kërcënohen nga mafia ose online, ndërsa autoritetet reagojnë me ngadalësi, siç ishte rasti i gazetares Alice Taylor”, shkroi ai.
Szalai më tej shtoi se “ndryshe nga sa deklaron kryeministri, gazetarët sulmohen politikisht në mënyrë të rregullt në Shqipëri”. Ai vuri në dukje krahasimin e bërë së fundmi nga Rama i medias online me nazistët, pedofilët dhe terroristët gjatë një konference të OSBE për lirinë e medias.
Ai përmendi edhe emërimin nga Rama të njerëzve të tij në role mediatikë kyç në institucione shtetërore dhe theksoi se paketa “e rrezikshme” anti-shpifje është ende pezull në parlament. Szalai shtoi “në këtë kontekst, kryeministri dështoi më 2021 të ofronte garanci se centralizimi i ri i komunikimit në qeverinë e tij nuk do ta pengonte të drejtën për t’u informuar”, duke iu referuar Agjencisë së Medias e Informacionit.
E fundit, për vetë-rregulloren që Rama thotë se nuk ekziston, Szalai theksoi se “do të doja edhe njëherë të lavdëroja përpjekjet e Aleancës për Media Etike për krijimin e një platforme për vetë-rregullore etike, një iniciativë e çmuar për përmirësimin e etikës së medias, që është një problem serioz në Shqipëri”.
Edhe Komisioni Evropian reagoi pas pyetjeve të bëra nga Exit. Një zëdhënës tha se Komisioni i ka vënë re rezultatin, duke thënë se “respektimi i këtyre të drejtave themelore është në thelbin e politikave tona dhe pjesë kyç e kritereve të anëtarësimit, të cilat vlerësohen vazhdimisht përmes procesit të anëtarësimit.
Zëdhënësi shtoi se po monitorohet procesi dhe përpjekjet e kërkuara për konsolidimin e mbrojtjes së medias në Shqipëri.
Një ditë pasi Rama mohoi sulmet politike ndaj gazetarëve, Reporterë pa Kufi raporti një sulm të tijin kundër reporteres së Syri TV, Ambrozia Meta.
Meta e pyeti Ramën për rënien e Shqipërisë në Indeksin e RSF dhe ai iu përgjigj se ajo kishte nevojë të “riedukohej”. Kjo erdhi pasi ai kishte vendosur një embargo dymujore kundër saj, duke e ndaluar efektivisht nga komunikimi me të pasi ajo e pyeti për arrestimet e dy anëtarëve të Partisë Socialiste.
RSF shkroi se “një embargo informative kaq skandaloze nuk ka vend në një shtet që dëshiron të hyjë në BE”.
Komentet