VLERAT QË E MADHËSHTOJNË NJERIUN DHE TOKËN SHQIPTARE…!
Kishte kohë që kishim biseduar unë, Tahir Bezhani dhe Ismet Krasniqi-Lala për ta vizituar qytetin e Bajram Currit. Ishin shumë arsye për këtë vizitë, duke filluar nga historia e Krahinës së Tropojës, nga vlerat shpirtërore, kulturore dhe historiografike që e madhështojnë këtë pjesë të tokës shqiptare, e që kanë çfarë të shpalosin dhe të tregojnë edhe për të kaluarën, edhe për të sotmen, edhe për përpjekjet që bëhen e mund të bëhen shumë më shumë për t’i afirmuar të gjitha të arriturat e këtushme në të gjitha fushat. Pra, edhe në fushën e kulturës, në ç’drejtim Tropoja gjithmonë ka dhënë shumë figura të shquara, që ka edhe tash shumë të tjerë, punën e të cilëve duhet afirmuar dhe duhet mbështetur e për t’u vënë një themel të mirëfilltë dhe meritor.
Pra, ishin këto disa nga arsyet që kishim vendosur që ta vizitojmë qytetin Bajram Curri edhe në këto ditë janari me diell por edhe me acar bukur të sertë.
* * *
Qyteti Bajram Curri, histori dhe bukuri që mahnit
Dhe, shpeshherë, planifikimet e kësaj natyre bëhen behtë preras e pa ditur se ku do të dalë mesazhi, caku dhe arsyeja. Këtë ditë të diel, Ismeti (Ismet Krasniqi-Lala) ishte nisur në mëngjes herët nga qyteti i Klinës për në Pejë për të më marrë mua dhe për ta vazhduar rrugën për në Gjakovë, ku na priste Tahiri (Tahir Bezhani). Ismeti, si gjithnjë, edhe kësaj radhe ishte i përpiktë dhe tamam në orën e duhur që ishim marrë vesh, ishte “mbirë” tek dera e shtëpisë sime. Edhe unë isha i gatshëm dhe nuk kisha dëshirë që asnjë sekondë Ismeti të mos priste te dera.
Janë këto detale të tepruara apo të bukura dhe plot kërshëri për këtë vizitë, por që besoj se gjatë do të mbahen në mend, apo edhe nuk do të harrohen kurrë. Pasi u përshëndetëm me njëri-tjetrin me “mirëmëngjesi”, hymë në makinë dhe ia mësymë turravrap për në Gjakovë. Duke pasur parasysh se ishte shumë herët, Ismeti kishte qenë i kujdesshëm dhe na kishte marrë qebapa me samun, dhe më tha që kur të mbërrijmë në Gjakovë, bashkohemi me Tahirin dhe pasi që ta kalojmë Qafën e Morinës, respektivisht “kufirin”, diku brenda në tokën e Shqipërisë do të ndalemi dhe do të hamë mëngjes. Ashtu edhe ndodhi…
Kur arritëm te kufiri, polici, megjithatë nga i kërkoj dokumentet e identifikimit. E kryem edhe këtë formalitet dhe ia mësymë rrugës për në Bajram Curri. Por siç u morëm vesh, u ndalem në një vend ku dukeshin madhështitë e alpeve shqiptare të stolisura me borë, u ndalëm, më shumë për të bërë foto sesa për të ngrënë mëngjesin. Dhe sa bukur i përjetësuam në foto të gjitha këto bukuri duke i begatuar ato edhe me fytyrat tona. Bënte acar, por kjo nuk më linte përshtypje dhe as era që dukej se ta priste fytyrën si me brisk, dhe nuk më ndaloi që të dalë nga makina dhe ta ha ushqimin duke e shijuar me atë ajër dhe me frymë të tokës së shqiponjave!
