Rikthimi i ish-Kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, pas një dënimi 10-ditor, ka ngjallur replika të forta me kreun e qeverisë Edi Rama në seancën e të e enjtes. Këta të fundit prej kohësh nuk përballeshin në Parlament dhe nuk i kanë kursyer batutat apo thumbat për njëri-tjetrin.
Ish-Kryeministri Berisha ka akuzuar Ramën se s’ka bërë asnjë punë dhe s’ka mbaruar asnjë rrugë, por Rama e ka ironizuar duke thënë se ish-kreu i PDsë ka ngelur ende rrugëve.
Rama ka ironizuar me Berishën, duke thënë se duhej çuar në Urgjencë dhe jo në Prokurori, por ish-kryeministri ia ka këmbyer ironinë duke thënë se falë ligjeve që ka miratuar qeveria e tij, Rama mund të pleqërojë me Koço Kokëdhimën.
REPLIKAT RAMA-BERISHA
Sali Berisha: Disa kohë më parë, në këtë Parlament i dhashë një këshillë të sinqertë dhe miqësore Edvin Ramës. I dhashë një këshillë, të cilën ma kishte dhënë në fëmijërinë time më të hershme një mësues ndaj të cilit i jam shumë mirënjohës: mos lexo para të tjerëve asgjë që nuk kupton, se del pykë. Dhe e vërteta është se këtë këshillë njeriu i vetëm në këtë sallë që s’mund të ma pranojë është Edi Rama, për fatin e vetëm se po t’i përmbahet kësaj, do të flasë vetëm për shkarravinat e tij dhe për asgjë tjetër.
S’do të mund të flasë për gjë tjetër përveçse për shkarravinat që s’ua hedh kush sytë kurrë, për foto, për llogje, për retorikë boshe. O tendermenë, unë e di se tenderat ju shkaktojnë gazrat më të mëdha, prandaj dhe reagoni në këtë mënyrë.
Taulant Balla: Sa ka kushtuar magjestralja e Myzeqesë, na e thuaj.
Edi Rama: O Taulant, të kam thënë mos e merr seriozisht Saliun. Rri, or burrë. Ky është taksirat i këtyre që e kanë, jo yni.
Sali Berisha: Këta janë sekti i tenderave, këta vetëm aty e kanë mendjen. Kjo që po thoni është shumë joserioze, se vetëm në qytetin tënd, në meremetimin e atyre shtëpive dhe sokaqeve janë investuar 11 milionë euro. Unë jua them, por ti jeton në kullën tënde të fildishtë dhe e ke mendjen se ku pikojnë tenderat.
Edi Rama: Ti je për t’u çuar në Urgjencë.
Sali Berisha: Dëgjo dhe mëso ti, o zhgarritës, se rruga është element thelbësor i zhvillimit, se zhvillimi fillon me rrugën.
Edi Rama: Ky ka ngelur akoma rrugëve.
Sali Berisha: Një mësim të dhashë, por ti s’e dëgjove. Fole dhe për gjërat që s’merr vesh. Rruga është treg, rruga është zhvillim, rruga është arsim, rruga është shëndet, sepse afrohet ndihma mjekësore. Po për ty kjo nuk ka rëndësi.
Edi Rama: Ti do marrë me ambulancë.
Sali Berisha: Ke firmosur deri tani vetëm një hidrocentral, atë me të cilin shkelmove zotimin tënd, unë nuk e qortoj. Më thonë se ke firmosur Poçemin më thonë, mirë ke bërë nëse e ke firmosur. Kanionet e Vjosës mos i prek, sepse ka projekte që ndërtohen hidrocentrale dhe kanionet ruhen.
Edi Rama: Harroi kanionet.
Sali Berisha: Ti e fillove me diga të mëdha dhe Poçemi është nga digat të mëdha fare.
Edi Rama: Lejet në kanionet e Vjosës harroi. Mbaji në shtëpi ato projektet.
Sali Berisha: Ti po i negocion. Nuk ke bërë asnjë kilometër rrugë. Ti nuk e ke idenë se çfarë është zhvillimi. E gjetëm Shqipërinë me 4.8% penetrimin e internetit, akti i parë që bëre, nga fobitë dhe obsesionet e tmerrshme që ke urdhërove kushërirën të presë kabllot e “e-government”, dhe hoqe kompjuterët se dyshove se unë apo agjenturat e huaja do të regjistronim barcoletat bajate që tregon në mbledhjen e kabinetit, dhe u ktheve tek Adil Çarçani, pa asnjë gjë teknologjike.
Edi Rama: Jo po si në kohën e Vitos, Vito Kapos (Qesh).
Sali Berisha: Shqiptarët, nga afër zeros, lanë prapa vende të tëra në përdorimin e “Facebook”-ut. Sigurisht, bixhozxhinjve, karagjozëve dhe të tjerëve iu duken çudira.
Edi Rama: Fol për Shullazin tani, boll me këto. Se harron të flasësh për Shullazin.
