Sali Berisha ka refuzuar dje të dëshmojë përballë Komisionit parlamentar të ngritur për çështjen e CEZ-it.
Ai ka shkëmbyer replika me Taulant Ballën, pasi për shkak të akuzave të vazhdueshme të këtij të fundit ndaj tij dhe familjes, Berisha kërkonte që pyetjet t’ja drejtonte dikush tjetër.
Gjë që nuk është pranuar, çka ka sjellë dështimin e marrjes së dëshmisë së Berishës.
Më poshtë replikat e plota të shkëmbyera dje.
Arben Ristani: Duke qenë se sot është thirrur për të dëshmuar z. Berisha, unë mendoj që në kushtet kur ky Komision ndjek rregullat e procedurës penale. Në këtë kod, neni 17, ka të bëjë me heqjen dorë të gjyqtarit kur ka konflikt interesi.
(Hyn Berisha në mbledhje)
Taulant Balla: Nuk e kemi thirrur akoma dëshmitarin.
Sali Berisha: S’ka nevojë.
Taulant Balla: Dëshmitar, zër vend se po flet nënkryetari i Komisionit.
Arben Ristani: Atëherë në rastin konkret midis kryetarit të Komisionit dhe anëtarëve familjarë të z. Berisha ka pasur çështje penale që janë zgjidhur me vendim gjykate ku ju jeni deklaruar fajtor për shpifje ndaj të afërme. Jeni në kushte të konfliktit të interesit. Do t’ju kërkoj që në pyetjen e z. Berisha të jepni dorëheqjen dhe të mos e drejtoni ju.
Taulant Balla: Për këtë çështje mund t’i drejtoheni një institucioni tjetër që ka emëruar përbërjen e Komisionit, pra Kuvendit. Meqë dëshmitari është paraqitur, ta pyesim.
Arben Ristani: Edhe një herë ju kërkoj të hiqni dorë nga drejtimi i Komisionit, se jeni i dënuar nga gjykata për shkak të një konflikti me të afërmin e z. Berisha dhe për shkak të këtij konflikti ju nuk mund ta drejtoni këtë seancë.
Balla: Mbledhjen e drejtoj unë. Me duar në xhep në Komision nuk vihet. Dua të sqaroj se unë nuk kam asnjë vendim gjykate të humbur me vendim përfundimtar. Bini vendimet e gjykatës.
Berisha: Mashtrim. Mashtrim. Je dënuar me vendim të formës së prerë. Do sjell vendimet e gjykatave.
Balla: Sillni vendimin. Z. dëshmitar, mos e prishni këtë seancë. Na lini të bëjmë punën parlamentare njëherë.
Berisha: Është i dënuar me vendim të prerë.
Balla: Mos e prishni seancën.
Berisha: Unë nuk e dija që duhej ta sillja këtë dokument, por nuk mund të gënjesh që nuk je i dënuar. Je i dënuar dhe nuk ke paguar gjobën.
Balla: Z. dëshmitar, përpara se të merrni fjalën, betohuni se do të thoni të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Ristani: Jepni përgjigje për atë që të thashë. Ka një problem, nuk mund të vazhdojë seanca kështu.
Balla: Seanca do të vazhdojë.
Sali Berisha: Je mashtrues ordiner.
Taulant Balla: Të lutem, z. dëshmitar, atësinë, gjeneralitetet…
Arben Ristani: Komisioni nuk mund të vazhdojë me prepotencë. Kërkesa e dorëheqjes paraqitet nga ju.
Taulant Balla: Nuk kam asnjë konflikt interesi me dëshmitarin. Dëshmitarin e kam kundërshtar, vazhdojmë punën.
Ulsi Manja: Ftoj kolegët të jemi racionalë. Dispozitat e Kodit Penal aplikohen në komisionet parlamentare për aq sa është e mundur. Z. Berisha është një nga 27 dëshmitarët e thirrur.
Arben Ristani: Zbato Kodin e Procedurës Penale. Duhet të jemi objektivë dhe jo të njëanshëm. Fakti që ju keni qenë në konflikt me familjarë të z. Berisha dhe keni një vendim…
Taulant Balla: S’ka asnjë vendim.
Berisha: Të formës së prerë.
Arben Ristani: Kjo tregon se ju nuk mund të jeni i paanshëm. Paraqitni dorëheqjen e kryetarit të Parlamentit.
Balla: Jemi në Komision Hetimor parlamentar. Kryetari drejton mbledhjet e komisionit. Do të kisha dashur shumë të isha një gjyqtar dhe të kisha të pandehur zotërinë përballë (Berishën), por nuk plotësohet kjo dëshirë.
Arben Ristani: Zotëri, zbato Kodin e Procedurës Penale.
Balla: Mos e prishim mbledhjen. E lexojmë shumë ndryshe ligjin.
Berisha: Propozimi im është ky.
Balla: Zoti dëshmitar, ta jap unë fjalën.
Berisha: Je në konflikt interesi. Shërbimet e Kuvendit të zbardhin vendimin.