Njeriu, i cili e do tokën shqiptare, e do Tropojën e do dhe e ka në zemër Nokshqin…
Kaloi edhe kjo, gjithnjë sipas planit. Gjatë rrugës bisedonim edhe për letërsi, edhe për histori, edhe gjendjen aktuale pothuajse në të gjitha trojet shqiptare. Por, cili ishte qëllimi kryesor i kësaj vizite. Më duket se ishte shumë me peshë, shumë shpirtëror dhe para se gjithash shumë madhështorë dhe domethënës. Kishim ndërmend ta vizitonim një burrë të kësaj ane, që me nëntëdhjetë e shtatë vite moshë, ishte shndërruar në histori, në etje për kombin dhe atdheun për t’i parë mirë, unikë dhe duke dashur njëri-tjetrin. Njeriun i cili i tëri ishte shndërruar në dashuri për njeriun dhe për miqtë, e që t’u thotë atyre shumëçka për shekullin e tij, për të gjitha ato që i ka përbrenda e kurrë ndoshta nuk mundi t’i thotë ashtu siç di e do vetë. Njeriu, i cili e do tokën shqiptare, e do Tropojën, e do dhe e ka në zemër Nokshqin. Të gjitha këto ishin shkas që edhe ne, edhe kësaj radhe të bëhemi pjesë e shpirtit të tij, pjesë e shkrumbit dhe e asaj që quhet barrë mendjeje, që do ngarkon njeriun!. Ky është Shaban B. Nokshiqi.
Pasi arritëm në Bajram Curri, kthyem te hoteli-turizmi për ta pirë nga një kafe, por që edhe gjatë këtij pushimit ta informojmë edhe familjen e Shabanit se kishim ndërmend që t’i kalojmë disa qaste me te. Edhe këtë e rregulluam si është më së miri. Por, në ndërkohë, erdhi si befas te tavolina jonë, Zenun Hysenukaj, një krijues, një poet me vargun e hollë dhe plot ndenja shpirtërore dhe me mesazh të ngrohtë, ashtu siç di poeti të shprehet për të gjitha ato që ia ngacmojnë mendjen dhe shpirtin. Ai, u ul disa minuta me ne dhe pasi e pyetem njëri-tjetrin për mirëqenien dhe shëndetin, u ngrit dhe më tha se do të m’i sillte disa nga librat e tij. Dhe, “Kujtime të fjetura”, “Ku ikën ti vetja ime” e “Largoi stinët nga fytyra jote”, ishin titujt e tri veprave të z. Hysenukaj, që pa i lexuar, dua të them se shpërfaqnin madhështinë krijuese dhe njerëzore të tij. Ky krijues, kuptova se po punonte në hotelin ku ne po pinim kafe. Ishte kuzhinier i përkryer, poeti, i cili më bëhej se edhe në atë moment muza e ngacmonte për të thurë vargje, për t’i kënduar tokës plot zjarr historie, njeriut të përcëlluar për dashuri e liri…
Na luti për të ngrënë diçka, por ne nuk ishim për ushqim pasi që gjatë rrugës i kishim “bitisë” samunat me qebapa, që na i kishte blerë Ismeti. Megjithatë, Hyseni na i kishte qerasë kafet qe i pimë dhe u përshëndetem për t’u parë përsëri.
Në vizitë te njeriu-shekull, Shaban B. Nokshiqi
Tani, në të arrirë në Bajram Curri, gjatë tërë kohës na shoqëronte Kujtim Hajdarmataj, një njeri me zemër të bardhë, një gojëmbël, një njeri me bagazh të intelektit dhe të diturisë. Ky ishte daja i Tahir Bezhanit, dhe për këtë arsye, por edhe më shumë për afërsinë shpirtërore që kishte me ne, edhe ne i thoshim, daja Kujtim.