Sali Berisha: Të gjitha të kontraktuara, të inauguruara gjatë periudhës që unë kam qenë kryeministër. Ti nuk mund të jetosh akoma me të miat. Me ato do të mbulosh dështimin tënd! Nuk e mbulon me sukseset e mia dështimin tënd.
Edi Rama: Shko mbulo veten.
Sali Berisha: Në vend që të më falënderosh mua që të kam krijuar gjithë ato kushte që të pleqërosh me Koçon, se hera parë në jetën time që dëgjoj një burrë që do të pleqërojë me një burrë tjetër, s’e kisha dëgjuar kurrë. Por prapë sërish, në respekt të plotë të ligjeve të këtij vendi unë absolutisht qëndroj besnik i tyre dhe e respektoj…
Rakip Suli: Ik ha një drekë dhe hajde prapë..
Sali Berisha: A nuk të ka dërguar mesazh rektori Kule dhe të tha që e ka kërcënuar banda e Shullazit? Unë po them atë që kanë thënë mediat.
Edi Rama: Gënjen si derri.
Sali Berisha: Dhe hetimet e mediat kanë faktuar se ata kanë njoftuar dy orë para Saje qorrin dhe Edvin Shullazin. Asgjë s’ndodhi me të.
Rakip Suli: Ka mbiemër Sajmiri.
Edi Rama: Gënjen si derri.
Sali Berisha-Fidel Yllit: Me atë që u bërë gazetarëve ti, Fidel, të paktën për dy muaj duhet të zhdukesh nga Parlamenti e të mos dalësh para kamerave, sepse u ke bërë një besprerje të turpshme atyre që s’ua ka bërë kush kurrë në histori.
Fidel Ylli: Gënjen. Nuk kishin ardhur për atë punë, por kishin ardhur për të prishur mbledhjen e KRT-së dhe të qeverisë. I ke përcaktuar ti për ta prishur atë mbledhje.
Sali Berisha: Do ta sjell në Parlament emisionin. Ndaj bërtet. Ty të akuzoi e gjithë media pse nuk dole të thoshe jo. Kur të them unë, të kap tmerri i këtij (Ramës) dhe do të mohosh, ndërsa kur të thonë mediat, s’pyet fare.
Fidel Ylli: Analistët kanë qenë të përcaktuar nga ti për të prishur mbledhjen. Bjeri përballë. Unë i ftova të vinin brenda, por ata donin të prishnin mbledhjen e qeverisë.
Sali Berisha: O Fidel, u ktheve prapë në badigard ti? E ke lënë atë detyrë me kohë ti, ke qenë i Leka Meksit, nuk je më, je deputet.
Fidel Ylli: E kam pas për nder që i kam qëndruar besnik. Jo si ty, që badigardët e tu të kanë dalë kundër. Unë di t’i vlerësoj njerëzit.
Taulant Balla: Izeti, Izeti…
Sali Berisha: Po, po, i ke marrë gjithë ato dënime në Gjykatë si shpifës ordiner, jo një, por disa. Ti që citon vrasës këtu, more i mjerë, je i sojit të tyre, vrasës nuk je, por je një trafikant ordiner, je i akuzuar me dokument zyrtar për përdhunues, ke përdhunuar një të sëmurë.
Taulant Balla: Edhe ty të kam përdhunuar.
Sali Berisha: Po s’ke fytyrë, se po të kesh fytyrë, e mbyll gojën… dhe qesh. Je i akuzuar se i ke çuar para me shoferin tënd. Shoferin tënd e arrestuan me një supertrafikant në Qafë Botë. Je i akuzuar se me Qosen kaloje kufirin. Je i akuzuar se me klanin Hoxha je i lidhur me klanin e trafiqeve.
Taulant Balla: Ti sikur thoshe Gjurajt.
Sali Berisha: Me Hoxhajt e Librazhdit, je i akuzuar me fakte e dokumente.
Edi Rama: Nuk duhet bërë gabimi që ta merrni seriozisht Saliun. Saliu nuk duhet çuar në Prokurori, duhet çuar në Urgjencë.
Jozefina Topalli: Zoti kryetar, nxirre përjashta, të mësojë të flasë njëherë.
Edi Rama: Sepse është në një fazë rrëshqitjeje të pandalshme. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por nuk jemi ne që mund t’i gjejmë.
Jozefina Topalli: A ka mundësi ta mbash gojën, se je dhe kryeministër.
Edi Rama: Një rrëshqitje e pandalshme, e cila është, në radhë të parë, problemi i partisë së tij, sepse për sa kohë ishte problemi i popullit, populli e zgjidhi në mënyrë perfekte, e çoi aty ku sot rri e këndon. Sali, do ta votosh Reformën në Drejtësi, hajde fol këtu. Jozefinë, qesh sa më shumë, se e qeshura jote i jep fuqi, se na duhet i fortë, na duhet këtu, që shqiptarët të mos e harrojnë kurrë se nga çfarë kanë shpëtuar.
FATION BINJAKU
Komentet