Balla: Z. dëshmitar, do ta bëjnë shërbimet atë dhe do ta sjellin.
Berisha: Pasi ta bëjnë shërbimet e Kuvendit atë, atëherë do flas unë.
(Çohet në këmbë).
Balla: Ja çfarë frikacaku që je. Je një frikacak që ke frikë të përgjigjesh. Komisioni ka për detyrë të zbardhë të gjitha përgjegjësitë e tua, po u shmangesh përgjegjësive.
Berisha: Shërbimet e Kuvendit të zbardhin vendimin.
Balla: Kjo është dosja hetimore. Qëndro, ulu.
Berisha: Ti je i pafytyrë. I pafytyrë je.
Balla: Ky është një teatër që po bën ai nga frika për çështjet për të cilat është thirrur dëshmitar. Ruani qetësinë. Harroje se mund të largohesh nga mbledhja, se mund t’i fshihesh deponimit para këtij Komisioni Hetimor.
Elmazi: Po pse ka frikë Berisha nga ty që t’i fshihet deponimit?
Balla: Po të kujtoj rregulloren e Komisionit. Nëse nuk do të deponosh, do shoqërohesh me forcë. Ulu dhe dëshmo.
Berisha: Pusho, ore rrugaç. Pa interpretuar shërbimet e Kuvendit vendimin e formës së prerë, nuk mund të vazhdohet.
Balla: Ulu aty dhe dëshmo.
Berisha: Unë e dija kush je ti. Ti je një përdhunues ordiner. Unë kam ardhur këtu për shkak të Parlamentit. Por nëse ti nuk zbaton rregulloren. Unë kam ardhur këtu me vullnetin më të plotë.
Ristani: Po bën teatër tani.
Balla: Jo, teatrin po e bëni ju. Teatrin nuk e bëni dot këtu në Komision. Është teatër nga frika që ka ai përballë për të deponuar për çështjet. Bëni betimin dhe ju jap fjalën që të flisni. Komisionet parlamentare janë një mjet i rëndësishëm në duart e Parlamentit për të qartësuar lidhjet dhe përgjegjësitë në lidhje me aferën 414 milionë euro.
Berisha: Unë nuk kam ardhur këtu të dëgjoj një përdhunues. Nuk kam ardhur t’i jap llogari një përdhunuesi, por kam ardhur për shkak të Parlamentit. Zbato rregulloren.
Balla: Cila rregullore? Atëherë hapi veshët mirë. Rregullorja thotë: Mbledhjen e drejtoj unë, nuk e drejton ti këtu. Ke bërë ç’ke bërë në sallën e Parlamentit, këtu fjalën ta jap unë.
Berisha: Rregullorja thotë se ti je në konflikt interesi.
Balla: Nuk kam asnjë konflikti interesi me ty.
Berisha: Ti je një mashtrues ordiner.
Balla: Ky Komision Hetimor do të jetë një histori suksesi për komisionet hetimore. Zotëria këtu më ka njoftuar që ti do të vish, minimalisht mund të më thoshte se jam në konflikt interesi. Tani na qenke trembur zotrote se drejtoj unë mbledhjen. Ta thashë po të jetë se gjykoj unë dhe po të isha unë gjyqtar dhe ti i pandehur, e di ti se çfarë dënimi do merrje. Tani më lër të bëj punën që shqiptarët më kanë ngarkuar të bëj.
Berisha: Do bësh punën në përputhje me ligjet.
Balla: Mos paragjyko. Ti për fat të keq je ende dëshmitar. Nëse ky Komision do të gjejë fajtor, ne do ta çojmë në Prokurori.
Elmazi: Ooo na trembe tani.
Balla: Vazhdojmë komisionin.
Berisha: Ne do vazhdojmë dhe unë nuk do largohem. Por jo nëse ti i gënjen shqiptarët dhe u thua që nuk jam dënuar me vendim të formës së prerë.
Balla: Unë e di që ti kishe frikë të vije në Komision. U lexua rregullorja.
Berisha: Jo, jo, prevalon ligji.
Balla: Zoti dëshmitar, të tërheq vëmendjen, po të them fjalën ta jap unë.
Berisha: I cili është një mashtrues ordiner.
Balla: Jam shumë i qetë që ke ardhur me synimin që duke më fyer, të bëj të njëjtën gjë ndaj teje. Je i vetmi njeri në këtë botë që nuk më provokon fare.
Berisha: Nuk e kam atë qëllim. Çështja është këtu, je i dënuar?
Balla: Nuk jam fare.
Berisha: Atëherë mbledhja mbaron këtu. Nëse ky këtu nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë, unë dorëzoj mandatin. Hajt mirupafshim!
Balla: Ju bëj thirrje, nëse nuk riktheheni, do të përdor argumentet dhe forcën që më jep ligji që t’ju shoqëroj me forcë. I bëj thirrje sekretarit të Komisionit të hartojë shkresën drejtuar Policisë së Shtetit që dëshmitari të risillet me forcë në punimet e këtij Komisioni.
Komentet