Tash, u drejtuam për tek banesa e Shaban Nokshiqit, i cili, për shkak të moshës së tij e dija se do na prishte i shtrirë në krevat. Ashtu edhe ndodhi. Trokitëm në derë, dhe aty doli vajza e madhe e Shabanit, Hasime Demiri, e cila për momentin kujdesej për babanë e saj. Ishte një malësore e vërtetë dhe mikpritëse e pashembullt.
Në dhomë hyra i pari, pastaj Tahiri, Ismeti dhe daja Kujtim. Në të takuar të shikimit me Shabanin, pothuaj se në të gjitha anët shpërthyen lotët. Plaku-shekull, nuk i mbante dot lotët e burrërisë, të malësorit, por edhe të njeriut që mosha ia detyron lotin dhe dhembjen. Sepse, gjë normale, është i vetëdijshëm për “sosjen” e moteve. U tubuam të gjithë rreth divanit ku ishte i shtrirë, të gjithë kishim diçka si plumb në zemër e në shpirt.
I thash se qenka mirë, por ai sërish ia plasi vajit duke më thënë se “ishin bërë” vjetet! Por, të gjithë përpiqeshim që këtë realitet ta zbukuronim me fjalë e me gjëra që i përkasin shpresës por edhe lumturisë…
Bëmë foto të shumta aty, që më dukej se secila shkrepje për foto shndërrohej në vulë të asaj që nuk harrohet por që edhe nuk kthehet as dot nuk përsëritet. Foto bënim të gjithë me telefonat që i kishim, por Shabani kishte dëshirë që e bija e tij, Hasmija, të bënte foto edhe nga telefoni i tij. Kështu edhe ndodhi. Ngadalë, kështu u harxhuan minutat e takimit me Shaban Nokshiqin. Edhe në këtë çast nuk munguan shkrepjet për foto, që mua më dukej si diçka lamtumirëse, si diçka që dhemb, si diçka që të humb para syve dhe nuk e sheh kurrë më…!
U përshëndetëm me plakun-shekull, dhe unë sërish dola i pari nga banesa, sepse, sikur diçka më gërryente përbrenda që dot nuk mund ta shpjegoja.
Ta kujtosh krijuesin e qetë dhe të mirëfilltë dhe gjithnjë modest, Haki Zllamin, është madhështi që edhe ndërgjegjëson
Ikëm edhe nga ky takim, mund të them i jashtëzakonshëm por domethënës dhe plot dokument. Dhe, tash me dajën Kujtim e lamë që të shkojmë tek varri i krijuesit e poetit tropojan, z. Haki Zllami, dhe t’i vëmë disa lule të freskëta. U nisëm, por daja Kujtim na solli para një restoranti dhe sikur na detyroi për të drekuar, e që kjo s’ishte gjë tjetër veçse bujari shqiptare që nuk shuhet kurrë. As sot, as nesër…, sepse kjo i ngjanë lumit që u përballon të gjitha furtunave të shekujve, gjë të cilën nuk e kanë edhe popujt tjerë!
Gjatë drekës shkëmbyem shumë mendime, të cilat për temë, kuptohet se e kishin mirëqenien, fatin dhe historinë e njeriut tonë i cili gjatë rrugëtimit jetësor, s’do mend se ka shumë të meta dhe gabime që na kanë kushtuar e po na kushtojnë. Edhe dhembshme është kjo, por ndoshta edhe diçka që nuk falet…!
Te varri i Haki Zllamit, ose, vepra as varri kurrë nuk do humbet…
Tash nisemi për në varrezat e qytetit Bajram Curri. Me makina hymë brenda tek varrezat. Aty na priti një njeri trup gjatë, i cili si duket ishte punëtor dhe mirëmbajtës i varrezave. Ai na ndihmoi që pa mund ta gjenim varrin ku preheshin eshtrat e mikut dhe shkrimtarit e poetit, Haki Zllami, të cilin gjithnjë e kujtoj si një njeri të urtë dhe gojëmbël, i cili këndimin poetik e lidhe gjithnjë edhe me rëndësinë e arsimimit të kombit, në të cilën fushë kishte dhënë kontribut të pamohueshëm.
