Që në orët e para Shkodra është zgjuar nën petkun e një dite historike. Italia, kombëtarja e futbollit që shkodranët kanë ndjekur për vite e vite me radhë ka zbarkuar në qytetin shqiptar “alla” italian. Qyteti gumëzhin e kryefjalë është ndeshja e madhe Shqipëri-Itali, e para në historinë mes këtyre dy skuadrave si ndeshje zyrtare.
Mbrëmjen tek hoteli dhe gjatë ditës interesi për azurrët është i madh. Ka ardhur Italia dhe të gjithë duan të kenë një kujtim me kolosët e futbollit botëror. Nuk është thjeshtë një ndeshje futbolli por shumë më shumë, një ndeshje që lidh historinë e një qyteti të tërë me shtetin fqinj. Rrugët janë të mbushura dhe atmosfera e ndezur. Orët e paradites nisin vrullshëm. Nostalgjiket, tifozët e dashamirës të Italisë kanë realizuar ëndrrën e tyre.
Katër Kupat e Botës të azurrëve janë shijuar nga shkodranët të cilët kanë patur mundësinë t’i shohin nga afër gjatë ekspozimit në teatrin “Migjeni”. Historia e shumëvjeçare e futbollit e një kombi si Italia është ulur në Shkodër, qytetit shqiptar që ka lidhjet më forta se kushdo tjetër. Përjetimet e atyre që kanë parë katër Kupat e Botës kanë qenë tejet të forta. Janë të emocionuar e ka prej atyre që derdhin lotë.
Kryesisht 50-60 vjeçarët e sipër, më të rinjtë kujtojnë thjeshtë 2006-ën herën e fundit kur italianët ngritën një kupë bote. Kupat kanë qëndruar deri në ora 19:00 dhe me qindra tifozë por edhe sportdashës të futbollit italian i kanë shijuar. Disa prej tyre nuk u besonin syve se përballë kanë katër kupa bote. Brezat, shumë prej tyre në vitet e diktaturës komuniste pranuan që të bëjnë edhe burg vetëm e vetëm për të parë ndeshjet në kampionatet europiane apo botërore kur luante Italia. Shumë të tjerë edhe u internuan vetëm se ndiqnin fshehurazi sfidat e Italisë.

E sot pas atij kalvari vuajtjesh kanë një histori tjetër, atë të gëzimit dhe mundësisë për të parë katër kupa bote. Orët ecnin e bashkë me të edhe ankthi për përballjen e madhe mes përballjes së Shqipërisë me Italinë. Natyrisht të gjithë sportdashësit italian të futbollit në mbrëmje bënë tifo fuqishëm për kombëtaren shqiptare por pa lënë mënjanë asnjëherë dashamirësinë për azurrët. Bufon apo Kielini janë më të preferuarit por pa harruar edhe pjesën tjetër të lojtarëve italian.
E teksa orët kalojnë qyteti bëhet gati për sfidën e madhe. Grupime të ndryshme tifozësh, nga fëmijët e deri tek të moshuarit të gatshëm për t’i lënë qetësinë qytetit dhe për të shkuar në stadium. Tifozët janë të zjarrtë por edhe të gëzuar si rrallë në ndonjë ndeshje sepse Shqipëria ka përballë Italinë dhe jo një kombëtare tjetër.
Ka edhe tifozë italian, rreth 1200 në total që mbërritën në Shkodër. Asnjë problem, asnjë incident, përkundrazi italianët mikëpritën në Shkodër si në shtëpinë e tyre. Janë lidhje të hershme, nuk kanë se si ta shohin veten si kundërshtar mes një populli që gjeti derën e hapur në Itali si askund tjetër apo italianët që më shumë se kushdo mikëpritën dhe krijuan lidhje me shqiptarët.
Rezultati për shumëkënd nuk ka edhe aq shumë rëndësi sepse përballë janë dy popuj mik! Shkodra e tregoi veten duke nderuar një komb të tërë shqiptar edhe si një falenderim për fqinjët italian!
Nga Senad Nikshiqi
Komentet