Tahir Bezhani, Ismet Krasniqi-Lala dhe Sejdi Berisha mbi varrin e Haki Zllamit vunë lule me ngjyra të ndryshme, që ishte simbol i madhështisë dhe i jetës së tij plot kolorit…!
Ia përkëdhela fotografinë në granit dhe sikur doja t’i kërkoja falje që nuk kisha pasur mundësi të marrë pjesë në përcjelljen e tij për në shtëpinë e përhershme dhe as të marr pjesë në ngushëllime…!
Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha duke vënë lule te varri i Haki Zllamit
Por, më kujtohet një shkrim që kisha shkruar në vend të përkujtimit për Haki Zllamin, me 27 korrik të vitit 2022, që një fragment të shkurtër po ia bashkëngjis këtij shkrimi: atë shkrim e kisha titulluar ”Madhështia e dashurisë dhe e respektit e njeriut ndaj atdheut, i cili ligjëroi që edhe varret kurrë të mos zhduken…”!
Sa herë që jam takuar me këtë njeri, i cili brenda vetes ka vetëm bardhësinë dhe lumturinë e fatin e njeriut, e veçmas të atij të Tropojës për edhe të tokës dhe të atdheut të tij, biseda nuk ka se si të mos fillojë me dashamirësi për kulturën, për vlerat shpirtërore dhe historiografike, që janë pesha e përhershme e bisedave tona për shkak të fatit historik të kombit dhe të atdheut.
Kujtim Hajdarmataj, Tahir Bezhani dhe Sejdi Berisha te varri i krijuesit, Haki Zllami
Por, që të kujtosh krijuesin e qetë dhe të mirëfilltë dhe gjithnjë modest, Haki Zllamin, ka shumë kujtime, ka shumë biseda e vlera që kanë qenë temë e bisedave, por ka edhe shumë dhembje e mall që i bisedonim dhe i bartnim së bashku në zemër e shpirt, sepse, njeriu ynë ende është i etur për lumturinë, për lirinë e plotë dhe për mëvetësinë në aspektin e zhvillimit të vlerave kulturore, arsimore, shkencore dhe ekonomike sikurse edhe të gjitha kombet tjera
…O fisnik i trojeve shqiptare, o njeri i Tropojës, o mik i shtrenjtë, Haki Zllami, prehu i qetë se je vulë e historisë që nuk shlyhet, dhe siç ke shkruar edhe ti: “Kurrë varri nuk do humbet”!
Pastaj, këtu u përshëndetem me varrin e këtij krijuesi, për çfarë, kjo vizitë qytetit Bajram Curri i ishte dedikuar edhe takimit shpirtëror me këtë njeri fisnik…
Këtu u ndamë edhe me dajën Kujtim dhe iu falënderuam që gjatë tërë kohës ishte me, që na lehtësoi dhe madhështoi edhe vizitën në Bajram Curri.
Me makinë u nisëm për në Gjakovë, dhe në të arritur në këtë qytet të traditës dhe kombëtares, Tahiri insistoi që ta pinim nga një kafe në Çabrat. Kthyem në restorant te Çabrati i cili ishte përplot mysafirë, e pimë nga një kafe, kuptohet, duke biseduar për përjetimet e sotme por duke biseduar edhe për letërsinë dhe krijimtarinë tonë, edhe për të arriturat dhe problemet që e përcjellin letërsinë dhe kulturën kombëtare.
Këtu e përfunduam këtë ditë që me siguri se do mbahet gjatë në mendje dhe në zemër. Tahiri iku për në shtëpinë e tij në Gjakovë, kurse unë dhe Ismeti morëm rrugën për në Pejë, respektivisht, Ismeti iku për në Klinë.
E tërë kjo ishte kënaqësi shpirti, ishte dhembje për shumë arsye, ishte një diçka që me fjalë dot nuk kapërthehet…!